Raporti i KE për Shqipërinë: Dialogu e reformat në Parlament

Publikohet Raport Progresi 2014

Teksti i plotë i Raportit

BE ShqiperiKomisioni Europian publikoi sot progres raportin për vendet e Ballkanit, mes tyre edhe Shqipëria. Progres raporti ka analizuar situatën politike dhe ekonomike të vendit për periudhën shtator 2013-tetor 2014.

Në rekomandimet për vendin tonë, komisioni vë sërish theksin tek cështjet që lidhen me shtetin e së drejtës, luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe nevojën e një reforme tërësore të sistemit gjyqësor në konsultim të ngushtë me komisionin e Venecias. Komisioni thekson se, procesi i reformave duhet të shoqërohet nga një dialog konstruktiv mes qeverisë dhe opozitës, duke nënvizuar se të dyja palët duhet të sigurojnë që debati politik të zhvillohet së pari në parlament. Rritja e bashkëpunimit partiak, sipas KE-së mbetet esenciale për reforma të qendrueshme.

Sipas Brukselit, qeveria duhet ti garantojë të drejtat e kontrollit opozitës në parlament, ndërsa vetë opozita duhet te angazhohet në mënyrë konstruktive, pasi bashkepunimi partiak mbetet esenciale për reforma të qëndrueshme. Në parlament është i nevojshëm funskionimi i komisioneve hetimore. KE konstaton në progres raport se në Gjykatën Kushtetuese janë dërguar disa nisma të qeverisë nga opozita apo Presidenti dhe kërkon zbatimin pa asnjë vonesë të vendimeve të kësaj gjykate. 

“Eshtë e një rëndësie kritike që procesi i reformave të shoqërohet nga një dialog politik konstruktiv dhe i qëndrueshëm mes qeverisë dhe opozitës”, thuhet në rekomandimet duke theksuar se “është përgjegjësi e të dyja palëve, qeverisë dhe opozitës, që të sigurojnë që debati politik të zhvillohet së pari në parlament dhe të kontribuojnë për krijimin e kushteve për funksionimin e duhur të tij. Qeveria duhet të garantojë që opozita të ketë mundësinë që të kryejë plotësisht funksionin e vet demokratik të kontrollit. Në të njejtën kohë, opozita duhet gjithashtu të angazhohet në mënyrë kontruktive në proceset demokratike. Mbështetja te kompromisi dhe roli konstruktiv në parlament është jetësore për qëndrueshmërinë e reformave”, nënvizon dokumenti i Komisionit Europian. 

Komisioni, në dokumentin e bërë sot publik, vlerëson përparimin e bërë nga vendi dhe reformat e realizuara vitet e fundit. “Qeveria ka dëshmuar vullnet politik për të vepruar me vendosmëri në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit” theksohet në raport. “Kuadri ligjor është përforcuar dhe politikat e koordinimit dhe monitorimit në nivel qëndror janë përmirësuar. Lufta kundër krimit të organizuar solli rezultate pozitive në disa fusha, me një intensifikim të aktivitetit të forcave të rendit, vecanërisht në sekuestrimin e drogave, në krimet e lidhura me drogat, krimet ekonomike dhe trafikun e qënieve njerëzore”, vëren dokumenti i Komisionit europian, që nënvizon se nevojitet një strategjie e qëndrueshme në luftën kundër krimit të organizuar, ndërkohë që kërkohen rezultate konkrete në hetime dhe dënime. 

KE rekomandon ndër të tjera konfiskimin e pasurive të krimit të organizuar, ndërsa në lidhje me luftën ndaj korrupsionit, thuhet se ‘duhen hetime efikase dhe dënime konkrete’. 

KE vlerëson se një nga problemet për Shqipërinë mbetet korrupsioni në drejtësi dhe paanshmëria e sistemit gjyqësor. “Nuk janë marrë masa për integrimin e Gjykatës së Lartë në sistem. Statusi i Gjykatës së Lartë mbetet një shqetësim gjithashtu edhe procesi i emërimit të anëtarëve në këtë gjykatë”. KE rekomandon që reforma gjyqësore të bëhet në bashkëpunim mes palëve. 

Në rekomandimet për Shqipërinë theksohet se “megjithatë ka ende shumë mangësi, vecanërisht në fushën e shtetit të së drejtës. Përpara ka shumë punë për t’u bërë. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë sfida domethënëse. Shqipëria duhet të bëjë përpjekje thelbësore dhe të qëndrueshme për të trajtuar zbatimin e përparësive kyce të përcaktuara për hapjen e bisedimeve për anëtarësim” nënvizon dokumenti.

Sa i takon reformës zgjedhore komisioni kërkon që të zbatohen rekomandimet e OSBE-ODIHR për zgjedhjet dhe të punohet me forcimin e trupës së administratës zgjedhore para zgjedhjeve lokale të 2015. Disa krerë bordesh, institucionesh janë hequr nga drejtimi nga mazhoranca dhe kjoka cënuar pavarësinë e këtyre institucioneve. Nevojiten hapa konkrete për përforcimin e pavarësisë dhe performancën e intitucioneve. “Qevria ka ndërmarrë hapa konkrete në përmbushjen e prioriteteve që afrojnë vendin drejt integrimit të Bashkimit Europian dhe në forcminin e shtetit ligjor. Veprimet e mëtjshme janë të nevojshme për të forcuar kapacitetet administrative të qeverisjeve lokale, duke i lejuar ato që të ushtrojnë autoritetin e tyre dhe të zbatojnë legjislacionin në mënyrë financiarisht te qëndrueshme, duke forcuar transparencën, eficencën dhe gjithëpërfshirjen. Administrata po përpiqet të forcojë kapacitetin e saj të plotë”.

“Shqipëria duhet të veprojë me vendosmëri për: vazhdimin e reformës së administratës publike me qëllim që të forcojë profesionalizimin dhe depolitizimin e saj; të ndjekë një reformë tërësore të gjyqësorit për të përforcuar pavarësinë e tij, efikasitetin dhe përgjegjshmërinë përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe në konsultim të ngushtë me komisionin e Venecias; të intensifikojë përpjekjet antikorrupsion dhe të ndërmarrë hapa të tjerë të vendosur në luftën kundër krimit të organizuar për të bërë të mundur rezultate të qëndrueshme në hetimet proaktive, ndjekjen penale dhe ndëshkimin, në të dyja fushat, pasi ka mungesa në ndërtimin e një strategjie kundër krimit”, vëren dokumenti. 

Komisioni Europian duke u ndalur në vjedhjen e Bankës së Shqipërisë rekomandon të ruhet pavarësia e institucionit dhe të sigurohet fuksionimi i plotë i saj. 

Mes rekomandimeve flitet me tone kritike lidhur me lirinë e shprehjes dhe të mediave “Qeveria dështoi të vepronte sipas përparësive të përcaktuara. Të gjitha funksionet statutore të Autoritetit të Medias audiovizive duhet të rivendosen dhe pavarësia e tij të garantohet në praktikë”, theksohet në rekomandime. 

Për Shqipërinë është përcaktuar qartë që në vendimet e mëparshme të Këshillit Europian, se vendi duhet të plotësojë 5 prioritetet që lidhen me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reformën e sistemit gjyqësor, administratën publike dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në mënyrë që të mund të nisin bisedimet për anëtarësim. 

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi