Kredidhënia e ngurtësuar, fitimet e bankave në rritje?!

Nga Arben Malaj, botuar në Panorama Online, 29 tetor 2014

Arben-MalajStudiuesit i njohin zhvillimit të sistemit financiar një impakt të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik. Ky impakt përcaktohet nga cilësia e alokimit të kursimeve në investimet sa më produktive në ekonomi. Synohet cilësi sa më e mirë e kredidhënies nga bankat dhe e investimeve të ndërmjetësve të tjerë financiarë në projekte sa më të suksesshme në ekonominë reale.
Një cilësi e lartë e kredidhënies për sektorin privat e publik ndihmon në rritjen e aftësive konkurruese të ekonomisë. Ndërsa një cilësi e dobët të kredidhënies dëmton efektin pozitiv të saj në ekonomi. Në këtë rast kursimet alokohen në projekte me shkallë të ulët produktiviteti dhe me risk të lartë kthimi.
Në literaturën ekonomike ekziston një mendim tërësisht i pranuar dhe i argumentuar nga studime empirike se indikatori i parë, që i nevojitet një ekonomisti që të vlerësojë shëndetin e një ekonomie, është niveli i kreditimit të saj. Por gjithashtu është argumentuar se simptomat e para të një krize bankare janë diferencat e mëdha midis ritmeve të rritjes së kredidhënies në raport me ritmet e rritjes së ekonomisë reale. Kjo diferencë deformon çmimin e aseteve dhe kostove në ekonomi, rritet artificialisht kërkesa agregate, ndërsa oferta agregate është e vogël ose në tkurrje.
Ky raport shfaqet te çmimet e fryra gjatë boom-it, ndërsa herëe pas here nëpërmjet krizës së rënies së çmimeve të pasurive të patundshme – korrekton deformimet e tregut dhe bilancën e bankave nga shkalla e aseteve toksike.
Gjatë kësaj periudhe pjesa e kredive me probleme rritet, kredidhënia ngadalësohet deri në ngurtësim, rënia e kërkesës e ushqyer nga kredidhënia shkakton rënien e thellë dhe të shpejtë të çmimeve, çka i shndërron fitimet e larta të pritshme në humbje të thella dhe të menjëhershme. Ky efekt zinxhir dëmton jo vetëm kredimarrësit, por edhe kredidhënësit, të cilët në këtë rast janë “viktimë” e vetvetes më shumë se e faktorëve të tjerë.
Eksperienca në vendet me potencial të lartë përthithës të burimeve financiare tregon se bizneset apo individët që fokusojnë aktivitetin e tyre në veprimtari me produktivitet jo të lartë, kanë probabilitet më të lartë që të mos jenë në gjendje të kthejnë huat e marra.
Në realitetin tonë ekonomik konstatohet se aktiviteti kreditues gjatë dy viteve të fundit në Shqipëri ka qenë në nivele të ulëta, duke qenë në terma negativë gjatë 10 muajve të fundit dhe duke rënë mesatarisht me 2 për qind në çdo muaj. Gjatë muajit korrik të vitit 2014, sipas të dhënave më të fundit të Bankës Qendrore, stoku total i kredive bankare shënoi një rritje prej 0.5% krahasuar me korrikun e vitit 2013, duke dhënë shpresa për një ringjallje të mundshme të kreditimit gjatë muajve në vijim (http://www.bankofalbania.org/web/Statistika_230_1)
Pjesa më e madhe e kontributit në rritjen e stokut total të kredisë gjatë kësaj periudhe ka ardhur prej kredive akorduar biznesit privat. Niveli i kredive me probleme deri në tremujorin e dytë të vitit 2014 ka arritur në nivelin 24.06%, duke pësuar një rënie prej 0.02 pikë përqindje krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2014, ndërsa krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2013 ka shënuar një rënie prej 0.33 pikë përqindje (http://www.bankofalbania.org/web/Raporti_Statistikor_Qershor_14_7114_1.php). Këto fakte nxjerrin në pah nevojën për përmirësimin e cilësisë së kredidhënies.
Gjatë tremujorit të dytë të 2014-s sistemi bankar shënoi një fitim 261.3% më të lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa krahasuar me tremujorin e mëparshëm rritja ishte vetëm 20.4%, përkthyer në lekë kemi respektivisht 3.9 dhe 0.9 miliardë më shumë (http://www.aab.al/al/statistics.php). Në fund të tremujorit të dytë fitimi bankave arriti në 5.4 miliardë lekë.
Midis ekspertëve, ka diskutime mbi faktorët e kësaj rritjeje jo të zakonshme. Cilët janë faktorët konkretë dhe sa të qëndrueshëm do të jenë ata? Qartësimi i përgjigjeve kërkon analiza më të thelluara nga Banka e Shqipërisë, ekspertët dhe qendrat kërkimore shkencore.
Sipas disa analizave, ekzistojnë disa faktorë, të cilët kanë ndikuar në arritjen e këtij niveli fitimi të bankave tregtare gjatë vitit 2014. Kështu, të ardhurat neto nga interesat kanë ndikuar pozitivisht në rezultatin financiar të marrë, duke u rritur 9.7% në terma vjetorë dhe 102.4% në terma tremujorë.
Rritja e ardhur në terma vjetorë, në vetvete ka ardhur jo si rezultat i rritjes në të ardhurat nga interesat (-9.3%), por nga një rënie edhe më e madhe e shpenzimeve për interesa (-29.2%).
Këto shifra pasqyrojnë impaktin e politikës monetare lehtësuese të ndjekur nga BSH-ja, e cila që nga mesi i vitit 2011 ka ulur 10 herë normën bazë, duke zbritur aktualisht në 2.5%, nga 5.25% në atë periudhë. Kjo politikë ka ndikuar në uljen e normave te interesit të depozitave dhe kredive.
Për shkak të politikave shtrënguese në dhënien e kredive, ka pasur një farë ngurtësie në zbritjen e normave të interesit për huat e dhëna, duke e “penguar” transmetim e efekte te kësaj politike monetare edhe në pjesën e kostos së kredidhënies. Përmirësimi i transmetimit të politikës monetare në ekonominë reale është sfidë jo e lehtë për shumë Banka Qendrore.
Stabilizimi i ndodhur në kreditë me probleme ka sjellë si pasojë dhe një ulje të konsiderueshme në shpenzimet për provigjione, të cilat janë në kuotën më të ulët që nga viti 2005. Ky mund të jetë ndër faktorët kryesorë në “rritjen e fitimit të bankave”, edhe kur nuk kanë rritje të aktivitetit të kredidhënies. Provigjionet pësuan një rënie vjetore prej 94.3%, ose afërsisht 7.4 miliardë lekë më pak krahasuar me periudhën e mëparshme. Niveli i lartë NPL dhe i provigjioneve për të reduktuar riskun e tyre, prej vitesh po gërryenin ndjeshëm fitimet e bankave. Nga një analizë afatmesme e provigjioneve, në vitin 2014 mund të konstatohen rregullime të deformimeve, por jo një përmirësim i qëndrueshëm i nivelit të fitimeve të bankave. Një faktor jo i përhershëm në rritjen jo të natyrshme të fitimeve të bankave gjatë vitit 2014 mund të jetë edhe qartësimi ligjor i parimeve fiskale të llogaritjes së provigjioneve.
Në përfundim, do të duhet të pranojmë se në ritmet e rritjes së fitimeve gjatë vitit 2014 kanë influencuar shumë pak faktorë të drejtpërdrejtë të suksesit të vetë bankave të nivelit të dytë.
Kërkohet një analizë më e thelluar për të identifikuar faktorët e qëndrueshëm në normat e fitimit të bankave. Zgjatja e periudhës së studimit dhe thellimi i analizës bëhet i domosdoshëm sepse ritmet e rritjes së fitimit të bankave në vitin 2014 janë shumë më të larta se ritmet e rritjes së aktivitetit dhe performancës së tyre.
Sfidat e sistemit bankar mbeten jo të lehta, treguesit e tyre të fitimit duhet të bazohen më mirë se deri tani te zgjerimi i aktivitetit kredidhënës dhe te cilësia e kredidhënies. Përfitimet nga faktorë jashtë tyre, siç është ulja e kostos së parasë nga Banka Qendrore nuk duhet të shkojnë vetëm apo kryesisht në përmirësimin e bilanceve të tyre, por në zgjerimin e aktivitetit kreditues dhe uljen e kostove të kredisë për sektorin private e publik.
Ulja me ritme shumë më të shpejta e interesave të depozitave në raport me interesat e kredisë është një “subvencionim indirekt” nga depozituesit i humbjeve të bankave të nivelit të dytë, të shkaktuara edhe nga keqmenaxhimi i një pjese të tyre.
Garancia më e mirë e qëndrueshmërisë së nivelit të fitimit të bankave është mbështetja që ato i japin rritjes ekonomike nëpërmjet rritjes së kredidhënies dhe përmirësimit të cilësisë së saj, më shumë se sa disa kalkulime aritmetikore të fitimeve afatshkurtra.
“Në thelbin e tij, bankingu nuk ka të bëjë thjesht me arritjen e një fitimi sa më të lartë, por me arritjen e një fitimi sa më të qëndrueshëm. Një fitim i qëndrueshëm vjen nga një dhënie e qëndrueshme e kredive, kusht i nevojshëm në arritjen e një rritjeje të qëndrueshme ekonomike”.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi