Kreditë, bankat dhe qeveria
Nga Jorida Tabaku, botuar në Panorama Online, 23 tetor 2014
Institucionet publike që merren me prodhimin e dokumenteve zyrtare kanë dy funksione kryesore. Së pari, ato shërbejnë si orientim për politikat e reja ekonomike të qeverisë, duke furnizuar njëkohësisht me të dhëna debatet e brendshme edhe diskutimet akademike. E së dyti, ato shërbejnë si një orientim e busull për të treguar se ku po shkon ekonomia e vendit. Nëse lëvizjet ekonomike kanë qenë apo jo të goditura, gjatë kësaj periudhe asnjëherë këto dokumente nuk kanë shërbyer si orientim.
Kohët e fundit kam shkruar duke u përpjekur të jem korrekte dhe me logjikë të ftohtë, pa u ndikuar nga preferenca politike në lidhje me politikat fiskale, duke argumentuar se ekonomia është në ngërç. Si për të vërtetuar, fatkeqësisht, këtë gjykim timin, sigurisht që askush nuk ndien kënaqësi kur dhe raportet dhe dokumentet e publikuara e konfirmojnë këtë. Në një raport të fundit të BSH për stabilitetin thuhet se risku ka lëvizur drejt agjentëve ekonomikë. Në një qeverisje të shëndetshme, vetëm kjo zile alarmi duhet të shërbente si tregues për t’u kthyer pas në disa nga vendimet që siç duket po ndikojnë keq mbi ekonominë.
Në një studim të kryer në 2010 familje nga Banka e Shqipërisë, na bëhet e ditur se 60% e borxhit që kanë familjet shqiptare është informal, pra ky borxh nuk është marrë tek institucionet financiare (http://monitor.al/bsh-29-e-familjeve-shqiptare-ne-borxhe/). Ndjeshmëria edhe e këtij studimi duhet të reflektohej në politikat që shteti duhet të kishte jo vetëm ndaj politikave fiskale, por edhe ndaj atyre të kredive të këqija.
Shtrohet pyetja se cila është arsyeja që shqiptarët janë më të dhënë për të marrë hua informale? Nga të dhënat që na paraqet Banka e Shqipërisë, kreditë e këqija që paraqiten në sektorin bankar kapin vlerën e një miliard eurove, ndërkohë që problematik është fakti që në sistemin bankar u depozituan 17 miliardë lekë më pak se një vit më parë.
Logjikisht, bankat duhet ta njohin këtë kredi si të humbur dhe ato duhet të derdhin para nga kapitali i aksionarëve për të mbuluar këtë humbje edhe për të zeruar bilancin. Mirëpo një gjë e tillë duhet të inkurajohet nga Banka Qendrore, e cila deri më tani është treguar e pafuqishme për t’i detyruar bankat e nivelit të dytë të ndërmarrin këtë veprim. Rrjedhimisht, nga mungesa e këtij veprimi kriza e kredive në sektorin bankar vazhdon duke shtyrë konsumatorët që të priren të marrin hua informale dhe jo hua tek institucionet bankare.
Nga ana tjetër, një pjesë të madhe të kredisë në tregun e brendshëm është duke e ezauruar shteti. Jo më larg se një vit më parë, në Kuvend u shtrua diskutimi mbi huamarrjen që shteti do të merrte ndaj bankave të nivelit të dytë. Kjo huamarrje, asokohe ishte e palogjikshme, duke pasur parasysh gjendjen e rënduar të kredive që kishte vendi ynë. Ndaj, shuma e huazuar nga shteti mund të ishte përdorur nga bankat për kredidhënie ndaj bizneseve dhe individëve, edhe pse kjo e fundit nuk është se do të përmirësonte gjendjen, por së paku nuk do ta përkeqësonte kësisoj.
Ndërkohë, pasuritë hipotekore që bankat kanë sekuestruar nga kreditë e papaguara mbeten ende me vlera shumë të larta. Duke i mbajtur çmimet të larta, bankat vazhdojnë të mbajnë ende në jetë krizën në sektorin imobiliar. Krizë që ka vite që e ka prekur vendin dhe që me kalimin e kohës po kthehet në një qelizë kancerogjene që po infekton gjithnjë e më shumë ekonominë e vendit.
Raporti citon se sektorët të cilët janë më të prekur nga kjo krizë janë ato që kanë dhe rënie në vlerën e shtuar, ndërtimi, tregtia dhe industria përpunuese, e rrjedhimisht dhe rënie të punësimit. Nga një krizë që edhe pse erdhi si pasojë e dallgës së krizës globale u përkeqësua nga trajtimi i gabuar që qeveria bëri ndaj financave dhe ekonomisë.
Në po të njëjtin raport konfirmohet një rënie me 4% e numrit të anëtarëve që sigurojnë të ardhura, rezulton se një në tri familje kanë marrë një borxh, dhe rezulton se një në tri familje e përdor borxhin për kursim.
Kjo gjendje në të cilën ndodhet ekonomia e bizneseve dhe individëve shoqërohet nga çmime të larta të kolateralit të sekuestruar nga bankat, duke penguar edhe likuiditetin. Jemi kështu pranë një rebusi, ekonomik kësaj radhe, ku edhe kredimarrësit nuk kanë mundësi të marrin hua, por edhe kredidhënësit nuk kanë mundësi të japin të tillë.
Përpara ardhjes në pushtet qeveria propagandoi se reforma e saj ekonomike kryesore do të ishte dhënia oksigjen e ekonomisë. Gjatë aprovimit të buxhetit të këtij viti, por edhe gjatë aprovimit të buxhetit të rishikuar, maxhoranca ushqeu mendimin se ajo shumën e huas që kish marrë nga ana e FMN-së ua kish dhënë palëve të treta. Mirëpo, me sa duket, të dhënat dhe studimi raportojnë të kundërtën, rebusi ekonomik ka sjellë një pamundësi për të pasur likuiditetin e nevojshëm. Fakt ky që ka sjellë si pasojë format e tjera të kreditimit.
Atëherë pse ndodhemi në këtë situatë? Shqiptarët janë më të prirë për të marrë hua informale sepse kreditë që ofrojnë institucionet financiare janë shumë larg mundësisë që xhepat e qytetarëve dhe bizneseve mund të përballojnë. Mungesa e politikave për të çliruar mekanizmin e kredive dhe gjithashtu dështimi i politikës së shlyerjes së borxheve ka sjellë këtë krizë që rrënjët e saj po i shtrin në ekonominë e vendit gjithnjë e më thellë.
Në këtë gjendje ku FMN është larguar edhe nuk dihet se kur do të vijë dhe si do të vijë, ku kemi një rritje të madhe të taksave ndaj shtresës së mesme e të varfër dhe kur shteti social është nëpër fotot edhe batutat e mediave sociale, gjendja duket e rënduar. Borxhi vazhdon të mbetet i lartë, kreditë nuk po çlirohen, të tretët gjithashtu nuk po shlyejnë detyrimet e tyre ndaj bankave dhe më e rëndësishmja, projeksioni qeveritar për rritjen ekonomike ka mbetur në grafikët kryeministrorë.