Reformat e kërkuara nga BE, qeveria pakëson buxhetin
Analizë nga Shqip, 17 nëntor 2014
Ulen fondet në projektbuxhetin 2015 për reformën në drejtësi dhe arsim, në luftën kundër korrupsionit dhe për pronat
Edhe pse deklaron se është e angazhuar për ta parë Shqipërinë sa më shpejt pjesë të familjes së madhe europiane, qeveria shkurton fondet për pesë prioritetet e Komisionit Europian, që do të bëjnë të mundur hapjen e negociatave për anëtarësimin e vendit tonë në BE. Në analizën e Ministrisë së Integrimit mbi projektbuxhetin 2015, ku reflektohen rekomandimet e raportit të progresit të publikuar nga Komisioni Europian në tetor, bie në sy se qeveria shqiptare ka shkurtuar buxhetin për disa nga nismat kryesore të shpallura nga vetë qeveria shqiptare, siç është: reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe zbatimit të të drejtave të njeriut, ku përfshihet kthimi dhe kompensimi i pronave dhe trajtimi i të burgosurve në burgje.
Reforma në drejtësi
Sa i përket reformës në drejtësi, në analizën e saj që i është dorëzuar Kuvendit, Ministria e Integrimit thekson se fondi për Ministrinë e Drejtësisë, e cila është edhe institucioni përgjegjës për realizimin e kësaj reforme, projektbuxheti i vitit 2015, është 11.7 për qind më i ulët se vitin e kaluar. Gjithashtu, ulje të fondeve të saj për reformën në drejtësi ka pësuar edhe Gjykata Kushtetuese, ku projektbuxheti është 1.6 për qind më i ulët se ai i vitit të kaluar. Edhe Përmbarimi Gjyqësor, në krahasim me vitin 2014, ka një ulje të buxhetit për reformën në drejtësi me 3.8 për qind. Por çuditërisht, në analizën e Ministrisë së Integrimit, bie në sy shtimi i buxhetit me 5.8 për qind për Këshillin e Lartë të Drejtësisë për vitin e ardhshëm. Por shtesa e buxhetit për KLD-në do t’i shërbejë këtij institucioni jo vetëm për rolin e tij në reformën në drejtësi, por edhe nismës për luftën kundër korrupsionit. Gjithashtu, për këtë reformë, qeveria ka shtuar fondet edhe për institucionet e tjera të drejtësisë në vend si: Shkolla e Magjistraturës, projektbuxheti i së cilës është 1.5 për qind më i lartë; Prokuroria e Përgjithshme në projektbuxhetin e saj ka një rritje prej 0.6 për qind krahasuar me 2014-n; edhe zyra e administrimit të buxhetit gjyqësor, në krahasim me vitin 2014, ka një rritje të buxhetit me 4.94 për qind.
Lufta kundër korrupsionit
Duke u bazuar në buxhetin e caktuar për vitin 2015, Ministria e Integrimit pasqyron në përqindje edhe ndryshimet buxhetore në krahasim me vitin 2014, sa i përket kësaj nisme kryesore të qeverisë “Rama”, ku sërish bie në shkurtim të buxhetit të Ministrisë së Drejtësisë me 11.7 për qind. Por, nga ana tjetër, duket se në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, qeveria i ka dhënë prioritet Ministrisë së Brendshme, së cilës për të realizimin e këtyre dy objektivave i ka shtuar fondet në buxhetin e kësaj ministrie me 13.3 për qind në krahasim me vitin e kaluar. Gjithashtu, edhe buxheti i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka pësuar rritje me 2.6 për qind, si dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë me 5.8 për qind dhe Prokuroria e Përgjithshme do të marrë 0.6 për qind më shumë se një vit më parë. “Me këtë buxhet synohet të adresohet problematika e ngritur në progres-raportin e Komisionit Europian 2014, si lufta kundër korrupsionit, zbatimi i ligjit, trajnimi dhe forcimi i kapaciteteve administrative, për të përmirësuar efikasitetin e hetimeve dhe për të arritur një vijimësi rezultatesh (track record) bindëse në hetime, ndjekje penale dhe dënime në të gjitha nivelet, inicimi i hetimeve proaktive, vlerësimi sistematik i riskut dhe bashkëpunimi ndërinstitucional”, thekson Ministria e Integrimit.
E drejta e pronësisë
Në analizën e saj mbi projektbuxhetin për vitin e ardhshëm, Ministria e Integrimit vëren një ulje drastike të fondeve të parashikuara nga qeveria, që do të shkojnë për kthimin dhe kompensimin e pronarëve të ligjshëm. Konkretisht, bëhet fjalë për më shumë se një përgjysmim të fondeve të qeverisë për shërbimin e kthimit dhe kompensimit të pronave, ku, sipas saj, buxheti për këtë shërbim ka një ulje prej 59.3 për qind. Sipas Ministrisë së Integrimit, vëmendja e qeverisë për çështjen e pronave do të përqendrohet më shumë në hartimin e një plani strategjik për pronësinë në Shqipëri, projekt ky i kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, vendimet e së cilës për njohjen e pronësisë së pronarëve kanë një kosto tepër të lartë për shtetin shqiptar. “Me këtë buxhet synohet të adresohet problematika e ngritur në progres-raportin e Komisionit Europian 2014, si rishikimi i strategjisë dhe planit të veprimit për reformën e të drejtave të pronësisë 2012, përpunimi i kërkesave të ish-pronarëve për kthim dhe kompensim etj.”, thekson Ministria e Integrimit.
Trajtimi i të ndaluarve
Edhe pse në progres-raportin e saj të tetorit, Komisioni Europian ngriti shqetësimin e tij për mungesën e shërbimeve dhe për përmirësimin e kuadrit ligjor për trajtimin e të ndaluarve, sërish qeveria shqiptare vijon të shkurtojë fondet në buxhetin e saj që do shkojnë për sistemin e burgjeve në Shqipëri. Sipas analizës, mbi këto prioritete të KE-së, rezulton se për sistemin e burgjeve, totali i buxhetit të shtetit për vitin 2015 është 6.9 për qind më i ulët. Ndërsa për shërbimin e provës, totali i buxhetit të shtetit për vitin 2015 është 56.3 për qind më i lartë. “Me këtë buxhet synohet të adresohet problematika e ngritur në progres-raportin e Komisionit Europian 2014, mbi mungesën e shërbimeve të përshtatshme të kujdesit shëndetësor për personat me sëmundje mendore, përmirësimi i kuadrit ligjor për pagesat e punës, zbatimi i masave antikorrupsion etj.”, thuhet në analizë. Duke vijuar më tej, Ministria e Integrimit thekson se edhe për institucionet e përfshira në mbrojtjen e të drejtave të njeriut ka një hezitim të qeverisë shqiptare për rishikimin e fondeve të buxheteve të tyre. “Buxheti për vitin 2015 për komisionerin për mbrojtjen nga diskriminimi mbetet i njëjtë me vitin 2014. Ndërsa, buxheti për vitin 2015 për Avokatin e Popullit, në krahasim me vitin 2014, ka një ulje prej 27.5 për qind”, thuhet në analizën e Ministrisë së Integrimit në lidhje projektbuxhetin e qeverisë për 2015-n dhe prioritetet e KE-së për hapjen e negociatave.
Arsimi
Pavarësisht reformës së nisur në arsim, qeveria ka parashikuar që projektbuxheti për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit i vitit 2015 të jetë rreth 2.5 më i ulët kundrejt buxhetit të 2014-s