Vuk Drashkoviq: Pavarësia e Kosovës është realitet
Intervistë e DW me Vuk Drashkoviq, 14 nëntor 2014
Deutsche Welle: Zoti Drashkoviq, si e vlerësoni vizitën e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama në Beograd: a mund të quhet ajo si një vizitë historike apo mund të thuhet se ky ishte një dështim historik i kryeministrave Rama dhe Vuçiq, për të filluar fazën e afrimit mes dy popujve?
Vuk Drashkoviq: Vizita është e një rëndësie shumë të madhe. Kryeministri i Shqipërisë erdhi në Beograd dhe bisedoi me kryeministrin e Serbisë. Ai e ka vizituar edhe bashkësinë etnike shqitpare në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. E ka ftuar kryeministrin e Serbisë për vizitë në Tiranë. Edhe sikur të mos ishin dakorduar asgjë tjetër, vet marrëveëshja që të nënshkruhet një marrëveshje për udhëtim vetëm me letërnjoftime të shtetasve të Shqipërisë dhe Serbisë në këto vende, paraqet arritje historike. Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, shpresoj me rastin e vizitës së Vuçiqit në Tiranë, dhe pas fillimit të zbatimit të saj, jam shumë i sigurt se me dhjetëra e dhjetëra mijëra turistë serbë do të nisen drejt bregdetit shqiptar. Jami i bindur se atje do të shkojnë të rinjtë dhe njerëzit e biznesit. Në mënyrë masive do të nisen drjet Serbisë edhe shqitparët. Kjo është një marrëveshje e karakterit evropian, që shënon evropeizimin e marrëveshjeve mes Shqipërisë dhe Serbisë. Unë vërtetë nuk dua t’i vërejë shkëndijat që kanë ndodhur mes kryeministrave Rama dhe Vuçiq. Nuk u kushtoj kurfarë rëndësie dhe ato shpejt do të harrohen.
Vuk Drashkoviq: vizita e Ramës është historike
DW: Si e shpjegoni faktin që vet përmendja e pavarësisë së Kosovës nga kryeministri Rama shkaktoi një reagim kaq të ashpër jo vetëm të kryeministrit Vuçiq por edhe të gjitha mediave dhe opinionit në Serbi? Rama në fakt nuk ka thënë asgjë të re, ai vetëm ka përsëritur realitetin që Kosovën e kanë njohur 108 vende – që e di edhe Serbia?
Vuk Drashkoviq: Realitet është që pavarësinë e Kosovës e njohin 108 vende. Realitet është që Serbia prej vitit 1999 nuk e ka sovranitet mbi Kosovën. Nuk e ka atje pushtetin juridik, legjilativ dhe ekzekutiv. Nuk i ka atje forcat policore apo ushtarake. Realitet është edhe fakti që Serbia dhe Shqipëria duan të jenë pjesë e Bashkimit Evropian dhe se nga 28 vendet anëtare të BE, 23 e njohin pavarësinë e Kosovës. Kjo është ana politike dhe këto janë fakte të pakontestueshme. Por realiteti i Kosovës i ka disa kate. Një prej tyre është ai historik, i cili nënkupton që populli serb e përjeton Kosovën ashtu siç parashikon miti dhe epi për Kosovën. Sipas këtij miti, Kosova është themeli shpirtëror dhe kulturor, jo vetëm i serbëve në Seri, por i tërë popullit serb. Realitet është që kur njeriut i amputojnë një dorë apo këmbë, një kohë shumë shumë të gjatë ai i ndjenë këto gjymtyrë dhe ndjenë dhembje shumë të mëdha. E ndjenë gjymtyrën që nuk e ka, që në medicinë quhet dhembje fantome. Realitet është poashtu që sot në Kosovë ka shumë probleme. Procesi i pajtimit po shkon tmerrshëm ngadalë. Kthimi i serbëve po zhvillohet kaq ngadalë, sa që mund të thuhet se ky proces gati që nuk ekziston fare. Ndërsa realieti më i ri është Marrëveshja e Brukselit. Zbatimi i kësaj Marrëveshjeje është ndërprerë. Nuk do të na çojë askund në qoftë se palët e fajësojnë njëra – tjetrën dhe bëjnë gara se kush e ka fajin për mos zbatimin, por fakt është që Marrëveshja duhet të zbatohet menjëherë.
DW: Si njeri me përvojë shumë të gjatë diplomatike, më intereson mendimi Juaj: duke e ditur për këtë “dhembje fantome” të popullit serb për humbjen e Kosovës dhe duke e ditur që kjo vizitë realizohet pas 68 vitesh, a është dashur kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ta hapë këtë plagë hapur në vizitën e tij të parë në Beograd, duke kërkuar që Serbia ta njoh Kosovën, dhe si e vlerësoni reagimin e pamatur të Vuçiqit?
Vuk Drashkoviq: Nuk dua të jem këshilltar politik i kryeministrit shqiptar e as i atij serb. Në ditën e Marrëveshjes së Paqes (kur po flasim, 11. 11. 2014.) dua të theksoj se mes Shqipërisë dhe Serbisë kurrë nuk ka qenë më e domosdoshme një marrëveshje e paqes. Serbia dhe Shqipëria kurrë në histori nuk kanë luftuar mes vete. Kjo është një gjë shumë e madhe. Këto shkëndija mes kryeministrave nuk më interesojnë fare. Unë më me dëshirë do të flisja për nevojën e afrimit shumë të shpjetë mes dy popujve. Elitave politike të të dy popujve dua t’u dërgoj vëretje shumë të hidhura, sepse ato kanë mbetur shumë mbrapa dëshirës së popujve shqiptarë dhe serbë për pajtim dhe bashkëpunim. Unë kam qenë në Shqipëri dy herë. Për herë të parë në vitin 2004 dhe jam bindur se shumica dërmuese e popullit shqiptar, gati të gjithë, duan të kenë një bashkëpunim të gjithanshëm me popullin serb. Edhe këtu në Serbi shumica e popullit është absolutisht për bashkëpunim. Ne duam të kemi raportet më të mira të mundshme edhe me Prishtinën, sepse vetëm kështu mund të mbrojmë popullin serb në Kosovë – sipas standardeve më të larta evropiane dhe mbi bazën e Planit të Ahtisarit, i cili duhet të zbatohet në tërësi. Dua në veçanti të nënvizoj: kur si ministër i Jashtëm kam qenë për vizitë në Shqipëri, në dhjetor të vitit 2004 , kam qenë shumë i prekur me pritjen e mirë atje. Më kanë pritur edhe presidenti i vendit Alfred Mojsiu dhe kryeministri Fatos Nano. Kam pasur edhe një intervistë më të gjatë se një orë në televizionin shtetëror. Ngjashëm është pritur në Beograd edhe ministri i atëhershëm i Jashtëm Kastriot Islami. Raportet e ngrira në vitin 1948 janë shkrirë për herë të parë me këto vizita.
DW: Pasi që po bisedojmë në dtëin e Marrëveshjes së Paqes: a besoni në paqe dhe pajtim mes serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë?
Vuk Drashkoviq: Ky proces nuk mund të ndalet. Edhe pse ende ka shumë njerëz në Serbi që tani nuk e fshehin fare se edhe sot e bartin kaponë e Sllobodan Millosheviqit dhe regjimit të tij të dikurshëm, i cili mbanë përgjegjësinë historike për rrënimin e ish-Jugosllavisë, për luftërat e përgjakshme. Millosheviqi dhe ky regjim e mbajnë përgjegjësinë historike për të gjitha që kanë ndodhur në Kosovë. Sot është një realitet që pavarësinë e Kosovës e njohin 108 vende të botës, që është shumë më shumë se gjysma e anëtareve të OKB. Për këtë nuk e mbanë përgjegjësinë Edi Rama, Angela Merkel apo Vlladimir Putin. Fajin e ka Sllobodan Millosheviqi, i cili i ka prirë një rendi retrograd, të mbrapshtë dhe nuk e ka kuptuar kur para 25 vitesh se Muri i Berlinit është rrëzuar. Por, për fat të keq, edhe sot kemi tepër njerëz në elitën tonë shpirtërore, në media dhe në nivele të ndryshme të pushtetit, të cilët ende i mbajnë kapotë e Millosheviqit.
DW: Pse nuk është çrrënjosur kjo politikë e mbrapshtë e Millosheviqit?
Vuk Drashkoviq: Para së gjithash për shkak se këtu nuk janë çmontuar themelet e regjimit komunist, armikut më të madh të popullit serb. Këtu kanë mbetur të paprekura, të pa reformuara dhe pa lustrurara hordhitë e vdekjes, shërbimi i sigurimit shtetëror. Nuk janë hapur dosjetë sekrete që nga viti 1945 e deri më sot. Kjo është një hidër, që i ka kthetrat e veta në të gjitha strukturat: në institucionet e shtetit, në media, në institucionet shpirtërore. Kthetrat e saj janë të helmuara me urrejtje ndaj Evropës, ndaj Perëndimit dhe ndaj fqinjëve tanë. Këta janë njerëz të cilët e shfrytëzojnë çdo rast për të ripërtërirë të keqen, sepse vetëm nga e keqja përfitojnë. Ata jetojnë nga e keqja dhe urrejtja.
DW: Po pse pra Vuçiq dhe Daçiq, të cilët sot hiqen si evropianë, nuk e kanë çrrënjosur këtë të keqe, këto shërbime të vdekjes, të cilat i kanë sjellë kaq shumë të këqija, jo vetëm Serbisë por edhe vendeve të rajonit?
Vuk Drashkoviq: Kryeministri Vuçiq i ka bërë disa hapa historik strategjik. Në radhë të parë dua të nënvizoj Marrëvëshjen e Brukselit, që është një përballje shumë e guxmshme me plagën e Kosovës. Shumëkush në Serbi e ka mallkuar për këtë Marrëveshje. Njerëzit kanë demonstruar në sheshe kundër tij. Peshkopët këtu i janë lutur Zotit për vdekjen e Vuçiqit. Ata edhe më tej shpresojnë se Marrëveshja e Brukselit nuk do të realizohet dhe se Serbia dhe Ballkani do të shndërrohen sërish në një shesh të së keqes dhe fatkeqësive. Hapi i dytë i madh i Vuçiqit është përcaktimi për rrugën proevropianetë dhe perëndimore të Serbisë. Dhe hapi i tretë i madh i Aleksandar Vuçiqit është raporti ndaj fqinjëve, sepse ka shkuar në Zagreb dhe Sarajevë, atje ku deri dje është derdhur gjak. Gjithandej ka bartur mesazhin e paqes dhe dorën e shtrirë të Serbisë për bashkëpunim, pajtim dhe evropiezimin e Ballkanit. Ndaj po e përsëris: marrëveshja mes kryeministrave të Shqipërisë dhe Serbisë për udhëtime vetëm me letërnjoftime është një marrëveshje që çon drejt evropeizimit të Ballkanit. Por asnjë prej këtyre marrëveshjeve nuk mund të realizohen nëse në Serbi vazhdojnë të dominojnë strukturat komuniste, nëse nuk reformohet shërbimi sekret i shteit dhe nuk hapen dosjet. Duhet të hapet libri i zi i krimeve, plaçkitjeve, shantazheve, prodhimit të urrejtjes dhe vrasjes morale të kombit serb. Këtë mund ta bëjmë vetëm me ndihmën financiare të Bashkimit Evropian. Mungesa e reformimit të shërbimeve të sigurisë në Serbi, është epiqendër e shantazheve të rrugës evropiane jo vetëm të Serbisë por edhe rajonit. Kjo hidër me mijëra koka është edhe rreziku më i madh për vet Vuçiqin.
DW: Ti kthehemi edhe një herë çështjes së Kosovës: Ju theksuat se normalizimi i raporteve mes Serbisë dhe Kosovës është një proces i pandalshëm. Por në Beograd ende ka ide për ndarjen e Kosovës, apo mendoni se kjo ide është tejkaluar?
Vuk Drashkoviq: Nuk dua të flas për gjëra që janë plotësisht jashtë realitetit dhe normalitetit. Kjo punë ka përfunduar. Thjesht, fuqitë e mëdha nuk lejojnë ndryshimin e kufijëve të jashtëm, sepse kjo do të shktaktonte efektin domino. Ndaj Ballkani duhet të evropeizohet. Duhet vënë pikë në këto iluzione dhe duhet t’i zgjidhim problemet sa më parë. Evropa na ka dërguar mesazhin e qartë: së pari duhet të bëheni Evropë e pastaj mund të futeni në Evropë. Ndërsa ajo po na ndihmon. Pse të mos merremi vesh që në Ballkan të aplikojmë standardet evropiane për kufijë. Duhet t’i heqim kufijtë dhe të lejojmë kalimin e lirë të njerëzve dhe mallrave – të krijojmë një hapsirë unike ekonomike.
DW: Do të thotë, ndarje të Kosovës nuk ka?
Vuk Drašković: Kjo ide ëshë e parealizueshme tani. Ndoshta dikur edhe unë kam menduar se më së lehti do të ishte sikur të arrihet një marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit për ndarjen e Kosovës. Por kjo më nuk është e mundur. Serbia dhe Kosova janë vetëm dy kashta të voglë në mesin e plepave shtatlartë. Për fatin e botës vendosin të mëdhenjtë. Kështu ka qenë gjithmonë.
DW: Zoti Drashkoviq, këtu në Beograd, por edhe në Prishtinë dhe në Tiranë, shpesh flitet për krijimin e shteteve të mëdha: Serbisë së madhe, Shqipërisë së madhe etj. Çfarë mendoni ju për këto ide?
Vuk Drashkoviq: Mitin për një Serbi të madhe ne e kemi paguar me gjak dhe për këtë shkak kemi përjetuar humbje të tmerrshme. E kemi turpëruar veten, gjeneratat e ardhmshme dhe historinë tonë. E kemi pasur ne Serbinë e madhe – në Jugosllavi. Në Jugosllavi e kemi pasur edhe Bosnjen, Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e madhe. Nuk duhet ta fajësojmë askend tjetër për vendosjen e barotit nën shtëpinë tonë, për ndezjen e këtij baroti dhe larjen me gjak të shtëpisë sonë. Kjo gjeneratë e kë bërë këtë dhe e ka hedhur mbi vete mallkimin historik. Njerëzit e rinj, idetë e reja duhet t’i kthehen të ardhmes. Duhet t’i menjanojmë sa më parë të gjitha mosmarrëveshjet dhe urrejtjen. Asnjë armiqësi nuk është fituar me armiqësi, por vetëm me miqësi. Në historinë tonë shqiptaro-serbe kemi shumë shembuj që kemi ndihmuar njëri-tjetrin, si pë shembull në kohën e lufterave ballkanike, kur ushtria serbe dhe Esad Pasha janë ndihmuar mes vete. Kurdo që shkoj në varrezat serbe në Paris, unë i marr me vete dy buqeta lulesh: një për usharët serbë që kanë rënë atje dhe tjetrën për Esad Pashën, i cili ka vdekur në spitalin ushtarak në Paris dhe me dëshirën e tij është varrosur në mesin e ushtarëve serbë. Po nënën ja kajsha: pse nuk i përmendim këto raste të ndirtshme, pse nuk i marrim ato si shembull, por gjithmonë i nxjerrim rastet negative.
DW: Raste të ndritshme me siguri që ka pasur në histori, por ne duhet të gjejmë rrugë për të tejkaluar tmerret efundit të viteteve 90-të, kur forcat serbe i kanë dëbuar nga shtëpitë e tyre gati një milion shqiptarë të Kosovës dhe i kanë vrarë me mijëra e mijëra burra, fëmijë dhe gra. Si ta zgjidhim këtë problem?
Vuk Drashkoviq: Unë nuk shoh rrugë tjetër vetëm që t’i drejtohemi BE për ndihmë, para së gjithash Gjermanisë, që sa më parë në Serbi të fillohet me çmontimin e shërbimeve të së keqes dhe krimineve. Të hapet libri i të keqes dhe të marrim vesh të vërtetën e cila me siguri do të jetë e hidhur, e tmerrshme. Por çdo ilaç është i hidhur. Përmes të vërtetës duhet të shërojmë rrenat, vetëm kështu mund ta shërojmë veten nga vetja jonë.
DW: A është e domsodoshme që në këtë rrugë të shërimit Serbia ta njoh edhe pavarësinë e Kosovës?
Vuk Drashkoviq: Të tilla janë qëndrimet e BE, të cilat janë thënë shumë qartë. Nuk kam çfarë të shtoj. Por zbatimi pa kushte i Marrëveshjes së Brukselit dhe zbatimi i Planit të Ahtisarit do të ulin tensionet mes Prishtinës dhe Beogradit. Në Planin e Ahtisarit jepen garanca për kishat serbe, për pasurinë dhe kthimin e serbëve në Kosovë. Pasi që ne këtu në Serbi, ende e trajtojmë Ahtisarin si antiserb, si armikun numër një, dhe pasi që propaganda ka bërë që shumica e serbëve të besojë në këto të pa vërteta, atëherë duhet të pranojmë të paktën zgjidhjet që nuk kanë të bëjnë me statusin. Në shpjegime mund të thuhet se Serbia për shkak të statusin nuk do të hapë ambasadë në Prishtinë. Por kjo i hapë rrugën tregtisë, bashkëpunimit dhe shkëmbimeve mes Prishtinës dhe Beogradit. I hap rrugë tejkalimit të hijeve dhe pengesave në raporte. Mendoj se më kuptuat.
DW: E kuptoj që nuk mund ta thoni hapur se duhet të njihet pavarësia e Kosovës, por si i shihni ju raportet e ardhshme në Ballkan?
Vuk Drashkoviq: Pyetje shumë e rëndë. Pas Krishtit dhe Muhamedit më nuk ka më profetë. Por kam frikë se e ardhmja e Ballkanit vendoset sot në Ukrainë. Normalizimi i plotë i gjendjes në Ballkan varet nga raportet mes BE dhe Rusisë. Këto raporte do të reflektohen edhe tek ne.
DW: Presidenti i Rusisë Vlladimir Putin është pritur në Beograd me nderimet më të larta. Të shumtë janë ata që thonë se influenca e Rusisë në Serbi është tepër e madhe. Kjo me siguri që pengon edhe rrugën e Serbisë drejt BE?
Vuk Drashkoviq: Unë e dua Rusinë. Dua të jetë e fuqishme, më e fuqishmja. Por Rusia mund ta arrijë këtë vetëm në bashkëpunimin më të ngushtë me BE-në dhe Perëndimin dhe jo në konflikt me to. Unë shpresoj që Rusia dhe Perëndimi do t’i kthehen bashkëpunimit. Strategjia e Moskës nuk duhet të jetë krijimi i një Rusie që ia kanë frikën të gjithë, por i një Rusie që e respektojnë të gjithë. Më vjen mirë që edhe Perëndimi ka pranuar se ka bërë gabime të mëdha ndaj Rusisë. Shpresoj normalizimin e raporteve mes tyre. Ndryshe, nëse vendoset një mur i ndarjeve në Ukrainë, edhe këtu do të kemi destabilizime të mëdha – në Bosnje, Kosovë, Serbi dhe Maqedoni. Akush nuk do të kursehet.
DW: Në ç’drejtim po shkon Serbia sot?
Vuk Drashkoviq: Në Perëndim jetojnë dhe punojnë sot më shumë se katër milionë serbë. Do të thotë: qëllimi strategjik i Serbisë është orientimi drejt Evropës dhe Perëndimit. Ne edhe sikur të donim të bëhemi pjesë e ndonjë uninoni ruso-aziatik, nuk mundemi. Nuk jemi zogj të fluturojmë. Këto gjëra ka mundur t’i mendojë vetëm Millosheviqi në kohën e tij. Ne jemi të rrethuar me vendet e BE dhe NATO-s. Pra unë dua që të kemi raporte sa më të mira me Rusinë, por treni serb duhe të shkojë drejt Perëndimit.