Tri karakteristikat Lindore të shkollës shqiptare

Intervistë me Nikoleta Mita, botuar në Mapo Online, 11 tetor 2014

nmitaShkolla lindore, apo sovjetike më saktë, ‘e përshtatur’ me ndonjë ndryshim në Shqipëri, ngrinte kultin e vullnetit, të të mësuarit përmendësh dhe integralisht të tekstit (mësimit) dhe e shihte nxënësin si shtojcë, jo si qendër të procesit të mësimdhënies. A ka vdekur ky ‘sistem’ në shkollën shqiptare, apo vazhdon të jetë nëpër këmbë?

Një model i zbatuar për gati një gjysmë shekulli është i vështirë që të zëvendësohet lehtësisht dhe menjëherë me një model tjetër. Tri karakteristika të modelit të shkollës lindore janë ende të pranishme në shkollën shqiptare: centralizmi, mësimdhënia me në qendër mësuesin, mbivlerësimi i strategjive të të mbajturit mend. Megjithë synimet reformuese për decentralizim në arsim, si legjislacioni ashtu edhe praktikat, nuk e mundësojnë ende decentralizimin dhe autonominë vepruese. Ndonëse pranohet se qasja me në qendër nxënësin është më e efektshme, mësuesi mbetet ende figura qendrore në shkollën shqiptare, ai vazhdon të luajë rolin kryesor. Sipas Raportit Ndërkombëtar të Programit për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA 2000), nxënësit nga Shqipëria raportonin një përdorim të lartë të strategjive të të mbajturit mend.

Kur flasim për një proces që ka në qendër nxënësin/studentin dhe një që ka në qendër pedagogun/mësuesin, çfarë kemi saktësisht parasysh?

Paradigma që ka në qendër mësuesin bazohet në konsideratën se një institucion arsimor ekziston që të ofrojë mësim, ndërsa paradigma që ka në qendër nxënësin, bazohet në konsideratën se një institucion arsimor ekziston që të prodhojë të nxënit. Qasja që ka mësuesin në qendër i jep atij rolin e parë, ndërsa qasja që ka në qendër nxënësin përfshin nxënësin në procesin e të nxënit, përqendrohet në nevojat, aftësitë, interesat e tij, dallimet individuale, kërkon që nxënësi të jetë pjesëmarrës aktiv dhe i përgjegjshëm i procesit të të nxënit, krijon mundësi që nxënësi të konstruktojë vetë të nxënit.

Herë herë, në dëshpërim të asaj që konsiderojmë si ‘sistem të degjeneruar arsimor’ të tranzicionit glorifikohet sistemi i shkollimit në komunizëm. Duket sikur ka një paradoks në lavdizimin e mungesës së lirisë dhe përçmimin e lirisë së plotë duke shfrytëzuar pikërisht lirinë…Si i krahason këto ‘shkolla’ megjithatë?

Ky konstatim i sjellë nga ana juaj është real. Nuk mendoj se njerëzit kanë lirinë si pikë referimi pasi, përgjithësisht, ata u referohen gjërave që u mungojnë aktualisht në “stinën e të pavërtetës së madhe”dhe që do të donin t’i kishin pasi i vlerësojnë si pozitive. Sipas meje, njerëzit kanë parasysh një sistem dhe shkollë që i zbatonte standardet e pranuara në atë kohë, ndërsa sot nuk ndodh kështu; një shkollë që drejtohej nga njerëz të cilët kishin kualifikimet dhe përvojën e duhur për drejtim, ndërsa sot nuk u jepet përparësi kritereve profesionale; njerëzit kanë parasysh një plejadë mësuesish të shkëlqyer, që për nga cilësia nuk kanë të krahasuar me mësuesit e ditëve të sotme. Nga ana tjetër, sistemi arsimor që po përpiqemi të ndërtojmë këto 20 vitet e fundit është një sistem edukimi, jo indoktrinimi siç ishte ai i mëparshmi dhe ky është një ndryshim thelbësor; një sistem që ka në qendër individin, jo shoqërinë dhe ky është një ndryshim tjetër thelbësor. Dhe këto ndryshime njerëzit i vlerësojnë. Përsa i përket lirisë, ajo ende nuk është e plotë.

Ngërçi i madh i shkollës shqiptare, asaj të lartës, duket se është rendja drejt degëve të quajtura të tregut dhe të statusit si Juridik, Ekonomik etj, dhe të harruarit e shkollimit profesional. A jemi në pikën kur duhet marrë kthesa me anë politikash inkurajuese për këto të fundit, apo koha bën punën e vet dhe do ta zgjidhë edhe këtë, pra laissez faire?

Jo, unë nuk mendoj se çështjet e arsimit janë çështje që i zgjidh koha, ato janë çështje që zgjidhen nëpërmjet politikave. Por kërkohet një bashkërendim i politikave të zhvillimit të vendit në tërësi dhe atyre ekonomike me politikat arsimore. Pra, nëse shkolla do të ofrojë formim profesional, por nuk ka treg pune, atëherë investimi i kryer nuk justifikohet. Përvojat më të mira në botë e fillojnë orientimin profesional që në arsimin parashkollor; kanë të ngritur shërbimin e këshillimit dhe orientimit profesional që i ndihmon nxënësit të njohin aftësitë e tyre profesionale dhe të zgjedhin degët e studimit dhe profesionin sipas aftësive që zotërojnë; qeveritë kanë studime dhe ofrojnë statistika për tregun e punës dhe profesionet më të kërkuara; sistemi arsimor ofron programe studimi profesional në përputhje me politikat e zhvillimit të vendit dhe kërkesat e tregut të punës. Në kontekstin shqiptar kërkohet një reformë tërësore, jo pjesore.

Në Shqipëri ka një universitet shtetëror i cili, as në formë, as në përmbajtje nuk është kthyer ende në publik, në kuptimin le të themi anglo-sakson të kësaj ideje. Çfarë i mungon dhe çfarë i duhet për të shkuar aty?

Në Shqipëri, zakonisht jepen konsiderata pa argumente, ne vihemi para preferencave që paraqiten me entuziazëm, por pa plane të zbatueshme. Çështja e zhvillimit të universitetit nuk është aq e thjeshtë sa paraqitet dhe nuk është çështje preference, ajo është çështje politikash. Nëse do të kemi si pikë referimi modelin e arsimit të lartë, ne jemi vënë para preferencës së modelit anglo-amerikan thjesht me argumentin si modeli më i suksesshëm. Por nuk ka një studim a vlerësim se sa i mundshëm dhe i suksesshëm do të jetë ky model në kontekstin shqiptar dhe sesi do të mund të zbatohet ai. Nëse do t’i referohemi një klasifikimi tjetër të modeleve që përbëhet nga: pjesërisht privat, publik masiv dhe modelit elitar, preferenca ka shkuar për pjesërisht privaten, por pa e argumentuar dhe pa e mbështetur me një plan zbatimi. Pra, nuk është çështja thjesht për të reformuar atë që ju e quani universiteti shtetëror, por është çështja për të transformuar gjithë sistemin e arsimit të lartë.

Reforma në arsim e qeverisë Rama, ende në proces, parashikon mundësinë e universiteteve private për t’u kthyer në publike, pra në OJF. Si do të reflektojë kjo në sistemin universitar në përgjithësi dhe a do e shtyjë edhe shtetërorin drejt publikes?

