FMN: Ekonomia shqiptare në rritje me ritme të dobëta

Fondi Monetar raporton edhe për rreziqet që i kanosen ekonomisë globale dhe eurozonës

Olivier BlanchardRritja ekonomike për Shqipërinë do të vazhdojë të mbetet sipas parashikimit në masën e 2.1 për qind. Kjo masë e rritjes ekonomike u bë e ditur nga raporti që Fondi Monetar Ndërkombëtar publikoi dje për zhvillimin ekonomik jo vetëm në Shqipëri por edhe në nivel botëror. Në raportin e publikuar dje, FMN-ja ka mbajtur të pandryshuar parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë, e cila sipas këtij institucioni parashikohet të mbetet me 2.1 për qind. Edhe pse rritja ekonomike ka vijuar sipas parashikimit, sërish ajo mbetet nën mesataren e Evropës për vendet në zhvillim. Gjithsesi rritja dhe zhvillimi ekonomik pritet të rritet me 2.7 për qind, krahasuar me deklarimet e muajit prill. Ky niveli i rritjes vlerësohet për shkak të perspektivës pozitive ekonomike të Hungarisë dhe të Polonisë. Në 2015-ën rritja për Shqipërinë pritet të përshpejtohet në 3.3 për qind dhe në 2016-ën, ajo supozohet të gjallërohet në nivelin e 4.7 për qind. Sa i përket rritjes së ekonomisë globale, Fondi Monetar Ndërkombëtar uli të martën parashikimin për rritjen ekonomike, duke cituar dobësitë e vazhdueshme në eurozonë dhe një ngadalësim në disa ekonomi të mëdha në zhvillim. Për këtë vit rritja globale pritet të jetë 3.1 për qind, ose rreth 0.1 pikë përqindje më pak se në parashikimin e mëparshëm të prillit.

Për vitin e ardhshëm, Fondi Monetar Ndërkombëtar, parashikon që rritja të përshpejtohet në 3.8 për qind, nga 4 për qind që ishte parashikimi fillestar. Olivier Blanchard, këshilltar ekonomik dhe Drejtori i Departamentit të Kërkimit në FMN tha se rimëkëmbja vazhdon, por është e dobët. Në vendet e ndryshme, evolucionet ekonomike po bëhen gjithnjë e më të diferencuara, shtoi ai. Për eurozonën, perspektiva ekonomike mbetet e dobët. FMN ka ulur pritshmëritë për tre ekonomitë më të mëdha të eurozonës, Gjermani, Francë dhe Itali, kjo e fundit sipas Fondit, që po shkon drejt vitit të tretë radhazi të recesionit. Sipas Blanchard, eurozona rrezikon tkurrjen e konsumit dhe kalimin në deflacion. “Por, ky nuk është shqetësimi ynë kryesor, gjithsesi nëse do të ndodhë do të ishte problem”, tha ai.

Rreziku në ekonominë globale 

Blanchard, në raport, nënvizoi tre rreziqe me të cilat përballet ekonomia globale. Së pari një periudhë e zgjatur e normave të interesit, që kërkon më shumë kujdes në politikat makroekonomike. Së dyti, rreziqet gjeopolitike janë bërë më evidente me krizën mes Rusisë dhe Ukrainës. Së treti, kriza në Lindjen e Mesme rrezikon shtrenjtimin e çmimeve të energjisë. Në tërësi, FMN parashikon që rimëkëmbja ekonomike në vendet e Evropës në zhvillim, të vazhdojë të jetë e vakët, me rritjen që mbetet e fortë dhe përshpejtohet në Hungari, Poloni dhe Turqi. Nga ana tjetër në Evropën Juglindore rritja ekonomike pritet të ngadalësohet, si rrjedhojë e pasojave nga përmbytjet në Serbi e Bosnjë. Tregjet financiare kanë qenë mbështetëse, megjithëse kreditimi për korporatat mbetet i dobët. Rajoni deri tani ka qenë elastik ndaj tensioneve gjeopolitike në Rusi dhe Ukrainë. Inflacioni ra në pjesën më të madhe të ekonomive në rajon, duke reflektuar çmimet më të ulëta të ushqimeve dhe energjisë, si dhe presionet dizinflacioniste nga eurozona, veçanërisht për ekonomitë që i kanë monedhat e tyre të varura nga euro. Bosnja dhe Herzegovina, Bullgaria, Kroacia dhe Mali i Zi ranë në deflacion ndërkohë që përballen me një ekonomi të dobët.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi