Mbi nepotizmin

Nga Rexhep Meidani, botuar në Panorama Online, 8 nëntor 2014

ish-presidenti-rexhep-meidani-150x150Vrasja e katërfishtë në Rrugën e Elbasanit, shfrytëzimi politik i dhimbjes njerëzore dhe akuzat e ndërsjella midis dy kampeve partiake, sqarimi josqarues i policisë mbi ndërprerjen e kërkimit policor etj., janë ngjarje që, edhe pse jo të drejtpërdrejta, kanë fije lidhëse…
me “ngjyrosje nepotike”, me vetë dukurinë e nepotizmit, që ka marrë një shtrirje të gjithanshme (diku të fshehtë, diku të hapur) në zhvillimet shqiptare. Një shikim i tillë më nxiti të shkruaj këto radhë.
MË MIRË NJË MIK SE SA NJË ÇIFLIG
Nepotizmi në kulturën tonë politike, sidomos atë qeverisëse, është bërë pjesë e brendshme e zhvillimeve shoqërore e ekonomike, politike e institucionale. Madje, ai, tashmë ka fituar një farë statusi zyrtar në Shqipëri. Si kudo në botë, veçanërisht në ngjashmëri me vendet e pazhvilluara apo në zhvillim, ai është shfaqur dhe shfaqet si përkrahje e favor mbi bazë familjare e miqësore (shoqërie), sidomos në politikë e biznes. Si term “nepotizmi” (nga “nipote” në italisht) filloi të përdorej në shekullin 15-16 në përshkrimin e praktikave të emërimeve nga papët, sidomos të fëmijëve të tyre ilegjitimë (të pranuar si nipër!). Edhe sot, kudo, në shkallë të ndryshme, gjatë rekrutimit, shpërblimit e avancimit në karrierë, nepotizmi luan një rol jo të vogël, shpesh dhe vendimtar. Pa dyshim, edhe në Shqipëri, procese të tilla mbi baza nepotike kanë qenë dhe mbeten tepër evidente. Shumë vite më parë ka qenë lapidare shprehja “jam kunati i shokut Xhemal”… Por, nuk duhet menduar se nepotizmi është reduktuar dukshëm në vendet e zhvilluara. Bile, në Francë është tipike shprehja “avoir de piston” (“të kesh një piston, një pompë”) për këtë lloj dukurie; gjë që flet për praninë e saj. Kurse në Shqipëri, shpesh as fshihet diçka e tillë; madje është karakteristike shprehja popullore: “Më mirë një mik se sa një çiflig”! Aty, pavarësisht deklaratave, organizimit të konkurseve e përcaktimit të kritereve të shumëllojshme, nepotizmi ka marrë sot një status si individual, ashtu dhe partiak (të ndeshur qartë edhe më parë). Kështu, p.sh., flitet se emërimi i drejtorëve të shkollave, me pretendimin e seleksionimit me kritere të qarta, ka përfunduar më shpesh nën një “pompë” të qartë partiake. E njëjta gjë është vënë re dhe në drejtori të ndryshme të administratës publike. Madje, po të detajohen disa nga emërimet e reja, ka shumë mundësi që nepotizmi të rezultojë edhe më i dukshëm.
SHTETI DEMOKRATIK NUK E “BLEN” BESNIKËRINË ME NEPOTIZËM
Aktualisht, më shumë se nepotizmi si kundërvënie ndaj meritës, një shqetësim serioz po bëhet besnikëria e verbër, shpinëpërkulja joparimore ndaj shefit, mbyllja e syve para zbatimit të ligjit apo mosrespektimi me arrogancë i vendimeve gjyqësore të formës së prerë. Kështu, p.sh., një problem në vete po bëhet goditja në vazhdimësi e parimit demokratik dhe kushtetues të ndarjes së pushteteve, reduktimi i kompetencave të Presidentit apo degës juridike në favor të degës ekzekutive, veçanërisht të shefit të saj. Pra, po bëhet gjithnjë e më i qartë synimi për akumulim individual pushteti si në fillimet e tranzicionit, për dominim të gjitha sferave në politikë e shoqëri, me pretendimin e “bërjes shtet”, qoftë dhe me skema jodemokratike, imponuese e frikësuese. Nëse është e vërtetë, ajo që shkruhej në media nuk mund të pranohet, sot në shekullin e internetit, që të pakësohen mësuesit e pedagogët dhe të shtohen policët!… Po kultivohet e krijohet, nga ana tjetër, opinioni që nepotizmi nuk është dhe aq i keq, aq jo etik e fyes, por është pjesë e sistemit, një “mekanizëm formal” në përpjekjet e vazhdueshme për shtet, ndërkohë që ai, në variantin shqiptar, përmban një dëshirë të hershme për instalime të fshehta apo të dukshme, pjesore apo të plota, të hallkave të modelit të rrëzuar 25 vjet më parë të shtetit-parti. Nuk mungojnë përfytyrime të ngjashme dhe në sektorin privat.
MOS ËSHTË VETËM NDRYSHIM SHENJE?!
Politika dhe sektorë të tjerë të shtetit e shoqërisë pretendojnë se po e luftojnë nepotizmin, por, ama, vetëm me deklarata. Madje, ky nepotizëm, që ka ndryshuar sot vetëm “shenjë”, po vepron në dritë të diellit për anëtarët e familjeve apo rrethin e politikanëve me peshë. Kjo, në thelb, përbën një kthim prapa, duke e shndërruar një shoqëri demokratike e liberale në një shoqëri me bazë trashëgueshmërinë – karakteristikë kjo e mesjetës, por jo e botës së sotme, ku përfaqësuesi apo drejtuesi politik del nga vota e qytetarit. Dhe kjo vihet re praktikisht kudo. Në një farë mënyre, ky është një nepotizëm i ri apo një “dinastizëm” i ri në politikën globale, siç ishte, p.sh., “dinastia Bush” [familja Bush me dy presidentë (George H. W. Bush dhe George W. Bush), një guvernator në Teksas (George W. Bush) dhe një tjetër në Florida (Jeb Bush), një senator nga Connecticut (Prescott Bush) apo disa anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve, bankierë e industrialistë]. Edhe, sot, në Shqipëri, krahasuar me raste të mëparshme më të shpeshta në komunizëm, po “tentohet” të shtohen lidhje të tilla në nivel Kuvendi!…
NEPOTIZMI FAMILJAR DHE NEPOTIZMI MODERN

Por, a është nepotizmi kaq i keq? Natyrisht, jo patjetër kur flitet për një biznes privat, sidomos atë familjar. Por, dhe aty, kur ai shfaqet në majë, nuk mund dhe nuk duhet të lejohen absurditete të dëmshme në emërim e avancim; aq më tepër kur këto biznese zotërohen nga disa aksionerë. Nga ana tjetër, nuk mohohet se ky lloj nepotizmi familjar garanton më shpesh stabilitet e vazhdimësi. Veçse krejt ndryshe është rekrutimi në politikë dhe administratën shtetërore. Aty, nepotizmi vetëm prodhon korrupsion dhe jo efektivitet. Gjithashtu, ndërsa nepotizmi në biznese familjare është normal dhe i pranueshëm, transmetimi i trashëgimisë në profesione të ndryshme, në arte e sporte, është bërë një pamje tjetër e medaljes, një lloj “nepotizmi modern”, jo patjetër negativ. Por, problemi bëhet akoma më serioz kur dhe shoqëria civile dhe mjaft organizata të saj për të mbijetuar i kanë mbyllur sytë para nepotizmit institucional, madje i kanë përkulur shpinën qeverisë, sepse ajo ka filluar të ndërhyjë te donatorët e huaj apo të kontrollojë shpërndarjen e burimeve financiare, madje duke e bërë atë në mënyrë arbitrare. Dhe, më e keqja, ky lloj patronazhi qeveritar e bën gjithnjë më të dobët kritikën dhe reagimin. Ka dhe “pëshpëritje” ose zhurma të tjera për OJQ të reja të sapondërtuara, politikisht të orientuara, me të cilat mund të tentohet asfiksimi i OJQ-ve reaguese…
PREJ NJË NEPOTIZMI NË NJË TJETËR

Një rast klasik i drejtpërdrejtë ka qenë, 50 vjet më parë, nepotizmi i Kenedit (John F. Kennedy), që emëroi prokuror të Përgjithshëm të SHBA-ve Robertin, vëllain e tij. Sidoqoftë, sot, ndryshe nga nepotizmi i vjetër (relativisht koercitiv me ndërhyrje të forta prindërore, me martesa të llogaritura e të detyruara dhe karriera të parapërcaktuara) nepotizmi i ri nuk operon nga sipër-poshtë, por nga poshtë-lart (ai është vullnetar dhe jo koercitiv, larg interesave prindërore). Ai duket si më natyror, më pak i llogaritur apo i planifikuar, aq sa mund të mos konsiderohet si nepotizëm në kuptimin klasik (por, ama, dhe aty shfrytëzohet tërthorazi emri i familjes, lidhjet e ndryshme, pasuria). Megjithatë, në të dyja rastet prodhohen pothuajse të njëjtat rezultate. Po ashtu, në të dyja rastet, nga ana e ndikimit dhe perspektivës ekonomike, rezultati mund të jetë dhe joefektiv. Në mjaft shoqëri nepotizmi është çështje klasore apo ka përmbajtje klasore. Bile, të dyja klasat dhe shtresimet shoqërore e kanë praktikuar nepotizmin pa hezitimin më të vogël. I tillë po shfaqet te ne edhe nepotizmi politik-partiak, me lidhje të mëparshme të nivelit politik mesatar. Gjithashtu, me sa shihet, klasa e mesme është e interesuar për respektimin e meritokracisë, për zbatimin e parimit të meritës, bazuar në institucionet e tregut dhe promovimin e një burokracie efektive në administratën shtetërore. Në këtë kuptim, nepotizmi i ri mund të konsiderohet edhe si një dukuri e kësaj klase.
A ËSHTË KJO NJË KOHË E ARTË NEPOTIZMI?
Nuk mohohet ekzistenca e nepotizmit në vendet perëndimore. P.sh., në Amerikë, sidomos në klasën politike amerikane, konsiderohet normale trashëgimia politike në nivele të ndryshme, nga ai presidencial, në atë në Kongres, në nivel guvernatori, gjykatësi etj. Por, ashtu si marrëdhënia simbiozë: kongres – korporata në Amerikë, edhe në Shqipëri ka një marrëdhënie të ngjashme politikë-biznes. Kjo bën që korrupsioni të zhvillohet paralelisht me nepotizmin. Ky i fundit, ashtu si dhe gama e vetë korrupsionit, klasifikohet si nepotizëm politik. (Shfaqet në emërimin dhe vendosjen e njerëzve të pakualifikuar në pozicione kyçe); si nepotizëm organizacional (që ndeshet në organizata të ndryshme); si nepotizëm kulturor e sportiv (i shfaqur në organizime dhe veprimtari të ndryshme kulturore-sportive); si nepotizëm profesional apo në punësim (i shfaqur në çështje rekrutimi, pagese e avancimi në karrierë). Në kushtet e Shqipërisë, brenda kësaj skeme, flitet në media për nepotizëm të tipave të ndryshëm në ministri e drejtori të ndryshme, deri duke aluduar e pretenduar për përafrime të tjera të adoptuara në fushën e veprimtarisë private, në krijimin e bizneseve të reja me emra të përveçëm vëllezërish tashmë të “suksesshëm” nën ombrellë politike dhe qeveritare! Nuk duket e lehtë për ta besuar, veçse edhe reagimet mbrojtëse, me një publicistikë boshe dhe retorikë eterike ta shtojnë dyshimin dhe pakënaqësinë…
NEPOTIZMI, KRONIZMI E FAVORIZMI
Për nepotizmin në tërësi ndeshet shpesh dhe një klasifikim tjetër më i detajuar. Kështu, nepotizmi konceptohet në mënyrë të ngushtë – thjesht për pjesëtarët e familjes apo rrethit familjar, kurse kronizmi (nga fjala greke chronios – afatgjatë) shihet si kundërvënie ndaj meritokracisë. Madje, ai, në vetvete, mishëron një anësi për “kthim pagese” (“pay back”) ndaj mikut, kolegut e bashkëpunëtorit. (Të pakënaqur nga vonesat në këtë kthim pagese, disa nga biznesmenët e kanë gjetur atë më të shpejtë në politikë, duke u bërë lehtësisht pjesë të saj!). Kurse favorizmi ka të bëjë me individin dhe grupin e favorizuar, që nënkupton se emërimi e avancimi në këtë rast lidhet jo me kapacitetin dhe cilësinë e punës, por thjesht me përkatësinë në grup. Sidomos, diçka e tillë bëhet e dukshme, por dhe dëmshme apo e rrezikshme, në tenderime, prokurime, kontrata favorizuese etj. Gjithashtu, ai mund të shihet dhe si një lloj “patronazhi”. Me peshë janë lidhjet grupore, përkatësia partiake apo faktorë të tjerë të ngjashëm. Kështu, kronizmi, si pamje nepotizmi, shfaqet qartë në rekrutimin e kandidatëve partiakë për zyrat publike. Veçse në sferën publike, nepotizmi e kronizmi e dëmtojnë jo pak të mirën e përbashkët; sepse në çdo rast rekrutimi pa aftësinë dhe kredencialet e duhura apo eksperiencën e domosdoshme e ul cilësinë e kryerjes së detyrës publike. Kurse, favorizmi në sytë e qytetarit shihet si shkelje, si zbehje morali në qeverisje, deri humbje besimi publik në vetë integritetin e kësaj qeverisje. Disa akuza publike në media, shoqëruar me dokumente të dhëna nga opozita, kanë tronditur jo pak besimin qytetar (jo atë militant) mbi sjelljen, figurën dhe integritetin e disa anëtarëve të kabinetit qeveritar. Për ta rindërtuar këtë besim nevojitet ose verifikim publik, ose largim pa vonesë për individët e përgojuar!…

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi