Fatura e lartë e pronave nga Strasburgu

Sipas Mapo Online, 17 nëntor 2014

Gjykata-europiane-per-te-drejtat-e-njeriutMinistria e Financave është duke i konsideruar faturat e larta të vendimeve të Strasburgut për kompensimin e ish-pronarëve si një nga rreziqet kryesore për ecurinë e buxhetit 2015. Vetëm një prej tyre kushton 8 milionë euro. Cani kërkon rishikimin e skemës së kompensimit

Fatura që rrjedh nga vendimet e Gjykatës së Strasburgut për kompensimin e ish-pronarëve konsiderohet si një nga rreziqet kryesore me të cilat do të përballet buxheti i shtetit gjatë vitit 2015. Burimet nga Ministria e Financave bëjnë me dije se vetëm një prej këtyre faturave ka vlerën e 8 milionë eurove, çka e bën të pamundur shlyerjen e tyre me burimet aktuale të financimit. Nga ana tjetër, obligimi për të shlyer këto fatura është detyrim mbi detyrimet edhe për procesin e integrimit në BE dhe një nga kushtet kryesore që Shqipëria duhet të përmbushë. Nga ana tjetër, Gjykata e Strasburgut nuk ka pranuar një shtyrje afati për shlyerjen e këtyre faturave, çka e vë qeverinë në pozicionin e atij që duhet të paguajë pas çdo gjyqi të humbur për pronat në Strasburg. Kështu, ndërmjet paaftësisë për të përballuar vlerën e lartë dhe detyrimit ligjor për shlyerjen e saj, institucionet janë vënë në lëvizje për të rishikuar mundësitë e mëtejshme të metodologjisë së llogaritjes së çmimeve të kompensimit me qëllim uljen e vlerës.

Alarmi i financave

Shpenzimet për kompensimin në vlerë të ish-pronarëve për periudhën 2015-2017 parashikohen në masën 1.4 miliardë lekë në vit (nga të cilat 1 miliard lekë janë të ardhura nga ALUIZNI). Ndërkohë që fatura e plotë është në proces llogaritjeje, buxheti i shtetit rëndohet gjatë vitit nga vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Strasburgut, të cilat pothuajse në të gjitha rastet janë në favor të paditësit, me një efekt financiar të konsiderueshëm”, thuhet në relacionin e financave drejtuar qeverisë. Vetëm për një vendim të tillë, në projektbuxhetin e vitit 2015 për Ministrinë e Financave parashikohet një fond në masën 1.2 miliard lekë (ekuivalent i 8 milionë eurove). “Në këto kushte, rezulton imediate marrja e masave nga ana e Ministrisë së Drejtësisë në drejtim të rishikimit të skemës aktuale të kthimit dhe kompensimit të pronave, si dhe të finalizimit të një pakete masash konkrete që duhet të marrë dakordësinë e Gjykatës Ndërkombëtare të Strasburgut. Grupi ndërministror që po punon për strategjinë dhe planin e masave, duhet të konsiderojë gjithashtu faktorin kohë për përfundimin e detyrës”, – thuhet në dokumentin e Ministrisë së Financave. Sipas ekspertëve të Canit, një problematikë komplekse ka edhe zbatimi i vendimeve gjyqësore që lidhen me aspekte të tjera të menaxhimit në institucionet buxhetore dhe kanë kosto të konsiderueshme për buxhetin e shtetit. Miratimi së fundi i një udhëzimi të Këshillit të Ministrave siguron një proces të drejtë, transparent dhe eficient në zbatimin e vendimeve gjyqësore, por njëkohësisht rrit përgjegjshmërinë e institucioneve në mbrojtjen më të mirë dhe profesionale të interesave të shtetit. “Roli i Avokaturës së Shtetit në këtë proces është tepër i rëndësishëm dhe do të rritet më tej me rritjen e kapaciteteve në burimet njerëzore dhe bazën ligjore e rregullatore përkatëse”, – sugjeron Ministria e Financave.

Pronat, fatura më 2015

Fatura e re për kompensimin e ish-pronarëve duket se do të jetë gati vitin që vjen. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave aktualisht është në fazën e përgatitjes së logjistikës për nxjerrjen e kësaj fature. Sakaq ka përfunduar një database e dixhitalizuar për të gjitha dosjet që duhet të kompensohen. Por qeveria ndërkohë ka lajmëruar një përllogaritje të re të faturës. Nga ana tjetër është duke u rishikuar fondi i kompensimit fizik të pronave. Të dyja këto procese që lidhen me faturën nuk mund të përfundojnë këtë vit. Në një dalje publike kohët e fundit, drejtoresha e AKKP, Sonila Qato është shprehur se çështja e pronësisë ndodhet në një problematikë të shumëfishtë, të trashëguar ndër vite.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi