Buxheti 2015
Nga Fatos Çoçoli, botuar në Shqiptarja.com, 8 nëntor 2014
Paratë që shpenzojnë qeveria dhe institucionet e tjera të Shtetit janëmbi 4 miliardë dollarë, ose afro një e treta e gjithë parave që qarkullojnë në ekonominë tonë në një vit. Është e kuptueshme vëmendja e qytetarëve ndaj planifikimit të qeverisë për vitin e ardhshëm, sa shpenzime do të kryejë dhe sa të ardhura do të grumbullojë. Qeveria deklaron se defiçitin buxhetor do ta ulë nga 800 milionë dollarë qëështë për këtë vit në 600 milionë dollarë në vitin 2015(ose nga 6 përqind e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit në 4 përqind) dhe ky është një lajm shumë i mirë për disiplinimin e financave tona publike dhe rritjen e imazhit të vendit si një vend me borxh publik të qëndrueshëm. Por ndërkohë sfidat ngelen dhe shumë të forta madjë.
Kështu, ndërsa shpenzimet dihen si dhe sa mund të realizohen, të ardhurat kanë disa pikëpyetje të mëdha, që lidhen me mbarëvajtjen e ekonomisë për vitin e ardhshëm. Ministria e Financave e ka ngritur tatimin mbi të ardhurat personale me 50 përqind, duke shpresuar në administrim më të mirë tatimor dhe në shtim parash për Buxhetin e Shtetit. Por pikëpyetja qëndron: kush do të shkojë dhe të kërkojë tatimin mbi të ardhurat personale tek të gjitha ato biznese që paguajnë qera për truallin apo mjedisin e punës që kanë marrë?
Dihet se janë dhjetëra mijëra shqiptarë që kanë dhënë me qera pronat apo apartamentet e tyre, por taksa e të ardhurave personale nga këto qera është vjelur në vetëm 5 përqind të rasteve, pse kontratat e qeramarrjes dhe dhënies nuk janë në dijeni të tatimorëve tanë. Qeveria synon të marrë më shumë para duke rritur taksën e qarkullimit të automjeteve me 10 lekë të reja për litër dhe këtu të ardhurat janë të sigurta. Basti i mirëfilltë i qeverisë me të ardhurat që do të marrë ka të bëjë me rritjen ekonomike të vendit dhe me ndershmërinë dhe përkushtimin e tatimorëve dhe doganierëve shqiptarë. Megjithë investimet publike me pikatore gjatë këtij viti, parashikimi qeveritar i rritjes ekonomike për vitin 2015 është 3.3 përqind.
Duket se qeveria beson tek rigjallërimi i biznesit vendas, pas shlyerjes së detyrimeve që ajo ka ndaj tij(do t’i japë biznesit edhe 350 milionë dollarë borxhe në vitin 2015, duke u shlyer përfundimisht). Në pamjen e parë, parashikim ngjan shumë optimist, duke patur parasysh se gjatë këtij viti 2014, kemi patur tremujorë, ku rritja ekonomike ka qenë praktikisht zero. Një rritje e tillë për vitin e ardhshëm duket shumë e pasigurtë, ndërkohë që treguesit e aktivitetit qeveritar, të ardhurat dhe shpenzimet bazohen edhe tek një parashikim i tillë.
Nëse rritja ekonomike është më e ngadaltë, të themi 1.5 përqind për vitin 2015, qeverinë mund ta nxjerrë nga balta vetëm formalizimi më i fortë i ekonomisë shqiptare. Energjia elektrike po nis më në fund të formalizohet, me 4.5 milionë dollarë arkëtime më shumë vetëm në tre javët e fundit, pas valës së arrestimeve të vjedhësve të energjisë. Qeveria shpreson se mos mund të kursehet diçka dhe në reformën e pensioneve, por kjo reformë sapo ka nisur dhe do të duhet shumë kohë, ndoshta 2-3 vite, që qeveria t’i shohë hajrin dhe defiçiti i frikshëm i pensioneve të mos jetë më aq i frikshëm sa ç’është sot, duke i kursyer qeverisë një pjesë të mirë të 400 milionë dollarëve që përballon e financon pensionet çdo vit.
Paketa e re fiskale synon me të drejtë ndihmesënndaj biznesit të rafinimit të naftës në vend dhe atij të agropërpunimit, por nuk dihet me siguri nëse zerimi i doganës për naftën bruto dhe zerimi i doganës për grurin dhe ushqimin e importuar për blegtorinë, do të sjellë efekt në rigjallërimin e përpunimit të naftës dhe të produkteve bujqësore tek ne. Mund të thuhet se shpresa e mirëfilltë e suksesit të buxhetit 2015 tek ne janë dy personazhe që ia vlen të dalin të qartë në sytë e gjithë shqiptarëve: inspektori tatimor, që duke i shpikur vetes rroga të dyta e të treta favorizon bizneset e zonës së tij dhe bën arkën e Shtetit të humbë, si dhe inspektori i paaftë ose i korruptuar i punës, që fsheh ose nuk zbulon me mijëra punonjës në sektorin privat që punojnë në të zezë dhe bëjnë që pronarët të mos paguajnë sigurimet shoqërore.