Epoka e kaosit
Nga Richard N. Haass, President i Këshillit të Marrëdhënieve me Jashtë, botuar në Bota.al, 1 nëntor 2014
Epokat historike është e vështirë t’i njohësh, përpara se të marrin fund. Rilindja u bë Rilindje vetëm kur u pa në retrospektivë; e njëjta gjë mund të thuhet për Epokën e Errëtqë i parapriu asaj, si dhe një sërë epokash të tjera. Arsyeja është e thjeshtë: është e pamundur të dish nëse një zhvillim premtues, apo problematik, është unik, apo ai përfaqëson fillimin e një tendence jetëgjatë.
Megjithëkëtë, do të argumentoja se ne po bëhemi dëshmitarë të fundit të një epoke të historisë dhe agimit të një epoke tjetër. Kanë kaluar 25 vite që kur u shemb Muri i Berlinit, duke i dhënë fund Luftës së Ftohtë 40-vjeçare. Ajo që erdhi pas saj, ishte një epokë e dominimit të Amerikës, e rritjes së mirëqenies për shumëkënd, shfaqjes së një numri të madh shoqërish dhe sistemesh politikë relativisht të hapur, si dhe një paqe e përhapur, duke përfshirë dhe një bashkëpunim të konsiderueshëm mes fuqive të mëdha. Tani edhe ajo epokë ka marrë fund, duke na shtyrë të gjithëve drejt një epoke shumë më pak me rend dhe paqësore.
Lindja e Mesme është në fazat e hershme të asaj që ngjan me Luftën e Tridhjetë Viteve, por të kohëve moderne, ku besnikëritë politike dhe fetare janë të destinuara të nxisin konflikti të zgjatur dhe ndonjëherë të egër brenda dhe ndërmjet kufijve shtetërorë. Me sjelljen e saj në Ukrainë dhe gjetkë, Rusia ka sfiduar atë që kish qenë një rend i qëndrueshëm europian, i cili ishte ngritur mbi parimin ligjor se territoret nuk mund të pushtohen me forcën ushtarake.
Azia, nga ana e saj, ka mbetur kryesisht në paqe. Por është një paqe e brishtë, një që mund të zhbëhet në çdo moment, për shkak të një numri të madh pretendimesh territorialë të pazgjidhur, rritjes së nacionalizmit, si dhe një numri të pakët marrëveshjesh dypalëshe apo rajonale, të cilat do të mund të parandalonin, apo zbusnin konfrontimet. Ndërkohë, përpjekjet globale për të ngadalësuar ndryshimin e klimës, nxitur tregtinë, vendosur rregulla të reja për epokën digjitale, si dhe për të parandaluar apo frenuar përhapjen e sëmundjeve infektive janë të pamjaftueshme.
Disa prej arsyeve përse po ndodh kjo reflektojnë ndryshime të thellë në botë, duke përfshirë edhe shpërndarjen e fuqisë tek një numër aktorësh shtetërorë dhe joshtetërorë, që nga organizata terroriste dhe militantë, deri tek korporata dhe OJF. Menaxhimi i lëshimit të gazrave në atmosferë dhe rrjedha globale e drogave, armëve dhe terroristëve si dhe patogjenëve nuk do të ishte detyrë e lehtë edhe në rrethana nga më të mirat; bëhet më i vështirë për shkak të një mungese konsensusi për atë që duhet bërë dhe një mungese vullneti për të vepruar, edhe atëherë kur marrëveshjet ekzistojnë.
Arsye të tjera për këtë rritje të kaosit në botë kanë të bëjnë më SHBA. Lufta e Irakut e vitit 2003 i përkeqësoi tensionet sunitë-shiitë dhe hoqi një barrierë kritike për ambiciet e Teheranit. Kohët e fundit, SHBA bëri thirrje për ndryshim regjimi në Siri, por më pas nuk bëri asgjë që ky të ndodhte, edhe kur forcat qeveritare, duke injoruar paralajmërimet e amerikanëve përdorën në mënyrë të përsëritur armë kimike. Kështu që, në rajon u krijua një boshllëk, të cilin e mbushi Shteti Islamik. Në Azi, SHBA artikuloi një politikë të re të rritjes së angazhimit, por më pas bëri shumë pak për ta bërë realitet.
Pasojë e këtij dhe episodeve të tjerë ka qenë shfaqja e një dyshimi të përhapur në lidhje me besueshmërinë e SHBA. Si pasojë, një numër një rritje qeverish, por edhe aktorë të tjerë, kanë filluar të veprojnë në mënyrë të pavarur.
Ka edhe shpjegime lokalë për rritjen e paqëndrueshmërisë. Lindja e Mesme vuan nga një tepri intolerance dhe mangësi marrëveshjesh, qoftë kur bëhet fjalë për kufijtë mes qeverisë dhe shoqërisë, qoftë për rolin e fesë brenda tyre. Ndërkohë, vendet në rajon dhe pranë tij po bëjnë shumë pak për të penguar rritjen e ekstremizmit, ose kënaqen prej saj kur shfaqet.
Rusia, nën Vladimir Putinin, duket e vendosur të përdorë kanosjen dhe forcën për të rikthyer pjesë të humbura të perandorisë së saj. Europës i mungojnë gjithnjë e më shumë mjetet dhe mentaliteti për të luajtur një rol global domethënës. Shumë qeveri aziatike po tolerojnë, ose nxisin nacionalizmin, në vend që të përgatisin popullsitë e tyre për kompromise të vështirë, por të domosdoshëm me fqinjët.
Këta nuk janë argumenta për të thënë që po hyjmë në një tjetër Epokë të errët. Ndërvarësia vepron si pedal frenash sa i përket asaj që qeveritë mund të bëjnë, pa dëmtuar vetveten. Ekonomia botërore e ka rimarrë disi veten, qysh prej nadirit të saj 6 vjet më parë. Europa është kryesisht e qëndrueshme, ashtu si është dhe Amerika Latine, apo një pjesë gjithnjë në rritje e Afrikës.
Ka edhe mundësi për ta “sprapsur” këtë kaosin e ri. Negociatat ndërkombëtare mund të prodhojnë një rezultat që do e linte Iranin me mungesë në kapacitetin për ndërtimin e armëve bërthamore. Kjo do të bënte shumë shtete që të mos ndiejnë nevojën ta sulmojnë, apo të sigurojnë armë të tilla edhe për vete. Mund të ndërmerren hapa për të dobësuar ushtarakisht Shtetin Islamik, të reduktohet ardhja e rekrutëve etj. Sanksionet dhe çmimet e ulët mund ta shtyjnë Rusinë të kërkojë kompromis në Ukrainë. Qeverotë arabe do të kërkonin një marrëveshje e cila do të siguronte paqe.
Por ajo që mund të arrihet, me shumë gjasa do të kufizohet prej politikave të brendshme të shteteve, mungesa e një konsensusi ndërkombëtar dhe zbehja e influencës së SHBA, që asnjë vend tjetër nuk është në gjendje ta zëvendësojë dhe shumë pak janë gati qoftë edhe ta mbështesin. Rezultati është një botë më pak në paqe, më pak e begatë, dhe më pak e prirur të përballojë sfidat që ka përpara. /Project Syndicate/