Reforma në Drejtësi: Të ndryshohet Kushtetuta
Intervistë me Fehmi Avdiun, botuar në Shekulli, 2 nëntor 2014
Ish-Kreu i Gjykatës Kushtetuese Fehmi Abdiu, ka komentuar gjendjen e drejtësisë shqiptare në prag të nisjes së reformave. Sipas tij parakusht për bërjen me themel të reformave është mbajtja larg e ndikimeve politike. Abdiu kërkon me ngulm që reformat të kryhen me konsensusin e të gjithë aktorëve. Ai ka komentuar edhe tryezën për reformën në drejtësi të organizuar nga Presidenti Nishani javë më parë, të cilën e quan nismë të mirë, por nga ana tjetër nuk heziton ta thumbojë, duke thënë se specialistët e vërtetë që vijojnë të kontribuojnë prej vitesh në drejtësi nuk janë ftuar. Ish-Kreu i Gjykatës Kushtetuese në një intervistë për gazetën “Shekull”-i jep opsionet se si duhet bërë reforma në drejtësi dhe në Gjykatën Kushtetuese.
Z. Abdiu jemi në prag të nisjes së reformave. Një ndër më të rëndësishmet është edhe reforma në drejtësi dhe ajo kushtetuese. Cili është mendimi juaj për to?
Mazhoranca aktuale është gjendur në kushte shumë të vështira. Nga njëra anë duhet të bëjë reforma radikale, të thella, të ndjeshme, të rëndësishme e cilësore në të gjitha fushat e jetës, për shtetin e së drejtës. Këto reforma sigurisht nuk bëhen pa reformën kushtetuese. Nga ana tjetër, është e detyruar që, pa arritur akoma te reformat kushtetuese, të realizojë reforma në disa fusha konkrete, për t’i dhënë frymëmarrje qeverisjes e sidomos drejtësisë. Mirë do të ishte të bëheshin në fillim reformat kushtetuese, por kjo nuk mund të realizohet përherë dhe nëse nuk merren hapat e tjerë konkretë, pritja deri në atë moment të dytë do të sillte vonesa e zvarritje, që do të ulnin efikasitetin e qeverisjes.
Ju thoni se ka ardhur koha që të ndërhyhet në Kushtetutë?
Po. Sidomos pas marrjes së statusit, sepse domosdoshmërisht, duhet plotësuar kuadri për të shkuar drejt BEsë. Marrja e statusit dhe aspirimi për t’u bërë anëtarë të BE-së i imponon në mënyrë të detyrueshme ndërhyrjet në Kushtetutë. Por kjo është vetëm njëra anë. Ka dhe të tjera, siç është reforma në drejtësi e cila nuk mund të bëhet pa prekur Kushtetutën.
Mendoni se ndryshimet kushtetuese, kësaj here, duhet të realizohen mbi bazën e një kompromisi midis liderëve, siç u veprua në 2008-ën?
Së pari, puna paraprake e ndryshimeve kushtetuese nuk mund të bëhet në mënyrë amatoreske, me juristë të njohur dhe të panjohur, apo me specialistë, apo me qendra donatore , që aplikojnë të tërheqin fonde dhe pa i marrë akoma, planifikojnë kujt do t’ia japin. Hapat e para nga SOROS-i dhe nga organizma të tjerë janë bërë jo shumë të matura. Janë implikuar edhe njerëz e personalitete që s’duhet dhe nuk mund të japin në këtë fushë, ashtu siç janë lënë hallkat e organizma që kanë kontribuar në këtë aspekt. Institute për Studime Gjyqësore dhe Kushtetuese, të cilat kanë dhënë kontribut në fushën e të drejtës kushtetuese, ku janë studiuar problematikat për organizimin e funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, ku janë botuar studime për Gjykatën e Lartë, për Komisionet Hetimore, për Prokurorinë e Shtetit, dhe për çudi, ai dhe shumë hallka të tjera nuk janë ftuar as në tryezën e organizuara nga Presidenti. Shumë personalitete që jetojnë çdo ditë me problemet Kushtetuese dhe të Ligjit në auditore nuk janë thirrur, por janë selektuar që duket se janë miq të organizatorëve, ata që “do të bëjnë” reformën kushtetuese. Reforma kushtetuese, duhet të bëhet nga Parlamenti, duhet të bëhet e matur, e kujdesshme, e kualifikuar. Ajo duhet të jetë gjithëpërfshirëse me opozitën, me institucionet kushtetuese, me shoqërinë civile dhe e bashkërenduar edhe me Komisionin e Venecias. Ajo duhet të jetë vizionare (të parashikojë se do të shërbejë ndër vite e peshuar mirë, pra të sjellë zgjidhje të reja cilësore për shumë problematika e fusha e sidomos për drejtësinë. Pra, sipas mendimit tim, qoftë dhe vetëm për drejtësinë, reforma nuk duhet të nënkuptojë një apo disa arnime ligjesh, por të parashikojë ndërhyrje të thella për ta bërë atë më të përgjegjshme, më të pastër e më të besueshme. Pavarësia e saj që duhet të rrezatojë nga Kushtetuta duhet të përfshijë edhe përgjegjësinë e punonjësve të saj për përmbushjen e detyrave deri në llogaridhënie për shkeljet e ligjit. Mbase duhet vendosur edhe përgjegjësia civile për rastet flagrante.
Sipas jush, cilat duhet të jenë këto ndryshime, konkretisht ?
Para së gjithash, është dhe mbetet sektori i drejtësisë, për të cilin flitet shumë, por nuk po ndërmerren hapat konkrete, ligjore, institucionale e kushtetuese. Shumë është folur për këtë problem nga Ministri i Drejtësisë, por pak është folur nga KLD-ja për të metat, mangësitë, zvarritjet dhe korrupsionin, që tashmë janë të gjithëpranuara. Pra, hapa konkretë janë bërë fare pak. sistemi i drejtësisë ndodhet në kushte objektivisht të vështira sepse ka mbartur mbi vete shumë mangësi edhe se legjislacioni bazë është shumë problematik. Një aspekt për t’u shqetësuar dhe diskutuar janë ligjet bazë që lidhen me drejtësinë, duke filluar me ligjet për KLD-në, pse jo dhe ligjet e tjera, si ligji për gjykatat administrative. Ato janë miratuar në kohëra të ndryshme, me mentalitete të ndryshme dhe me problematika që bien ndesh me njëratjetrën. Ky është thelbi. Ka përplasje midis ligjit të KLD-së dhe atij të Ministrisë së Drejtësisë, ka dublime, ka kontradikta që kërkojnë përmirësime në mënyrë të domosdoshme.
Cilat duhet të jenë përparësitë e përmirësimit të këtij kaosi, në funksionimin e ligjeve të drejtësisë?
Së pari, ligjet për drejtësinë duhet të përpunohen urgjent e të harmonizohen me njëra-tjetrën, të pastrohen nga dublimet, nga kontradiktat që kanë, pse jo, të pastrohen edhe nga gabimet dhe të metat që kanë, edhe për raportet e organeve me njëra-tjetrën. Së dyti, drejtësia punon në bazë të një legjislacioni procedural, tashmë të vjetëruar, që u përket viteve ’95. Legjislacioni penal e civil janë prekur, janë amenduar, janë ndryshuar disa herë. Legjislacioni procedural është katandisur në mënyrë të tillë saqë ekzistojnë mendime të ndryshme që nuk harmonizohen me boshtin, me thelbin, me idenë që kishte Kodi fillestar. Shumë ndryshime e kanë bërë Kodin Penal aq problematik, sa është e vështirë të pranosh se Kodi Penal ekzistues është një vepër me një mentalitet të njëjtë, ligjor. Ai është cenuar shumë herë edhe nga Gjykata Kushtetuese. Pra, ka shumë fusha në drejtësi ku duhet ndërhyrë, por në mënyrë të veçantë, te ligjet që kanë të bëjnë me organizimin e funksionimin e drejtësisë. Unë mendoj se hapat e ndërmarrë vitet e fundit për reformën e sistemit të drejtësisë janë keqkuptuar.
Kur thoni janë keqkuptuar, nga kush, për kë e keni fjalën?
Së pari, nga punonjësit e drejtësisë. Është krijuar mentaliteti sikur drejtësia, gjykatësit e prokurorët, janë të pavarur nga çdo gjë, sikur ata nuk duhet të japin llogari për asgjë dhe para askujt. Në të vërtetë, punonjësit e drejtësisë duhet të jenë të pavarur nga pushtetet e tjera dhe nga sektorët e tyre brenda pushtetit, por duhet të jenë tërësisht të varur nga kushtetuta dhe Ligji për çdo veprim që kryejnë. Ata duhet të japin llogari si dhe sa e përmbushin misionin e tyre të dhënies së drejtësisë, sa cilësore, sa të kualifikuar e kanë punën e tyre, ky është një tregues i matshëm. Ata duhet të jenë të përgjegjshëm dhe të ndëshkueshëm kur gabojnë në zgjidhjen e çështjeve të ndryshme, për gjëra që janë për t’u ndëshkuar, kur zvarrisin pa fund proceset gjyqësore. Ata duhet të përgjigjen edhe për transparencën, duhet të gjykojnë në prani të publikut, ata janë të detyruar të evidentojnë çdo gjë që ndodh gjatë seancës gjyqësore, me idenë që asgjë të mos u mbahet e fshehtë palëve. Gjyqtarët janë të detyruar në mënyrë kushtetuese të shpallin vendimet në kohën e duhur, e të arsyetuar. Është e dëmshme praktika që është futur edhe në Gjykatën e Lartë dhe është Kushtetuese që i shpallin vendimet të paarsyetuara e mjaft herë, pas 3-4 muajsh. Këto praktika e kanë ulur mjaft misionin e drejtësisë në gjykatat tona. Në këto drejtime, si dhe të tjerat, unë mendoj që legjislacioni aktual duhet të plotësohet, kodet e ligjet duhet të jenë shumë të hollësishme, shumë të detajuara, me idenë që të mos i lihet shkak asnjë gjyqtari apo prokurori të pandërgjegjshëm, për të interpretuar në mënyrë më antiligjore një problem. Për të pakësuar zvarritjet e pajustifikuara duhet menduar e përcaktuar afate për gjykimin e grup – çështjeve.
Të gjithë e pranojmë që kemi gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar po asnjë apo pak të ndëshkuar. Kush i mbron të korruptuarit në drejtësi?
Unë jam kundër pikëpamjes që e gjithë drejtësia është e korruptuar, siç është e pranueshme që ka edhe në sektorë të tjerë shumë të korruptuar. U përket punonjësve të drejtësisë të bindin komunitetin për të kundërtën e këtij opinioni. Së pari, i përket KLD-së, nëse ka mendim tjetër, të dalë e të mbrojë qëndrimin kundër. Për shkak të gjendjes së drejtësisë duhet të ketë shumë masa ndëshkimore ndaj punonjësve që korruptojnë në drejtësi, apo që e shpërdorojnë atë. Derisa problemi i korrupsionit në drejtësi është bërë shumë serioz, edhe masat, edhe ndëshkimet e institucioneve kontrolluese duhet të jenë të tilla.
Politika në përgjithësi, reformat i ka nisur me heqjen e punonjësve duke i zëvendësuar ata me persona të besuar. Çfarë efekti ka sjellë në drejtësi kjo praktikë e ndjekur nga të gjitha qeveritë?
Reformat në drejtësi nuk duhet të ketë në qendër të synimeve interesat partiake, ashtu si edhe gjyqtarët nuk duhet ta mendojnë veten e tyre pjesë përbërëse të një grupimi partiak. Politika duhet të zmbrapset kur gabon në qëndrimet që mban ndaj drejtësisë të mos ndërmarrë hapa konkrete të gabuar ndaj drejtësisë dhe t’i bëjë reformat nisur nga interesat e përgjithshme të popullit, të sistemit të drejtësisë me të cilin kanë lidhje të gjithë.
Si mund të arrihet kjo pasi dihet se në terren gjërat janë më të vështira. Sa është e mundur të arrihet kjo duke ditur vështirësitë, të cilat dhe ju i evidentuat ?
Kjo është shumë e vështirë për tu arritur, por pikërisht ngaqë është e vështirë, ligji dhe kushtetuta kanë menduar që në krye të këtij pushteti të ketë një KLD e një Ministri të Drejtësisë që ushtron politikat e qeverisë për një drejtësi të kualifikuar, profesionale, të jenë të pavarura, të dëgjohet më shumë për shqetësimet në drejtësi.
A mund të bëhet një reformë në drejtësi pa arritur një konsensus të gjerë politikë, maxhorancë-opozitë?
Do të ishte e dëshirueshme që reforma në drejtësi të bëhej domosdoshmërisht më një marrëveshje, me një konsensus ndërpartiak të maxhorancës dhe opozitës. Kjo do të ishte efikase, më dinamike, e do të çonte të drejtësia një mesazh të qartë se e gjitha politika është e interesuar që drejtësia të jetë e besueshme dhe profesionale, e pranueshme nga të gjithë.
Kjo reformë e domosdoshme dhe e kërkuar në drejtësi, përveç legjislacionit a duhet të prekte edhe institucionet e drejtësisë, si këshillin e Lartë të Drejtësisë, Gjykatën e Lartë dhe asaj atë Kushtetuese?
Ky është problem më vete, shumë i rëndësishëm kushtetues ligjor por edhe qytetar. Për aq kohë sa sistemin e drejtësisë ne e kemi ndërtuar mbi bazën e koncepteve evropiane, unë mendoj se edhe me mendimet kushtetuese, nuk duhet të prekim thelbin e organizimit të drejtësisë. Organet bazë që e japin drejtësinë. Gjykata e Faktit, gjykatat administrative, Gjykatat e Apelit, Gjykata e Lartë, pse jo edhe Gjykata Kushtetuese duhet të mbeten si organe kështu si janë. Edhe KLD-ja duhet të mbetet si i tillë, por duke ndryshuar në thelb dhe përmbajtje, por duke ndryshuar formën e tij dhe thelbin, pra duhen bërë ndryshime për të forcuar përgjegjshmërinë e tij.