Politika mungestare e konsensusit

Nga Evis Nasto, botuar në Mapo Online, 31 tetor 2014

Evis-NastoKryeministri po kërkon konsensusin e opozitës për të marrë pjesë në punimet e parlamentit. Kreu i opozitës e cilëson gjendjen e konsensusit si të përkeqësuar. Për Bashkimin Europian, konsensusi mes palëve është çelësi që hap portat drejt ecjes përpara me reformat e rëndësishme për anëtarësimin në union. Rotacioni politik ka ndodhur vërtet në 23 qershor të 2013-ës, por konsensusi mbetet nyja gordiane e politikës shqiptare, pavarësisht kahut ideologjik që përfaqëson. Konsensusi është fjala më e dëgjuar nga artikulimet e lidershipit politik, termi më i përdorur në raportimet gazetareske, titulli kryesor me të cilin i ndodh më shpesh kryeredaktorit të një gazete të çelë faqen e parë. A thua të jemi vërtet një popull kaq konfliktual, sa konsensusi të duket në çdo rast si mision i pamundur?

Historia na tregon se konsensuset më të mëdha në vendet e Perëndimit janë arritur pas kapërcimit të krizave të forta e momentesh dramatike. Kështu pas Luftës së Dytë Botërore, Austria njohu koalicionin më jetëgjatë, nga viti 1945 deri në vitin 1966, në emër të reformave të përbashkëta për rimëkëmbjen e vendit të sapodalë nga lufta. Një përvojë të ngjashme e ka pasur dhe Gjermania si Republikë Federale në vitin 1966, por njëherësh e përcjell deri në ditët e sotme me koalicionin e kancelares Angela Merkel. Këto koalicione vijnë nën petkun e konsensusit të sanksionuar me marrëveshje, por sociologu gjerman, Maks Weber shkruan se konsensusi mund të ekzistojë edhe pa një marrëveshje të lidhur shprehimisht atëherë kur “parashikimet tona lidhur me sjelljen e të tjerëve janë realiste, sepse të tjerët zakonisht do t’i pranojnë këto parashikime si të vlefshme edhe për veten e tyre”.

E transplantuar në terrenin shqiptar, ky nocion nënkupton që palët e përfshira në një konflikt të ngrenë pretendimet e tyre në nivelin e së mundshmes që kushtëzohet nga rrethanat e gjendjes në të cilën vendi ndodhet. Pak e vështirë të arrihet kur kujtojmë se në këtë demokracinë tonë 24- vjeçare kemi njohur më shumë periudha tensionesh të forta sesa konsensusesh të mëdha. Kjo për shkak të mungesës së aftësisë së dialogimit mes partive rreth procedurave dhe rregullave kushtetuese, por edhe rreth objektivave të politikës në një këndvështrim më të gjerë si menaxhimi i sistemit shëndetësor kombëtar apo edhe administrimi i kërkesës për të siguruar punësim të plotë. E ashtuquajtura “paaftësi për të dialoguar” ka prodhuar gjithnjë një klimë të polarizuar, e cila reflektohet në çdo qelizë të kësaj shoqërie peng i një tranzicioni agonik. Është e çuditshme sesi një vend që ka njohur mjerimin më shumë se kushdo tjetër në Bllokun Komunist të Lindjes, dhe që pas rrëzimit të diktaturës vërtetoi se varfëria vazhdonte, se asgjë nuk të jepet vetvetiu, se ato pak gjëra që mund të fitojmë ndodh të paguhen me vendime të padrejta në kurrizin e më të dobtëve, vijon të jetë ende, pas kaq vitesh, peng për hir të qëndresës në bindje vetjake të individëve të caktuar.

Por në demokraci rolet nuk varen nga qëndrimet vetjake, ato përcaktohen nga procesi zgjedhor i cili shërben për të qenë të përfaqësuar dhe për të evidentuar shumicën fituese që do të qeverisë vendin. E para nuk është më pak e rëndësishme sesa e dyta, sepse Parlamenti për të pasur legjitimet jo vetëm formal, duhet të jetë në gjendje që të reflektojë në vendimmarrje numrin më të madh të elementëve përbërës të shoqërisë, veçanërisht ata që nuk kanë fituar. Opozita si minorancë mungon në ekzekutiv, por nuk mund të mungojë në parlament. Në këtë kontekst, arsyetimi se peshën e artikulimit politik e ka ekskluzivisht vetëm ai që fiton, është i gabuar. Në çfarëdo rrethane të veprojë aksioni politik opozitar, pavarësisht revanshit të një shumice tejet të konsoliduar në numra, presionit politik verbal dhe ndonjëherë fizik, është e nevojshme që përballjen për çdo rast ta ketë në parlament.

Qenia në parlament e të dyja forcave kryesore nuk duhet marrë thjesht si një parim aksiomatik që lidhet me ndërtimin e politikës kombëtare, por si një obligim ndaj vetë votuesve, zërin e të cilëve ajo e përfaqëson si garante e lirisë në vend. Për të përmbushur këtë rol nuk duhet asnjë garant i tretë, por thjesht gatishmëria e të dyja palëve për të punuar së bashku në drejtim të reformave. Reforma, të cilat për të qenë në funksion të njerëzve dhe jo të interesave tiranike të pushtetit, duhet të plotësohen edhe nga kritikat e opozitës brenda parlamentit. Ndërsa mazhoranca duhet të kuptojë se “revolucioni më i rëndësishëm i kohëve moderne”, sikurse e thekson dhe Walter Lippman, “nuk është ai politik, industrial apo ekonomik, por revolucioni që ndodh në artin e të krijuarit konsensus…”, fillimisht në gjirin e pushtetit, për t’u reflektuar më pas tek të qeverisurit si një premisë e ndryshimit real të politikës në funksion të së mirës së përbashkët.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi