Ç’po ndodh në demokracitë e reja?
Nga Rexhep Meidani, botuar në Panorama Online, 19 nëntor 2014
Ngërç demokratik apo hapa prapa?
Ditë më parë, më 9 nëntor 2014, u zhvilluan festimet e 25-vjetorit të rënies së Murit të Berlinit. Që nga ajo datë, në botë, sidomos në Europë, kanë ndodhur ndryshime të mëdha. Pjesë e rëndësishme e tyre janë shndërrimet demokratike në ish-vendet socialiste. Shumë prej tyre janë sot anëtare të NATO-s dhe BE-së, kurse të tjera në pritje të një anëtarësimi të ardhshëm. Veçse vitet e fundit, sidomos pas shpërthimit të krizës financiare, ndërkohë që në disa vende perëndimore është ringjallur krahu ekstremist e ultranacionalist, në disa vende ish-socialiste vihet re një ecje prapa. E thënë ndryshe, në vend të triumfit të sistemit demokratik dhe ekonomisë së tregut, pas 25 vjet përpjekjesh e shpresash të mëdha, po ndeshen deformime serioze që vënë në dyshim vlerat perëndimore, deri duke i konsideruar disa prej tyre si pengesa për zhvillim e rritje ekonomike, si dogma e ideologji që, në adoptimin e tyre, nuk kanë reflektuar specifikat dhe mjedisin konkret të çdo vendi konkret. Një nga vendet e para që e përjetoi këtë rikthim të shpejtë prapa ishte Bjellorusia e Llukaçenkos, më tej Rusia e Putinit, dhe ndërkohë, pamje pjesore të hapave prapa apo ngërçit demokratik ndeshen pothuajse kudo… Kështu, dallohen hapa prapa nëpërmjet nxitjes dhe ushqimit të nacionalizmit, kufizimit të lirive njerëzore demokratike, centralizimit të fuqisë politike. Tipike është, p.sh. sot, qeverisja autoritare në Hungari me një akumulim të qartë pushteti, me fuqizim të një grushti oligarkësh, me kundërvënie e luftë të ashpër ndaj kundërshtarëve politikë etj. Madje lexohet aty sot dëshira për një rrugë qeverisje të ndërmjetme midis modelit perëndimor dhe atij rus. Aq më keq, vetë modeli hungarez, i “pandëshkuar” nga BE-ja, po ushqen një sjellje politike me prirje autoritare dhe në vende të tjera ish-socialiste. Pas një “qetësimi” presidencial të sotëm, kjo u vu re, p.sh., në fillimet e qeverisjes së Viktor Pontës në Rumani, apo në qeverisjet shqiptare të viteve të fundit etj.
Edhe pritshmëria fillestare jorealiste për standarde të menjëhershme perëndimore dhe jetë të mirë në demokraci e kapitalizëm e ka favorizuar këtë deformim në shumë vende ish-socialiste. Madje, në to, në mjaft raste drejtuesi i Ekzekutivit (drejtuesi kryesor) ushtron një kontroll të plotë në parti e qeverisje. Një shqetësim serioz është bërë, po ashtu, mënjanimi me shpejtësi i rivalëve në parti dhe kampin e tij; apo prirja për shmangien ose asfiksimin e opozitës (me dëshirë ose jo të saj). Gjithmonë e më shpesh, në sjelljen ndaj kundërshtarit shfaqet hapur mospërfillja ndaj konsensusit, logjika e luftës së ashpër politike, deri asgjësimit dhe e tensionit politik. Edhe korrupsioni ka shtrirjen e tij të gjithanshme, sidomos në përdorimin e parave publike për aktivitete e vepra artistike, për mbështetje në media, për tenderime (prokurime) të ndryshme etj.
Shmangiet e sotme pasqyrojnë gabime, deformime e defekte e mëparshme.
Në fakt, konferenca e Jaltës e ndau Europën në dy kampe politike-ideologjike, por kjo ndarje gjatë Luftës së Ftohtë (1945-1989) u bë dhe ekonomike. Në pjesën lindore u krijua Blloku Sovjetik dhe u instalua socializmi shtetëror me karakteristikat kryesore të tilla si: shteti-parti (partia-shtet); hierarkia politike në vendimmarrje e planifikimi i centralizuar; nacionalizimi i aseteve private, i pronës e pronësisë intelektuale; industrializimi e integrimi vertikal, përqendrimi i strukturave industriale, deri ndarja e punës e kooperimi etj. Të gjitha këto karakteristika pas rënies së Murit të Berlinit iu nënshtruan një procesi të shpejtë e konfuz transformimi radikal politik e ekonomik. Vështirësi jo të vogla në procesin e këtij ndryshimi u shfaqën në ndërtimin institucional; në konkretizimin e procesit të privatizimit e liberalizimit, në ushqimin e korrupsionit në administrimin e këtyre proceseve etj. Sidoqoftë, reformimi politik-institucional në funksion të ekonomisë së tregut, orientimi i qartë liberal në të gjitha vendet ish-socialiste, përfshirë Shqipërinë, u bënë në vetvete jo vetëm një detyrë e domosdoshme shtëpie për rritjen ekonomike, por dhe një kërkesë e rëndësishme në rrugën e integrimit në BE.
Si në vendet e tjera, edhe në Shqipëri procesi i transformimeve mund të vlerësohet si një dukuri e paprecedent në historinë moderne të vendit. Megjithatë, si kudo, u ndeshën aty jo pak deformime që pasqyrohen në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë në shmangiet dhe prirjet e sotme, jo vetëm në Shqipëri, por dhe në vende të tjera ish-socialiste. Ato mund të lexohen në të gjitha aspektet kryesore të tranzicionit. Të tillë janë: 1. Tranzicioni politik-institucional – si shndërrim nga regjimi komunist njëpartiak në një sistem demokratik (edhe pse hibrid); 2. Tranzicioni social – ekonomik – si kalim nga një ekonomi socialiste e planifikuar dhe e centralizuar në atë të ekonomisë së lirë të tregut, transformim që në vetvete rezultoi edhe më i komplikuar se ai politik (me eksperimentimin e “terapisë së shock-ut” apo me teknikën e gradualitetit); 3. Tranzicioni i identitetit – si ndryshim në përkatësinë shtetërore e kombëtare; si p.sh., në rastin e copëtimit të Bashkimit Sovjetik apo Jugosllavisë; 4. Tranzicioni diplomatik – si orientim perëndimor në strukturat ndërkombëtare, me kolona bazë anëtarësimin në NATO dhe BE. Në fakt, mentaliteti i kaluar, mangësitë bazike në kulturën demokratike shtetërore e shoqërore, mungesa e përvojës, ndryshimet e gjithanshme tepër të shpejta, koha e pakët e tretjes së tyre etj., në një mënyrë ose tjetrën janë pasqyruar dhe po pasqyrohen në ecurinë e mëtejshme të këtyre proceseve, në ngërçet e sotme…
Modeli “putinist” në qeverisje si rrezik për demokracitë e reja.
Njëzet e pesë vjet më parë, kolapsi i komunizmit gjeti një mbështetje popullore masive e mjaft entuziazëm në të gjitha vendet e tjera ish-socialiste, përfshirë Shqipërinë. Një klimë e tillë nxori në skenë drejtues të “freskët”, shpesh dhe pa përvojë politike. Kjo mund të thuhet edhe për partitë e sapokrijuara. Veçse, në fillimet e veta, statutet e këtyre partive politike ishin tepër demokratike e premtuese; madje, aty, në nivelin e drejtimin ishin vendosur e miratuar rregulla dhe kushtëzime kohore tepër të prera, që me kalimin e viteve u harruan ose u ndryshuan.
Parë me këtë sy, sot, pas 25 vjetësh, në vend të krenarisë në trupëzimin e parametrave demokratike në jetën politike dhe elementeve bazë të ekonomisë së lirë të tregut, ka filluar të shfaqet “sëmundja” e plakjes demokratike (jodemokratike) në shumë nga këto vende ish-socialiste. Madje, situata, sidomos me fillimin e krizës globale financiare, ka evoluar, pavarësisht çfarë propagandohet, në një drejtim shqetësues, duke u shndërruar në një gjëegjëzë të re të vetë zhvillimit demokratik. Për më tepër, në dekadën e fundit, në shumë nga këto vende, përfshirë dhe Shqipërinë, sistemi politik ka mbetur hibrid apo njëfarë “demokracie e ngrirë”. Sidomos, gjatë kësaj krize, janë vënë në pikëpyetje nga udhëheqjet partiake disa nga vlerat demokratike bazike perëndimore. Kështu, p.sh., aty, në vend të forcimit të mëtejshëm të institucioneve demokratike, sidomos atyre të pavarura, në disa prej tyre, si rrugë më e lehtë është konsideruar të zgjedhurit e individëve “të fortë” me dëshira të qarta pushtet-akumuluese. Pa dyshim, kjo shkallë “fortësie” (më saktë “autokracie”) ka pasqyruar e po pasqyron aty kulturën politike përkatëse individuale e kolektive, traditat e problemet ekonomike, nivelin e reagimit dhe pjesëmarrjes qytetare. Për më tepër, po lexohen aty gjithnjë e më qartë orekset politike për të ushqyer, nëpërmjet një skeme populiste, ndjenjat nacionaliste; për ta centralizuar qeverisjes në kurriz të mospërfilljes së lirive dhe të drejtave të njeriut, parimeve fondamentale të ndarjes së pushteteve dhe kontroll-balancimit të tyre, mbështetjes së një grushti oligarkësh dhe të mbështeturit prej tyre, deri admirimit të një stili “putinist” qeverisje (siç e ka pagëzuar dhe ish-ministri i Jashtëm gjerman Joschka Fisher), pse jo dhe modelimit të saj sipas tij.
Në fakt, një qeverisje e tillë me prirje të theksuara autoritare është, p.sh., ajo e Viktor Orbanit në Hungari. Bile, qeveria e tij u përball kohët e fundit me një protestë të fuqishme publike kundër futjes së një takse në përdorimin e Internetit (që është jashtë kontrollit të qeverisë!), njëlloj si tentativa e mëparshme në Turqi e Rexhep Erdoganit si Kryeministër. Në mënyrë të ngjashme, në mjaft vende ka kohë që vihet re një ecje në drejtim të kundërt, për një shndërrim të demokracive liberale (qoftë dhe hibride) në regjime autoritare. Pra, nëse më parë, në Europë, tregohej me gisht vetëm regjimi i Llukashenkos në Bjellorusi, sot ky gisht mund të drejtohet dhe ndaj disa vendeve të tjera dhe drejtuesve të tyre. E thënë ndryshe, modeli i qeverisjes në Rusi, Turqi etj. po “infekton” dhe vendet e tjera, drejtuesit e tyre. Veçse me një ndryshim thelbësor: liderë si Putini, Ergodani etj., në kontakt me Perëndimin, kursejnë deri dhe “buzëqeshjen”; ndërkohë që “burrat e shtetit” të mjaft vendeve të Europës Lindore e Juglindore, “buzëqeshin” apo përkulen tërësisht përpara liderëve të BE-së, duke manifestuar njëkohësisht një sjellje arrogante e antidemokratike brenda vendit të tyre. Tipike janë: shmangia, mosdëgjimi deri asfiksimi i opozitës, sulmimi e gjobitja e mediave jo mbështetëse, bllokimi i grupeve reaguese të shoqërisë civile etj. Dhe e gjitha kjo me pretendimin se po luftohen shkeljet, abuzimet e defektet e kultivuara në qeverisjet e mëparshme! Ndërkohë, si objektiv kryesor i këtyre veprimeve është, mbi të gjitha, grumbullimi sistematik i fuqisë nëpërmjet sulmit ndaj institucioneve të pavarura, veçanërisht atyre të drejtësisë (Këshillit të Lartë të Drejtësisë, gjykatave, zyrës së prokurorit të Përgjithshëm dhe të rretheve gjyqësore); dhe më tej, mbushja e tyre me militantë dhe besnikë. Nuk mungojnë dhe përpjekjet për amendamente ndryshime kushtetuese e ndryshime ligjore (jo kushtetuese) në funksion të dëshirës për dominim e pushtet. Por, një proces i tillë pasqyron, në thelb, një ecje krejt të kundërt me aspiratat, shpresën dhe rrugën e premtuar demokratike….
* * *
A nuk ia vlen që të analizohet më thellë rasti shqiptar nga vetë lexuesi i gazetës? A nuk do ta kishte ai fare të lehtë sjelljen e shembujve, komenteve dhe emrave konkretë për qeverisjet në Shqipëri, nisur qoftë dhe nga pozicione partiake?! Pa dyshim, se po! Por, mbi të gjitha, ka rëndësi që të mos mbyllen sytë kur shihet ose tentohet që po ecet në një rrugë jo demokratike! Nuk e di pse, por që në moshë mjaft të re më ka depërtuar thellë në ndërgjegjen time thënia e famshme e gazetarit çek Julius Fuèík (para ekzekutimit nga nazistët): “Njerëz, ju kam dashur, jini vigjilentë”. I lutem lexuesit të ma kuptojë atë…