Së bashku kundër evazionit tatimor
DW-Shtetiweb: Berlin Tax Conference, 30 tetor 2014
Sekreti bankar në formën e tij të deritanishme nuk ka më vlerë për shkak se rreziku për t’u zbuluar në rast evazioni fiskal, po bëhet gjithnjë e më i madh.
Ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble mund të jetë i kënaqur. Për dy ditë ministria e tij qe mikpritësja e takimin e shtatë vjetor të “Forumit Global për Transparencë dhe Shkëmbimin e Informacioneve për Qëllime Tatimore” të organizuar nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD). Rreth 40 shtete, kështu thuhej pak ditë më parë, duan të nënshkruajnë në konferencë një marrëveshje, sipas së cilës duke filluar nga vjeshta e vitit 2017 informacionet mbi llogaritë bankare të individëve në bankat e huaja do t’u raportohen automatikisht organeve tatimore në vendet e tyre të origjinës.
Ministria e Financave u përfaqësua në këtë takim në nivel ministror, nga kreu i saj, z.Shkëlqim Cani. Aktiviteti dy ditor u ndoq nga rreth 300 pjesëmarrës të 102 vendeve të ndryshme të botës, anëtarë të Global Forum (Shqipëria është anëtar në këtë Forum nga viti 2012), me pjesëmarrje të 25 ministrave të financave. Kroacia dhe Peruja u bënë anëtarët më të rinj të këtij Forumi duke rritur në 123 anëtarësimet e shteteveNë fund marrëveshjen e OECD-së e nënshkruan 51 vende, pra më shumë se sa pritej. Ndër to edhe qendrat kryesore financiare si Lihtenshtejni dhe Singapori, Bermuda dhe Ishujt Kajman, por edhe ishujt britanikë Guernsey dhe Jersey. Vendet e tjera pritet ta ndjekin shembullin e tyre, 34 prej tyre në vitin 2018. Numri i vendve përkrahëse të marrëveshjes është afër 100.
Rezultati kryesor i këtij takimi ishte angazhimi i vendeve anëtare në rritjen e transparencës në fushën e taksave, si vijon:
a) Angazhimi i shumicës së vendeve anëtare të GF për të zbatuar standardet e reja për Shkëmbimin Automatik të Informacionit deri në vitin 2017 ose në fund të vitit 2018, të shoqëruar me një shprehje të fortë mbështetjeje sidomos për vendet në zhvillim për të marrë pjesë në këtë ambient të ri transparence;
b) Adaptimi, në parim, i Termave të Referencës mbi mënyrën e shkëmbimit automatik të informacionit, i cili do të zhvillohet gjatë vitit 2015;
c) Mbështetje e madhe për vendet në zhvillim për të lehtësuar pjesëmarrjen e tyre në Shkëmbimin Automatik të Informacionit dhe lancimi i Iniciativës Afrikane – një projekt 3-vjeçar për të rritur ndërgjegjësimin dhe ndërtimin e instrumenteve për shkëmbimin automatik të informacionit në këto vende.
Ky takim u finalizua me nënshkrimin e Marrëveshjes Model Shumëpalëshe të Autoriteteve Kompetente. Kjo marrëveshje u nënshkrua në zbatim të nenit 6 “Shkëmbimi Automatik i Informacionit” të Konventës për Ndihmën Administrative të Ndërsjelltë në Çështjet Tatimore, të cilën Shqipëria e ka miratuar me ligjin nr. 146/2013, datë 6.05.2013.
Në zbatim të këtij neni të Konventës, nënshkrimi i Marrëveshjes Model Shumëpalëshe të Autoriteteve Kompetente angazhon vendet nënshkruese për zbatimin e shkëmbimit automatik të informacionit në fund të vitit 2017 ose në fund të vitit 2018. Shqipëria u angazhua në këtë marrëveshje për shkëmbim automatik të informacionit në fund të vitit 2018, për të pasur kohë në dispozicion për krijimin e bazës ligjore dhe infrastrukturës së nevojshme për zbatimin e saj.
Ku konsiston kjo marrëveshje?
– Kjo marrëveshje është marrëveshje kuadër, e cila siguron mekanizmin ligjor për shkëmbimin automatik, reciprok, të informacionit dhe do të hyjë në fuqi pasi vendet nënshkruese të bëjnë notifikimet e përcaktuara në këtë marrëveshje.
– Vendet nënshkruese ose ndryshe të quajtura Grupi i Adaptuesve të Hershëm, duke ditur se evazioni tatimor mund të trajtohet në mënyrë efektive vetëm në nivel global, janë angazhuar nëpërmjet kësaj marrëveshjeje për miratimin e një standardi të vetëm e të ri global, për shkëmbimin automatik të informacionit të tatimpaguesit;
– Sipas standardit të ri global, një gamë e gjerë e informacionit do të shkëmbehet mbi llogaritë offshore, duke përfshirë bilancet e llogarive dhe të pronësisë së dobishme. Kjo do të bëjë të mundur çrrënjosjen e krimit të evazionit fiskal dhe trajtimin e mashtrimit fiskal. Ky veprim nga ana e evazorëve zvogëlon të ardhurat publike, dobëson besimin në drejtësinë e sistemit tatimor dhe rrit barrën mbi tatimpaguesit e ndershëm.
Fundi i një epoke
Sekretari i Përgjithshëm i OECD-së Angel Gurría, tha: “Ne kemi arritur rezultate të shpejta.” Ai e përshëndeti faktin se standardet u pranuan disa minuta para nënshkrimit edhe prej shtetesh të tjera. Tani duhet të sigurohet që rregullat do të zbatohen. Ministri gjerman i Financave Schäuble e quajti këtë një moment historik. Sekreti bankar në formën e tij të deritanishme nuk ka më vlerë për shkak se rreziku për t’u zbuluar në rast evazioni fiskal, po bëhet gjithnjë e më i madh.
Në këtë mënyrë po i vjen fundi një epoke. Për dekada me radhë për ta që bënin evazion fiskal nuk ishte shumë e vështirë për t’i fshehur paratë e tyre jashtë vendit dhe për të mos u deklaruar tek autoritetet tatimore në vendet e tyre të origjinës. Shkëmbimi automatik i informacionit për autoritetet tatimore, e bën shumë më e lehtë kontrollin e transferimit të parave jashtë vendit dhe kështu i vë frenë evazionit fiskal.
Zvicra ka nevojë për më shumë kohë
Ndër informacionet që do të shkëmbejnë autoritetet tatimore janë të dhëna për llogaritë bankare, përqindjet e interesit etj. Fjala është për të dhëna për llogari bankare që do të hapen pas vitit 2016. SHBA dhe Kina nuk e kanë nënshkruar këtë marrëveshje. Por edhe Zvicra tha se kan nevojë për më shumë kohë. Ministri gjerman i Financave Schäuble tha se është optimisit që edhe Zvicra do ta nënshkruajë së shpejti marrëveshjen.
Marrëveshja do t’ua vështirësojë evazionin fiskal jo vetëm individëve, por edhe koncerneve ndërkombëtare që mundohen të shfrytëzojnë lehtësimet fiskale të vendeve të ndryshme. Diskutime ka edhe në lidhje me të ardhurat nga licencat dhe nga patentat. Pra që firmat të kenë përfitime fiskale në rast se investojnë edhe për studime dhe zhvillimin e teknologjisë.