Europa dhe e ardhmja
Fjala e Prof. Romano Prodit për Konferencën më Tiranë, datë 21 tetor
Dyer të hapura apo dyer të mbyllura – “Shqipëri dhe Itali: një partneritet për Europën”
Në kuadrin e një diskutimi specifik mbi marrëdhëniet midis Italisë dhe Shqipërisë, më është kërkuar të bëj përmbledhjen e këtyre marrëdhënieve: në veçanti nëse Europa i mban dyert e hapura apo të mbyllura. Cilat dyer? Si mund të hysh e si mund të qendrosh? Kjo është detyra që më është caktuar. Është një detyrë jo e lehtë sepse diskutimi mbi kufijtë e Europës është një diskutim shumë i ndërlikuar.
Kur isha President i Komisionit Europian jam munduar ta hap shpesh këtë debat në Parlament duke kërkuar të përcaktohet ku mbaron Europa e cilët janë kufijtë e saj; debat që nuk ështe pranuar kurrë sepse prek probleme shume delikate. Kjo është arsyeja pse Europa u zgjerua në mënyrë graduale, duke integruar fillimisht 6 shtete, më pas 3 të tjerë, deri 10 vjetë më parë kur ndodhi dhe zgjerimi më i madh me 10 shtete, midis të cilëve Malta, Qiproja dhe 8 shtete të tjerë që kanë qenë nën influencën sovjetike.
Është mbi të gjitha një problem shumë delikat: por më duhet të theksoj se – siç do ta përsëris shpesh gjatë gjithë fjalimit tim – nuk kam pasur kurrë asnjë dyshim mbi anëtarësimin e vendeve ballkanike në Bashkimin Europian. Mund të diskutohet mbi kohën, mbi problemet me të cilat duhet të përballemi dhe si mund të përballohet ky zgjerim i mëtejshëm, por ideja se Shqipëria dhe vendet e ish-Jugosllavisë i përkasin Europës është një pikë e qëndrueshme. Kështu që përgjigjja u dha: Europa i ka dyert e hapura; por është e qartë se duhet të reflektojmë se si, në çfarë mënyre, më cilat kushtë, me cilat probleme kjo perspektivë paraqitet.
Nëse mbi këtë çështje nuk ka dyshime, shumë dyshime kanë lindur për realitete të tjera. Kur flasim për kufijtë e Europës menjëherë prekim problemin e Turqisë, që u shfaq dhe vazhdon të shfaqet ndryshe: nëse rasti i vendeve ballkanike është diskutuar gjatë samiteve të ndryshme dhe anëtarët e Bashkimit Europian mbi këto probleme kanë gjetur një marrëveshje, mbi Turqinë dhe Ukrainën për shembull, kam parë gjithmonë një Bashkim Europian të përcarë.
Kujtoj një episod personal të asaj kohe: mora një telefonatë nga kancelari Kohl, i cili më thotë: “Po ti Romano, s’ke qenë mirë me mësime në shkollën fillore, nuk ke pasur mësuese të mirë” dhe pse-së sime i përgjigjet: “sepse Anadolli është në Azi e jo në Europë dhe nuk mund te jetë pjesë e Bashkimit Europian”.
Debati i thellë mbi natyrën e përkatësisë së Turqisë në Bashkimin Europian kërkon një reflektim të thellë: kur u hapën negociatat me Turqinë në 1999 në Helsinki, me propozim të Presidentit Chirac, vendimi u mor pothuajse në unanimitet: them pothuajse pasi kancelari austriak, duke kujtuar rrethimin e Vjenës, tha: “Jo, turqit jo, sepse ata kanë rrethuar Vjenën” – dhe flasim për një ngjarje të ndodhur shekuj më parë, që dëshmon se kujtesa historike është e vështirë të fshihet. Mirëpo vetë presidenti Chirac, pas kthimit, gjeti në Francë një opinion publik jo të favorshëm. Si politikan i zoti, vendosi kështu të thërrasë një referendum popullor mbi hyrjen e Turqisë. Nismë që politikisht i jepte kohë të papërcaktuar për të dalë me një vendim. Edhe shtetet e tjera iu përgjigjën këasj nisme duke thirrur referendume për të njëjtën çështje. Filluan kështu negociatat me Turqinë, shumë të gjata, shumë të ndërlikuara, por që dhanë e po japin rezultate të shumta sepse Turqia u nxit të ndërmarrë një sërë reformash legjislative, duke ndërmarrë hapa të mëdhenj drejt demokracisë.
Por më pas strategjia e Shtetit ndryshoi dhe hezitimet europiane u bënë edhe hezitime turke, sepse ndërkohë Turqia u shndërrua në fuqi rajonale, që me vështirësi përshtatet me rolin e komponentit të thjeshtë në Bashkimin Europian. Me vështirësi një vend që e ndryshon me kaq shpejtësi politikën e jashtme, që ndryshon marrëdhëniet me Izraelin dhe Palestinën brenda ditës arrin t’i përshtatet një konteksti me vendime kaq të ngadalta sa ato europiane, sepse Europa është ende në ndërtim. Gjithësesi ky proces vazhdon, ecën përpara, ndoënse me pikëpyetjen që vendosa në titullin e referatit tim.
Kjo pikëpyetje nuk ekziston për Ballkanin. Tërësisht ndryshe është çështja e Ukrainës, Vend që – me sinqeritet – nuk mendoj se mund të jetë as vetëm europian, as vetëm rus, sepse Ukraina është europiane dhe është ruse dhe duhet të jetë një urë midis Europës dhe Rusisë dhe jo nje fushë beteje. Me gjithë autonominë e nevojshme, me gjithë problemet e garancive, me të gjithë ndihmat ekonomike që duhet të mbërrijnë për ta ndihmuar. Por nuk mund të krahasojmë – as në realitetin e gjërave dhe as në profilin gjeografik e historik, – situatën e Shqipërisë apo Serbisë me atë të Ukraines. Dhe për këtë nevojitet zgjuarsi politike.
Si akt të fundit, Qeveria ime votoi, bashkë me Francën dhe Gjermaninë, kundër pranimit të Ukrainës në Nato, propozuar nga presidenti Bush. Një votë kundër e shprehur pikërisht nga europianë të ndërgjegjshëm se problemi i Ukrainës ishte shumë më i ndërlikuar se një problem zgjerimi i Natos dhe Bashkimit Europian.
Dhe kjo është zgjuarsia që – siç u them të rinjve – duhet përdorur në politikën e jashtme: të shihen gjërat si janë, natyra e popujve, problemet dhe më pas të merren vendimet, vendimet politike.
Natyrisht është e qartë se Europa në këtë zgjerim progresiv, të ngadaltë e të komplikuar, ka pasur e ka nevojë të ndërtojë një doktrinë të përgjithshme dhe një marrëdhënie me të gjitha vendet që janë anëtarësuar 10 vjet me parë, kur përgatitëm një doktrinë që mbeti vetëm në letër: doktrinën e “Unazës së miqve” që i adresohej të gjithë vendeve përrëeth Bashkimit Europian (jo atyre që pritet të anëtarësohen, si Shqipëria), nga Bjellorusia deri në Izrael, nga Siria deri në Marok. Pra të githë vendet që nuk do të bëhen asnjëherë anëtarë të Bashkimit Europian, por me të cilët BE-ja mund të krijojë marrëdhënie speciale, një marrëdhënie më të ngushtë me Europën, për të vendosur një harmoni dhe bashkëpunim, një unicitet në marrëdhëniet ndërkombëtare, që askush më parë nuk ka pasur. Dhe kjo pikërisht sepse Europa ka lindur e ndyshme nga të gjitha agregatat politike: nuk ka ndodhur kurrë në histori që vendet, kaq ngadalë, me gjithë mundin e nevojshëm, me gjithë diversitete përkatëse, të jenë bërë bashkë.
Të mos harrojmë se tensionet historike midis Francës dhe Gjermanisë kanë qenë shumë të ashpra, ka pasur miliona të vdekur, dhe nëse është arritur të mbyllet kjo çështje do të thotë se ka me të vërtetë diçka të re në strukturën europiane. Ndoshta zgjerimi i dhjetë viteve përkoi me një moment shprese dhe ndryshimi të madh politik; në një Europë optimiste, një Europë që mendonte se mund të përparonte ekonomikisht, siç kishte ndodhur një dekadë më parë. E mbi të gjitha me një klasë politike optimiste për të ardhmen e vetë Europës.
Ç’ndodhi më pas? Ndryshimi i një klase drejtuese – në rradhë të parë – që vënë përpara populizmit të brendshëm, vendosi të ndryshojë qëndrim përsa i përket zgjerimit të Europës, duke u bërë më skeptike. Më pas ndërhyri kriza ekonomike me izolimet e brendshme, me rritjen e papunësisë, me problemet e rritjes ekonomike, që solli rritjen e populizmit brenda shteteve anëtare, duke rritur mbështetjen ndaj partive politike që kundërshtojnë zgjerimin e Bashkimit Europian.
Një tjetër pikë ku dua të ndalem, ka të bëjë pikërisht me këto parti, të cilave shumë shpesh u kushtohet një rëndësi e tepruar, ndërkohë që në të vërtetë në Parlamentit Europian nuk kanë arritur të ngrenë një grup parlamentar homogjen, duke qenë se janë bashkuar në protestë por janë tëpër të ndara për të formuluar një strategji pozitive. Janë thellësisht të ndara përsa i përket linjës politike dhe, nëse përfaqësojnë një rrezik për të ardhmen, unë nuk i perceptoj si një rrezik kaq i menjëehershëm, siç diskutohet sot.
Është e qartë se ky proces për momentin është ngadalësuar, por nuk është vënë në diskutim, edhe duke marrë parasysh një fakt shumë të thjeshtë: qeveritarët dhe popujt e kanë kuptuar mjaft mire se interesat e ardhme të shteteve, vetë mbijetesa jonë në një periudhë globalizimi, është e lidhur me unitetin europian.
Vendet e vogla, dhe ndër Vendet e vogla në botën e sotme unë përfshij edhe Gjermaninë, nuk arrijnë të bëhet protagonistë të së ardhmes nëse nuk janë të bashkuar mes tyre. Të mendojmë për shembull për Italinë e Rilindjes, kur Shtetet italiane – e them pa retorikë – ishin të parët në gjithçka: në artin e luftës, në artin e paqes, në filozofi, në shkencë, në kontabilitet, në bankë: në gjithçka! Cfarë ndodhi? Ndodhi globalizimi i parë, me zbulimin e Amerikës. Nuk u bashkuam dhe për rrjedhojë u zhdukëm për tre shekuj e gjysmë nga harta gjeografike e botës. Sot po përjetojmë globalizimin e dytë, situata është identike. Nëse Gjermania, Franca, Italia e të gjitha vendet nuk bashkohen, do të zhdukemi nga harta gjeografike e botës. Dhe kjo Europë që akoma nuk është e bashkuar në politikë – por që përfaqëson numrin një në ekonominë botërore, për GDP-në, për prodhimin industrial, ku superon edhe SH.B.A.-të dhe Kinën, për eksportet – nuk ka krijuar ende unitetin e saj, nuk arrin t’u japë përparësi interesave të saj në botë, siç mund dhe duhet të bëjë. Kjo e imja është një ftesë për të reflektuar mbi këtë pasazh delikat në të cilin uniteti dhe kapaciteti për vendime të përbashkëta bëhen kusht për mbijetesë, jo vetëm kusht për pasurinë tonë.
Kjo ndjenjë është ngadalësuar mjaft si rrjedhojë e frikës së populizmit, sikurse theksova më lart. Në vitin 2004 Sllovenia hyri në BE, por për hapin tjetër, pra për hyrjen e Kroacisë , u deshën mbi 9 vjet. Në përpjektjet për hyrjen e Slovenisë në BE, në cilësinë e Presidentit të Komisionit Europian kam bërë shpesh herë vajtje-ardhje – për shkak të problemeve midis Sllovenisë dhe Kroacisë – duke i përsëritur shumë herë palës sllovene se Europa do të bënte të pamundurën për anëtarësimin e menjëhershëm të saj, por do të ishte gjithashtu e domosdoshme një shtysë ndaj të gjitha vendeve, duke mëshuar fort mbi nevojën e rënies dakord me kroatët si dhe mbi nevojën e një bashkëveprimi mes tyre, pasi – në rast tensioni- nuk do të ishte i mundur pranimi i asnjë prej këtyre Vendeve. Shkoja më pas në Kroaci për të përsëritur: ju duhet të jeni të lumtur që Sllovenia anëtarësohet, sepse nëse Sllovenia hyn në BE më vonë mund të hyni dhe ju. Dhe në fakt proçesi nisi mirë. Por më vonë, sikurse përmenda më parë, erdhën vitet e frikës. E atëherë për Kroacinë u desh më shumë kohë edhe pse, sikurse ndodh në të gjitha zonat ballkanike, mbeten ende probleme të vjetra, tensione të vjetra, kufij të vjetër të bërë keq; e midis Sllovenisë e Kroacisë ekzistonin mijëra probleme. Një central bërthamor për t’u ndarë midis dy Vendeve, kufiri tokësor e mbi të gjitha ai detar. Ndoshta nuk ishin interesa edhe aq madhore, por acaronin politikën e brendëshme të të dy Vendeve. Dhe vjen një moment kur, përballë interesave afatgjatë, përballë historisë, duhet që politika e brendëshme të bëj një hap mbrapa. Kjo është vështirësia e demokracisë: hapi mbrapa për të takuar historinë.
E natyrisht edhe hyrja në Europë është një proçes i vështirë pasi është e nevojshme të qetësohen vendet që do të anëtarësohen, sikurse dhe vendet anëtare të Bashkimit Europian. Për këtë arsye, kur nisëm këtë proçes, e ndamë punën në 31 kapituj të ndryshëm, që sot i quajmë acquis communautaire, me një proçes të mërzitshëm, burokratik por të nevojshëm, me qëllimin për t’i dhënë vendeve anëtare qetësinë, në mënyrë që rregullat e demokracisë, të drejtësisë, të të drejtave civile, të tregjeve, të pronësive, të shëndetësisë, të arsimit, të bujqësisë, të harmonizoheshin disi. Dhe ky proçes është jashtëzakonisht i gjatë, e ashtu siç thashë më parë, edhe i mërzitshëm pasi nevojitet të shndërrohemi një komunitet.
Në të ardhmen e Europës nuk duhet të ketë vende periferike e vende qëndrore. Europa nuk është kjo, por është një proçes harmonizimi progresiv dhe i thellë. Ky arsyetim funksionoi me Slloveninë dhe Kroacinë, edhe pse midis dy vendeve ekzistonte një urrejtje e thellë dhe tensione të mëdha, pikërisht sepse ndanë një të ardhmë të përbashkët. Fatkeqësisht demokracia shpesh është shumë e ngadaltë. Në shumë diktatura ose gjysëm diktatura demokracia qortohet për ngadalësinë e saj. Europa dhe Shtetet e Bashkuara shihen nga Kina si breshka që nuk interpretojnë historinë, por në periudhën afatgjatë demokracia arrin të realizojë objektiva që asnjë sistem tjetër nuk është në gjendje t’i realizojë.
Tashmë gjendja në Ballkan, në këtë kuadër zhvillimesh, gjen për fat Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë si vende me statusin e kandidatit, çka nënkupton nisjen e rrugëtimit. Natyrisht kjo lë jashtë Kosovën dhe Bosnjë Hercegovinën, që janë kandidatë të mundshëm. Kjo situatë e bën mëse të prekshme idenë e kompleksitetit të problemeve sepse çështja e Bosnjës dhe Hercegovinës është shumë e ndërlikuar për vetë shumëllojshmërinë e njësive politike. E mbi të gjitha, gjatë muajit shkurt të këtij viti, përkeqësimi i kushteve ekonomike solli tensione të reja duke nxjerrë kështu në pah kompleksitetin e procesit. Dëshiroj të nënvizoj faktin se situatat politike dhe krizat – sot ashtu si dhe në të kaluarën – ndikojnë në vështirësimin dhe në ndërlikimin e mëtejshëm të problemin integrimit. Situata e Kosovës është edhe më e ndërlikuar sepse 5 vende europiane (Spanja, Qipro, Rumania, Greqia e Sllovakia) nuk e kanë njohur ende pavarësinë e saj. Ekziston pra një premisë ligjore e cila duhet kapërcyer në mënyrë që nga statusi i kandidatit të mundshëm të përftohet ai i kandidatit zyrtar.
Është e qartë se në këtë proces, problemi kryesor mbetet nxitja e mëtejshme e vendeve kandidate, ndër të cilat dhe Shqipëria.
Hyrja e Shqipërisë, të cilën ekspertët e parashikojnë në vitin 2020, duhet të përshpejtohet; nevojitet pra të bëhet sa më shumë të jetë e mundur për të arritur më parë, sepse është e domosdoshme që t’i jepet vendit një horizont afatgjatë. Nëse nga një perspektivë ekonomike mund të themi që Shqipëria ka nevojë për investime dhe për punësim, duke pasur parasysh mungesën e investimeve në vend, nga ana tjetër është domosdoshmëria për të njohur më siguri nëse Shqipëria do të bëhet anëtare e BE-së sepse askush nuk investon në një treg si ai shqiptar nëse nuk është pjesë e një tregu më të madh. Atëherë urgjenca rrjedh nga domosdoshmëria për të përshpejtuar zhvillimin ekonomik të vendit. Sigurisht duhet bashkëpunim e bashkërendim, çka përbën një apel për vendin në mënyrë që të jetë i bashkuar në 31 kapitujt e acquis communautaire, e sidomos për problemet dhe përparësistë që ndikojnë më shumë tek shtetet anëtare. Bëhet fjalë për çështje të njohura, sikurse droga, lufta ndaj korrupsionit, emigracioni klandestin, reforma e sistemit gjyqësor si dhe reformat institucionale dhe politike, pikërisht sepse ndihet nevoja e një qëndrimi të përbashkët. Nuk duhet t’i fshehim vështirësitë e këtij proçesi, por as nuk duhet t’i konsiderojmë të pa kapërcyeshme sepse janë të shumta vështirësitë që arritur të kapërcejmë.
Në këtë zonë ekziston dhe problemi i madh i pakicave. Një problem i madh ky sepse aspekti etnik nuk përputhet me kufijtë e shteteve. Është e kotë ta fshehim. Madhështia e Europës qëndron në aftësinë për të kapërcyer problemet e pakicave. Edhe Italia ka pasur tensione në Alto Adige, por kur Austria hyri në Bashkimin Europian gjithçka u bë më e lehtë. Sepse Europa nënkupton pikërisht tejkalimin e këtyre problemeve; lind për këtë arsye.
Kujtimi më i bukur dhe mallëngjyes që ruaj nga përvoja si President i BE-së lidhet me nisjen e negociatave për zgjerimin për Rumaninë. Isha në parlamentin rumun për të paraqitur programin ë Europës, në prani të të gjitha partive politike të cilat ishin pro anëtarësimit. Më pas e mori fjalën një zotëri me mjekër, me pamje autoritare. U prezantua si “anëtar i pakicës jo hungareze të parlamentit të Rumanisë” për të vënë në pah ndërlikimet e Europës, dhe shpalosi një diskutim të mrekullueshëm mbi hyrjen në Europë. E pyeta: I nderuar, përse kaq i zjarrtë? Dhe ai m’u përgjigj: gjyshi im është vrarë sepse i përkiste një pakice, babai im është internuar sepse i përkiste një pakice. Unë dua që Rumania të hyjë në Europë sepse Europa është Bashkimi i pakicave.
Nuk e fsheh shqetësimin se këto ekuilibra europiane po turbullohen. E them me sinqeritet të thellë. Nuk jam anti-gjerman, përkundrazi admiroj dhe kam studiuar për gati gjysmën e jetës sime sistemin gjerman, por problemi i ekuilibrave në Europë është një problem ndaj të cilit duhet të tregojmë shumë kujdes, pikërisht sepse Europa është një bashkim i pakicave. Ka lindur si një system inovativ, për të kërcyer në një realitet tjetër në raport më sistemet politike ekzistuese. Ja pse jam kaq i ndjeshëm ndaj këtyre temave. Sepse duhet të kalojmë në një skemë tjetër mendësie, ose përndryshe nuk do t’ia dalim kurrë. Skemë mendësie nga e cila nuk arrijnë dot të dalin, për shembull, Japonia dhe Kina. Në Azi nuk është bërë ky hap përpara. Për këtë arsye Europa është kaq e ndryshme nga pjesa tjetër e botës. Mund të jemi në periudhë krize, por kur shoh tensionet në Azi, dhe në nivel personal, mes japonezëve dhe kinezëve, më bën shumë përshtypje.
Pajtimi qëndron në themelet e projektit europian. Duhet të reflektojme mbi thellësinë e procesit të evolucionit europian, i cili nuk përbën një fakt akademik apo europian por një ndryshim – apo më mirë të themi, një përpjekje, sepse është mëse e qartë se nuk ka përfunduar – i historisë së njerëzimit. Për këtë arsye jam kaq i ndjeshëm ndaj çështjes së zgjerimit, ndaj faktiti që të kryhet sa më shpejt, ndaj shpejtësisë në ecurinë e procesit. Për Shqipërinë nuk ekziston një tjetër alternative,sikurse dhe për Italinë. Nuk ka alternativë tjetër për sa i përket të ardhmes evoropiane, nëse duam të jemi në një nivel teknologjik, shkencor e begatie, nëse duam të kemi një të ardhme për brezat e rinj. Është një objektiv realist, një objektiv i cili kërkon një ndyshim perspektivash të klasës drejtuese: ndyshim që jo të gjithë janë në gjëndje të bëjnë e që vendi im nuk e ka realizuar deri në fund, pa e kuptuar cili duhet të jetë roli i saj, e veçanta e saj, prirja e saj në një kuadër kaq të gjërë. Bukuria e Europës qëndron në faktin se ajo është një bashkim pakicash, por jo të gjitha vendet janë të barabarta; harmonizohen por nuk janë të barabartë. Përpjekja që duhet të bëjë Shqipëria nuk është vetëm përshtatja me acquis communautaire, me rregullat e Bashkimit Evropian, por gjetja e rolit të saj specifik, e prirjes së saj, e veçantisë së saj në gjirin e Bashkimit Evoropian. Do të ketë ende provokime, tensione, të cilat duhen mbajtur nën kontroll, jashtë fushës së futbollit. Unë mendoj se është shumë e rëndësishme që ky integrim të ndodhë pa tensione sepse, duke iu rikthyer shembullit të Turqisë, duhet kuptuar se në psikologjinë e qeveritarëve evropianë është i ngulitur fakti se shtetet anëtare nuk duan të kenë probleme të tjera me anëtarësimin e vendeve të tjera. Nuk duan të importojnë tensione e, nisur nga ky këndvështrim, objektivi i një marrëveshjeje mes anëtarëve të rinj të mundshëm është një mjet i rëndësishëm për të përshpejtuar anëtarësimin e tyre në Bashkimin Evropian.