Ligjshmëria e reformës kushtetuese

Nga Fabian Zhilla, botuar në Panorama Online, 21 nëntor 2014

fabian-zhilla-vkStudimi, së fundmi, i fondacionit “Soros” nënvizoi dakordësinë e gjerë të gjyqtarëve dhe prokurorëve për nevojën e ndryshimeve kushtetuese (rreth 90.7%). Ky raport tregon se pritshmëria e aktorëve kryesorë (prokuror dhe gjyqtar) në sistemin e drejtësisë është e lartë.
Megjithatë, reforma në Gjyqësor dhe ndryshimet kushtetuese duket se kanë humbur shkëlqimin që Kryeministri Rama iu dha në fillim të qeverisjes së tij. Çdo vonesë në reformimin e sistemit të drejtësisë është një vonesë e demokratizimit të shtetit të së drejtës.
Shumë studiues kanë nënvizuar faktin se shoqëritë postkomuniste mund ta konsiderojnë tranzicionin të përfunduar vetëm pasi të konsolidojnë shtetin e së drejtës në kushtetuta që garantojnë barazinë e qytetarëve përpara ligjit dhe sigurojnë ndarjen e pushteteve. Në të kundërt, ekziston mundësia e rivlerësimit të sistemit të shkuar totalitar nëpërmjet strukturimit të memories retrospektive në shoqëri. Ky fenomen, thotë Priban, i kthen qeverisjet post komuniste në qeveri fiktive demokratike, të cilave iu mungon ajo që quhet etika e ligjshmërisë.
Procesi i reformave kushtetuese, nëse nuk shoqërohet me etikën e ligjshmërisë dhe me pjesëmarrjen e shoqërisë civile, rrezikon të kthehet në një arnim të vazhdueshëm të sistemit me ligje që mbivendosen duke mos krijuar një fizionomi të qartë të demokracisë kushtetuese. Ky lloj arnimi lejon hapësira për abuzim të pushtetit dhe keqinterpretim të ligjit. Unifikon elitat e së shkuarës, të cilat për shkak të lidhjeve të hershme dhe aksesit që kanë ende në politikëbërje të shkaktojnë vonesa në reformat e shtetit ligjor. Një tjetër aspekt është keqmenaxhimi i reformave në sistemin e drejtësisë, krijimi i paqartësive tek ata që interpretojnë, por dhe zbatojnë ligjin, siç janë gjyqtarët dhe prokurorët.
Këto paqartësi vihen re edhe në studimin e fundit të organizuar nga fondacioni “Soros” në lidhje me reformat kushtetuese. Ky është ndër të paktat studime në Shqipërinë postkomuniste, i cili thithi mendimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në një shkallë të gjerë në nivel kombëtar në lidhje me ndryshimet kushtetuese. Për këtë studim u anketuan rreth 54.3% e gjyqtarëve dhe 45.7% e prokurorëve në të gjithë vendin, nga ku 80% e tyre kishin mbi 10 vite punë.
Gjetja, e cila evidenton paqartësinë e aktorëve kryesorë në sistemin e drejtësisë, është ajo se në çfarë standardi duhet sjellë Kushtetuta. Mbi 90.7% e të anketuarve mendojnë se Kushtetuta ka nevojë të ndryshohet, por 62.5% e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk ishin dakord që Kushtetuta të kthehej në kornizat e vitit 1998. Është për t’u cilësuar se Kushtetuta e vitit ‘98 është një ndër dokumentet më cilësore juridike që është përgatitur në Shqipërinë postkomuniste.
Një tjetër paqartësi e të anketuarve është edhe ndryshimi i formulës së përbërjes së KLD-së, në të cilin mendimi është i ndarë gati qartas: pro (31.3%) dhe kundër (65.5%) ndryshimit.
Siç u përmend më lart, mungesa e besimit është një tjetër karakteristikë e demokracive të brishta, e cila evidentohet edhe në këtë studim. Rreth 65% e të anketuarve mendojnë se procesi i ndryshimeve kushtetuese duhet të administrohet nga një komision i veçantë parlamentar me pjesëmarrje të barabartë të të dyja forcave politike, dhe jo nga një komision i cili i përgjigjet ndarjes politike sipas numrave të deputetëve në Parlamentin e sotëm. Të anketuarit u japin gati kredenciale të barabarta shoqërisë civile (27.5%) krahasuar me Parlamentin (31%) në atë
se kush duhet të jetë aktori kryesor që duhet t’i komunikojë publikut procesin e reformës dhe vazhdimësinë e saj. Është për t’u cilësuar se besimi është i ulët tek institucionet ndërkombëtare (17%), por dhe ato shtetërore (15.2%).
Ky studim nxjerr në pah se reforma kushtetuese duhet të prekë aktorët kryesorë në sistemin e drejtësisë, siç janë: zgjedhja e Presidentit, emërimet e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë dhe forcimi i pavarësisë së Prokurorisë së Përgjithshme. Dhe kjo gjetje nënvizon se sistemi gjyqësor ka probleme serioze me varësinë ndaj politikës. Në të gjitha institucionet e përmendura, Ekzekutivi ka një rol shumë të rëndësishëm. Rreth 73% e të intervistuarve mendojnë se roli i Presidentit duhet forcuar më shumë në Kushtetutë dhe 47.8% e tyre mendojnë se mënyra me e mirë për ta bërë këtë është që Presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli.
Ky raport nënvizon se roli kontrollues i Parlamentit mbi qeverinë nuk është në nivelet e duhura, pasi 66.4% mendojnë se duhet forcuar. Vetëm 30.6% e tyre mendojnë se bikameralizmi mund të jetë një formulë që mund të funksionojë në këtë drejtim.
Nga ana tjetër, raporti cilëson se Prokuroria e Përgjithshme ka nevojë për më shumë demokratizim dhe transparencë, ku duhet të forcohet roli i organeve përfaqësuese. Rreth 57.7% shprehen se kompetencat e Këshillit të Përgjithshëm të Prokurorisë të forcohen dhe zgjerohen.
Për ta përmbyllur, edhe ky studim nxjerr në pah se demokracia kushtetuese nuk është plotësuar ende në Shqipëri. Që të arrihet kjo, ka nevojë për reforma thelbësore, të cilat duhet të forcojnë barazinë dhe përgjegjësinë përpara ligjit të organeve kushtetuese që kanë lidhje me sistemin gjyqësor. Ky mendim vjen drejtpërsëdrejti nga aktorët më të specializuar të sistemit (gjyqtarët dhe prokurorët), çka e bën kryerjen e reformave kushtetuese një proces shumë serioz dhe parësor. Nga ana tjetër, gjyqtarët dhe prokurorët e anketuar nënvizuan se ky proces do të jetë i besueshëm nëse administrohet nga institucione me peshë të barabartë politike dhe me pjesëmarrje të gjerë të shoqërisë civile. Në këtë kontekst, institucioni i cili do të merret me këtë proces duhet t’i krijojë hapësirat e nevojshme shoqërisë civile që të jetë e pranishme jo vetëm në monitorimin e procesit, por dhe në ofrimin e ekspertizës juridike. Procesi duhet të karakterizohet nga etika e ligjshmërisë dhe jo e autoritarizmit. Dhe që ky standard të arrihet, duhet që reforma në sistemin gjyqësor dhe ajo kushtetuese në përgjithësi të jenë transparente dhe gjithëpërfshirëse për publikun dhe të gjitha grupet e interesit.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi