Kush dhe përse ka frikë nga “shteti policor”
Nga Mentor Kikia, botuar në BalkanWeb, 30 tetor 2014
Prej disa muajsh, qeveria ka angazhuar policinë, gati në mënyrë të paprecedentë, në shumë aksione “shtetërore”. Pasi u lëshua shkurreve dhe ferrave në të gjithë vendin për të shkulur kanabisin, policët morën fadromat dhe qysqitë të prishin ndërtimet pa leje. Tashmë në një aksion, të etiketuar si një superoperacion, policia është angazhuar me “pinca në dorë” të presë telat e atyre që vjedhin energji dhe t’i shoqërojë ata në dhomat e paraburgimit. Një urdhër i fundit i drejtorit të përgjithshëm të policisë u ngarkon strukturave të saj edhe një tjetër mision, të “monitorojë” fatin e të arrestuarve të saj, në prokurori dhe gjykatë, pra sa dënohen e sa lirohen. Parë në këtë kuadër, nëse do të vazhdonim analogjinë, policia ka mbetur pa u angazhuar edhe në luftën kundër korrupsionit në shëndetësi, që do të thotë që në çdo pavion spitali apo sallë kirurgjie të vendoset nga një polic për të mos lejuar mjekët të marrin para nga pacientët. Apo edhe në sallat e provimit në universitete, ku pedagogët marrin para për provimet… Një vëzhguesi perëndimor kjo do t’i dukej shumë e tepërt, derisa për çdo sektor të tillë, ka struktura që bëjnë apo duhet të bëjnë punën e tyre, pa qenë nevoja që të kenë edhe furgonët e policisë nga pas. Dhe, për këtë arsye opozita është alarmuar, duke bërtitur fort se Edi Rama ka ndërtuar apo po ndërton shtetin policor, shtetin ku polici vendos për çdo gjë, apo i jep zgjidhje me dhunë çdo problemi. Në një vend demokratik dhe mbi të gjitha, me nivel të lartë ligjzbatimi, normalisht që kjo është e tepërt dhe shqetësimi i atyre që janë të shqetësuar është legjitim. Por nëse zbresim me këmbë në tokë dhe shikojmë ku jetojmë, si jetojmë, si veprojmë, si sillemi me vendin tonë, sa e respektojmë ligjin dhe mbi të gjitha, sa efektive i kemi strukturat shtetërore, duhet të kuptojmë se ky angazhim policor nuk është asgjë më shumë se një përpjekje për të vendosur shtetin, strukturat e tij, në binarë. Nuk kam pikën e dyshimit që nëse abuzohet, ky angazhim mund të rrëshqasë vërtet drejt frikës së opozitës, pra drejt një shteti të dhunshëm policor. Por aktualisht, unë mendoj se shumë shqiptarë janë të etur të kenë shtet më së pari.
Shprehja “këtu nuk ka shtet” është ndoshta më e artikuluara kur qytetarët e thjeshtë përballen me probleme, që në vende të tjera as që mendohen të ndodhin. Kur fqinji ngre një dyqan pa leje dhe të zë dritaren, ne themi se “këtu nuk ka shtet”. Kur përballemi me korrupsionin në çdo hallkë të pushtetit, sërish themi “këtu nuk ka shtet”. Kur ne jemi duke ecur në rrugë e dikush ka “parkuar” makinën në mes të saj, sërish në themi se “këtu nuk ka shtet”. Kur shikojmë se si të tjerët vjedhin, dëmtojnë e shkatërrojnë pasurinë e këtij vendi që është trashëguar që nga lashtësia, ne sërish themi se këtu nuk ka shtet. Por në fakt çfarë është shteti? Ai është një tërësi strukturash, që funksionojnë mbi bazën e ligjeve që i miraton parlamenti që ne zgjedhim me votën tonë. Por ne jemi shumë të bindur se deri tani këto struktura kanë funksionuar keq, në rastin më të mirë, kanë qenë dhe janë të korruptuara, të paafta etj., etj. Pa asnjë dyshim që kaotizmin e mosfunksionimin e hallkave të shtetit nuk e zgjidh dot “lëshimi” rrugëve i një ushtrie me policë, të cilët do të zëvendësojnë hallkat e dobëta apo të korruptuara. Jo, angazhimi i policisë është një mënyrë për të treguar se shteti ka dhëmbë. Po, po, shteti ka dhëmbë, në çdo vend, edhe në atë me liritë më të ekstreme. Njerëzit janë njësoj, si në Shqipëri, Britani, Amerikë dhe Zelandën e Re. Nëse i lë të lirë të bëjnë ç’të duan, bëjnë kudo si në Shqipëri.
Nëse do t’i referohemi energjisë elektrike, inspektorët kanë shkuar deri në përplasje fizike me hajdutët, duke këputur kabllin e vjedhjes për t’u lidhur sërish. Ku mund të ndodhë që një “i fortë”, ngre një impiant sharrash pa leje, ose paguan një taksë modeste në muaj, pret pemët pa leje, vjedh energjinë dhe bën biznes? Inspektorët që duhet t’i kontrollojnë e ndalojnë, ose kërcënohen ose korruptohen prej tij dhe nuk e kanë penguar deri tani. Atëherë cila është zgjidhja? Padyshim, që shteti duhet të tregojë dhëmbët dhe dhëmbët e shtetit janë strukturat e tij të forcës, siç është policia. Po kështu, shteti duhet t’i tregojë dhëmbët edhe me ata që ecin rrugëve si të çmendur, duke vrarë veten e të tjerë, edhe me ata që presin pyjet duke shkatërruar e shkretuar parqet e pasurinë kombëtare, edhe me ata që shkatërrojnë lumenjtë si t’i kishin prona të tyre, edhe me ata që ndërtojnë kafene mu në mes të lulishtes së lagjes sonë të përbashkët…. Me pak fjalë, ne shqiptarët duhet të mësohemi të kemi frikë nga shteti. Të kemi frikë, jo si në kohën e komunizmit kur kishim frikë të thonim se s’ka qumësht apo s’ka këpucë në dyqan, jo të kemi frikë të ngremë zërin e të protestojmë, por të kemi frikë të shkelim ligjin. Deri tani ne nuk e kemi frikë as shtetin, as ligjin. Kjo frikë bëri që edhe në Shqipëri të zbatohet ligji kundër duhanit. Askush se besonte se edhe në një lokal fshati nuk do të të lejonin të pihet duhan, por ja që po ndodh. Po ndodh, sepse shteti po tregon dhëmbët dhe njerëzit i kanë frikë dhëmbët e shtetit, pasi e dinë mirë shprehjen që me qeverinë, ujin dhe zjarrin mos u përball.
Një tjetër lëvizje që ka vënë në alarm opozitën është “ndërhyrja e policisë në drejtësi”. Kreu i policisë u ka kërkuar vartësve informacion lidhur me fatin e atyre që arrestohen për krime të rënda, si trafiqe, vrasje, përdhunime, korrupsion etj. Sa nga të arrestuar lirohen nga prokuroria (pushohen hetimet), sa shkojnë me akuza në gjykatë dhe lirohen nga gjykata etj… Pra, policia do të monitorojë në distance se çfarë bëhet me “produktin” e punës së saj dhe këtë material ia përcjell Ministrisë së Drejtësisë dhe KLD-së. Përse duhet të jetë e frikshme kjo? A nuk e bëjnë këtë punë, pra monitorimin edhe një dyzinë OJQ-shë apo edhe media? Ku është këtu ndikimi i policisë mbi gjyqësorin? Mos vallë policia ka ndonjë mundësi ligjore të arrestoje gjykatësin apo prokurorin që lirojnë kriminelët? Po, është e qartë se ka të tjera struktura që monitorojnë njëra-tjetrën, ka kontrolle të Ministrisë së Drejtësisë, ka kontrolle të KLD-së, ka gjykatë shkallës së dytë e të tretë që vlerësojnë ligjshmërinë e vendimeve të njëra– tjetrës. Por faktet kanë treguar se deri tani gjykatësit janë tallur me ligjin, kanë lënë të lirë kriminelë me damkë brenda dhe jashtë vendit pa u hyrë gjemb në këmbë. Në fund të fundit vendimet e gjykatave janë transparente dhe janë në faqen online të tyre dhe çdokush mund ta bëjë këtë monitorim. Atëherë, përse duhet të ketë frikë ky prokuror apo gjykatës nëse unë, polic, qytetar, gazetar, anëtar i një OJQ-je raportoj publikisht ose jo që filan i arrestuar u lirua nga burgu?
Derisa ne jemi të bindur se kemi sistemin e drejtësisë më të korruptuar, atëherë sa më shumë informacion të kemi në dorë, të gjithë si shoqëri, aq më mirë është. Nëse nuk do të ishte media, sot nuk do të ishte mësuar që një trafikant turk, i kërkuar në Gjermani, u la i lirë nga Gjykata e Apelit në Tiranë. As edhe që një trafikant shqiptar, i kërkuar në Itali u la i lirë nga një gjykatës në Fier.
Të mësuar në një vend rrumpallë, ku gjithkush bën çfarë do, nuk duhet të na trembë forcimi i shtetit. Nëse ky lloj shteti do të bëhet më i “fortë’ se ç’duhet, tashmë frika e “revolucioneve” nga 1990-1997 na ka dalë. E rëndësishme është ta bëjmë njëherë shtetin. Nëse nuk do të mësohemi të kemi frikë nga shteti, pra nga ligji, atëherë do të jemi përjetësisht në një vend rrumpallë.