Reformat Liberale në Shqipëri, efektet dhe problematika e tyre
Nga Dritan Shano, botuar në Mapo, 2 nëntor 2014
Qëllimi i reformave liberalizuese ishte dhe mbetet një rialokim më eficient i burimeve. Ato nxisin zhvillimin e kapitalizmit, ekonomisë së tregut dhe të individit. Kjo është arsyeja e vetme përse ato kryhen. Reformat liberale në Shqipëri filluan me Qeverinë e Stabilitetit në mesin e vitit 1991. Këto reforma kishin të bënin me hapjen e Shqipërisë ndaj botës, ndaj tregut. Ky akt ishte si hapja e kutisë së Pandorës. Ato nxorën në pah falimentimin e shtetit, ineficencën totale të së gjithë ekonomisë dhe kuadrit rregullator që trashëgonim nga vitet e kalasë së pamposhtur në breg të Adriatikut. Problemet që gjendeshin në kutinë e Pandorës nuk i kemi zgjidhur ende sot e kësaj dite. Për shkak të një trashëgimie paternaliste, osmano-komuniste – një pushtet i centralizuar fort dhe një individ i dobët dhe i robëruar – pavarësisht presionit të institucioneve financiare ndërkombëtare dhe BE-së, ecuria e mjaft reformave në Shqipëri, ka qenë më shumë nën efektin e interesit politik afatshkurtër të qeverive të ndryshme, sesa të ndikuara nga forca, vizioni dhe vullneti libertar i individit shqiptar, i cili ende ka pasiguri, nuk ndjehet i lire të mendojë, të zgjedhë, të veprojë por ende është vulnerable dhe i nënshtrohet lehte detyrimit dhe opresionit të shtetit.
Në vitet e para 1990 u kryen ato reforma që ndryshe njihen si terapia e shokut dhe që janë heqja e kontrollit mbi çmimet dhe kursin e këmbimit, ndalimin e subvencioneve shtetërore, liberalizimin e tregtisë dhe privatizimin e aseteve publike – proces që ende nuk ka mbaruar.
Ndërkohë që një pjesë e reformave liberalizuese, filluan që në mes të vitit 1991 me privatizimin e dyqaneve, me kalimin e tokës bujqësore me ligjin e turbullt 7501 në përdorim të fshatarëve, me pak fjalë sanksionimin me ligj të pronës private dhe iniciativës së lirë, ishte anëtarësimi dhe nënshkrimi i marrëveshjeve me FMN-në dhe BB në vitin 1992, që solli në tavolinën e vendimmarrjes një axhendë më të strukturuar reformash. Mund të themi se në Shqipëri qysh prej fillimit të tranzicionit e së paku deri në vitin 2010 janë kryer dhe vazhdojnë të kryhen reforma liberalizuese të cilat mund t’i klasifikojmë si implementimi i çka në botë njihet si Konsensusi i Washingtonit.
Ne paranteze, nga ky vrull i pare i reformave deri nga fundi i vitit 1992 kaluan në duart e privateve rreth 12 000 dyqane, 5000 një si të shërbimi e tregtisë, klinika dentare e farmaci dhe rreth 2000 automjete, anije të vogla peshkimi apo dhe makineri bujqësore. Së bashku me rreth 450 000 fermerët që për fituan nga ligji për tokën, këta ishin fara e kapitalizmit shqiptar, e ekonomisë së tregut të këtij vendi.
Këto reforma synonin stabilizimin makroekonomik, uljen e inflacionit, ristrukturimin e sistemit bankar etj. Komuniteti ndërkombëtar i mbështeti këto reforma liberale të periudhës që ristrukturonin ekonominë dhe kuadrin rregullator gjatë 1991 – 1996 me rreth 1.25 miliard USD. Fillimi i këtyre reformave ishte vërtet shokues. Ai u shoqërua me një inflacion prej 226 përqindësh në 1992, përgjysmim të GDP-së në 673 milionë USD me një papunësi prej 26.5 % e kështu me radhë.
Ristrukturimi i ekonomisë shqiptare i çuar përpara nga qeveri të majta e të djathta si një kombinim reformash strukturore dhe rregullatore që filloi në ‘91, ende nuk ka mbaruar. Çfarë efekti kanë patur reformat e deritanishme liberalizuese? A e kanë për mbushur këto reforma qëllimin pse ato u kryen? Siç thotë Ludvig von Mises në fjalën e tij në takimin e 9-të të Mont Pelerin Society: “Politikat e individualizmit dhe të kapitalizmit, aplikimi i tyre në lëmin ekonomik nuk kanë nevojë për apologjistë dhe propagandistë. Arritjet e tyre flasin vetë”.
Rialokimi i burimeve nga sektori publik drejt sektorit privat më eficient ka ndodhur. Pjesa e sektorit privat në GDP është rritur nga 5% në 1991, në 50% në 1994 dhe 75% në 1997, nivel që është ruajtur edhe në vitet pasuese për të arritur ndoshta në 80 për qind në mes të viteve 2000. Sot Shqipëria ka një GDP rreth 14 miliardë USD në një kohë që në vitin 1992 ajo arriti në 673 milionë USD pra rreth 20 herë më e lartë. Eksportet janë nga 112 mln janë rritur në 2.3 mld USD ose me 20.5 herë që atëherë. Importet janë 4.6 mld USD, rritur dhe ato me 12.7 herë. Por ajo që më intereson është se eksportet kanë ritëm rritjeje më të lartë se importet. Të ardhurat për frymë ishin 250 USD më ’92, tani vlerësohen 4998 USD ose 20 herë më të larta. Sot vetëm depozitat në sistemin bankar prej 16 bankash private janë rreth 6.7 miliardë euro e kështu me radhë. Më 2005-ën Shqipëria ishte e 81-a në botë në Indeksin e Lirisë Ekonomike të Heritage Foundation. Ajo renditej e 53- ta në botë në vitin 2010, kohë kur kulmonte eliminimi i barrierave administrative me regjistrimin online të biznesit, pagesës së taksave online apo eliminimin e qindra licencave dhe lejeve për të ushtruar aktivitet ekonomike, kombinuar kjo me aplikimin e taksës së sheshtë prej 10 për qind. Në 2014 Shqipëria ruan pothuaj të njëjtin nivel duke u renditur e 54-ta.
Është evidente që reformat liberale të këtyre 2 dekadave kanë dhënë efekte pozitive. Sidomos nga pikëpamja sasiore. Por, a janë ato njëherësh po kaq cilësore, që të kenë krijuar një sistem të qëndrueshëm? Brenda dy dekadave zigzaget e zhvillimit kanë qenë të prekshme. Shqipëria hera-herës ka nevojë për politika të stabilizimit makroekonomik ndërkohë që ende nuk i ka mbaruar reformat strukturore, elemente që ndeshen në fazat e para të tranzicionit. Po ashtu Shqipëria është në mes të proceseve të reformave rregullatore e institucionale që të konsolidojë themelet e ekonomisë së tregut, por ende nuk ka një qeverisje të forte dhe administrate kompetente që ta t’i kryeje këto procese siç duhet. Shqipëria i është dorëzuar dy herë situatave të krizës. Një herë në vitin 1997 kur GDP u tkurr me 10% dhe inflacioni shkoi për seri 42 për qind dhe në tri vitet e fundit ku ekonomia është dukshëm në stanjacion, krejt e pazonja të rigjallërohet.
Pse Shqipëria, nga të parat vende në kryerjen e reformave liberale, mbetet një vend problematik, ku tranzicioni s’ka ndër mend të mbarojë ? Një vend ku rialokimi i burimeve për shkak të reformave strukturore dhe rregullatore rezulton të jetë ende i pamjaftueshëm për të garantuar një qëndrueshmëri më të madhe ndaj krizave/situatave të pafavorshme dhe një nivel më të lartë rritjeje ekonomike? Pse Shqipëria nuk ka ende një ekonomi tregu funksionale por vuan nga mungesa e transparencës dhe stabilitetit të kuadrit rregullues, vuan nga zbatimi i deformuar i rregullave të tregut?
Mund të bëjmë një listë të gjatë të problemeve me të cilat ndeshet Shqipëria në këtë fazë, që pengojnë zhvillimin e saj. Që kryesisht nuk ka të bëje me numrin e reformave të bëra në këto vite, por me cilësinë dhe qëndrueshmërinë e tyre. Secili nga ne mund të bëjë listën e vet. Ajo mund të fillojë me klimën politike në përgjithësi, ku dominon konflikti dhe jo dialogu, ku dominon kurthi politik dhe jo dëshira për bashkëpunim. Korrupsioni në administratë, dhe mosbesimi tek gjyqësori. Ndryshimet e shpeshta të ligjeve fiskale. Mungesa e disiplinës fiskale. Borxhi i lartë publik. Niveli i lartë i informalitetit, ku një pjesë e madhe nuk paguan taksa dhe energji elektrike në kurriz të atyre që paguajnë. Infrastruktura ende e pa-kompletuar që nuk lejon shfrytëzimin eficient të hapësirës dhe mundësive që ofron pozicioni gjeografik; përmasa e ekonomisë, niveli i ulët i investimit teknologjik në ekonomi, dalja vonë në ekonominë e tregut. Mungesa e kreditimit. Arbitrariteti i shtetit mbi privatin. E kështu me radhë.
Megjithatë tre janë çështjet më të rëndësishme që ndikojnë në ecurinë e deritanishme të reformave liberale në Shqipëri:
1.Ecuria e deritanishme dhe e mëtejshme e Shqipërisë drejt një ekonomie tregu funksionale mbetet e kushtëzuar nga probleme të qeverisjes dhe ngritjes së kapaciteteve zbatuese. Formulimi i politikave të zhvillimit dhe zbatimi i tyre, pra dhe implementimi i reformave liberale përgjatë gjithë periudhës së tranzicionit, jo rralle janë pre e selektivitetit, preferencave të pushtetit që ndryshojnë sa herë ndërrohet qeveria, duke shkaktuar kështu paqëndrueshmëri, informalitet, korrupsion përkundrejt konkurrencës së ndershme dhe të lirë, që karakterizon një ekonomi tregu funksionale. Është krejt logjike që ndryshimet e shpeshta të ligjeve, jo vetëm atyre fiskale, një administratë e dobët e partizanë, dhe një sistem gjyqësor problematik dhe jo i besueshëm nuk mund të garantojnë një bashkëjetesë dhe një ndërveprim të lire e të ndershëm në treg. Mbetet sfidë sigurimi i kushteve të qëndrueshme dhe të besueshme në të cilat individët dhe sipërmarrësit organizohen, konkurrojnë, bashkëpunojnë dhe shkëmbejnë mes tyre. Vetëm kështu mund te valorizohen reformat liberale strukturore dhe rregullatore që janë ndërmarrë në Shqipëri gjatë këtyre dy dekadave.
2.Struktura ekstremisht e fragmentuar e ekonomisë shqiptare tregon më së miri se mundësitë praktike për investime të qenësishme, për rritje të punësimit, për modernizim, inovacion, për rritje të konkurrueshmërisë me rajonin mbeten të kufizuara. Biznesi kapitalist nuk është ruajtja pa lëvizur e stadit të arritur të biznesit – thotë Ludvig von Mises. Përkundrazi është një inovacion i pandërprerë.
Kultura dominante e të bërit biznes reflektohet tek struktura e pronësisë së sipërmarrjes. Sot në Shqipëri operojnë rreth 117.000 sipërmarrje, ku në masën më të madhe, 69 % kanë një te vetë -punësuar, pjesa tjetër klasifikohen me nga 1-9 të punësuar dhe vetëm 1.5 % kanë mbi 50 të punësuar. Edhe pse liberalizimi i ekonomisë ka bërë që sektori privat të siguroje rreth 80 për qind të GDP-së, Shqipëria ende nuk ka arritur të krijoje një profil ekonomik ku të mund të identifikoheshin, kuantifikoheshin apo kualifikoheshin avantazhet e saj krahasuese. Kapitalizmi shqiptar është kapitalizëm rural në konceptimin e tij dhe në projeksionin e zhvillimit të tij. Ai është përjashtues. Koncepti i kapitalizmit është urban. Është bashkëjetesë, bashkëveprim interesash që çon tek rritja e qëndrueshme.
Sigurimi i incentivave dhe disincentivave në nivelin e politikëbërjes, ndoshta lidhja më e mirë e arsimit profesional dhe atij të lartë me nevojat dhe përmasën reale të tregut është një faktor që do të ndikoje në afatmesëm dhe afatgjatë për të shtuar mundësitë e punësimit dhe një ristrukturim të ekonomisë drejt një zmadhimi në kohë të ndërmarrjeve të mesme dhe një reduktim progresiv të ndërmarrjeve të vogla, të cilat ndihmojnë në mbajtjen e frymës gjallë, por nuk mund të jenë një bazament zhvillimi. Përkundrazi, rritja e qëndrueshme kërkon rritje të kapitalit, teknologji të reja, një nivel të lartë inovacioni dhe investime te përhershme te kapitali human.
3.Mendoj se elementi më kryesor që ndikon mos-kapitalizimin e reformave liberale të deritanishme, njëherësh ndoshta në themel të strukturës së atomizuar, problematike të ekonomisë që përmendëm më lart, është e drejta e pronës. Institucioni i parë i ekonomisë së tregut, guri i themelit mbi të cilin ndërtohen shoqëritë, ndërtohet e tashmja dhe e ardhmja është i vënë shtrembër. Të drejtat mbi pronën në Shqipërinë e sotme, mbeten ende peng i procesit të pambaruar të e regjistrimit të pronës, procesit të pambaruar kthimit dhe kompensimit të pronës, i procesit të pambaruar të legalizimit të ndërtimeve pa leje, i grabitjes dhe tjetërsimit të pronës, i kontesteve mbi të drejtat e pronësisë që shpesh burojnë nga zbatimi i ndryshëm i të njëjtit ligj, dhe jo rrallë dhe i arbitraritetit të shtetit në trajtimin e saj. Këto procese, që më shumë lidhen me pronën mbi tokën, ndërtesat etj., sesa me pronësitë intelektuale, përveçse kanë ngadalësuar tranzicion dhe mpirë vendimmarrjen e operatorë ve ekonomikë, në këto vite kanë shkaktuar rreth 8200 të vrarë – një bilanc lufte.
Lord Acton thotë se: një njeri i mençur bën të paren, atë që budallai bën të fundit. Të dy bëjnë të njëjtën gjë, thjesht zgjedhin kohë të ndryshme për ta bërë. Tek prona ne jemi si puna e budallait. Po bëjmë të fundit atë që duhet të kishim bërë të parën. Është mbarimi i këtyre proceseve detyra kryesore që të fillojmë ta vendosim zhvillimin ekonomik në rrugë të mbarë, duke e çliruar iniciativën e lirë private nga pengmarrja ligjore, gjyqësore, administrative e pronës duke mundësuar politika dhe prioritete zhvillimi që nxisin prosperitetin e individit dhe sipërmarrjes.
Ajo çka përmbledh më së miri mos-çlirimin e potencialit të këtyre 23 vjetëve reforma liberale në Shqipëri, është observimi i Milton Friedman se: “Liria politike mund të arrihet shpejt, por liria dhe prosperiteti ekonomik janë krejt ndryshe. Materializimi i lirisë ekonomike, pra prekja me dorë e rezultateve të reformave liberale, arrihet duke krijuar institucionet ekonomike të tregut të lirë, të cilat janë të vetmet mjete për ta konvertuar lirinë politike në liri ekonomike dhe njerëzore.” Shqipëria çalon pikërisht tek krijimi i institucioneve të ekonomisë së tregut. Po nuk konsoliduam ato, potenciali i reformave liberale në Shqipëri do mbetet si ajo fara e shtrenjtë në grushtin e bujkut në pritje që ky të gjejë terrenin e duhur ku ta hedhë atë.
*Fjala e mbajtur në Rrethin Liberal të Dardhës/ Edicioni i parë 2014