Buxheti suplementar: Si ta lexojmë?

Nga Flir Mosho, botuar në Panorama Online, 7 tetor 2014

1
Qeveria “Rama” po ndjek të njëjtën praktikë të ngjashme me atë të qeverisë së mëparshme mbi miratimin e buxheteve shtesë përgjatë vitit ushtrimor. Ndryshimeve në buxhet qeveritarët i referohen me termin “buxhet suplementar”. Kjo terminologji e ndihmon qeverinë ta paraqesë atë si një suplement-shtesë, dhe jo si një ndryshim. Kryeministri paraqiti buxhetin e ndryshuar të 2014-s si një nga buxhetet më të mëdha ndër vite, edhe pse shpenzimet buxhetore janë të njëjta me buxhetin fillestar. Por në të vërtetë çfarë përmban ndryshimi i buxhetit të vitit 2014 dhe pse qeveria ka kërkuar ta ndryshojë atë? Ndryshimet e buxhetit mund të jenë pasojë e shumë faktorëve, por më poshtë po rendis disa nga më të rëndësishmit dhe disa tipare të këtij buxheti.
Një nga faktorët kryesorë që e çojnë një qeveri drejt ndryshimit të buxhetit është ndryshimi i mjedisit makroekonomik, ku për pasojë ndryshojnë si niveli i të ardhurave, ashtu edhe i shpenzimeve. Treguesit e aktit normativ na paraqesin pothuajse një situatë të njëjtë të rritjes ekonomike. Prodhimi i Brendshëm Bruto parashikohet të rritet me 2.1 për qind, pothuajse i njëjtë me atë të buxhetit fillestar prej 2.0 përqindësh. Një ndryshim minimal ka pësuar norma e deflatorit, treguesi i ndryshimit të çmimeve të produkteve dhe shërbimeve të prodhuara në vend gjatë një viti dhe që shërben për të llogaritur PBB nominale, ku sipas llogaritjeve duket se është 1.84 për qind nga 1.6 për qind që ishte në buxhetin fillestar. Treguesi i deflatorit është mjaft i debatuar dhe në përgjithësi qeveritë e përdorin atë për të rritur vlerën nominale të PBB. Pra, PBB në vlera nominale për vitin 2014, sipas aktit normativ, do të jetë 1,412 miliard lekë (rreth 13.5 miliardë USD) nga 1,395 miliard lekë (rreth 13.3 miliardë USD) që ishte në buxhetin fillestar. Në fakt, në Programin Buxhetor Afatmesëm 2015-2017, PBB për vitin 2014 është parashikuar 1,418 miliard lekë. Nga ana tjetër, nuk ka pasur asnjë ngjarje madhore, të paparashikuar, që ta detyrojë qeverinë të ndryshojë nivelin e shpenzimeve. Pra, mund të themi që mjedisi makroekonomik nuk është një faktor sot që e ka detyruar qeverinë të ndryshojë buxhetin.

2
Ecuria e të ardhurave fiskale është një arsye pse qeveria mund të ndryshojë buxhetin e shtetit. Sipas aktit normativ, qeveria parashikon se të ardhurat buxhetore rriten me 3.2 miliardë lekë krahasuar me buxhetin fillestar. Sigurisht, shifër e përfituar jo nga rritje ekonomike. Por kush ka kontribuar në këtë rritje të të ardhurave të buxhetit të shtetit? Të ardhurat e mbledhura nga pushteti vendor parashikohen të rriten me 2.1 miliardë lekë krahasuar me nivelin e miratuar në buxhetin fillestar. Kjo duket një performancë e mirë nga vendorët, por siç duket harta e re territoriale dhe pamundësia për të konkurruar përsëri vitin tjetër ka dhënë efektet e saj. E vështirë të thuhet nëse ky është një lajm i mirë për qytetarët, por sigurisht i mirë për kryetarët e njësive vendore, të cilët do të menaxhojnë më shumë para. Tjetër burim i rritjes së të ardhurave janë të ardhurat jotatimore, të cilat janë parashikuar të rriten me 1.4 miliard lekë, përfshirë këtu edhe rritje nga transferimi i tatimit të fitimit të Bankës së Shqipërisë prej 451 milionë lekësh. Tregues ky kontradiktor me atë çfarë thuhet se vjedhja e Thesarit të BSH do të ulë transferimin e fitimit, por ndoshta ky rregullim është parashikuar për vitin tjetër. Ndërsa të ardhurat nga Tatimet dhe Doganat janë parashikuar të jenë të njëjta me atë të buxhetit fillestar. Pavarësisht se këtu nuk kemi rritje të të ardhurave, qeveria paska parashikuar me saktësi që në dhjetor 2013 shumën e sa parave do të grumbullojë nga këto dy administrata. Megjithatë, nga akti normativ duket se ky nuk ka qenë një ushtrim i lehtë, pasi të ardhurat nga akcizat, tatimfitimi dhe të taksat nacionale parashikohen me rënie të konsiderueshme dhe kjo rënie do kompensohet ekzaktësisht me rritje të të ardhurave nga TVSH. Si përfundim, kjo TVSH do të paguhet nga biznesi dhe taksapaguesi i thjeshtë, në mënyrë progresive, sigurisht.
Një arsye tjetër e ndryshimit të buxhetit mund të jetë edhe presioni për të ndryshuar shpenzimet buxhetore, si në total, ashtu edhe në përbërje. Në total shpenzimet buxhetore nuk ndryshojnë nga buxheti fillestar, por përbërja e tyre do të ndryshojë. Këtu qeveria është treguar më dorëlëshuar për pushtetin vendor dhe parashikon të rrisë me rreth 1.3 miliard lekë transfertën për zhvillimin e infrastrukturës vendore. Ndoshta një vlerësim ky për performancën e mirë në mbledhjen e të ardhurave ose ndoshta si një shpërblim në vitin e tyre të fundit në krye të pushtetit vendor. Po ashtu edhe shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes
janë parashikuar të rriten me rreth 1.2 miliard lekë dhe qeveria ka paraqitur listën se për çfarë nevojiten. Në fakt këto shpenzime duhet të ishin planifikuar që në buxhetin fillestar, pasi nuk janë shpenzime për fenomene të panjohura. Rritja e këtyre dy zërave të shpenzimeve ka ardhur si pasojë e uljes së shpenzimeve për shërbimin e borxhit (interesa plus kthimi i borxhit
të huaj) prej 4.7 miliardë lekësh, pasojë e uljes së normës së interesit në treg dhe uljes së pagave për shkak të shkurtimit të numrit të punonjësve. Një lajm i mirë vjen për personat me aftësi të kufizuar dhe të ndihmës ekonomike, ku është parashikuar një rritje e buxhetit të tyre me 2 miliardë lekë për shlyerjen e detyrimeve.

3
Edhe shpenzimet për investime parashikohen pothuajse të njëjta me ato të buxhetit fillestar. Në fakt, këtu kemi një rialokim të investimeve me financim të huaj në investime me financim të brendshëm. Investimet me financim të huaj janë parashikuar të ulen me 8.7 miliardë lekë si pasojë e ecurisë së ngadaltë të këtyre projekteve. Për këtë arsye qeveria ka vendosur që të rrisë investimet me financim të brendshëm po me të njëjtën shifër, 8.7 miliardë lekë.
Së fundi, pavarësisht rritjes së të ardhurave buxhetore, qeveria parashikon të rrisë borxhin e brendshëm me 4.4 miliardë lekë krahasuar me buxhetin fillestar. Qeveria argumenton se ajo ka ulur huamarrjen e jashtme me 8.6 miliardë lekë. Në total huamarrja e qeverisë është reduktuar, por borxhi i brendshëm vazhdon të jetë një kërcënim për stabilitetin makroekonomik, edhe pse qeveria është kujdesur t’i përmbahet programit me FMN. Por ajo që presim nga ky buxhet është që viti 2015 të fillojë pa borxhe të prapambetura ndaj biznesit dhe pa rritje të taksave. Një urim i fundit është që në dhjetor Tatimet dhe Doganat mos të zhgënjejnë me realizimin e të ardhurave të planifikuara.

*Master në Boston Unversity

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi