Debat publik pa debatues
Nga Robert Qafzezi, botuar në Shekulli Online, 4 nëntor 2014
Në Shqipëri ka një mungesë të theksuar debati për problemet kryesore të vendit, për prioritetet dhe për rrugët e zgjedhura nga qeveria për zhvillimin e vendit. Ky është një fakt, ndoshta më i hershëm në vend dhe me rotacionin e pushteteve menduam se do të ndryshonte diçka. Por në fakt, po vihet re e njëjta metodikë punë, ajo e shmangies së debatit të vërtetë publik për rrugët që duhet të ndjekë qeveria në mënyrë që vendi të ecë përpara. Debati nuk ndërtohet me menefregizëm nga ana e pushtetit në raport jo vetëm me opozitën, por edhe me gjerë. Nga ana tjetër, nuk mund të bësh debat duke akuzuar, siç bën opozita, sa për t’u ndjerë që është akoma gjallë. Apo të themi ndryshe, hedhja e disa shashkave nga disa deputetë në shtypin e ditës, me dhënie dhe pritje replikash që i kalojnë tangjent çështjeve kryesore në vend, nuk e ndihmon aspak debatin publik për rrugën në të cilën po ecën vendi ynë. Një skandal, tashmë shumë i njohur, është organizimi i debateve pa debat nëpër medie, ku në mënyrën më cinike dhe të mirëmenduar, flitet për të gjitha broçkullat e tavolinave të rrumbullakta, por vetëm të vërteta esenciale nuk preken, duke i lënë ato në heshtje artificiale.
Qarkullimi i vërtetë i ideve, rrahja e tyre publikisht pa paranteza interesash politike, apo debati i vërtetë publik e politik, përbën formën kryesore të demokracisë. Ky debat nuk ekziston as virtualisht në Shqipëri. Krijimi i debatit publik të vërtetë, është detyrë jo vetëm e profesionistit politikan, apo e gazetarit, por e të gjithë qytetarëve të vendit. Çdo qytetar ka të drejtën demokratike të informimit për prioritetet që ka qeveria, apo për vendimet që ajo pret që t’i ndërmarrë dhe jo vetëm kaq. Qytetarët kanë të drejtën e plotë të kundërshtimit të argumentuar të nismave qeveritare. Këto kundërshti duhet të përcillen përmes opozitës, mirëpo opozita nuk i ka në axhendë këto. Në këto kushte, si mund t’i shprehin kundërshtitë e tyre qytetarët, kur në këtë vend mungon opozita?! Shqiptarët duhet të kuptojnë, se tani u takon atyre që të ngrenë lart debatin e vërtetë dhe të mos bien në kurthet e shmangies së vëmendjes, të cilat vazhdojnë që të jenë prezente në politikën tonë. Pa debatin e vërtetë publik, demokracia në vend shkon drejt shuarjes.