“Laokonti” në mbretërinë e informalitetit
Nga Aleksandër Çipa, botuar në Shqip, 29 tetor 2014
Qeveria “Rama” u ka shpallur luftë eminente vjedhësve të energjisë elektrike. Deklaratat e prera të Kryeministrit dhe sidomos përfshirja në këtë aksion e strukturave të Policisë së Shtetit, po e shndërrojnë këtë sfidë, në një “bast” me kosto, risk dhe natyrisht edhe me peshë përcaktuese për vijueshmërinë qeverisëse të tij. Kjo sfidë e re e nisur tashmë, të lë përshtypjen se mund të krahasohet me atë të çlirimit të Lazaratit nga hashashi apo ajo për “rilindjen urbane” të qyteteve.
Reagimi dhe aprovimi bashkëjetojnë dhe përballen në debatin e diskutimin e lirë qytetar gjithkund këto ditë. Kjo nisje është padyshim një ndryshim i premtuar dhe i pritur, që përkon me platformën e afishuar në fushatën elektorale të vitit 2013 prej koalicionit të majtë dhe sidomos me thelbin e saj për të instaluar një shtet ligjor dhe ku tranzicioni, si periudhë e pafund, do të mbyllej.
Ajo që po ngjet, po ndez debat politik dhe sidomos po ndez edhe shkëndijat e një qëndrese opozitare me arsyetimin dhe pretendimin se po viktimizohen të pambrojturit, pra shtresat në nevojë dhe viktimat e çmimit të lartë të energjisë. Ky debat i natyrshëm do të vijojë dhe si i tillë, do të përfshijë së pari qytetarët e mësuar me regjimin pa regjim të informalitetit dhe vjedhjes konstante të energjisë. Në këtë pjesë të madhe ankimtarësh do të gjejnë vend dhe do të kenë zë sidomos ata më vjedhësit, më grabitqarët në kohë dhe vite të energjisë në zonat informale dhe sidomos në ato zona rurale me dendësi demografike, që i dhanë kësaj Shqipërie imazhin e vendit anarkik, antishtet. Madje plotësuan imazhin e turpshëm si vend me qyteza dhe hapësira getosh në periferi apo në fshatra, aty ku natyra parashoqërore e organizimit dhe sjelljes shpërfaqet përmes aktesh fisnore dhe reagimesh gati tribale. Kjo pamje tashmë nuk mund të mbijetojë dhe as të imponohet në skajet e këtij vendi. Në këtë aspekt, qeveria e ka të drejtën të gjithën me vete.
Mirëpo debati i deritanishëm dhe sidomos polemika publike me opozitën në dy-tri ditët e fundit, po rikthen në skenë dhe po përfshin si tradicionalisht gjatë kohës së tranzicionit, rrezikun e politizimit dhe përdorimit politik të kauzës.
Opozita e Partisë Demokratike po shton zërin ankimtar, duke e konsideruar përfshirjen e Policisë së Shtetit në këtë aksion si brendi të tendencës për një shtet policor. Kjo kritikë opozitare po ngrihet përditë e më shpesh, duke u përpjekur të plotësohet edhe me argumentet dhe kontekstet e reja ligjore për forcën dhe përfshirjen e trupës policore të vendit në veprimtari më të gjera kundër informalitetit social, ekonomik dhe atij urbanistik. Aksioni për ligjshmëri në këto fusha po bëhet kryefjalë e qeverisjes së majtë dhe për këtë arsye edhe tensioni, por edhe reaksioni i pakënaqësisë, duket se është në shkallën e lartë. Natyrshëm që kjo pakënaqësi do të jetë dhe bëhet evidente, përderisa po ngjet diçka e pakrahasueshme në disa aspekte dhe me kaq vendosmëri.
Informaliteti në këtë vend ka dimensionet e një regjimi më vete. Ai është pengmbajtësi më i madh dhe më i gjatë në kohë i shtetit dhe sidomos përbën arsyen më madhore të raportimit aq alarmant të pandëshkueshmërisë ligjore prej faktorit ndërkombëtar. Duke qenë i tillë, qeveria në këtë nisje ka më shumë të drejtë sesa pretendimi i opozitës apo edhe ai i disa grupeve të mësuara dhe të jetuara në kulturën e informalitetit të përhershëm.
Por, politikisht, qeveria po vihet në pozicion të së rrezikuarës. Politika ekonomike dhe gjendja sociale në vend, edhe pse janë në duar dhe administrim të qeverisë, po shfaqen e ftillohen si kërcënuese dhe agresore të saj. Kjo, për shkak se konteksti i krizës ekonomike po bëhet edhe më i ashpër dhe më dimensional. Nga ana tjetër, situata financiare dhe bllokimi i sipërmarrjeve të mëdha, po derivojnë ankimtari masive dhe shtrëngesë financiare të pakrahasueshme me periudhat e mëparshme. Në të njëjtën kohë, periudha e afërt deri në 6 muaj të ardhshëm duket se bashkudhëton drejt zymtësisë së vet, në shpresë për të mbërritur në beharin e vitit tjetër me një frymëmarrje të re e të shtuar.
Por ky parashikim rrethohet ende prej shumë të panjohurash. Prej tyre, përfituese synon të jetë jo vetëm opozita, por edhe faktorë të tjerë të jashtëm e rajonalë. Se e ndien dhe e vlerëson këtë rrezik, prandaj qeveria Rama nxiton të mos humbasë kohë në aksionin e antivjedhësve të energjisë, për të luajtur kartën e betejës së fituar në kohë. Tashmë Kryeministri Rama e ka të provuar betejën e fituar në kohë të parë, sado e vështirë dhe me rezistencë mund të jetë e mbarsur ajo. Në karrierën e tij politike, beteja me ish-parkun “Rinia” dhe ndërtimet ndanë Lanës në Tiranë, është vetëm fillimi. Më pas ai u profilua si kryebashkiaku me “sëpatën” në dorë dhe tashmë si Kryeministri triumfues mbi “oazat kolumbiane të hashashit të vendit” dhe ndërtimet e paligjshme e së fundi edhe me vjedhësit e energjisë. E gjitha kjo axhendë e aksioneve të vrullshme dhe të llogaritur për t’u kryer qoftë edhe me forcë policore, kanë vlerën e triumfit mbi fondamentin më të rrezikshëm, por edhe më të madh të tranzicionit, sikundër edhe riskun e vetëndëshkimit deri në rënie. A do t’ia dalë që ta kryejë të pakryeshmen, duke pasur një opozitë larg populizmit dhe një simpati ndërkombëtarësh që shprehet në lëvrime e thithje investitorësh?! Kjo do të ishte ideale. Po që të arrihet ajo dhe të shkohet deri aty, ka ende shumë e shumë vështirësi. Në pamjen e tanishme dhe në kryelartësinë e tij mes ngërdheshjesh të panumërta të krizës shumëformëshe, të pakënaqësive sociale, të shtimit të papunësisë dhe sidomos në orë e kohë të “humbjes së lekut”, Kryeministri po larton imazhin e të qenët një “Laokont” që s’ka asgjë të përbashkët me Laokontin e mitologjisë. Gjithsesi i përafrohet cilësimit: Laokonti në mbretërinë e informalitetit.