A mundet Gjermania ta pajtojë Ballkanin Perëndimor?
Nga American Institute for Contemporary German Studies, shqipëroi bota.al, 18 nëntor 2014
Në prill të 2013, Serbia dhe Kosova nënshkruan një marrëveshje që mundësoi një afrim midis dy palëve, përfshi një mirëkuptim se ata nuk do ta bllokonin përpjekjen e njëra-tjetrës për anëtarësim në Bashkimin Europian. Marrëdhëniet midis dy shteteve patën qenë në ngërç prej vitesh, kështu që kjo nuk qe një arritje e parëndësishme. Marrëveshja u ndërmjetësua nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian, Catherine Ashton dhe në pjesën më të madhe u pa si një sukses i diplomacisë së Bashkimit Europian. Megjithatë, një numër befasues vëzhguesish sugjerojnë se realizimi i marrëveshjes i detyrohet në pjesën më të madhe angazhimit gjerman: në 2011, Angela Merkeli i “lexoi aktin rebelues” Presidentit të atëhershëm serb Boris Tadiç, duke paralajmëruar se Serbia do ta rrezikonte perspektivën e saj në Bashkimin Europian, për aq kohë sa marrëdhëniet e saj me Kosovën nuk normalizoheshin. Serbia e kishte zvarritur për vite me radhë çështjen e Kosovës, dhe pavarësisht presionit të Bashkimit Europian, situata dukej e pakalueshme, përderisa asnjë qeveri serbe nuk donte ta shikonte veten si qeveria që kapitulloi lidhur me Kosovën.
Pse ishte kaq e suksesshme ndërhyrja e Merkelit në nxitjen e marrëveshjes që hap rrugën për një pajtim Serbi – Kosovë? Ky artikull sugjeron se efektiviteti i Merkelit në pjesën më të madhe i detyrohet rëndësisë në rritje të Gjermanisë për rajonin, si një partner kyç për shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe si një drejtues i integrimit europian. Pajtimi në këtë analizë nënkuptohet në sensin më të gjerë të tij: si një normalizim marrëdhëniesh midis shtetesh dhe shoqërish, në një mënyrë që do t’u mundësonte atyre të kryenin shkëmbime bazike diplomatike, politike dhe sociale. Kjo pikëpamje funksionale e pajtimit nuk fokusohet në dimensionin moral. Një fokus i tillë është zgjedhur kryesisht si rezultat i angazhimit gjerman në Ballkan: ai është më i dukshëm në nivelin shtetëror, ku Gjermania ka luajtur një rol kyç në bashkimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe nxitjen e bashkëpunimit rajonal, që eventualisht do të rezultojë në integrim europian.
Gjermania dhe Ballkani
Qysh nga vitet Nëntëdhjetë, Gjermania ka qenë aktori ndërkombëtar më aktiv i angazhuar në ndjekjen e zgjidhjeve politike për stabilizimin e Ballkanit Perëndimor. Konfliktet e periudhës 1991 – 1999 në ish-Jugosllavi lanë trashëgimi dhe sfida serioze, thellësisht të ndjera në të gjitha nivelet: ata që qenë përgjegjës duhej të gjykoheshin për krime lufte, ndërsa shoqëritë duhej të përballeshin me riintegrimin e viktimave, refugjatëve, ish të burgosurve dhe veteranëve. Rajonit iu desh që të kalonte një “tranzicion të dyfishtë”, si nga lufta tek paqja, ashtu edhe nga socializmi në demokraci dhe një ekonomi të tregut të lirë. Ish shtetet jugosllave, të nxitur nga korniza e integrimit europian, u desh që të (ri)mësonin se si të bashkëpunonin në nivelin më bazik dhe të arrinin marrëveshje në çështje të tilla si grindjet kufitare dhe marrëveshjet tregtare, si dhe të zhvillonin shtetet pas lufte, nëpërmjet mekanizmave të ndarjes së pushteteve. Gjatë gjithë kësaj historie të vonshme, shpesh u bënë krahasime midis Gjermanisë dhe ish Jugosllavisë, me Gjermaninë të mbajtur si një model pajtimi dhe rindërtimi. Megjithatë, jo vetëm që këto krahasime janë të rrejshëm, por ata edhe errësojnë lidhjet reale të angazhimit gjerman dhe rindërtimin e pajtimin e Ballkanit Perëndimor pas konfliktit.
Gjermania e pasluftës dhe ish Jugosllavia qenë ngushtësisht të lidhura: jo vetëm që gjermanët mirëpritën numra të mëdhenj punëtorësh Gastarbeiter nga ish Jugosllavia, por ish lideri i saj, Josip Broz Tito, kultivoi lidhje të fuqishme me Gjermaninë si pjesë e politikës së jashtme të tij. Kultivimi i marrëdhënieve bilaterale të fuqishme vazhdoi në politikat e jashtme të pothuajse të gjitha shteteve pasuese jugosllave, sidomos të Kroacisë dhe Serbisë nën Kryeministrin Zoran Xhinxhiç (por jo, siç dihet, nën Sllobodan Millosheviçin). Angazhimi gjerman në rajon arriti një moment kritik me njohjen në 1992 të Kroacisë dhe Sllovenisë nga ana e Gjermanisë, një vendim që shkaktoi çarje midis partnerëve ndërkombëtare të saj, por një vendim që u mor në frymën e zgjidhjes së konfliktit. I njëjti arsyetim nënvizonte mbështetjen e Gjermanisë për pavarësinë e Kosovës më pas në vitet nëntëdhjetë, por që u përforcua më tej nga fushata persekutuese e ish Presidentit serb Sllobodan Millosheviç kundër shqiptarëve të Kosovës.
Qysh atëherë, Gjermania ka qenë e përfshirë në të gjitha vendimet dhe proceset e mëdha të konceptuara për të qetësuar zonat e konfliktit ish jugosllav. Shumë iniciativa të tilla u parashikuan si mekanizma pajtimi, edhe pse jo gjithmonë rezultoi të ishte kështu, si për shembull, në rastin e Marrëveshjes së Dejtonit, që i dha fund luftës në Bosnje, por përgjithësisht u mendua si një dështim politik përderisa përforcoi ndarjet etnike në nivelet e elitave. Gjermania qe anëtare e Grupit të Kontaktit (që përfshinte gjithashtu Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Italinë dhe Rusinë), që monitoroi konfliktet në Jugosllavi, dhe në 1999 mori pjesë në fushatën e NATO-s kundër Serbisë dhe Millosheviçit në Kosovë.
Aktorë të jashtëm dhe pajtimi
Gjermania ka qenë një prej një numri aktorësh ndërkombëtarë që i ka ndihmuar shtetet e mëpasëm jugosllavë që t’u japin fund konflikteve dhe më tej, të rindërtohen dhe pajtohen. Kjo nuk është e pazakontë: pothuajse të gjitha konfliktet bashkëkohore përfshijnë një shkallë të caktuar angazhimi ndërkombëtar ose të jashtëm, qoftë kjo nëpërmjet paqeruajtjes ose, më pas, paqendërtimit. Angazhimi i jashtëm ka qenë shpesh vendimtar në konflikte të ndryshme, veçanërisht ato në Ballkanin Perëndimor, ku elitat e brendshme politike e patën humbur legjitimitetin sapo i futën vendet e tyre në luftë. Aktorët ndërkombëtarë shpesh kanë qenë thelbësorë në ndihmën e tyre për negociimin e traktateve të paqes midis palëve, zakonisht duke i nxjerrë elitat jashtë zonave të konfliktit në “vende të treta”, në mënyrë që ata të mund të ishin më pak të ndikueshëm nga përpjekjet e ndryshme të brendshme për t’i influencuar, apo presionit mediatik.
Në këtë kontekst, Gjermania është aktor i jashtëm jashtëzakonisht i veçantë për Ballkanin Perëndimor: asnjë aktor tjetër ndërkombëtar nuk është parë kaq pozitivisht dhe me një koherencë të tillë. Këndvështrimi nga shtetet pasuese jugosllave është se shumica e aktorëve ndërkombëtare vjen me “valixhe”, apo preferojnë që të anësohen: Shtetet e Bashkuara shikohen si “proKosovë”, ndërsa Franca shikohet si “proSerbi” dhe perceptimi për Mbretërinë e Bashkuar është akoma i njollosur me trashëgiminë Tony Blair – Irak. Për t’u habitur, përfshirja e Gjermanisë në goditjet ajrore të NATO-s ndaj Serbisë në 1999 nuk e redukton popullaritetin e saj si partner, përderisa goditjet ajrore shpesh shikohen si një iniciativë amerikane. Kështu që Gjermania qëndron e pozicionuar në mënyrë unike si një aktor i aftë që të ushtrojë influencë: jo vetëm që shikohet si një partner i paanshëm, por ajo ka manifestuar interesin politik të jashtëm më të fortë në rajon, krahasuar me anëtarë të tjerë të Bashkimit Europian dhe Shtetet e Bashkuara. Për shembull, Mbretëria e Bashkuar e ka reduktuar me ngadalë ndihmën e saj për Ballkanin; Shtetet e Bashkuara mbajnë një interes dhe një prani të fuqishme në Kosovë, por e kanë reduktuar interesin e tyre në rajon në tërësi.
Interesi i vazhdueshëm i Gjermanisë në rajon pjesërisht mund t’i atribuohet, e para, një preokupimi politik të brendshëm ndaj emigracionit e refugjatëve dhe, e dyta, konsideratave të politikës së jashtme. Edhe pse nuk ekziston sot asnjë rrezik real për luftë, Gjermania është ende e shqetësuar prej emigracionit potencial në shkallë të gjerë, pjesërisht si rezultat i kushteve ekonomike jo të mira në rajon, Bosnjes e Maqedonië akoma të paqëndrueshme dhe procesit të brishtë të paqes Kosovë – Serbi, i cili shikohet nga diplomatët gjermanë si i suksesshëm, por që ka potencial për shkërmoqje me provokimin më të vogël.
Angazhimi i Gjermanisë në Ballkan shtrihet përtej dy faktorëve të sipërpërmendur. Preokupimi i saj në stabilizimin e rajonit rezulton gjithashtu nga vetë përvoja historike e saj, përderisa “larmitë dhe kompleksitetet e përballjes së Gjermanisë me të kaluarën pasqyrohen në politikën e jashtme të saj”. Një pikëpamje është se Gjermania ka luftuar me reforma dhe ndryshime paslufte të mëdha dhe se tani e ka përvojën dhe mundësinë që të ndihmojë shtete të tjera që përjetojnë sfida të ngjashme. Kjo është komplementare me interesin e saj në projektin më të gjerë e integrimit në Bashkimit Europian. Prej kohësh Gjermania ka qenë një prej pilotëve kyç të integrimit europian, (pavarësisht, siç dihet fort mirë, “duke drejtuar nga pas”) dhe pikëpamja aktuale është derikur Ballkani Perëndimor, sidomos Serbia si vendi i madh në rajon, nuk janë stabilizuar dhe integruar, “nuk ekziston asnjë Europë e tërë dhe e lirë”. Në të vërtetë, pesha e Gjermanisë në Bashkimin Europian njihet nga shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe kuptohet se perspektivat e integrimit të një vendi në pjesën më të madhe varen nga Gjermania. Aq shumë, sa që të gjitha shtetet kanë kultivuar lidhje të fuqishme me Gjermaninë, përfshi Kosovën. Sipas fjalëve të një ish diplomati amerikan, “ne mund të jemi të huajt e parapëlqyer në qytet, por realiteti është se Bashkimi Europian është e ardhmja dhe Gjermania është lojtari kyç”.
Integrimi europian si pajtim
Integrimi në Bashkimin Europian tenton që të jetë një proces pajtimi mjaft i injoruar. Në Ballkan, Gjermania operon brenda kornizës së zgjerimit të Bashkimit Europian: në total, synimi është stabilizimi i rajonit dhe integrimi në Bashkimin Europian, është njëherazi mjet dhe qëllim në këtë aspekt. Kur vjen puna tek pajtimi dhe përballja me historinë, akademikë dhe politikëbërës janë shumë të shpejtë që të shikojnë në aspektet e ngushta ose eksplicite të këtij procesi, si bashkëpunimi me tribunalet e krimeve të luftës apo krijimin e komisioneve të vërtetësisë. Në këtë kuptim, vendet e Ballkanit Perëndimor përgjithësisht besohet se kanë dështuar ose po dështojnë në konfrontimin me të kaluarën. Sigurisht, rezultati i mjaft proceseve gjyqësore (të tilla si gjyqet e gjenocidit Kroaci kundër Serbisë dhe Bosnje kundër Serbisë) dhe retorika nacionaliste e disa elitave të brendshme nuk është shenjë e mirë për pajtimin, i kuptuar ky në sensin normativ të tij. Megjithatë, parë në mënyrë më implicite, nëpërmjet optikës së integrimit europian, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë bërë hapa të mëdhenj përpara, shpesh si rezultat i një angazhimi të jashtëm. Nëqoftëse pajtimi është kuptuar në sensin e tij më të gjerë si normalizim marrëdhëniesh apo vendosje e kontaktit funksional, diplomatik ditë pas dite “normal”, social dhe politik midis ish “armiqsh”, atëhere Ballkani Perëndimor duket si një histori pajtimi e suksesshme (sidomos kur krahasohet me rajone njëlloj të prekura, ku konfliktet dhe diplomacia mbeten të “ngrira”, si në rastin e Çeçenisë). Gjithashtu, kjo është pikëpamja nga brenda Ballkanit: një ish Ministër i Jashtëm serb komentoi se, krahasuar me Azinë Lindore, Ballkani Perëndimor ka bërë goxha avancim të madh në fushën e pajtimit dhe të bashkëpunimit.
Brenda kornizës së integrimit në Bashkimin Europian, shumë theks (dhe kushtëzim) u vendos mbi “bashkëpunimin rajonal” e shteteve të mëpasëm jugosllavë. Praktikisht, disa prej këtyre iniciativave, të tilla si Pakti i Stabilitetit për Europën Juglindore dhe më pas Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal replikuan ose imituan lidhje dhe hapësira ish jugosllave. Bashkëpunimi rajonal u ka hapur rrugën disa “fitoreve të mëdha” në pajtim. Dy episode spikasin: i pari, marrëveshja Beograd – Prishtinë e vitit 2013, e cila “shkriu” marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve, dhe i dyti, Konferenca e Shteteve të Ballkanit Perëndimor e vitit 2014. Në të dyja rastet, Gjermania luajti një rol vendimtar.
Gjermania si katalizator për pajtimin e Ballkanit Perëndimor
Substanca e marrëveshjes së 2013 midis Beogradit dhe Prishtinës qe ndoshta e parëndësishme, përderisa nuk propozonte asnjë ndryshim të ri radikal, por ishte origjinale në kuptimin se mundësonte një dialog Kosovë – Serbi dhe njohjen e Kosovës nga Serbia. Pikëpamja nga Serbia është se njohja e Kosovës nuk është më një problem “nëqoftëse”, por një problem “kur”, përderisa pjesa më e madhe e marrëveshjes e pranonte në mënyrë implicite (për shembull, duke rënë dakord që të mos e bllokonte procesin e anëtarësimit e Kosovës në Bashkimin Europian, Serbia në mënyrë implicite po e njeh atë si shtet të pavarur).
Ndërhyrja e Merkel më së fundi ushtroi llojin e duhur të presionit ndaj Serbisë sepse ai vinte nga lloji i duhur i aktorit. Merkel shikohet si një njeri që nuk merr lehtë perspektiva joekuivoke; qëndrimi i saj lidhur me çështjen e Kosovës më së fundi i dha Serbisë mesazhin e qartë që asaj i nevojitej. Deri në atë pikë, Serbia kishte pretenduar se kërkesat e Bashkimit Europian për sa i përket Kosovës nuk qenë të qarta, teksa njohja nuk ishte parakusht për anëtarësim. Mungesa e një pozicioni të përbashkët të Bashkimit Europian lidhur me pavarësinë e Kosovës e dobësonte presionin e tij ndaj Serbisë. Prandaj Merkel, duke përfaqësuar një vend të parë universalisht si motori i integrimit europian, mund të arrinte të bënte atë që Bashkimi Europian nuk mund ta bënte dhe ta paralajmëronte Serbinë se grindjet e pazgjidhura me fqinjët janë një pengesë reale për anëtarësim. Gjithashtu, ndërhyrja e Merkel përfitoi nga një moment oportun në politikat e brendshme, përderisa partitë në pushtet në Serbi dhe Kosovë donin një shans për kandidim dhe rizgjedhje.
Përpjekjet gjermane në pajtimin dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor vazhdon, edhe pse Bashkimi Europian transmeton shenja të lodhjes së zgjerimit. Kohët e fundit, Merkel organizoi një konferencë me liderët e Ballkanit Perëndimor për të diskutuar perspektivat e integrimit. Shumica e vëzhguesve nuk kishin asnjë shpresë për një rezultat të prekshëm. Sigurisht që konferenca nuk dha ndonjë rezultat spektakolar, por ajo qe simbolike dhe stimuloi një numër më të vogël, por të rëndësishëm, iniciativash rajonale pajtimi. Konferenca inkurajoi bashkëpunimin rajonal dhe, si rezultat i kësaj, Bosnja dhe Serbia paraqitën një projekt infrastrukturor të përbashkët për financim nga Bashkimi Europian. Shqipëria shpalli se Kryeministri i saj, Edi Rama, do të vizitojë Beogradin, e para e tillë qysh nga vitit 1946. Sidoqoftë, ne duhet të jemi të kujdesshëm për të mos i ekzagjeruar afrime të tilla, përderisa mbetet shumë për t’u bërë; për shembull, Serbia ka nënshkruar deri më tani një apologji formale, nga ish Presidenti Boris Tadiç dhe jo e mbështetur nga parlamenti i asaj kohe, për rolin e saj në luftën boshnjake.
Konferenca është një kulmim i përpjekjeve gjermane dhe i angazhimit të vazhdueshëm në rajon. Jo vetëm që ka qenë anëtari më aktiv i Bashkimit Europian në Ballkanin Perëndimor, por ka qenë gjithashtu kontribuuesi më i madh në ndihma, nëpërmjet Bashkimit Europian dhe bilateralisht. Qysh nga 2000, ndihma bilaterale e Gjermanisë për Serbinë ka qenë në 1.6 miliard euro dhe 420 milion euro për Kosovën qysh nga 1999. Veç kësaj, sipas një diplomati gjerman, 30 përqind e të gjithë ndihmës së Bashkimit Europian për Ballkanin vjen nga taksapaguesi gjerman. Pjesë e madhe e kësaj ndihmë është e drejtuar nga stabilizimi rajonal nëpërmjet rritjes ekonomike. Kjo nuk është për t’u nënvlerësuar. Papunësia në rajon shkon nga 20 përqind në Serbi në 35 përqind në Kosovë (me 60 përqind papunësi në radhët e rinisë). Në raste të tilla, jo vetëm që rritja nëpërmjet investimeve të huaja dhe mbështetjes për industrinë vendore është vendimtare për rigjallërimin e ekonomive vendore, por është gjithashtu një parakusht thelbësor për çdo proces pajtimi.
Kështu që në nivel shtetëror marrëdhëniet po normalizohen dhe kanë qenë të tilla prej disa kohësh, për shembull tregtia midis shumicës së vendeve ish jugosllave po lulëzon. Ky nivel bashkëpunimi rajonal është një pjesë e vogël, por e rëndësishme, e pajtimit; një hap drejt ndërtimit të një vizioni të përbashkët dhe një hapësire të ndarë. Megjithatë, një pjesë e rëndësishme e çdo procesi pajtimi ndodh poshtë nivelit shtetëror. Një numër i madh iniciativash të shoqërisë civile, shpesh të drejtuara nga Organizata Joqeveritare (NGOs), ka vepruar në shtetet pasuese jugosllave qysh nga vitet Nëntëdhjetë. Fondacione politike gjermane, në veçanti Heinrich Böll Foundation dhe Friedrich Ebert Foundation, kanë luajtur role drejtuese në mbështetjen, shpesh financiarisht, të shoqërisë civile të brendshme në projekte të ndryshme pajtimi, si puna e atij në vazhdim “Memory Lab”, një “platformë përkujtimi” transeuropiane që bashkon përvojat pajtuese gjermane, franceze dhe të Ballkanit Perëndimor.
Iniciativat e shoqërisë civile janë të rëndësishme, sidomos ato të organizuara nga Friedrich Ebert Foundation për të arritur tek liderët politikë, për shkak se aspekte të rëndësishme pajtimi akoma po mungojnë në Ballkanin Perëndimor. Ndërsa shoqëria civile është aktive në promovimin e pajtimit, apologjisë dhe njohjes së iniciativave të dëmshme, lidershipi politik nëpër rajon tenton që të injorojë ose të shkëputet krejtësisht nga pyetjet lidhur të kaluarën. Ashtu siç është diskutuar mirë tjetërkund, lidershipi politik, i cili mbështet shoqërinë civile, është i rëndësishëm përderisa mund të ndihmojë të çohet në “transformimin e institucionalizuar”.
Gjermania një partner në pajtimin e Ballkanit Perëndimor
Pikëpamja e Gjermanisë për rolin e saj në Ballkan dhe tjetërkund është se ajo është bërë deri diku një “vend rregullo” dhe se influenca e saj është mbivlerësuar. Kjo nuk është një pikëpamje e ndarë nga partnerët e Gjermanisë, sidomos Shtetet e Bashkuara, të cilët do të donin që të shikonin një rol më të madh dhe më eksplicit të Gjermanisë në rajon, sidomos për sa i përket Bosnjes. Sigurisht që Gjermania i njeh dhe i pranon përgjegjësitë e saj për lidership si vendi më i madh në Bashkimin Europian dhe si ish “njeriu i sëmurë i Europës” që me sukses ka arritur reforma. Megjithatë, Gjermania e thekson fuqimisht se nuk mund ta ndryshojë e vetme situatën në Ballkanin Perëndimor dhe se ka nevojë për më shumë mbështetje nga partnerët e Bashkimit Europian. Me fjalë të tjera, vende si Kosova dhe Bosnja nuk mund të rrinte e të presin që Gjermania të zgjidhë problemet e tyre, për shkak se modus operandi i kësaj të fundit ka qenë gjithmonë që të ofrojë ndihmë financiare dhe politike, ndërsa pret reforma dhe prirje pozitive drejt ndryshimit.
Në mënyrë të ngjashme, partnerët e Bashkimit Europian – shumica e të cilëve i kanë reduktuar interesat politike të tyre në rajon – nuk mund të rrinë e të presin që Gjermania t’i zgjidhë pa ndihmën e kurrkujt tensionet e mbetura. Gjermania ka gjasa që do të ketë një influencë të vazhdueshme në rajon, pasi Ballkani Perëndimor ka nevojë për të: Gjermani ka qenë pothuajse kampioni i vetëm i integrimit të mëtejshëm në mes të lodhjes së zgjerimit të Bashkimit Europian. Shpesh ajo është parë si “hegjemoni ngurrues” dhe ky ngurrim i parë në marrjen e drejtimit në çështjet e ndryshme funksionon mirë këtu. Prandaj Gjermania mund të ndihmojë që të pajtohet Ballkani Perëndimor; ajo është anëtari i vetëm aktiv i Bashkimit Europian angazhimi i së cilës në stabilizim dhe integrim barabitet nga mbështetja financiare dhe politike e saj, duke e bërë aktorin e vetëm me ndikim real.