25 vitet e tranzicionit të Europës Lindore

Nga David Lipton, 11 nëntor 2014

davidlimptonSa shumë ndryshime mund të sjellin 25 vjet! Në vitin 1989, Europa Qendrore dhe Lindore nisi një transformim historik, nga komunizmi autoritar, tek kapitalizmi demokratik. Me kujtimet e sistemit të vjetër që tashmë kanë nisur të veniten, ia vlen që t’u hedhim një vështrim arritjeve të rajonit, të rishikojmë mësimet që janë nxjerrë, dhe të ekzaminojmë sfidat që ka përpara.
Do të ishte gabim të pretendonim se transformimi i rajonit ishte i pashmangshëm. Në fundin e Luftës së Ftohtë, ekonomitë e Europës Qendrore dhe Lindore ishin të rënduara prej pronësisë shtetërore dhe investimeve të përqëndruar në industritë e rënda. Politikat fiskale dhe monetare ishin fokusuar në rritjen e prodhimit industrial, pa marrë parasysh ekuilibrin makroekonomik, gjë që rezultonte në një tepri kronike të Kërkesës si dhe mungesa të mëdha. Për t’i përkeqësuar gjërat, pjesa më e madhe e rajonit – ku Cekosllovakia ishte një përjashtim i spikatur – ishte rrënuar prej borxhit të jashtëm dhe një inflacioni të lartë.
Ndërkohë, pak ekonomistë apo politikëbërës kishin bekgraundin e nevojshëm për të menaxhuar detyrat komplekse që gjendeshin para tyre. Aq e madhe ishte shkalla e tranzicionit të nevojshëm, saqë as makroekonomia moderne, as përvoja pothuajse 50-vjeçare e Fondit Monetar Ndërkombëtar, nuk ofronin shumë udhërrëfim. Sfidat për t’u kapërcyer ishin të frikshme, dhe shumëkush mendonte se transformimi do të ishte i pamundur.
Katër ishin përbërësit kryesorë që kontribuan në tranzicionet e suksesshëm. Së pari, politikanë dhe politikëbërës kurajozë morën përsipër sfidën e hartimit të reformave jetike, si dhe shpjegimit të pasojave të tyre para një publiku i cili, me të drejtë, ishte dyshues. Ata e kuptuan natyrën historike të detyrës dhe e rrokën sfidën.
Së dyti, strategjitë e reformave u fokusuan pikërisht në thelbin: liberalizimin e çmimeve për të reflektuar pamjaftueshmërinë dhe lehtësimin e shpërndarjes së burimeve; stabilizimin e financabe për t’u dhënë fund mungesave dhe inflacionit; dhe privatizimin e kompanive dhe aseteve shtetërore, me qëllim përmirësimin e qeverisjes dhe performancës së korporatave. Vendet që përqafuan këto politika në përgjithësi patën edhe progresin më të shpejtë dhe më të plotë.
Së treti, premtimi i bashkimit me Europën pas shumë vitesh izolim, bashkë me angazhimin e Bashkimit Europian për zgjerimin, ofruan një tërheqje gravitacionale – dhe një model legjislativ – që i ndihmoi politikëbërësit të justifikonin dhe implementonin reforma të vështira. Ligjet jopopullorë ndonjëherë rrëzuan qeveri, por testi final i lakmusit për çdo politikë mbetej: “A do të na çojë sërish drejt Europës?”
Në fund, mbështetja e jashtme ndihmoi shtetet e zhytur në borxhe të rajonit që të përballonin ngarkesën e dyfishtë të implementimit të reformave strukturore dhe përballimit të paqëndrueshmërisë fiskale. Financimet nga FMN, Banka Botërore, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe huadhënësit dypalësh, bashkë me çlirimet prej borxheve nga kredidhënësit zyrtarë dhe bankat tregtare, ndihmuan për uljen e presionit. Asistenca teknike, ndërtimi i kapaciteteve, dhe mbështetja për privatizimet – veçanërisht e bankave – e shtroi edhe më tej rrugën.
Në tërësi, progresi ka qenë mbresëlënës. Disa shtete të Europës Qendrore kanë arritur nivele të GDP për frymë (të matur sipas paritetit të fuqisë blerëse)që i vendosin në pjesën e poshtme të shkallës së të ardhurave të vendeve të eurozonës. Standartet e jetesës në rajon janë përmirësuar dukshëm – edhe pse një konvergjencë e plotë me Europën Perëndimore është ende larg.
Megjithatë, peisazhi nuk është aspak rozë në të gjithë vendet. Disa prej tyre, sidomos në Ballkan dhe Komonuelthin e Shteteve të Pavarur, nuk e kanë përfunduar aspak tranzicionin dhe kanë përjetuar cikle të përsëritur të shpresës dhe krizës. Ashtu si kudo në botë, rritja ekonomike në rajon është ngadalësuar shumë, qysh prej fillimit të krizës financiare në vitin 2008. Ritmi i reformave është ngadalësuar në shumë vende – dhe ka patur sprapsje në disa prej tyre. Konsideratat gjeopolitike kanë ndërlikuar edhe më tej problemet, siç e demonstron edhe konflikti në Ukrainë.
Dy janë skenarët që mund të rezervojë e ardhmja. Në të parin, rajoni rrezikon një cikël rritjeje ekonomike të dobët, tërheqje nga politikat e orientuara nga tregu, si dhe një rritje të zhgënjimit. Si rezultat, konvergjenca me Perëndimin mund të ndalet, teksa shumë vende do të mbeten mbrapa – një rezultat shumë i ndryshëm nga ai që parashikohej gjatë bumit ekonomik të viteve 2000, atëherë kur konvergjenca brenda një brezi dukej pothuajse si një e drejtë e lindur.
Në skenarin e dytë, më pozitiv, konvergjenca e shpejtë me nivelet e të ardhurave të ekonomive të përparuara vazhdon, e mbështetur me një fokus tek dy prioritete, që janë të detajuar në një raport të ri të FMN-së. Një angazhim i ri ndaj qëndrueshmërisë makroekonomike dhe financiare, i lejon qeveritë t’u vënë fre defiçiteve të vazhdueshëm dhe rritjes së borxheve, si dhe të merren me vëllimin në rritje të huave të këqia në ekonomitë e tyre. Ndërkohë, reformat më të thella strukturore përmirësojnë klimën e biznesit dhe investimeve, zgjerojnë qasjen në kredi, hapin më shumë tregjet e punës, kontrollojnë shpenzimet publike, si dhe fuqizojnë administratën e taksimit – të gjithë elementë që i vendosin këto ekonomi në rrugën e një rritjeje të qëndrueshme dhe të shpejtë.
FMN, nga ana e vet, ka qenë një partner i përkushtuar në Europën Qendrore dhe Lindore dhe transformimin e saj gjatë këtyre 25 viteve të fundit. Dhe sot është gati që të ndihmojë vendet e rajonit për ta bërë po kaq mbresëlënës çerekshekullin e ardhshëm. /Project Syndicate/
David Lipton eshte Zevendesdrejtor i Pergjithshem i Fondit Monetar Nderkombetar
SHQIPERUAR NGA www.bota.al

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi