Reforma në Drejtësi, politika bashkë, por me qëndrime të kundërta
Konferenca për Reformën në drejtësi, 6 tetor 2014
Presidenti Bujar Nishani mblodhi në një tryezë të përbashkët dhe publike për mediat, kryeministrin Edi Rama, kreun e opozitës, Lulzim Basha dhe kryeparlamentarin Ilir Meta për të diskutuar mbi reformën më specifike, atë në drejtësi.
Edhe pse palët shprehën vullnet për gjithëpërfshirje, që sic thanë ata, ky vullnet është shprehur ndër vite, me qëndrimet që mbajtën u dëshmua se palët janë shumë larg njëri-tjetrit dhe si rrjedhim shanset për një Reformë në Drejtësi janë të vogla.
Por sinjal pozitiv mbetet fakti se sot faktorët politikë pranuan të ulen sëbashku në një tryezë, gjë që nuk kishte ndodhur prej kohësh.
Rama, Basha, Meta, hynë në sallë nën blicin e aparateve dhe shumë kamerave, por edhe pse shtrëngimet e duarve me Presidentin e ambasadorët i kryen të gjithë aktorët e pranishëm, nuk pati shtrëngim duarsh mes Ramës dhe Bashës. Gjithsecili pasi takoi presidentin u ul në vendin e tij, Nishani në mes të tryezës, në krah të majtë të tij, Rama, krah tij ministri Nasip Naco kurse në të djathtë të presidentit Meta dhe krah tij Basha.
Presidenti Nishani mori fjalën i pari dhe duke iu drejtuar krerëve të tjerë të shtetit u shpreh se, nga kjo tryezë duhet të nisë puna për të zgjidhur deformimin në sistemin gjyqësor, duke u bazuar tek eksperienca ndërkombëtare. Reforma, sipas tij, duhet të jetë gjithëpërfshirëse për të garantuar një gjyqësor të pavarur.
Kryeministri Edi Rama e paraqiti tepër serioze situatën aktuale me sistemin e drejtësisë. Sipas tij, reformimi jo vetëm që është domosdoshmëri por kërkon gjithëpërfshirje, proces që sic cilësoi Rama, nuk duhet të ngecë. Kreu i qeverisë falënderoi Presidentin për tryezën e mbledhur, por shtoi se nuk duhet që palët të presin të thirren për cështje të tilla, por të gjejnë vullnetin dhe të punojnë pasi cështje si drejtësia, tha Rama, ‘janë emergjente.
Edhe Kryeparlamentari Ilir Meta përshëndeti pjesëmarrjen e opozitës në tryezën e thirrur nga presidenti për reformën në drejtësi, duke shpresuar që ky të jetë hapi i parë në rikthimin e saj në jetën parlamentare.
Nga ana e tij, kreu i opozitës Lulzim Basha u shpreh se kjo tryezë është shembulli i gjithëpërfshirjes, ndërsa u shpreh se opozita është sot e gatshme të bashkëpunojë për reformën në drejtësi, e cila duhet të mbetet brenda kornizave evropiane. Sipas tij, gjithçka që kërkohet rrezikon të mbetet iluzion, përderisa shkelësja kryesore është vetë qeveria.
NISHANI: PRANIA JUAJ PËRKUSHTIM, REFORMIM GJYQËSORIT
Kreu i Shtetit Bujar Nishani mori i pari fjalën, në tryezën e thirrur nga vetë ai me qëllim reformimin e sistemit të drejtësisë. Nishani u shpreh se është i motivuar për të dhënë mbështetjen e tij të pakursyer, ndërsa tha se kjo reformë do i shërbejë mbi të gjithë qytetarët, që më shumë se të gjithë kanë nevojë për drejtësi.
Gjatë fjalës së tij, ai e vuri theksin tek reformimi i sistemit gjyqësor, i cili duhet të mbështetet tek praktikat më të mira ndërkombëtare. Pikërisht, këtë tryezë, Presidenti i e cilësoi si një mision madhor që do të hedhë shtyllat mbi të cilat do të ngrihet reforma.
“Ndjehem i motivuar që sot jemi mbledhur për të rrahur bashkërisht një temë që është shqetësimi i shoqërisë sonë. Si president kam marrë përgjegjësinë për kontribut konkret në reformimin e drejtësisë. Prania i e të gjithëve do të thotë që kjo reformë do ketë përkushtimin, vëmendjen dhe mbështetjen që ajo meriton. Përkushtimi i koordinuar me mbështetjen dhe vëmendjen e ndërkombëtarëve përbën të vetmen rrugë për kryerjen me sukses të kësaj reforme”, tha ai në nisje.
Më tej Presidenti apeloi për një reformë tërësore e gjithëpërfshirëse me qëllim që të garantohet një gjyqësor i pavarur.
“Nisur nga fakti që reforma në drejtësi nuk është thjesht një rekomandim për një domosdoshmëri kjo tryezë është një nismë serioze për të kryer një reformë serioze. Kjo duhet të jetë reformë tërësore, gjithëpërfshirëse dhe e orientuar drejt parimeve ndërkombëtare për një gjyqësor të pavarur dhe të të paanshëm”.
Ai tha më tej se, “Superioriteti i Kushtetutës në hierarkinë e së drejtës është shumë i rëndësishëm në ruajtjen e shtetit të së drejtës. Drejtësia duhet të jetë një themel të funksionimit të shtetit të së drejtës. Pavarësia, paanshmëria dhe eficensa e gjyqësorit duhet të respektohet nga cilido qoftë shtetar apo qytetar i thjeshtë”, apeloi ai.
Më tej Bujar Nishani tha se nga kjo tryezë duhet të nisë puna për të zgjidhur deformimin në sistemin gjyqësor.
“Statusi i gjykatësit ka nevojë të përcaktohet drejt, gjyqtari i korruptuar nuk do me një pagë më të lartë, do të motivohej. Një status profesional i caktuar në bazë të viteve të punës, identifikim i kapaciteteve më të mira. Reformim i vetë ligjit që përcakton burimet e furnizimit të vetë gjykatave dhe prokurorisë”
“Në rrugëtimin tonë kemi mësuar që çdo institucion, çdo qytetar dëshiron që të shijojë frytet e reformës, e cila synon të hedhë shtyllat kryesore mbi të cilat do ngjizet reforma në drejtësi. Nisur nga ky qëllim ftoj të pranishmit të përvetësojnë kritikat e agjencive ndërkombëtare, ti shfrytëzojmë si pikënisje se ku duhet të bazohet reforma në gjyqësor. Këtë tryezë, të mos e shikoni si aktivitet protokollar që ul kreun e shtetit, hap konkret në një misin madhor”, tha ai ndër të tjera.
META: REFORMA KËRKON KONSENSUS, ÇDO HALLKË E MUNGUAR SHANS MË PAK PËR SUKSES
Kryeparlamentari Ilir Meta përshëndeti pjesëmarrjen e opozitës në tryezën e thirrur nga presidenti për reformën në drejtësi, duke shpresuar që ky të jetë hapi i parë në rikthimin e saj në jetën parlamentare.
Kreu i Kuvendit theksoi se, reforma në drejtësi kërkon konsensus, dhe çdo hallkë e munguar do të ishte një shans më pak për progres në arritjen e standardeve që do ta afrojnë më tepër vendin drejt Bashkimit Europian.
“Kam besimin e thellë se pavarësisht ndarjeve politike , ndajmë mendimin e përbashkët se reforma në drejtësi është një domosdoshmëri. Një sistem i tille siç raportohet dhe perceptohet se funksionon në vendin tonë duhet të ndryshojë. Diskutimi i sotëm do të jetë një kontribut i dobishëm në ndryshimin e kësaj situate.”- deklaroi Meta.
Sipas kreut të Kuvendit, “rekomandimet e KE lidhur me reformën në drejtësi do të jenë udhërrëfyes i këtij procesi. Reforma në drejtësi do të rrisë besimin e qytetarëve tek sistemi dhe demokracia, do të ndihmojë ekonominë dhe përshpejtimin e integrimit evropian të vendit.”
RAMA: 90% E SHQIPTARËVE BESOJNË SE DREJTËSIA NUK FUNKSIONON, TA PËRMBYSIM KËTË GRAFIK
Kryeministri Edi Rama e paraqiti tepër serioze situatën aktuale me sistemin e drejtësisë. Sipas tij, reformimi jo vetëm që është domosdoshmëri por kërkon gjithëpërfshirje, proces që sic cilësoi Rama, nuk duhet të ngecë por duhet të konkretizohet me rezultate. Kreu i qeverisë falënderoi Presidentin për tryezën e mbledhur, por shtoi se nuk duhet që palët të presin të thirren për cështje të tilla, por të gjejnë vullnetin dhe të punojnë pasi cështje si drejtësia, tha Rama, ‘janë emergjente, nuk mund të presin’.
Janë afro 90% e shqiptarëve që përgjithësisht janë shumë herë të përafruar në qasje të cështjeve të tjera dhe të ndarë qartë në cështje të ndryshe dhe besojnë se në Shqipëri nuk ka drejtësi dhe se sistemi nuk funksionon. Janë 90% e shqiptarëve që thonë se sistemi i drejtësisë është i korruptuar dhe se për të fituar një gjyq nuk është sesa ke të drejtë, por sa para ke për të paguar. Janë mbi 90% e shqiptarëve që thonë se duhet një operacion rrënjësor për sistemin e drejtësisë dhe praktikisht për crrënjosjen e kancerit që e ka mbërthyer sistemin e drejtësisë. Dhe nuk e teproj kur them se janë 100% të partnerëve ndërkombëtarë që nuk besojnë se në Shqipëri nuk ka drejtësi dhe që besojne se në Shqipëri drejtësia është e korruptuar. Dhe nuk kam më të voglin dyshim se është e rrallë sot që një vend në mes të Europës që sa herë komentohet nga partnerët nga opinionistë, komentohet si një vend më drejtësi thellësisht të korruptuar. Nuk gaboj kur them se ata që na shohin këtu të mbledhur ne njerëz të drejtësisë, na shohin më shumë si pjesë të problemit se e pjesë të zgjidhjes.
Flas për publikun e gjerë që do doja shumë sot të merrnin mesazhin që ka një ambicie e vullnet të përbashkët që kalon të gjitha dallimet politike mes nesh për të operuar në këtë sistem kanceroz. Por kam frikë se e kundërta është e vërtetë. Ne erdhëm me shumë kënaqësi dhe vullnet të plotë me këtë frymë të realizuar nga Presidenti i Republikës madje duke shtyrë në kohë konferencën ndërkombëtare për Reformën në Drejtësi që po përgatisim në koordinim nga ana e Komisionit të Ligjeve, pikërisht se besuam dhe besojmë se rruga më e mirë për të hapur këtë proces është rruga që kemi ndërmarrë këtu. Falënderoj Presidentin për këtë nismë që një ide fillestare e tij për të mbledhur për drejtësinë, e konsultoi me kryetarin e Kuvendit ku e thelloi më shumë se kaq kur kerkoi që njerëzit e politikës dhe drejtësisë të mblidhen së bashku dhe së bashku të diskutojmë problematikën.
Ne nuk mund të tregojmë gishtin kur gishti tregon hënën, për të adresuar një problem të madh kombëtar. Përpjekja vitet e fundit është një përpjekje në drejtime të ndryshme, nga njëra anë, përpjekja për të adresuar me emergjencë të madhe problemin e rëndë të sistemit të drejtësisë, dhe nga ana tjetër për të thelluar këtë adresim në emër të kushtetutës, ligjit, por s’ka më keq se kur kthehen në nocione penguese për atë që në fakt është problemi themelor që kemi sot.
Dua ta shfrytëzoj këtë rast, nuk jemi vetëm në këtë ushtri të vështirë, por të domosdoshëm për t’ia dalë mbanë se kemi dhe asistencën e çmuar të komunitetit ndërkombëtar dhe posacërisht të ke përmes një ekspertize shumë të kualifikuar që është një eksperiencë e vendeve që dolën nga sistemi komunist dhe iu nënshtruan reformave në sistemin e drejtësisë
Kemi dhe idetë tona për këtë reformë, kemi propozimet tona për t’i adresuar problemet e sistemit në 360 gradë, por kjo në radhë të parë, është një temë ku politika të krijojnë kushtet ku të gjithë të shprehen dhe të dëshmojnë. Të krijohen kushtet ku gjykatësit, prokurorët, noterët të mund të shprehen. Por edhe ekspertiza ndërkombëtare është një ndihmë që të cojmë procesin në rrugën e duhur me kurajo.
Kjo nuk mund të jetë një reformë e njëanshme, por kur flasim për reformë gjithëpërfshirëse duhet të kemi parasysh njerëzit e sistemit dhe pastaj të gjithë forcat politike të përfshira. Ky takim të vlejë si shprehje e vullnetit të mirë, por mos harrojmë që askujt nuk i ka munguar vullneti në 20 vjet, por ja ku jemi sot pas 20 vjetësh si mos më keq sesi funksionon sistemi i drejtësisë.
Është e vërteta e madhe dhe e hidhur. Nuk mund ti tregojmë njëri-tjetrit ligjet dhe të bëhemi gjykatësit e gjykatësve të korruptuar dhe anëtarve të korruptuar të KLD, por kjo nuk do na shërbejë për integrimin, drejtësia nuk është mall që shitet e blihet dhe e dyta përpara ligjit jemi të gjithë të barabartë.
E fundit, nuk është pozitë e lehtë, pozita e shumicës sonë e dalë nga zgjedhje që në radhë të parë në këndvështrimin tonë kanë pasur shtysën për një Shqipëri të drejtë në kushtet e një padrejtësie të kthyer vertikal në të gjitha nivelet dhe ne që kemi këtë mandat jemi dhe shumë më të ndjeshëm ndaj gjithë reaksionit të njerëzve të pakënaqur.
Ne nuk kemi alibi dhe nuk do kërkojmë alibi dhe pa më të voglin dyshim i detyrohemi atyre që na kanë votuar për një Shqipëri të drejtë dhe padyshim i detyrohemi gjeneratave të këtij vendi se në Shqipëri ka një kooorporatë që shet dhe blen drejtësinë, koorporata e prokurorëve dhe gjykatësve të korruptuar. Ka reagime ndaj kësaj qasje, por kjo është e vërteta në këtë vend, fakti që ka prokurorë dhe gjykatës të ndershëm që punojnë me ndershmëri është për të vënë duart në kokë se janë vetëm.
Duke i uruar sukses konferencës sukses, unë besoj se ky moment, i shpreh falënderim edhe njehere Presidentit të Republikës, qe na mblodhi, është një moment për të filluar një proces që duhet të vazhdojë pa pritë, jo prit dale ta shohim e kështu. Të ulemi sëbashku në një tryezë, e të punojmë se pavarësisht se kush e thërret tryezën dhe mendon cfarë, por të dalim nga kjo histori e tmerrshme e mbartur gjatë gjithë këtyre viteve dhe të përmbysim grafikun e perceptimit të opinionit publik për sistemin e drejtësisë. Gjithçka tjetër ka ulje ngritje,por kemi një detyrë përpara, të përmbysim diktaturën e korrupsionit.
BASHA: QEVERIA TË MBAJË DUART LARG NGA GJYQËSORI
Kreu i opozitës Lulzim Basha u shpreh se kjo tryezë është shembulli i gjithëpërfshirjes, ndërsa u shpreh se opozita është sot e gatshme të bashkëpunojë për reformën në drejtësi, e cila duhet të mbetet brenda kornizave evropiane. Sipas tij, gjithçka që kërkohet rrezikon të mbetet iluzion, përderisa shkelësja kryesore është vetë qeveria.
“Përshëndes iniciativën e kreut të shtetit, kjo është forma e duhur e gjithëpërfshirjes, e një reforme konsensuale që duhet të mbetet brenda kornizës evropiane. Ne kemi ndërprerë marrëdhëniet me parlamentin për arsye që dihen botërisht. Drejtësia është një nga temat e mëdha të konfliktualitetit politik në vend. Ka të bëjë me sundimin e ligjit, nga institucionet në radhë të parë nga parlamenti dhe qeveria. Sundimi i ligjit dhe zbatim i vendimeve të gjykatave të lidhura fort me njëra tjetrën flasim për sundimin e ligjit kur shumica ka vënë në pikëpyetje zbatimin e vendimit të gjykatave”, tha Basha.
Basha apeloi më tej se qeveria duhet t’i mbajë duart larg nga gjyqësori.
“Prania tek trupa e ligjvënësve e individëve të dënuar për krim të organizuar komprometon motivet dhe drejtpeshimin për të marrë në dorë rolin e reformatorit. Jemi këtu për të dëshmuar vullnetin tonë ne e mbështesim reformën si një nevojë në rrugëtimin tonë evropian, ne me vizion dhe platformë. Ne e mbështesim dhe kërkojmë zbatimin e modelit evropian për reformimin e drejtësie. Drejtësia duhet të jetë llogaridhënëse dhe eficente, reformimi i sistemit për të luftuar korrupsionin që duhet të bëhet nga sistemi dhe jo nga qeveria. Qeveria të mbajë duart larg nga gjyqësori, duhet të konsolidohet pavarësia e gjyqësorit. Modeli europian që ne kërkojmë e bën drejtësinë eficente pa e bërë drejtësinë kurban pa e futur nën sqetullën e pushtetit”, tha Basha.
Sipas tij, opozita po e ndjek këtë çështje, por kur kjo shumicë nuk ka asnjë vizion dhe platformë, gjithçka mbetet një iluzion.
Ne jemi në këtë tryezë për të treguar vullnetin tonë, tha Kreu i PD-së, duke shtuar se “opozita e sotme ndryshe nga e ajo e djeshmja, mbështet reformën në drejtësi si një domodshmëri për rrugëtimin tonë europian. Ne vijmë në këtë tyrezë me një vizion e platforme, të cilët ekspertët tanë do ta laborojnë në panelin pas këtij prezantimi”, tha Basha.
Kreu i opozitës duke folur për platformën e opozitës në lidhje me reformën në drejtësi tha se “katër janë objektivat kryesorë, së pari përmirësimi i transparencës, eficencës dhe llogaridhënies të gjithë institucioneve të sistemit të drejtësisë përmes rritjes së kontrollit dhe përmirësimit të mekanizmave të monitorimit të sistemit gjyqësor me fokus të veçantë luftën kundër korrupsionit”.
“Objektivi i dytë ka të bëjë me konsolidimin e sistemit gjyqësor duke shmangur çdo ndikim të papërshtatshëm të pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv në veçanti, të politikës në tërësi duke konsoliduar dialogun me bashkëpunimin institucional, ku çdo pushtet bën detyrën e vet pa ndërhyrë në pavarësinë e pushtetit tjetër”, theksoi Basha.
Basha u shpreh se “objektiv tjetër i rëndësishëm është përmirësimi i kuadrit ligjor në procedurën gjyqësore, për të garantuar respektimin e të drejtës për proces të rregullt sipas jurisprudencës të gjykatës europiane të të drejtave të njeriut. Dhe së fundi përmirësimi i procedurave të ekzekutimit për të mundësuar ekzekutimin e vendimeve të gjyqësorit të formës së prerë në kohë dhe pa sorollatje pa fund mbetet një sfidë e rëndësishme për reformën në drejtësi”.