Nacionalisti që (s) është Edi Rama
Nga Vladimir Karaj, botuar në Mapo Online, 15 nëntor 2014
Trajektorja e çuditshme e nacionalizmit të kryeministrit Edi Rama, gjatë e pas vizitës në Beograd. Përpjekja për t’u parë mirë nga shqiptarët dhe fituar pikë në Kosovë, e nga ana tjetër ruajtja e rolit “të djalit të mirë” të Brukselit. Vënia e “kufijve” për nacionalistët dhe teoritë konspirative serbe e ruse se pas Ramës janë SHBA
Popullariteti që fitoi kryeministri Edi Rama menjëherë pas vizitës në Beograd, rihapi në Tiranë debate. A ishte shndërruar ai befas në nacionalist?! Njeriu që i quante barcaleta shpërthimet nacionaliste dhe fjalimet për albanofobinë të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe tallej me to, apo madje dukej se nuk i interesonte pozicioni i këtij si një prej liderëve më të dashur ndër shqiptarët e Kosovës, befas u kthye në objektin e adhurimit të nacionalistëve shqiptarë. Sfida ndaj Berishës u fitua me vetëm 30 minuta përplasje në sallën e konferencave të shtypit në pallatin “Serbia” përballë Aleksandër Vuçiç, të cilit i drejtohej me Aleksandër, duke ngjallur jo pak ilaritet në Shqipëri, ku “Të fala Sandrit” është një batutë që e dinë të gjithë. Nuk mund të thuash që nuk qe e menduar e gjithë kjo. Por nuk mund të thuash as që Rama e kishte të qartë se çfarë do të ndodhte ose çfarë pritej të ndodhte. Por nga ana tjetër, rruga e zgjedhur për kthimin të lë të dyshosh se diçka edhe dihej.
Dikush mund të thotë se Rama jo vetëm nuk u kënaq me 30-minutëshin e lavdisë “nacionaliste” që shpërtheu pas deklaratave të tij, por vendosi ta shijonte këtë njëfarësoj si Çezari që kalon mes përmes “Romës” pas betejës së fituar për të marrë brohoritjet dhe petalet e trëndafilave. Për këtë ndryshe nga sa pritej, ai i ra rrugës së gjatë. Nga Presheva u fut në këmbë në Kosovë, ku herën e fundit ishte pritur “ftohtë” nëse krahasohej me të nxehtin dhe rrugët e mbushura plot që prisnin Berishën. Kalimi mespërmes shtetit më të ri në Europë ishte pikërisht korrja e fryteve të fitores. Jo vetëm përballë Vuçiç, por përballë Berishës që dukshëm priste një tjetër sjellje dhe ishte duke i përgatitur ndjekësit e tij në Facebook për një sulm të atillë ndaj Ramës, që do ta vinte këtë jo pak në siklet duke menduar se hallet në vend nuk janë të vogla dhe as popullore (çmimi i dritave, taksat). Mëngjesi madje qe një kohë suksesi për Berishën që po ankohej se serbët po e “poshtëronin Ramën se nuk kishin vënë flamuj shqiptarë”, por pas konferencës për shtyp balancat ndryshuan ndjeshëm. Për 5 mijë pëlqimet që mundi të mblidhte Berisha, duke mos llogaritur qindra komentet kundër tij, në postimin më të qetë e më paqtues, Rama kishte 30 mijë pëlqime dhe thuajse të gjithë i thurnin lavde në komente. Nëse ky qe qëllimi i vizitës, Rama sigurisht kishte kapërcyer vetveten. Fitorja qe aq e plotë sa opozita nuk pati asnjë fjalë për këtë për disa ditë.
Populizmi apo Merkel e Brukseli?
Por pas kësaj vjen menjëherë pyetja: po me Ramën kozmopolit apo me “Ramën lider të rajonit” çfarë ndodhi?! Njeriun që në krah të kancelares Angela Merkel fliste me gjuhën e Brukselit për paqen në Ballkan dhe me një pasion të rrallë, saqë kjo iu referua atij në një konferencë me liderë të Afrikës. Dy investimet për popullaritet nuk mund të shkojnë me njëri tjetrin. Rama e ka ditur që në fillim që nëse do të kërkonte të sfidonte Berishën në fushën e nacionalizmit shanset që Merkel të ishte po kaq e përzemërt me të ishin të vogla dhe është e dyshimtë që kryeministri do ta sakrifikonte kaq lehtë këtë. Aq më shumë duhet parë kjo pasi vizita qartazi ishte një investim i kancelares gjermane. Kjo e fundit madje këmbënguli atëherë kur Aleksandër Vuçiç ndërroi mendje pas ndeshjes së pezulluar mes dy vendeve për shkak të dhunës ndaj lojtarëve shqiptarë prej tifozëve vendas në Beograd. Vuçiç akuzoi shqiptarët për provokim. Madje u akuzua edhe i vëllai i kryeministrit Rama një nga pak shqiptarët (35) që ishin lejuar të hynin në stadium. Ajo që e bën të qartë që kryeministri nuk po luante offsite në ditën që ndodhej në Beograd ishte qëndrimi i mëpastajshëm i diplomacisë Perëndimore. SHBA dhe BE dolën me deklarata të thata pa interpretuar incidentin, por qartë e quajtën vizitën sukses dhe një hap historik, përndryshe në krahun tjetër Beogradi duket se është i vetmi që mendon se ishte një dështim, për shkak të “provokimit të Ramës” siç e cilësuan ata deklaratën për “Pavarësinë e patjetërsueshme dhe të pakthyeshme pas të Kosovës”. Gjasat janë që Rama të mos ketë shkuar i pa konsultuar në Beograd dhe ai sigurisht e ka ditur mirë nëse BE do të mërzitej nga ndonjë qëndrim i tij. Ky do të kishte qenë një kapërcim shumë i madh me atë që ai premtoi se ishte para kancelares gjermane. Si zor që një ndryshim i tillë të ndodhte në një kohë të shkurtër në favor të një tufe votash dhe popullaritetit. Fakti është që diplomacia shqiptare, e cilësuar edhe më herët si pajtuese dhe forcë stabiliteti në rajon, ka qenë e tillë jo vetëm pse ishte e matur por edhe se qëndrimet e saj i kishte të konsultuara. Kabllogramet e famshme të Wikileaks tregojnë se këto qëndrime sidomos sa i përket politikave në Rajon ishin në shumicë të konsultuara me aleatët dhe kryesisht SHBA-të. Madje “Sputnik” një agjenci Ruse lajmesh në anglisht, një projekt jo i vogël i Moskës për të kundërshtuar atë që ata e quajnë propagandën e Perëndimit, shkruan pikërisht këtë. Në një shkrim kushtuar vizitës agjencia thotë se qëllimi i Ramës është destabilizimi i Beogradit me porosi të SHBA, që sipas tyre synon të dëmtojë linjën gazsjellëse nga Rusia në Serbi dhe BE, ngaqë sipas tyre, kjo e fundit vuan nga fakti që gazi rus duhet të kalojë përmes Ukrainës. Fakt është që BE ashtu si Uashingtoni nuk ka fort qejf gazin rus dhe po synon të ndërpresë varësinë ndaj tij. Rusët mund të kenë të drejtë që amerikanët nuk e shohin me sy të mirë projektin e tyre, por as BE nuk është duke e parë tani për tani me ndonjë dashuri të madhe. Aq më pak është duke parë me dashuri stërvitjen ushtarake që Rusia po kryen në Vojvodinë në një moment ku Merkel dhe kryeministra të tjerë të NATO-s e Bashkimit Europian po përplasen ashpër me deklarata me Putin pikërisht për lëvizjet e flotës apo aviacionit ushtarak rus. Deklarata e fundit e Merkel ishte pikërisht dje, ndërsa veriu i Europës po kërkon më shumë angazhim të NATO-s kundër Rusisë. Një analizë e The Economist e vë në dukje lojën e me dy porta të Beogradit dhe BE me gjasë nuk është fort e kënaqur me këtë. Kështu që shanset që Rama të ketë pasur një miratim për qëndrimin e tij nuk janë të vogla. Kjo qoftë edhe për t’i vënë serbët para një detyrimi që duket se kanë ndjerë deri tani në marrëdhëniet me Brukselin.
Dështimi vetëm në Beograd
Ajo që bie në sy është se përveç zyrtarëve dhe medias në Beograd, pakkush i ka cilësuar deklarimet një provokim. Frankfurter Allgemeine Zeitung në një artikull kushtuar vizitës e bën të qartë arsyen pse. Ndërsa citon kryeministrin serb që të thotë se kishte dashur një takim që të përqendrohej tek e ardhmja jo te e shkuara. Korrespondenti i FAZ për rajonin shkruan: “Kjo është ajo që dëshiron edhe BE, vetëm se Shqipëria dhe Serbia duhet të vendosin nëse Kosova do i përkasë të shkuarës apo të ardhmes”. Më herët në disa shkrime të ngjashme thuhet se ajo nuk mund të shmangej nga debati dhe se për rrjedhojë nuk kishte asnjë provokim nëse palët përmendnin qëndrimet e tyre hapur siç shkruante korrespondenti i “Deutsche Welle”-s për Beogradin dhe siç kanë pohuar edhe analistë që më herët kanë qenë kritikë ndaj Ramës. Madje ish Ministri i Jashtëm Serb Vuk Drashkoviç i famshëm në Tiranë për shkak të replikës me Ismail Kadarenë në të cilën ai pretendonte se territoret e Shqipërisë së sotme i përkisnin Serbisë historikisht apo edhe për hartën e tij të Serbisë së Madhe që përfshinte edhe Maqedoninë e sotme, e quan të kotë dhe gërricje që do harrohet shpejt përplasjen mes dy kryeministrave.“Vizita është e një rëndësie shumë të madhe. Kryeministri i Shqipërisë erdhi në Beograd dhe bisedoi me kryeministrin e Serbisë. Ai e ka vizituar edhe bashkësinë etnike shqiptare në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc. E ka ftuar kryeministrin e Serbisë për vizitë në Tiranë. Edhe sikur të mos ishin dakorduar asgjë tjetër, vet marrëveshja që të nënshkruhet një marrëveshje për udhëtim vetëm me letërnjoftime të shtetasve të Shqipërisë dhe Serbisë në këto vende, paraqet arritje historike”, thotë Drashkoviç (në një intervistë për DW) që është marrë jo pak me marrëdhëniet mes dy vendeve dhe ka vizituar Tiranën me 2004. Përndryshe nga kryeministri i vendit të tij ish ministri i Jashtëm pranon pikërisht atë që tha Rama në Beograd. “Realitet është që pavarësinë e Kosovës e njohin 108 vende. Realitet është që Serbia prej vitit 1999 nuk e ka sovranitet mbi Kosovën. Nuk e ka atje pushtetin juridik, legjislativ dhe ekzekutiv. Nuk i ka atje forcat policore apo ushtarake. Realitet është edhe fakti që Serbia dhe Shqipëria duan të jenë pjesë e Bashkimit Evropian dhe se nga 28 vendet anëtare të BE, 23 e njohin pavarësinë e Kosovës”, thotë Drashkoviç që duket ka ndryshuar katërcipërisht pozicionin e tij. Ai e krahason “dhimbjen” e Serbisë për Kosovën me atë të një të sëmuri që i është amputuar një këmbë dhe që për një farë kohe ende mendon që e ka atë. E parë me këtë sy deklarata e Ramës nuk ka shkaktuar ndonjë traumë të madhe. Të paktën jo aq sa të censurohej për orë të tëra nga televizioni publik në Serbi.
Edhe një herë për nacionalizmin
Ajo që do dojë kohë të kuptohet dhe që një lexues i mirë i diplomacisë si Drashkoviç e di, e për këtë e quan gërricje që do harrohet, është fakti që qëndrimet e Ramës në Beograd nuk ishin nacionaliste. Tonet e përdorura në konferencë mund të qenë të tilla, kërcimi pupthi i homologut serb u dha edhe më shumë ngjyrime, por gjithë pjesa tjetër dhe një duzinë intervistash të dhëna shkonin qartazi mu përkundër qëndrimeve që do donin nacionalistët shqiptarë. Shqipëria e Madhe, siç e kanë emëruar fqinjët apo siç e quajnë ata që e duan Shqipëria Etnike, nuk është në planet e Ramës. Në Preshevë ai i vuri pikat mbi i. Ai u kërkoi shqiptarëve të atyshëm që pas Beogradit prisnin me siguri deklarata të forta, që të bashkëpunonin me Serbinë. Ai madje e bëri të qartë që në marrëveshjet që kishin nënshkruar ishin të tilla që mundësonin lehtësimin e jetës për ta. Mjaft prej tyre që kanë studiuar në Shqipëri nuk u njihej diploma. Rama po ashtu i ironizoi nacionalistët që dukshëm s’patën veshë ta dëgjonin në ato moment. Rama do të kishte qenë nacionalist po të fliste për bashkimin e shqiptarëve apo të linte të kuptonte diçka të tillë. Përkundrazi ai e theksoi më shumë se njëherë se Kosova ishte një shtet më vete, diçka që do i mërziste në një situatë të ndryshme shqiptarët që ëndërrojnë prej vitesh një bashkim. Rama i qëndroi të njëjtës linjë edhe pse ngjyra e fjalëve mund të ketë ndryshuar. Ai foli për çmenduritë drejt të cilave çon nacionalizmi i verbër dhe premtoi bashkim në Europën e Madhe (aty ku bashkimi realisht nuk do duhet). Ai vijoi ta përsërisë së “Shqipëria e Madhe” ishte një mit dhe se Tirana nuk e synonte atë. Vetëm në Serbinë që priste Sheshelin që u kthye me turfullimë pas lirimit nga Haga nuk kanë pasur kohë të shohin këtë, atje po lexojnë konspiracion që i ngjan atij të viteve ‘90 dhe të thonë se SHBA që kontrollojnë Hagën, liruan Sheshelin dhe madje ata e nxitën Ramën kundër Serbisë. Aleksandër Vulin, ministër i punës në Qeverinë e Serbisë ftoi madje për të ndërruar politikë të jashtme, joshja e Moskës këtu është e qartë. “Nëse shohim se e gjithë kjo është e ndihmuar nga disa vende, kam thënë, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, atëherë, ndoshta është momenti që të mendojmë mirë për prioritetet tona të politikës së jashtme”, ka theksuar Vulin.
Rama përkundër kësaj ishte dje në Suedi ku siç thotë, ka folur pikërisht për “dinamikën e re të marrëdhënieve tona me rajonin”. Ai në njëfarë mase mund ta marrë përsipër këtë, pasi ajo që për Andi Bushatin ishte “një fitore 3 me 0” i mundësoi të fitonte “admirim” edhe në Kroaci, ku Vicernije List e sheh si “Dinamovitin…. armikun numër një të serbëve” (Duke iu referuar rivalitetit mes Dinamos së Zagrebit dhe Partizanit të Beogradit që shihet edhe si shkak i luftës mes Kroacisë dhe Serbisë). Për shumë Rama duket se është duke bërë pirueta retorike. Ai e di që si dy fjalë të huaja nacionalizmi dhe patriotizmi nuk është se ndryshojnë shumë në kuptim dhe as në përmbajtje e megjithatë kryeministri po përpiqet t’i veçojë duke e paraqitur lëvizjen e tij për popullaritet tek ëndërrimtarët nacionalistë e patriotë. “Sonte në ‘Top Story’ për vizitën në Serbi e për kuptimin tim, për nacionalizmin si kërcënim vetëshkatërrues e për patriotizmin si besim transformues”, shkroi Rama. Ai nuk ka lënë rast pa i komentuar arritjet e Kombëtares së fundmi, madje edhe i takoi lojtarët para nisjes për në Francë.