Keqkuptimi i zgjedhjeve lokale
Nga Roland Lami, botuar në Mapo Online, 6 tetor 2014
Pavarësisht se fushata e zgjedhjeve lokale de jure fillon pas disa muajsh, qeveria de facto e ka filluar tashmë. Nën justifikimin e pamundësisë së pushtetit vendor për të kryer investime, ka akorduar një fond të konsiderueshëm në drejtim të rikonstruksioneve të shesheve të qyteteve kryesore në vend. Ky alokim fondi i jep të drejtë qeverisë të monitorojë realizimin e investimit, njëkohësisht të shfrytëzojë rastin për të lëshuar mesazhe në adresë të banorëve mbi performancën e qeverisë në nivel lokal. Kjo sjellje e kryeministrit sigurisht në kontekstin shqiptar nuk përbën lajm, pasi jemi mësuar në vite që të shohim në çdo palë zgjedhje lokale ku kryeministri merr rolin e kryebashkiakut apo kryekomunarit duke harruar statusin që gëzon aktualisht. Por ndryshe nga herët e tjera, dy zgjedhjet e fundit lokale, mesa duken gjasat, nxjerrin në pah një veçori që i bashkon dhe që vlen të evidentohet.
Aspekti i veçantë i dy fushatave të fundit lidhet me kontradiktën ndërmjet statusit të lidershipit dhe rolin që kryen. Të gjithë e kujtojmë strategjinë e PS në zgjedhjet lokale të 2011-ës, e cila në ndryshim nga kundërshtari politik preferoi që zgjedhjet lokale t’i shndërronte në zgjedhje të përgjithshme. Sloganet, ligjërimi në takime të ndryshme me elektoratin, dhe mesazhet e adresuara ndaj tyre ngjanin më shumë me një fushatë për zgjedhje të përgjithshme, sesa zgjedhje lokale. Elektorati mobilizohej më shumë për të gjykuar performancën e qeverisë sesa të drejtuesve në nivel lokal. Për shumë analistë, kjo strategji e liderit Rama u shpjegua me klimën politike ndërmjet pozitës dhe opozitës, bilancin e munguar të kryebashkiakut në konsumimin e mandatit të tretë si pasojë e shpenzimit të kohës më shumë në drejtimin e partisë sesa në të bashkisë dhe nevojën për të mbajtur kohezionin brenda partisë nëpërmjet linjës radikale. Janë këto disa nga arsyet që fushata e PS në 2011-ën mori më shumë përmasat e një fushate për zgjedhje të përgjithshme parlamentare sesa ato lokale dhe ndoshta për këtë fakt nuk arriti të marrë në fund atë rezultat që pretendonte. Të kundërtën bëri lidershipi i pozitës, kryeministri Berisha. Të gjithë e kujtojmë fushatën e drejtuar nga ish-kryeministri, i cili, në mungesë të një bilanci pozitiv qeverisës gjatë mandatit të dytë, u detyrua të fokusohet tek performanca e krerëve socialistë të njësive vendore. Në shumë raste, merrte rolin e kandidatit për kryebashkiak apo kryekomunar në zona të ndryshme të Shqipërisë, duke harruar statusin që gëzonte në periudhën në fjalë. Pra kemi një kryebashkiak socialist që merr rolin e një kandidati për kryeministër dhe një kryeministër demokrat që merr rolin e një kandidati për kryebashkiak apo kryekomunar. Ky keqkuptim ndërmjet statusit dhe rolit materializohet fare qartë tek kërkesa në atë kohë e kryebashkiakut dhe njëkohësisht drejtuesi i PS për debat jo kandidatin për kreun e bashkisë Basha, por kryeministrin e vendit, ndërsa ky hiqte dorë nga roli duke i treguar statusin kundërshtarit me shprehjen ‘dil në debat me rivalit tënd, se je në zgjedhje lokale dhe jo në ato të përgjithshme’.
Sot, nisur nga klima aktuale politike ndërmjet qeverisë dhe opozitës, deklaratave të lëshuara nga eksponentë të rëndësishëm mbi reformën administrative-territoriale si dhe strategjia e bërë publike në Kuvendin e PD, të krijohet përshtypja se ka shumë gjasa që fushata e zgjedhjeve lokale të 2015-ës të ketë ngjashmëri me atë të 2011-ës, por me një ndryshim, aktorët politikë thjesht kanë këmbyer vendet me njëri-tjetrin.
Më konkretisht, nisma e kryeministrit Rama për të rikonstruktuar sheshet e qyteteve të Shqipërisë, përtej faktit se estetikisht di t’i bëjë më mirë se kushdo tjetër, në thelb mbetet një akt politik i mirëfilltë që i takon pushtetit lokal. Qeveria, në vend që të merret me realizimin e pikave të programit dhe implementimin e reformave në nivel makro, preokupohet për çështje periferike të nivelit mikro. Kryeministri, në vend që të preokupohet për të pasur në prag të zgjedhjeve lokale një bilanc pozitiv të qeverisë qendrore në nivel kombëtar, shqetësohet si të performojë në nivel lokal. Sigurisht, e gjitha kjo e ka një shpjegim. Në mungesë të një bilanci pozitiv në raport me premtimet në fushatë, qeveria e shpërqendron vëmendjen tek një bilanc lokal, duke shfrytëzuar si traditën që është krijuar në vite tek ne që zgjedhjet lokale dhe ato të përgjithshme të mos bëjnë ndryshim, gjithashtu dhe pamundësinë financiare të pushtetit lokal për të kryer investime të këtyre përmasave.
Të njëjtën kontradiktë vërejmë edhe tek opozita. Kjo e fundit, për shkak se kryetari i saj është njëkohësisht kryebashkiak dhe kryetar partie, detyrohet që hallin e Bashës ta mbartë partia. Më konkretisht, lideri i PD-së duke qenë se është njëkohësisht kryetar bashkie dhe drejtues i PD-së, është përballë dy alternativave: ose të promovojë modelin e tij të drejtimit në pozicionin e kryebashkiakut si model suksesi që mund të imitohet nga çdo demokrat në nivel vendor, siç bëri Partia Socialiste më 2003 dhe 2007 me bilancin e kryebashkiakut Rama, ose t’i ikë bilancit në nivel lokal, siç bëri po Rama më 2011 dhe t’i bëjë oponencë performancës së qeverisë. Pra, ta shndërrojë fushatën e zgjedhjeve lokale në një fushatë të ngjashme me ato të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, ku çështjet me natyrë kombëtare u mbivendosen atyre lokale. Edhe në këtë rast kemi një kontradiktë ndërmjet statusit që gëzon zoti Basha dhe rolit. Kjo gjë materializohet fare qartë tek ftesa për debat me kryeministrin. Pra, fton kryeministrin për të diskutuar për çështje bashkiake, duke harruar se si drejtues të partive respektive mund të debatojnë së bashku vetëm për zgjedhje të përgjithshme. Ky është paradoksi ku janë futur lidershipët tanë. Harrojnë statusin që kanë, duke marrë role që u takojnë statuseve të tjera.
Megjithatë kemi shumë kohë përpara dhe ky konstatim mund të modifikohet në ditët në vazhdim, por shenjat e deritanishme si: klima politike, përmbajtja e deklaratave të krerëve të lartë të partive respektive, mesazhet e lëshuara në Kuvendin e PD-së, buxheti i akorduar nga qeveria për investimet në nivel lokal, aktet e fundit të kryeministrit, të shtyjnë të besosh për një skenar të përshkruar më sipër.