Një lumë i tërë
Nga Ilir Ciko, botuar në Panorama Online, 31 tetor 2014
Nisja e stinës së dimrit në disa prej vendeve të rruzullit që ende nuk janë prekur rëndë nga efektet e ngrohjes globale, sjell jo rrallë dukurinë e ngrirjes së ujit të lumenjve, të cilët me pak guxim e kurajë mund të përshkohen duke ecur me hapa të kujdesshëm mbi shtresën e akullit sipërfaqësor. Simetrikisht në të kundërt, gjatë periudhave të nxehta të vitit, e natyrisht për faj të ngrohjes globale, mund të ndodhë që ujërat befas të shterojnë, e lumenj të tërë, qoftë edhe përkohësisht, të thahen, duke u mundësuar edhe kësisoj këmbësorëve t’i ngazëllehen për pak kohë përshkimit në këmbë të shtratit të tyre.
Shqipëria, me gjithë problemet e shumta që ka, është ende disi larg ekstremeve klimatike të krijuara nga ngrohja globale, ndaj lumenjtë e saj përgjithësisht janë të mbushur mirë me ujë, herë-herë në masë më tepër se ç’duhet, shpesh të rrëmbyeshëm, të paparashikueshëm e madje të frikshëm me vërshimet e rrjedhave për të kuturisur në aventura të kalimit me ecje përmes shtratit të tyre.
Pikërisht për këto arsye, historikisht i bindur se kalimi i lumit është një ndërmarrje aspak e lehtë sa ç’mund të mendohet në ditët moderne, e duke mësuar nga një përvojë e pasur me premtime dhe e hidhur në realizime, populli shqiptar, me thjeshtësinë që përherë e karakterizon, ka kristalizuar një fjalë të urtë që qartazi thotë se “me të thënë e me të bërë, shkon në mes një lumë i tërë”.
Një lumë jo pak i gjerë, i thellë e i turbullt, e përgjithësisht i panjohur për publikun, shtrihet mespërmes raportit vjetor të Bankës Botërore “Doing Business”, i cili vazhdon të paraqesë pikëpyetje të rëndësishme në shumë rrethe akademike botërore mbi dobinë e përdorimit të disa prej rezultateve të përftuara përmes këtij raporti. Edhe vetë Banka Botërore, nëpërmjet një raporti të hollësishëm të panelit të saj të pavarur të rishikimit (qershor 2013), arrin në përfundime interesante që pranojnë problemet që kanë vënë në shënjestër të diskutimeve rezultatet e raportit “Doing Business” dhe tregon drejtimet që duhen ndjekur në të ardhmen për të shmangur apo minimizuar keqinterpretimet dhe keqpërdorimet e rezultateve të raportit, që rëndom kanë ndodhur nëpër botë.
Për ta ilustruar, një nga pikëpyetjet e dukshme që studiuesit mund të nxjerrin nga rezultatet e këtij viti për Shqipërinë, bie fjala, është: Si ka mundësi që për Bankën Botërore në këtë raport Shqipëria të arrijë një progres befasues duke u rritur brenda një viti prej 40 vendesh në renditjen e kushteve për bërjen biznes, thuajse në të njëjtën kohë që një tjetër raport edhe më prestigjioz, ai i Konkurrueshmërisë Globale, publikuar vetëm më pak se dy muaj më parë nga Forumi Ekonomik Botëror (www.weforum.org), tregon se praktikisht për të njëjtën periudhë që trajton Doing Business, konkurrueshmëria e Shqipërisë (ku klima e biznesit është faktor parësor) nuk ka ndryshuar as edhe një grimë nga ajo e vitit të kaluar, madje në renditjen globale të këtij raporti Shqipëria ka pësuar edhe një përkeqësim të lehtë (nga vendi 95 në vitin 2013, në të 97-tin në vitin 2014)?
Një ndër mangësitë kryesore të raportit “Doing Business” lidhet me metodologjinë e marrjes së të dhënave nga vendet e përfshira në raport, e cila nuk bazohet në dëgjimin e zërit të bizneseve që kryejnë aktivitet ekonomik në çdo vend, por pasqyron kryesisht analizën që ekspertë (përgjithësisht juristë të pajtuar nga kompani ligjore lokale) i kryejnë legjislacionit mbi klimën e biznesit të çdo vendi. Keqkuptimi që lind në interpretimin e rezultateve të raportit ka të bëjë me faktin që lexuesi i raportit mendon se ato pasqyrojnë realisht klimën e biznesit të vendit, ndërkohë që në fakt ato japin vetëm tablonë rregullatore të ushtrimit të biznesit, ashtu sikurse ajo përcaktohet në legjislacionin përkatës, dhe jo në realitetin me të cilin përballet biznesi. Metodologjia e Doing Business mbështetet në eksperiencën që do të përjetonte me legjislacionin e institucionet lokale një biznes hipotetik që do të përfaqësonte në mënyrën më tipike bizneset e çdo vendi, pa vlerësuar dallimet që ekzistojnë si mes bizneseve të ndryshme, ashtu dhe diferencave që ekzistojnë brenda hapësirës së një vendi. Mbështetja në vlerësimin e legjislacionit, përkundrejt vlerësimit të realitetit që ndeshin dhe perceptojnë bizneset, është një ndër dallimet kryesore që raporti “Doing Business” ka ndaj raporteve të tjera prestigjioze ndërkombëtare, si ai i Konkurrueshmërisë Globale, i cili pjesën më të mirë të treguesve e vjel nëpërmjet anketimit në terren të bizneseve të vërteta.
Por pavarësisht kësaj mangësie si dhe të tjerave të evidentuara nga mjaft studiues, le ta themi me plot gojën, Doing Business është një ndër raportet më të rëndësishme ndërkombëtare dhe që shërben si udhëzues dhe referencë si për organizatat, ashtu dhe për bizneset ndërkombëtare. Rezultatet e raportit ndihmojnë çdo vend të kuptojë problemet e të përmirësojë në vazhdimësi legjislacionin. Përparimi mbresëlënës i Shqipërisë në raportin e sivjetshëm, edhe pse bazuar kryesisht në përmirësimet në legjislacion ku pa dyshim ka meritën e saj dhe mbështetja e vyer e Bankës Botërore dhe organizatave të tjera partnere të zhvillimit të vendit, ndihmon në perceptimin pozitiv të Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare dhe shërben në arritjen e asaj që psikologët e quajnë profeci e vetëpërmbushjes, ku entuziazmi dhe fryma pozitive, për të cilat sot realisht ka nevojë ekonomia shqiptare, mund të ndikojnë, me gjasa, në dobitë përmirësimit të ecurisë së saj në të ardhmen.
Lumi me të cilin përballemi në rastin e raportit “Doing Business” të këtij viti, shtrihet në trajtën e problemit kryesor të Shqipërisë, ashtu siç e njohim të gjithë dhe na e përsërisin prej Brukselit në Uashington. Nuk është as mungesa e ligjeve, as ligjet e këqija dhe as nevoja e përmirësimit të ligjit. Është moszbatimi i ligjit. Dhe masa e zbatimit apo jo e ligjit, për shkak të mënyrës se si është i konceptuar Doing Business, fatkeqësisht nuk pasqyrohet në raport. Tashmë që legjislacioni i pjesës dërrmuese të vendeve është lehtësisht i aksesueshëm përmes internetit, Shqipëria madje edhe pa mbështetjen e Bankës Botërore do ta kishte jo të vështirë të adoptonte brenda natës legjislacionin më pro-biznes të botës, duke u renditur vitin e ardhshëm ndoshta në majat e raportit “Doing Business”. Lumi që ndan këtë realitet virtual nga ai që ndeshin bizneset në vend, veç do të thellohej.
Por sa i thellë është ai, nisur nga rezultatet e fundit të këtij raporti për Shqipërinë? Për përgjigjen duhen pyetur bizneset, askush tjetër. Raporti tregon se përparimi më i dukshëm i Shqipërisë buron nga përmirësimet ligjore të procedurave mbi lejet e ndërtimit, por për paradoks, realiteti tregon se bizneset e ndërtimit vështirë se mund t’i provojnë frytet e këtyre përmirësimeve për sa kohë aktet nënligjore në zbatim të ligjit nuk vihen në funksionim, apo kur autoritetet që duhet të lëshojnë leje të tilla janë prej kohësh e të paktën deri vitin e ardhshëm, të privuara nga një e drejtë e tillë. Sipas raportit, Shqipëria ka përparuar në renditje për shkak të uljes së kostos për regjistrimin e bizneseve dhe përmirësimin e procedurave të regjistrimit të pronës, por raporti nuk merr përsipër të na tregojë se sa i rëndon realisht kosto e procedurës së regjistrimit bizneseve shqiptare krahasuar me plot kosto të tjera, shumë prej të cilave të mbira këtë vit e për të cilat nuk është vendi të zgjatemi, pavarësisht se për shumë biznese veç aty gjendet kallo ku të vënë gishtin.
Raporti “Doing Business”, ashtu sikurse dhe vetë Banka Botërore e pranon në hyrje të tij, nuk pasqyron në as edhe një germë të tij shqetësime madhore që për aktivitetin e biznesit në vende si Shqipëria sot janë më thelbësore se kurrë – korrupsionin, sigurinë e të bërit biznes, ndërhyrjen e shtetit në treg, stabilitetin makroekonomik, praninë e monopoleve në treg, eficiencën e sistemit gjyqësor në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tregtare e shumë e shumë elemente parësore të tregut, mungesa e të cilëve na jep në rastin më të mirë, veçse një pamje të përciptë të asaj me të cilën përballen bizneset shqiptare.
Progresi i pasqyruar në rezultatet e Doing Business për këtë vit është pozitiv për imazhin e vendit, ndihmues në krijimin e një klime mbështetëse për bërjen biznes, tregon objektivisht përmirësime në legjislacion, të cilat, në mos ende, herët apo vonë do t’i shërbejnë edhe më mirë aktivitetit të biznesit të huaj e vendas në Shqipëri. Por kjo paraqet vetëm një pjesë të vogël të njërës anë të lumit, të cilin vetëm me shumë punë mund ta kapërcejmë për të arritur, me shpresë shëndoshë e mirë, në bregun tjetër të tij.