Dimensionet e shtetit autoritar në Shqipëri

Nga Enver Bytyçi, botuar në BalkanWeb, 29 tetor 2014

EnverBytyqiShteti ligjor dhe ekuilibri i pavarësisë së pushteteve janë dy elementët themelorë të demokracisë. Pa pavarësinë e pushteteve dhe vendosjen e ligjit për të gjithë qytetarët nuk mund të mendohet, aq më pak të pritet që në Shqipëri të kemi një demokraci funksionale e liberale. Fushata elektorale e pranverës së vitit 2013 për zgjedhje të përgjithshme prodhoi një mbipremtim sa u përket këtyre aspekteve, madje në atë masë sa shumë qytetarë filluan vërtet të besojnë se vendi “do të rilindë” dhe “shteti më në fund do të veprojë me drejtësi për secilin prej tyre”. Aq shumë u fol dhe u premtua nga opozita nihiliste e kohës, e cila më pas do të merrte pushtetin, saqë një pjesë e mirë e shqiptarëve besoi në një mrekulli të vërtetë. Kam dëgjuar jo pak njerëz, ndër ta intelektualë, të cilët, të lodhur e të mërzitur nga arroganca e pushtetit të lodhur të ministrave të Berishës, të shpreheshin me optimizëm: “Këta mund ta bëjnë shtetin, sepse nuk iu mungon eksperienca dhe dija”, duke harruar se për ndërtimin e shtetit ligjor dhe për të respektuar institucionet e pavarura nuk mjaftojnë vetëm eksperiencat dhe aftësitë, sidomos kur është fjala për politikanë që në filozofinë e tyre njohin vetëm metodikat diktatoriale të drejtimit të shtetit. Sot, pas pak më shumë se një viti të së majtës në pushtet, jemi bërë tashmë dëshmitarë të një fasade sa u përket përpjekjeve për vendosjen e shtetit ligjor. Ndërkohë që sa i përket balancës së pushteteve, as që mendohet të ndodhë ndonjë çudi e tillë në këtë vend. Kryeministri i Shqipërisë tashmë po dëshmon se di të drejtojë në mënyrë autoritare. Dhe për ta konkretizuar këtë do të duhej të jepja disa shembuj:

1. Kryeministri u vu në krye të INUK-ut për prishjen e ndërtimeve me e pa leje dhe tashmë është provuar se ai nxiti e urdhëroi prishjen selektive të këtyre ndërtimeve, sipas përkatësive politike e në veçanti duke u orientuar nga përkatësia krahinore. Ndërsa kriteri i prishjes së ndërtimeve me e pa leje u orientua në dy aspekte: Në përkatësinë politike dhe së dyti në përkatësinë krahinore. Shembujt që janë denoncuar në media janë aq të shumtë sa nuk mund të përmenden në dhjetëra komente e analiza. Por do të theksoj vetëm një fakt: Lagjja e re e Tiranës te Komuna e Parisit është ndërtuar e gjitha nga fillimi në mbarim në periudhën e qeverisjes së zotit Rama në krye të bashkisë së kryeqytetit. Në këtë zonë nuk ka ndërhyrë INUK, e ndërkaq kjo zonë është më problematikja në ndërtimet pa leje e pa kritere ligjore ose urbanistike. Një zonë ndërtimi që nis nga e para, do të duhej të zhvillohej sipas një plani urbanistik bashkëkohor dhe çdo kryetar bashkie do ta shfrytëzonte rastin të dëshmonte civilizim, drejtim sa më perfekt në menaxhimin e territorit duke lënë nga pas një histori suksesi. Por te Komuna e Parisit vetëm civilizim dhe urbanizim nuk ka. As në zemrën e kësaj zone nuk gjen rrugë për komunikacion modern. Mungojnë në të gjitha rrugët e rrugicat e saj trotuaret. Ndërtimet janë zgjeruar kudo në shkelje të ligjit për hapësirat publike dhe hapësirat midis pallateve. Madje, dhe një shkollë me emrin e të atit të zotit Rama, pra me emrin “Kristaq Rama” është zgjeruar mbi trotuarin aq të ngushtë, duke lëshuar hije mbi asfaltin ku kalojnë automjetet. Mua personalisht më mjafton ky fakt të mendoj dhe të besoj se aksionet e kryeministrit tonë nuk lidhen me respektin e tij ndaj shtetit ligjor, por më së shumti me diktatin e tij personal. Gjithashtu, shqiptarët dhe kryeqytetasit nuk njohin ndonjë zonë të zhvillimit modern urban të ndërtuar sa kohë që Tiranën e qeverisi zoti Rama. Thjesht në tri vitet e para u hoqën kioskat dhe në 8 vite të tjera ndërtuesit punuan për qytetarin numër një të Tiranës. Në këto tetë vite janë ndërtuar me mijëra objekte pa leje ose në kundërshtim me ligjin dhe së paku 80-90 për qind e tyre janë në lidhje të ngushta me kryeministrin e sotëm të Shqipërisë ose ish-kryetar të Bashkisë së Tiranës. Dhe jam i sigurt se probleme të tilla zoti Rama ka shkaktuar në çdo zonë të kryeqytetit. Kjo të bën të besosh se një projekt modern që lidhet me bulevardin e ri u sabotua prej tij, vetëm prej xhelozisë së kryeministrit, pse ai nuk mundi të lërë pas diçka urbane në kryeqytetin e vendit.

2. Një aspekt i dytë i kësaj situate jodemokratike në Shqipëri u shfaq përsëri këto ditë me ndryshimet në kodin rrugor. Sapo filloi të shfaqej ideja e ndryshimeve dhe vendosjes së masave radikale ndaj qytetarëve, policia u hodh në veprim. Sigurisht me urdhër nga ministri Tahiri dhe kryeministri Rama. Kuptohet, jo në respekt të ligjit, sepse ligji është ende në komisionet parlamentare. Ky ligj vijon të jetë thjesht një projekt. Parlamenti nuk e ka votuar. Por edhe sikur ta votonte, ligji merr fuqi mbasi të dekretohet nga presidenti dhe të shpallet në gazetën zyrtare. Megjithatë, policia me bllok në dorë në çdo rrugë e rrugicë ndalon automjetet dhe kontrollon nëse drejtuesit e kanë ose jo paketën e ndihmës së shpejtë të parashikuar në ligj. Janë vënë e vazhdojnë policët e Sajmir Tahirit të vendosin gjoba të shumta e të majme për moszbatimin e një projektligji. Kështu ndodh edhe me INUK-un dhe me veprimet e tij të paligjshme të konstatuara tashmë nga gjykata, për shembull në rastin e bllokimit të punimeve në bulevardin e ri. Të nisësh aksione në zbatim të ligjit, kur ligji është ende projektligj, do të thotë të rikthesh në drejtimin e shtetit kohën e diktaturës, kur aksionet nisnin me vendimet e byrosë politike e të diktatorit dhe jo të organit ligjvënës, përgjegjës për këtë.

3. E treta, po marr në konsideratë atë që po ndodh me të ashtuquajturin “zbatim të ligjit në fushën e energjisë elektrike”. Ka më shumë se një javë që kryeministri i vendit tonë ka marrë rolin e “Toger Babës”, të cilin në malësi e njohin mirë për dhunën e tij gjatë aksionit të mbledhjes së armëve në vitet e para të diktaturës komuniste. Zoti kryeministër beson se ligji zbatohet nëse ai mbledh një auditor dhe bërtet me të madhe, duke kërcënuar çdokënd jo me zbatimin e ligjit, por me ushtrimin e dhunës. Është krijuar përshtypja se ligji është vetë kryeministri. Dhe është e çuditshme një përqasje tjetër me tiparet e diktaturës. Sa herë që kryeministri Rama shfaqet me arrogancën e “zbatimit të ligjit”, aq herë vihet në lëvizje e gjithë struktura e Policisë së Shtetit, sa të krijon përshtypjen se i vetmi lojtar besnik i zotit Rama në kabinet është ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri. Se e luan këtë rol ministri ynë nga paaftësia për të vepruar në mënyrë të pavarur e sipas ligjit, nga fakti se i mungon kualifikimi dhe autoriteti profesional, nga ajo që për herë të parë ka vënë firmën në bordero si ministër, apo nga dëshira për të luajtur rolin e servilit, ose edhe për shkak të të gjithë këtyre faktorëve, kjo mbetet të studiohet. Por fakt është se Policia e Shtetit luan rolin e xhandarit në duart e dy personave, të kryeministrit dhe të ministrit të Brendshëm, kur asaj i duhet vetëm të zbatojë ligjin. Dikush mund të shtrojë pyetjen se “Ç’të keqe ka kjo?”. Por policia dhe të gjitha strukturat e shtetit punojnë dhe veprojnë bazuar në një ligj të caktuar. Ata duhet të mësojnë se ligji është i shenjtë dhe si i tillë duhet zbatuar pa hezitim. Në vend që të kontrollohet puna e secilit, sa e si është në funksion të zbatimit të ligjit, kryeministri merr rolin e individit që urdhëron ushtrimin e dhunës. Nëse vazhdon kjo metodë pune, atëherë Shqipëria shumë shpejt do të kthehet në një shtet ku mpleksen filozofitë autoritariste e totalitare të drejtimit të shtetit. Urdhërdhënia nuk është tipar i drejtimit demokratik të një vendi, përkundrazi ka qenë, është dhe mbetet karakteristikë e diktatorëve. Ndërsa liderët autoritarë janë e mbeten të tillë kur kontrollojnë me dorë të hekurt shumicën ligjvënëse, me qëllim që të diktojnë bërjen e ligjit e më pas të ushtrojnë autoritetin e tyre personal. Në rastin tonë, veç këtij fenomeni na shfaqet prirja diktatoriale e veprimit të strukturave të shtetit mbi bazën e urdhrit, në vend që ato të zbatojnë ligjin, sido që ai të jetë. Mesa duket, kryeministri e ka të vështirë të bëjë ligje antidemokratike, me të cilët të synojë drejtimin autoritar të shtetit, ndaj e gjen më të lehtë të ushtrojë funksionin e diktaturës në rrethanat kur Shqipëria me Kushtetutë është demokraci parlamentare.

Kjo situatë antiligjore bëhet edhe më shqetësuese kur kryeministri dhe kabineti i tij qeveritar sulmojnë në bllok të gjitha pushtetet e tjera, të cilat ai nuk ka mundësinë t’i kontrollojë dhe t’i rreshtojë në zbatimin e urdhrave që jep. Ministri Tahiri për të disatën herë i ka drejtuar një letër Presidentit të Republikës dhe ankohet për vendime të padrejta të gjykatave dhe gjyqtarëve, duke i kërkuar atij të marrë masa ndëshkimore ndaj tyre. Zoti Tahiri përmend së paku 25 raste, kur gjyqtarët nuk kanë zbatuar drejtësi sipas ekspertizave të policisë kriminale të tij. Por është logjike të shtrohen disa paradigma: A është ministri i Brendshëm, përkatësisht kryeministri, ai që përcakton nëse një vendim gjykate është i drejtë ose i padrejtë?! Nëse po, atëherë pse duhet që funksionojë pushteti gjyqësor në Shqipëri?! Kushtetuta këtë të drejtë nuk ia njeh as ministrave, as kryeministrit, madje as presidentit, i cili mund të amnistojë, por jo të prezumojë pafajësi për dikë. Këtë të drejtë Kushtetuta ia njeh të gjitha shkallëve të gjykatave, përkatësisht Gjykatës së Apelit, Gjykatës së Lartë e madje dhe Gjykatës Kushtetuese, por jo Këshillit të Lartë të Drejtësisë, jo ministrave, jo presidentit e natyrisht që nuk ia njeh këtë të drejtë as kryeministrit. Atëherë, a duhet të shqetësohet shoqëria shqiptare, qoftë edhe nga një ose disa letra të tilla të një ministri, i cili merr përsipër të gjykojë se cili vendim gjykate është i drejtë e cili i padrejtë?! A ngjan kjo me filozofinë e diktatorëve në marrjen e vendimeve dhe formulimin e urdhrave?! Dhe a ngjan aq shumë me fushatat e luftërave që shpallte diktatori shqiptar, edhe ai në emër të luftës kundër shfaqjeve të huaja?! A nuk duket e tillë kjo fushatë, kur nga goja e kryeministrit dëgjojmë se “Bashkë me qytetarët energjinë e vjedhin dhe punonjësit e sektorit energjitik?!”. Si mund të urdhërohen aksionet policore me konstatimet e kryeministrit dhe të ministrit të Brendshëm, fenomen të cilin shqiptarët e kanë përjetuar egër në rreth 50 vite diktaturë?! Opozita duhet të lëshojë kambanat e alarmit. Nëse drejtimi i shtetit shqiptar do të vijojë me këso metodash, atëherë demokracia dhe shteti ligjor janë në rrezik. Nëse konstatimet për sjellje të pahijshme ose joadekuate e në përshtatje me ligjin nga një ose disa persona marrin formën e dënimit në gojën e kryeministrit, atëherë çfarë u mbetet të bëjnë prokuroria dhe gjykatat?! Unë e kam përjetuar keq kritikën disa herë të paekuilibruar të ish-kryeministrit Berisha ndaj ish-prokurores së Republikës dhe ish- presidentit të vendit, zotit Topi. Jo se nuk gjeja arsye bindëse për ato që ai artikulonte, por se nuk më pëlqente mënyra pasionante e të thënit të të vërtetave, që ai thoshte. Por megjithatë, i qëndroj bindjes se të kritikosh dikë, qoftë ky dhe presidenti ose prokurori i vendit, nuk është aq shqetësuese, se sa kur kryeministri merr përsipër përmes Policisë së Shtetit të luajë rolin e prokurorit e të gjykatësit. Nëse gjykatat duhet të japin vendime, sipas ekspertizës që paraqet policia e tij, atëherë pse duhet akuza? Nëse gjykata jep vendime sipas shijes së ministrit të Brendshëm e të kryeministrit, atëherë pse duhet gjykatësi dhe prokurori?! Veprime të tilla kanë zhvlerësuar perceptimin për një gjyqësor të korruptuar. Opinioni publik ka filluar ta shohë gjyqësorin si viktimë të ekzekutivit dhe po i ikën prirjes për ta parë atë si “gropë e korrupsionit”, nëse perifrazojmë kryeministrin tonë. Po t’i shtojmë kësaj panorame të kohëve të fundit gjithë atë çfarë ka ndodhur me administratën publike, arrogancën e sjelljes ndaj opozitës, si dhe shkeljet e tjera të anuluara përmes vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, atëherë përmasat e rrezikut të vendosjes së shtetit autoritar në Shqipëri marrin dimensione të frikshme. Ajo që është kapërcyer tashmë nga qeveria e majtë është mospasja frikë për të ushtruar dhunë mbi qytetarët. Të çliruar nga ndjenja e fajit për ushtrimin e dhunës në diktaturën komuniste, tashmë ata i janë rikthyer të njëjtës doktrinë e metodologjie për ushtrimin e dhunës. Kryeministri vendos përmes ministrit të tij të Brendshëm dhe Policisë së Shtetit se cili vjedh, cili bën krim, kush duhet ndëshkuar, kush duhet dënuar dhe madje si dhe sa duhet dënuar. Kjo mënyrë të konceptuari të shtetit nuk vendos ligjin e të drejtën, por ushqen frikën ndaj shtetit. Mund të duket sikur përmirësohen disa tregues për rendin e sigurinë, e në të vërtetë rikthen modelin e dhunimit të të drejtave të njeriut dhe lirinë e të shprehurit, lirinë ekonomike, lirinë e pronës, lirinë e besimit. Modeli i sotëm vret përfundimisht shtetin funksional të së drejtës dhe modelin liberal.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi