Kosovë: Skandali që ka trazuar Brukselin
Sipas Le Monde, shqipëroi bota.al, 17 nëntor 2014
Shumë gjykatës të misionit Eulex janë akuzuar për korrupsion dhe pengim hetimesh. Skandali ka prekur misionin më emblematik të jashtëm të Bashkimit Evropian (BE), në një nga vendet më të përkëdhelur nga Komuniteti ndërkombëtar.
Misioni i Eulex-it, me 1 600 nënpunës dhe një buxhet vjetor prej 110 milion Euro – duhet t’i japë Kosovës ekspertizën e tij në fushën e drejtësisë dhe të policisë për afrimin me standartet evropiane të shtetit të së drejtës.
Ky mision, sot është mbërthyer nga një skandal madhor, një dhuratë e pakëndshme mirëseardhjeje për shefen e re të diplomacisë evropiane, Federica Mogerini, të cilës i duhet ta zgjidhë duke dërguar në vend një jurist, francezin Jean-Paul Jacqué, i cili do të ketë katër muaj për të dorëzuar një raport dhe paraqitur rekomandimet e tij.
Çështja shpërtheu në fund të tetorit në shtypin kosovar. Më pas, ajo u përhap me zbulimet e bëra nga Maria Bamieh, gjykatësja britanike e cila akuzon tre nga kolegët e saj që, prej vitit 2012 dhe 2013, kanë marrë rryshfete nga “mjedisi” kosovar, për të penguar hetime apo për të klasifikuar dosjet e lidhura me krimin e organizuar.
Nën akuzë janë vënë tre gjykatës të lartë të Eulex-it. Gjykatësi italian Françesco Florit ka marrë 300 000 euro për të lëshuar një të dyshuar të akuzuar për vrasje dhe ka komunikuar me një të dyshuar, ish-këshilltar i ministrisë së Shëndetësisë të Kosovës.
Kolegia e tij, Jaroslava Novotna, Prokurore e përgjithshme e misionit, gjithashtu ka pranuar para për të mbyllur hetime kriminale, sidomos një nga hetimet që kishte të bënte me ish ministrin dhe ish komandantin e UÇK-së (Ushtria Çlirimtare e Kosovës), Fatmir Limaj, i falur për krime lufte.
Fyerje dhe presione
Prokurorja britanike siguron se i ka mbledhur këto informacione në sajë të përgjimeve telefonike të realizuara gjatë hetimeve. Më pas ajo ka njoftuar hierarkinë e saj dhe pikërisht prokurorin kanadez, Jonathan Ratel, i cili bëri përpjekje t’i pengonte ato. Bamiah thotë se ka pasur fyerje, deri sa ato u ndërprenë më 28 tetor, pak para se të shpërthente skandali. Gazeta “Koha Ditore”, e cila botoi e para këto zbulime pohon se dhe ajo ka pasur presione. .
“Nuk bëhet fjalë për një sanksion, por për një masë që zbatohet në këto lloj situatash”, shpjegoi shefi i ri i misionit italiani Gabriele Meucchi. Eulex ishte në dijeni të akuzave qysh prej vitit 2013, ka konfirmuar, duke siguruar se atëhere kishte filluar një hetim i brendshëm në bashkëpunim me policinë kosovare.
Në Prishtinë këto akuza nuk kanë habitur një numër vëzhguesish, por gjithashtu dhe një pjesë të madhe të popullsisë. Një ish funksionar ndërkombëtar në detyrë në Prishtinë, ekonomisti Andrea Capussela, u muar me bilancin e Eulex-it. Sipas konkluzioneve të tij që do të jenë objekt i një libri, për 15 akuzat më të rëndësishme të ngritura nga misioni, vetëm 4 kanë rezultuar me dënime. Tetë çështje të rëndësishme – korrupsioni, krime lufte apo krim i organizuar – nuk kanë shpënë në asnjë ndjekje, “ndërkohë që dosjet përmbanin prova të forta dhe mjaft të dokumentuara”.
“Këto janë rezultate shumë të pamjaftueshme nisur nga rëndësia e korrupsionit dhe krimi i organizuar në Kosovë”, është shprehur Capussela në një intervistë në gazetën Guardian. “Asnjë ‘peshk i madh’, asnjëherë nuk është dënuar, konfirmon gazetari Belgzim Kamberi. Ende nuk dihet roli i luajtur nga korrupsioni, por ajo që është e sigurt, është se misionet ndërkombëtare në Kosovë gjithmonë kanë qenë më tepër të interesuar për stabilitetin, se sa për drejtësinë”.