Ndryshimi i statusit të universiteteve private në OJF, i cili sipas projektit të reformës nuk është detyrues, nuk ka sesi të përbëjë faktorin shtytës për zhvillimin e sektorit të arsimit publik. Janë një sërë faktorësh të tjerë që do të mund të realizonin ndryshimin. Në botë ka dy modele politikash të arsimit të lartë: të djathta dhe të majta, të cilat bazohen në modele të ndryshme teorike dhe në interesat partiake përkatëse. Sipas disa përvojave, qeveritë që synojnë një cilësi të re të universiteteve, marrin përgjegjësitë mbi vete. Që nga viti 2012, qeveria gjermane ka ndërmarrë programin “Iniciativa e përsosmërisë”, që mbështet me financime shtesë 11 universitetet e përzgjedhura për t’u bërë universitete të konkurrueshme të nivelit ndërkombëtar. Kjo ka ndihmuar që këto universitete të investojnë në kërkime të nivelit ndërkombëtar, të optimizojmë strukturat e brendshme dhe të zgjerojnë rrjetin global. Po ashtu, mbështetja e fortë e shtetit ka bërë që universitetet e Singaporit, Kinës dhe Koresë së Jugut të renditen ndër universitetet më të mira.

Ka një teori të Alain Finkelkraut se studenti dhe koha kanë kaluar në postmodernizëm, kurse universiteti në modernizëm, dhe këtu ka një ‘çarje’. A mund të jetë ky edhe rasti shqiptar?

Do të ishte mirë sikur cilësia e studentëve shqiptarë të kishte arritur atë nivel që të bënte diferencën, por realisht nuk është e tillë.

A mund të ndreqet përplasja mes kënaqësisë që kërkon studenti/i riu dhe pedantes/bllokueses që parashikon një institucion kontrollues si universiteti (i dalë nga Kisha)?  

Në thelb ky është një ilustrim i përballjes së qëndrimit të bazuar në doktrinën e çliruar nga vlerat me doktrinën e vlerësimit. Por, ashtu siç argumenton Michael Scriven, ne duhet të transformojmë të menduarit tonë për vlerësimin duke kryer tri revolucione: të transformojnë statusin e vlerësimit nga i pandikueshëm në të respektuar; më pas nga një disiplinë e respektuar në një alfa disiplinë dhe të shtrijmë statusin e vlerësimit nga alfa disiplinë në paradigmën e disiplinës së zbatuar. Po, është plotësisht e mundshme që të transformojmë si të menduarit e studentit, ashtu edhe rolin e universitetit.

Universitetet anglo-saksone vazhdojnë të shfaqin epërsinë në listën e Top Ten universities. Çfarë e bën këtë sistem kaq efikas?

Është e vërtetë se ndërmjet tri modeleve të arsimit të lartë, atij anglo-amerikan, kontinental dhe skandinav, ai anglo-amerikan është më i suksesshëm. Sipas klasifikimit të The Times HigherEducation World University Rankings 2014-2015, të publikuar së fundmi, 19 nga 20 universitetet më të mira në botë i përkasin modelit anglo-amerikan, përkatësisht 15 janë të SHBA, 3 të Britanisë së Madhe, 1 i Zvicrës dhe 1 i Kanadasë.

Sipas studimeve ndërkombëtare, arsyet e suksesit të sistemit anglo-amerikan janë: politika të efektshme arsimore; financim shumë i mirë i kërkimit shkencor; filantropia private; aftësia për të tërhequr pedagogët dhe kërkuesit më të mirë nga e gjithë bota; modeli inovativ i qeverisjes së bazuar në borde të përbëra në rreth 50% nga të diplomuarit e universitetit, të vlerësuar si grupi më i interesuar për prestigjin e universitetit.

mund ta shpëtojë universiteti shoqërinë apo shoqëria do të shpëtojë universitetin? (Asnjëra nuk mund të bëjë pa tjetrën, gjithsesi).

Historia ka dëshmuar se universiteti krijon, transmeton dhe përhap dijen, modelon ndryshimin, projekton të ardhmen. Por universiteti është një institucion social dhe shpreh në një mënyrë të caktuar mënyrën e funksionimit të shoqërisë në tërësi. Marrëdhënia është e ndërsjelltë.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi