Paul Kennedy: E ardhmja gjeopolitike e qytetërimeve

Nga Paul Kennedy, botuar nga bota.al, 15 nëntor 2014

geopoliticsPaul Kennedy* bën dallimin mes qytetërimit dhe perandorisë, mes rënies dhe kolapsit. Një herë e një kohë, vëren historiani, shumë shpesh qytetërimi dhe perandoria përkonin – me ndonjë përjashtim, si në rastin e Greqisë së lashtë. Sot nuk përkojnë më. Dhe ndërkohë që një perandori mund të shembet papritur – i ndodhi BRSS në vitin 1991 – një qytetërim zakonisht shkon në kolaps në fundin e një rënieje që jo rrallëherë është shekullore.
Veç kësa, shton Kennedy, koncepti i rënies së një qytetërimi nuk është absolut: “Eshtë rënie në krahasim me të kaluarën e tij, apo ngjitjen e një qytetërimi tjetër”. Mund të hajë diskutim, nëse sot qytetërimi perëndimor po shkon drejt rënies, pohon autori i “Ngjitja dhe rënia e fuqive të mëdha”, por nuk është domosdoshmërisht e thënë që të shkojë drejt kolapsit.

Ju nuk besoni se krizat që trondisin Perëndimin – recesioni ekonomik dhe terrorizmi, imigrimi dhe kataklizmat natyrore – janë simptoma të rënies së tij?

Janë kriza që shkaktojnë pesimizmin aktual. Por, sipas meje, nuk tregojnë që dekadenca e qytetërimit perëndimor është pranë. Që prej vitit 1922 flitet për “rënie të Perëndimit”, domethënë që nga koha e botimit të librit të historianit dhe filozofit gjerman Osvald Spengler, që mban këtë titull. Eshtë e vërtetë që Perëndimi ndodhet në vështirësi serioze, por në paranojën e sotme globale, shteti që udhëheq Perëndimin, domethënë Amerika, nuk është në rënie. Europa është, megjithatë ka gjithë kohën në dispozicion për të rimarrë veten.

Po a nuk ishit edhe ju pesimist pesë vjet më parë, për Amerikën dhe për Perëndimin?

Isha pesimist, sepse e shihja Amerikën të tejngarkuar në planin ushtarak, të zhytur në borxhe në planin ekonomik, të paralizuar në planin politik. Tani jam optimist, ndonëse i matur, sepse e shoh të tërhequr prej luftërave në Irak dhe në Afganistan, fitimtare ndaj terrorizmit, dhe pothuajse të dalë nga kriza ekonomike më e rëndë që e kish pllakosur, qysh prej Depresionit të Madh të viteve Tridhjetë. Amerika është ende e ndarë nga politika – por përmirësimi nuk ka fare të bëjë me fitoren e republikanëve në zgjedhjet e mesit të mandatit – dhe megjithatë e ka shmangur rënien të cilës unë i druhesha, të paktën për momentin.

E kujt është merita?

pkennedyPolitikanët këmbëngulin që është e tyrja. Unë mendoj se Obama bërë më mirë nga sa mendojnë zgjedhësit amerikanë. Por merita kryesore është e burimeve të jashtëzakonshëm njerëzorë dhe natyrorë që ka Amerika. Ajo nuk lejoi që të kushtëzohet prej politikanëve të partive që i kundërvihen njëra-tjetrës dhe u përqëndrua në rimëkëmbjen ekonomike, ndryshe nga Europa, që megjithatë ia ka dalë t’u mbijetojë furtunave të tregjeve dhe rreziqeve ndaj Euros.

E megjithatë thuhet se ky nuk do të jetë më shekulli amerikan, siç ishte i XX-i, por do të jetë shekulli kinez.

Nuk më duket se aktualisht Amerika është në rënie, qoftë edhe kundrejt Kinës. Jo vetëm fuqia, por edhe diplomacia dhe teknologjia amerikane dominojnë dhe do të vazhdojnë ta dominojnë edhe për shumë kohë botën. Ngjitja e Kinës ka qenë më e shpejtë nga sa parashikohej, por në vitet e fundit është ngadalësuar. Dhe tani, udhëheqja kineze duhet të bëjë llogaritë me probleme që e ka të vështirë t’u japë zgjidhje.

E megjithatë, a nuk rrezikojnë fillimin e rënies, polarizimi politik dhe problemet socialë të Amerikës?

Një herë, një televizion arab, më pyeti se kur do të zhduket perandoria amerikane. Paradoksale. E si mund të thuhet? Herët a vonë, edhe Amerika do të “perëndojë”, por për momentin mundet vetëm të thuhet se do të vazhdojë të lulëzojë. Më shumë se dy shekuj më parë, kur Anglia i humbi SHBA-të, Edmund Burke shkruante se Perandoria britanike kishte marrë fund. Gabohej. Britania e Madhe i komandoi oqeanet edhe për 150 vjet.

Kush mund të fajësohet për rënien që po pëson Europa?

Duhet të themi që, përveç Gjermanisë, Europa është në rënie po ta krahasosh me Amerikën dhe Kinën, por jo po ta krahasosh, për shembull, me islamin. Shkaku i kësaj rënie relativ nuk është vetëm mungesa e ekuilibrit mes masave të kursimit dhe rritjes ekonomike në Europë. Janë edhe ambicia e tepruar e projektit europian, pushteti i tepruar i burokracisë së Brukselit, ngurtësia e Gjermanisë, gjendja e vështirë e shteteve anëtarë të rëndësishëm, si Franca dhe Italia.

A është e kthyeshme rënia e Europës?

Rënia e qytetërimeve të mëdhenj është e kontrollueshme dhe e kthyeshme, ndonëse jo gjithmonë. Nuk është vetëm çështje lidershipi, por edhe kulture, vullneti, pjesëmarrjeje. Perandoria e Habsburgëve dhe Perandoria Otomane, simbole respektivisht të qytetërimit perëndimor dhe qytetërimit islamik, arritën të rigjallërohen për dy të tretat e një mijëvjeçari, në forma dhe me fuqi të ndryshme. Rënia e tyre filloi në Tetëqindën dhe Lufta e Parë Botërore shkaktoi shembjen e tyre, bashkë me Perandorinë Ruse.

Cfarë duhet të bëjë Europa për ta rimarrë veten?

E di që jam kundër rrymës, por duhet të jetë më elastike, më solidare dhe më pragmatiste, duhet të përparojë më gradualisht drejt integrimit. Protesta popullore kundër establishment-it europian, politika dhe partitë duhet të kontrollohen, sepse ushqejnë shumë nacionalizmat. Europianët kanë një trashëgimi të përbashkët, që me kalimin e kohës do i lejojë të arrijnë shumë objektiva.

Historianë të tjerë, Francis Fukuyama me librin “Rendi politik dhe rënia politike” dhe Niall Ferguson me “Rënia e madhe”, kanë kaluar nga triumfalizmi, tek rënia, amerikane dhe perëndimore…

Eshtë një debat i destinuar të intensifikohet. Triumfalizmi ishte një pasojë e shpërbërjes së BRSS dhe përfundimit të Luftës së Ftohtë. Faktorët e rënies janë të shumtë, dhe ndoshta i pari është shkak i situatës së Islamit. Nuk kam menduar asnjëherë që Pranvera Arabe do të sillte menjëherë demokracinë, duhen disa breza që demokracia të lulëzojë. Por nuk imagjinoja kurrë një situatë si kjo, e cila arrin t’i shpëtojë çdo kontrolli.

Ju i konsideroni problemet e botës arabe dhe myslimane, një rrezik më të madh se sa tensionin në rritje mes Rusisë dhe Amerikës në Ukrainë?

Po. Putini e di që nuk mund të shkelë të gjithë rregullat ndërkombëtare, i njeh limitet e fuqisë së vendit të tij dhe ka telashet e tij politike dhe ekonomike. Islami përjeton konvulsione të tillë, që përbëjnë një element destabilizues për Perëndimin.

Libri juaj bestseller, “Ngjitja dhe rënia e fuqive të mëdha” është botuar 25 vjet më parë. Kemi mësuar që po përgatisni një rishikim të tij. Cfarë ndryshimesh do të bëni?

Ende nuk e kam vendosur, do të duhet të punoj për një vit. Në krahasim me vitet Tetëdhjetë, globalizimi ka ndryshuar gjithçka, nuk ka më BRSS, Japonia ia ka lënë vendin Kinës, Islami është një e panjohur. Nuk besoj se rendi botëror që u krijua pas 1945-ës do të mbijetojë në përjetësi. Por, e përsëris, kjo nuk do të thotë se Perëndimi do të bëhet dytësor, gjithmonë nëse nuk do të ketë ngjarje të paparashikueshme. Pa dyshim, qytetërimi lindor është në ngjitje, dhe një ditë mund të rimarrë pozicionin që qytetërimi perëndimor ia “rrëmbeu” katër apo pesë shekuj më parë. Por kjo do të ndodhte vetëm nëse Perëndimi, dhe mbi të gjitha Amerika, do të hiqte dorë nga lidershipi. /PBS/

* Paul Michael Kennedy është historian britanik në Yale University, i specializuar në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare, fuqive ekonomike dhe strategjive të mëdha.

 

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi