Nuk keni parë ende asgjë

Nga Artan Mullaj, botuar në Shqip, 29 shtator 2014

Artan-Mullaj-320x293Një aksion i fortë kundër ndërtimeve pa leje është ndërmarrë në Shqipëri. Më në fund hapësirat publike po pastrohen nga materia ndërtuese e vulgare që për vite me radhë kishte zaptuar dhe shëmtuar qytetet dhe territorin e Republikës.

Me sa duket është hera e parë që në Shqipërinë e re, politika po i afrohet normalitetit dhe qytetarëve të vet kaq pranë; këtë herë jo si interes, jo si zhgënjim, jo si sundim, jo si mashtrim, por si një vullnet i shëndetshëm që synon të krijojë njëherësh imazh dhe frymë të re. Duket si një përpjekje e sinqertë për të krijuar atë “flladinsocial” që josh edhe përkëdhel turmat drejt shpresës që gjërat edhe mund të ndryshojnë; që ndihmon qytetarët të besojnë se ky vend mund të bëhet; që krijon perceptimin se kjo shoqëri mund të ndërtojë një shtet ligjor publik; se ky popull mund të ngrejë në lartësinë e merituar dinjitetin dhe vlerat; se ky komb mund të ushqejë krenarinë për çka përfaqëson, për historinë, për të ardhmen.. Po pastrohen kështu peizazhet urbane prej pasojave të anarkisë otomane që sundoi vendin, në 8 vite të Berishës, ndërsa në atmosferë ndihet një lloj çlirimi prej mentalitetit të së shkuarës: Çlirimi qytetar është i dyfishtë dhe do të jetë i shumëfishtë, nëse ditë pas dite vëmendja e ndërgjegjshme e shtetit ndaj interesit publik do të shndërrohet, fillimisht në një imazh normaliteti, më vonë në një fuqi, dhe më pas në një pushtet të shëndetshëm krah të tjerëve.

Gjithsesi, në këtë frymë, politika urbane e z. Rama po krijon përshtypjen e një vullneti integral të një politikani ndryshe, që kujdeset për vendin e tij si për shtëpinë e tij.

Fraza e thënë në Parlament “nuk keni parë ende asgjë”, pavarësisht kontekstit meskin që i dha opozita, mund të supozohet si “fund paligjshmërisë në Shqipëri”.

Por natyrisht, vullneti, përpjekja, vizioni, janë një gjë. Strategjia është një gjë tjetër.

Edhe pse qeveria ka zgjedhur “vrullin” si terapi të efektshme për të shëruar territorin publik nga “çibanët e babëzisë”, kjo nuk është e vetmja mënyrë për të performuar efektivisht arritjen e synimit final. Në fakt, jo gjithmonë të nxitosh është e dobishme. Të paktën jo kur nuk je në momentin e duhur. Një opsion tjetër mund të ishte marrja shtruar e gjërave. E thënë ndryshe, qeveria mund të udhëhiqte procesin e pastrimit në mënyrë më të qetë. Duke qenë se shumica e ndërtimeve pa leje janë bërë për qëllime biznesi, fshirja e tyre nga faqja e dheut mund të planifikohej të bëhej në mënyrë graduale, në një periudhë më afatgjatë, në përpjesëtim me ritmin e rritjes së punësimit, bazuar në politika reale punësimi të qeverisë. Do të ishte i këshillueshëm një interferim aksionesh të ndërsjella. “Vrulli spektakolar” i pastrimeve të territoreve publike do duhej të shoqërohej me të njëjtën mënyrë, me një “vrull më të madh” punësimi të qytetarëve shqiptarë, në kushtet kur punësimi është një problem imediat, një premtim madhor, pra edhe një sfidë e Rilindjes. Babëzia e ndërtimeve dhe anarkia e 20 viteve, mund të fshihen magjishëm brenda 20 ditëve, sikundër po ndodh, në kuptim të imazhit, por dhimbja dhe problemet që do shkaktojnë do zgjasë më shumë nga sa mendohet. Në këtë rast, “zbutja”, apo “marrja shtruar”, do të thotë që t’u jepej qytetarëve që zotëronin bizneset e ligjshme në ndërtesa të paligjshme, më shumë kohë.

Gjithsesi, kjo gjë le hapësirë për diskutim. Me të njëjtën strategji mund të synohej edhe zgjidhja e moderuar e “hashashit” në shkallë vendi, ndërkohë që, ndërsa bujqësia lëngon dhe ka nevojë për kohë, vizion dhe para të ringrihet, të modelohet dhe modernizohet. Pastrimi i menjëhershëm i hashashit nga territori i Shqipërisë, që ka lëshuar rrënjë të thella 20-vjeçare, si çdo gjë që ndodh me furi, ka sjellë natyrisht një lloj çoroditjeje. Dhe kjo është e natyrshme. Shumë nga fshatarët e ndaluar rebelë, që nuk dinë, apo nuk janë gati të zëvendësojnë sa hap e mbyll sytë prodhimin e deritanishëm të hashashit fitimprurës me prodhim qepësh e domatesh,(të cilat shpesh bashkëfshatarët i hedhin në lumë, se s’kanë ku t’i shesin), gjenden të hutuar përballë një kolapsi.

Ndërkohë, qeveria mund të kishte parë apo edhe mund të shohë seriozisht mundësinë e kultivimit të ligjshëm të hashashit, mbajtja nën kontroll e të cilit është një punë mjaft më e thjeshtë dhe më e lirë se asgjësimi i tij. Shumë vende perëndimore, të cilat kanë legalizuar hashashin, kultivimin dhe përdorimin e tij, kanë rritur ekonominë bujqësore dhe kanë shmangur problemet sociale dhe kriminalitetin që sjell kultivimi i pakontrolluar. Por kjo është një çështje më vete.

(Të njëjtën gjë mund të themi edhe për ndalimin e qarkullimit të furgonëve taksi, me “shpatë në dorë”. Shteti mund të kontrollonte anarkinë në këtë shërbim dhe papunësinë që solli ndalimi i tij, jo duke e ndaluar, por duke e konkurruar atë, me opsione të reja, duke zhvilluar me shpejtësi dhe investuar në transportin publik operatorë bashkëkohorë,(trenin elektrik, shoqëritë koncesionare të autobusëve cilësorë, përshtatjen e rrugëve nacionale ndaj tyre etj). Duke hyrë gradualisht në treg, këta operatorë do të nxirrnin natyrshëm furgonët e papërshtatshëm taksi nga tregu, por do të zbusnin edhe papunësinë në kohë).

Gjendur përballë këtij vrulli të shëndetshëm të qeverisë, e para gjë që mund të mendojë gjithkush është ana tjetër e medaljes. Pjesa në skenë pas perdes. Ashtu si shkulja e domosdoshme e një dhëmballe të sëmurë le pas dhimbje dhe hemorragji, pastrimi i ndërtimeve pa leje do sjellë pasoja dhe dhimbje te pronarët e këtyre ndërtimeve, që shumë shpejt nuk do janë më të tillë. Pra shteti mund të stimulonte “një mpirje”, apo “dhënie kohë” për qytetarët e dëmtuar, që nuk janë pak. Edhe pse dhimbja në një kuptim është një pasojë hyjnore, menaxhimi i saj, në një situatë të tillë shoku kolektiv, mund të jetë një këshillë e dobishme.

Për të qartësuar çfarë dua të them, mund të bëjmë një krahasim me efektet e shiut. Kur uji bie nga qielli qetë edhe ngadalë, kjo është ajo çfarë bimët kanë nevojë që të rriten. Por është tjetër gjë në stuhi, në vrull, kur shiu bie rrebesh. Bimët shkatërrohen, lumenjtë zemërohen, fryhen, përmbytin, shkulin pemë dhe shkatërrojnë gjithçka u del përpara, bimët, pemët, shtëpitë dhe kjo për një kohë të shkurtër. Kështu edhe aksionet qeveritare të pastrimit të territoreve publike nga ndërtimet pa leje, por dhe të tjerat, duan kohën e tyre. Kjo kohë e dhënë do të shërbejë si një lloj amortizimi shpirtëror dhe ekonomik për qytetarët.

Mos harrojmë se këto aksione kanë edhe një kosto tjetër shumë më të lartë se puna fizike për shkatërrimin e tyre. Ato lënë pas njerëz të papunë…

(Ngutja në aksione të tilla ngjan me ngutjen e njeriut që ha bukë shpejt. Ngopet, por dëmton stomakun, tensionin e gjakut dhe zemrën).

E thënë ndryshe, qeveria duhet të këmbëngulë, duhet të mos ndalojë, duhet mos bëjë mbrapsht, për asnjë arsye, por në të njëjtën kohë nuk duhet as të ngutet. Duhet të planifikojë kohën e duhur, pa u ngutur.. Përkundrazi, ngutja duhet të ndodhë tjetërkund.

Kur flasim për ngutje dhe vullnete të forta në ndërmarrjen e aksioneve të tilla, të menjëhershme, e rëndësishme ndërkaq është përzgjedhja e prioriteteve. Kjo do të thotë që qeveria duhet të përqendrohet së pari te gjërat që “rrezikojnë” jetën e qytetarëve dhe më pas tek ato që “përmirësojnë” jetën e tyre. (Papunësia, siguria e ushqimeve që konsumojnë shqiptarët, ndotja e frikshme e atmosferës, përbëjnë arsye për vrull, ngutje dhe një emergjencë reale, sepse lidhen drejtpërdrejt me sigurinë e jetës). Gjithashtu, përpara se “të shkulë” kioskat e bizneseve, qeveria duhet të përqendrohet te shkulja e institucioneve jorentable publike, që financohen nga shteti dhe u kushtojnë taksapaguesve shqiptarë një djall e gjysmë. P.sh., çështja e Radio Televizionit Shqiptar. Shkulja e “institucionit të ndihmës sociale, që quhet RTSH, ku askush nuk punon dhe gjithkush paguhet, i cili është një vrimë e zezë në buxhetin e shtetit, dhe ringritja e tij, rentabiliteti i tij, janë ndoshta më urgjente se shkuljet masive të kioskave dhe ndërtimeve pa leje, të cilat duhen fshirë patjetër edhe ato në kohën e duhur, por jo me shkopin magjik.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi