Cani: Ja si do veprohet me çmimin e energjisë

Intervistë e Ministrit të Financave Shkëlqim Cani, botuar në Monitor.al

ECEnergySaving1-702x1024-670x280Nga Uashingtoni, ku ministri i financave Shkëlqim Cani po zhvillon aktualisht takime me përfaqësuesit e FMN-së dhe Bankës Botërore, flet në një intervistë të posaçme për Monitor.al lidhur me çështjet kryesore që po diskutohen. Tre janë pikat kryesore të diskutimit sipas tij, paketa fiskale, energjia dhe buxheti, ku pika më e nxehtë mbetet energjia. 

Mësohet ndërkohë, që FMN po ngul këmbë që garancitë që qeveria ka dhënë në vite për kreditë që kompanitë e energjisë kanë marrë nga bankat të njihen si shpenzime në buxhet dhe ky është debati kryesor me qeverinë, pasi kjo e fundit është e shqetësuar se ky veprim do të rriste shpenzimet buxhetore dhe do të detyronte prekjen e investimeve kapitale, në mënyrë që të mbaheshin nën kontroll shpenzimet në total. 
Misioni i radhës i FMN-së u largua në shtator pa arritur një konsensus për rishikimin e dytë të marrëveshjes me qeverinë shqiptare për mekanizimin e zgjeruar të fondit (Extended Fund Facility -EFF), duke pohuar se do të kthehej në një moment të dytë. 
Ndërkohë që shefi i misionit të FMN-së në Shqipëri, Nadeem Ilahi, ka pohuar për Monitor.al se aktualisht nuk ka ndonjë zhvillim të ri lidhur me datën se kur do të kthehet misioni. 

Intervista me ministrin e Financave, Shkëlqim Cani: 

Cilat janë çështjet kryesore që po diskutoni me FMN-në gjatë pjesëmarrjes tuaj në takimin vjetor të FMN-së e Bankës Botëore? 

Janë tre më kryesoret. 
E para është paketa fiskale, e cila ndryshe nga perceptimi i publikut nuk është e përqendruar tek ajo që jemi mësuar të themi, rritja e taksave, e cila do jetë, pra do këtë rritje apo ulje taksash, por do të synojë në përmirësime administrative dhe në përmirësime të vetë nivelit të taksave në disa drejtime. Kur të përfundojmë me paketën, menjëherë do të fillojmë bisedimet me biznesin dhe më pas natyrisht që do të veprohet. Koha është e shkurtër, nuk bëhet fjalë për muaj të tërë. Në fakt, ne me biznesin kemi filluar diskutimet që në muajin gusht. Biznesi ka sjellë mendimet e tij, ku si përherë ka kërkuar ulje taksash, por kjo nuk përbënte çudi nga ana jonë, për arsye se nuk ka ndodhur ndonjëherë në këto 20 vite, që të kemi marrë kërkesë nga biznesi për të rritur taksat. Ne do bëjmë vlerësimet tona, mbi bazën edhe të nevojave të buxhetit. 
Në paketën fiskale mund të preken, në varësi dhe nga ecuria e bisedimeve dhe mundësia potenciale , nga 10 deri në 20 artikuj, gjithnjë jo vetëm në masa që lidhen me nivelin e e taksave, por dhe për procedurat në tërësi dhe janë kërkesa të vazhdueshme të biznesit. 
Çështja e dytë, më e vështira dhe më voluminozja, që është diskutuar shumë është reforma në energjetikë, reformë e cila është shumë më komplekse edhe se pritshmëritë e publikut, apo nga ajo që jemi mësuar vazhdimisht, që veprohet ose me nivelin e çmimeve, ose ndonjë rregullim tjetër. Këtë radhë flasim për reformë tërësore që i prek të gjitha institucionet që lidhen me energjetikën, nga baza ligjore deri në uljen e nivelit të humbjeve, si vjedhjet (humbjet jo teknike) ashtu dhe ato teknike. Në këtë kuadër është dhe kredia 150 milionë dollarë që kemi marrë nga Banka Botërore, që do të jetë për pjesën teknike. Për këtë çështje jemi në bisedime të vazhdueshme, si me Bankën Botërore, ku një mision është aktualisht në Tiranë, ndërkohë që kemi qenë dhe jemi duke këmbyer mendime me përfaqësuesit e FMN-së. Deri ditën e hënë ne do jemi në bisedime me ta, për të vendosur, për arsye se afatet e prezantimit në qeveri të buxhetit janë deri në fund të tetorit. Qeveria duhet të diskutojë deri në fund të tetorit, si paketën fiskale, buxhetin dhe reformën e energjetikës, ndërsa në Kuvend diskutimet do të jenë nga nëntori. 
Çështja e tretë është buxheti, që do të bëjë përmbylljen e këtij skenari, i cili në fund të fundit duhet të shohë fillimin e rënies së nivelit të borxhit. Të dy palët nuk kemi dallim në diskutim në këtë drejtim. Pavarësisht nga kërkesat tona dhe diskutimet që bëjmë, ky tregues është i padiskutueshëm që do të shohë kahun rënës, siç kemi premtuar. 

Po rritja e çmimit të energjisë do të diskutohet me FMN-në?

Kjo pak a shumë është mbyllur si çështje, nuk do të diskutohet lidhur me rritjen e çmimit në këto bisedime aktuale, pra nuk është fare në axhendë diskutimi për rritjen e çmimit. Më shumë jemi përqendruar te heqja e bllokut prej 300 kV dhe si do të kompensohen shtresat e varfëra. 

Heqja e bllokut indirekt do të çojë në rritje çmimi…

Jo nuk është kështu. Do të merret çmimi mesatar. Edhe të mos veprosh fare me çmimin nuk do të thotë që ke bërë drejtësi, sepse mundet që një shtresë të ketë paguar më shumë, një më pak. Heqja e bllokut nuk ka fare qëllim rritjen e çmimit, por uljen e abuzimeve me bllokun, që është qëllimi kryesor dhe thjeshtimin e procedurave. Familjarët, jo në pak raste, i kemi ndjekur përmes televizioneve në radhat e gjata dhe ankesat, që kryesisht kanë qenë me bllokun, duke akuzuar faturistët për manovrime me fashat e energjisw. Heqja e kësaj fashe do e thjeshtojë procedurën, do të jetë i njëjti çmim, që nga fillimi deri në fund. Nuk do të jetë qëllimi tek fitimi nga çmimi, do të synohet ulja e evazionit, ose e asaj që quhet vjedhje. Do të punohet dhe me humbjet teknike dhe kredia 150 milionë dollarw synon humbjen e tyre. 
Ky është një program kompleks që do të shtrihet në vite dhe natyrisht që do të kërkojë kohën e vet, por fillimet janë agressive dhe jemi të përqendruar te blloku dhe ulja e humbjeve nga vjedhja. Do e shikoni që do të fillojë një fushatë e qeverisë. Ne do të angazhohemi si qeveri në të gjitha drejtimet e mundshme, si nga ana ligjore, si nga ana e rendit (në mbështetje), si nga Ministria e financave, si nga ministritë e tjera, të cilat janë të lidhura me këtë çështje, secili nga ne do bëjë punën e vet në këtë drejtim.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi