Fuqia e shtetit dhe hija e mafias
Nga Ed Vulliamy, The Guardian, 7 nëntor 2014
Edhe në Itali nuk është e zakonshme që një kryetar shteti të dëshmojë në një proces kundër mafias. Dëshmia e Giorgio Napolitanos në Quirinale, përballë ekipit antimafia të Palermos, nuk ka precedentë.
Në 28 tetor, presidenti dëshmoi për tre orë, në kuadër të procesit kundër bosit të Cosa Nostra-s, Salvatore Riina dhe të akuzuarve të tjerë, në përpjekje për të pikasur përgjegjësit për një seri sulmesh kundër shtetit italian në vitet nëntëdhjetë: vrasjet e gjykatësve Giovanni Falcone dhe Paolo Borselino dhe një seri atentatesh të tjerë. Napolitano u përfshi në proces për shkak të një letre në të cilën këshilltari juridik i Quirinales, i ndjeri Loris D’Ambrosio, fliste për një marrëveshje të nivelit të lartë, apo një farë tratative mes Riinës dhe krerëve më të lartë të shtetit.
E mbaj mend mirë atë periudhë, sepse ndiqja ngjarjet në Itali për The Guardian. Sapo kishte shpërthyer skandali i Tangentopolit dhe një klasë e tërë politike ishte nën hetim, por edhe në atë kontekst, ai shpërthim i papritur i dhunës ishte tronditës, të kujtonte të ashtuquajturit vite të plumbit, që Italia besonte se i kishte lënë pas tashmë.
Marrëveshje të parrëfyeshme
Në të vërtetë, sot e dimë që seria e atentateve mafiozë të viteve 1992 dhe 1993 kishte të gjithë shenjat e atyre viteve, kur unë isha student në Itali. Rrëmbimi dhe vrasja e presidentit të atëhershëm të Demokracisë Kristiane, Aldo Moro nga ana e Brigadave të Kuqe, bomba në stacionin e Bolonjës në vitin 1980 dhe ato të Milanos, Breshias dhe Italicus, ishin të gjitha shprehje e asaj që italianët e quajnë strategjia e tensionit të bashkërenduar prej shtetit. Ishin të përfshirë dy ekstremet, i djathtë dhe i majtë, shërbimet e fshehtë, ushtria, lozha misterioze masone P2 dhe Cosa Nostra. Qëllimi mendohej të ishte shpërthimi i kaosit, me qëllim që të intensifikohej represioni.
Me sa duket, dëshmia e Napolitanos ka konfirmuar se nuk ka patur asnjë tratativë mes presidencës së Republikës dhe mafias, por letra e D’Ambrosios për “marrëveshje të parrëfyeshme” të sjell në vëmendje që, në fillimin e viteve nëntëdhjetë, shteti italian ishte në kontakt me mafian. Pak a shumë në të njëjtën periudhë, Giulio Andreotti, Kryeministër dhe simbol i epokës që nisi me vitet e plumbit dhe përfundoi me tangentopolin, u akuzua për lidhje me mafian, u dënua dy herë dhe u shpall jo fajtor në Kasacion. Por historia nuk përfundon këtu. Nuk është një koincidencë që vala e arrestimeve dhe sulmeve mafiozë të viteve 1992 dhe 1993 ndodhi pikërisht në periudhën kur thuhet se Andreotti u takua me përfaqësuesit e Riinës. Në majat e pushtetit po hapej një boshllëk dhe ekzistonte frika që mund të mbushej nga komunistët, edhe pse Partia Komuniste Italiane kishte ndryshuar emër dhe kish hequr dorë nga simboli i kosës dhe çekanit.
Ai boshllëk duhej plotësuar për të ruajtur status quo-në, domethënë ndërthurjen e marrëdhënieve mes shtetit, krimit të organizuar, masonerisë dhe botës së biznesit. Cuditërisht, pak më vonë ekipi antimafia i Caltanissettas, qyteti siçilian i konsideruar si bastioni i Cosa Nostra-s, do të duhej të hapte një hetim edhe ndaj Silvio Berlusconit dhe krahut të djathtë të tij, Marcello Dell’Utri, i cili në fillimet e viteve nëntëdhjetë kishte shtyrë Kavalierin që të hynte në politikë, për të garantuar imunitetin dhe për të forcuar aleancat e vjetra.
Hetimi u arkivua kur Berlusconi, nën udhëheqjen e Dell’Utrit fitoi zgjedhjet e vitit 1994, duke hapur atë që u duk se do të ishte një epokë e re, por që në realitet nuk ishte veçse një vazhdimësi e paraardhëses. Nuk dyshohet që Berlusconi dhe Dell’Utri të kenë pasur të bëjnë me vrasjet e Falcones dhe Borsellinos, as me bombat e vëna në Firence dhe në Romë. Por odisea e Berlusconit nëpër një seri gjykatash është legjendare. Ndërkohë, Dell’Utri është dënuar për lidhje me mafian dhe në prill u arrestua në Liban, ku ishte strehuar pas largimit nga Italia.
Shumëkush e ka quajtur ambasador të Berlusconit pranë Cosa Nostra-s, dhe e anasjellta, edhe pse Berlusconi ka mohuar gjithmonë çfarëdolloj lidhjeje me organizatën mafioze. Bashkëpunëtori tjetër i ngushtë i tij, Cesare Previti, u dënua për korrupsion.
Rafte të tërë me libra
Dëshmia e Napolitanos të bën të mendosh se marrëdhënia mes pushtetit dhe hijeve ka qenë gjithmonë. Dhe që në atë periudhë të luftës së mafias kundër shtetit, po kontraktoheshin detajet e atyre marrëveshjeve të parrëfyeshme për të ruajtur status quo-në. E gjithë kjo ndodhte pavarësisht dukjes: bota e errët e Demokracisë Kristiane të Andreottit, me hijet e tij misterioze dhe kthjelltësinë e tij katolike, ia kish lënë vendin një bote të re më vulgare, me balerina gjysmë të zhveshura dhe striptizë në kanalet televizivë të kryeministrit të ri.
Por në të vërtetë asgjë nuk kishte ndryshuar, përveç zëvendësimit të kultit të shtetit me atë të fuqive ekonomike. Marrëveshjet e parrëfyeshme ishin respektuar. Por, gjëja më interesante është që në Itali ishte bërë gjithçka për të denoncuar këto drama: nëse hyni në cilëndo librari Feltrinelli, do të gjeni rafte të tërë me libra të mbushur me hollësira, të shkruajtur nga gazetarë kurajozë në bashkëpunim me magjistratë po kaq kurajozë.
Në Itali është zbuluar ekzistenca e lidhjeve mes pushtetit dhe krimit të organizuar. Por nuk mund të themi të njëjtën gjë për vendin tonë (Britaninë e Madhe) dhe për marrëveshjet e parrëfyeshme që lejojnë persona të ngjashëm me Berlusconin që të fshehin kapitalet e tyre në parajsa fiskale, nën juridiksionin britanik. Dëshmia e 28 tetorit konfirmoi se në Itali, vija ndarëse mes ligjshmërisë dhe kriminalitetit është një gënjeshtër, nuk ekziston. Dhe na ka kujtuar ne britanikëve se kemi mbetur shumë prapa në vetëdijësimin për këtë gënjeshtër dhe në denoncimin e marrëveshjeve të parrëfyeshme që mbajnë të bashkuar shoqërinë tonë.
PERSHTATUR NE SHQIP NGA www.bota.al