649.5 mln euro për Shqipërinë në shtatë vitet e ardhshme

Instrumenti i ri IPA II

Instrumenti IPA II

Komisioni Evropian ka bërë publik sot planin se si BE-ja do të mbështesë përpjekjet për reforma në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi për 7 vitet e ardhshme. Financimi, i miratuar nga BE vitin e kaluar, arrin në 11 miliardë euro, nga të cilat vendi ynë do të sigurojë në total deri në vitin 2020, 649.5 milionë euro.

Sipas këtij plani financimi, fondet për vendin tonë do të vijnë duke u shtuar, ku gjatë këtij viti janë parashikuar 83.7 milionë euro. Ndërsa shumën më të madhe të financimit vendi ynë do ta përfitojë përgjatë viteve 2018-2020, ku do të marrë në total 296.3 milionë euro financime për zbatimin e reformave të kërkuara nga BE.

Ndërkohë thuajse në të njëjtat shifra do të jetë financimi edhe për zbatimin e reformave edhe për shtetin e Kosovës, ku në total do të marrë 645.5 milionë euro. Financimin më të madh për këto 7 vitet e ardhshme pritet të shkojnë për Turqinë, ku janë rreth 4.4 miliardë euro mbështetje për reformat deri në vitin 2020.
 
Komisioneri Evropian për zgjerim Stefan Fule, e cilësoi këtë si një lajm shumë të mirë për të gjithë vendet e rajonin që aspirojnë integrimin në Bashkimin Evropian, në zbatimin e reformave që do të ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve si dhe në krijimin e urave lidhëse mes vendeve të Ballkanit.
 
“Ky financim është një lajm shumë i mirë për rajonin. Kjo do tu ofrojë mbështetje atyre vendeve me një perspektivë evropiane për zbatimin e reformave që do të ndikojnë drejtpërdrejt qytetarët, të ndihmojë ata të ecin përpara në rrugën e tyre për BE-në dhe për të ndërtuar ura lidhëse me fqinjët e tyre”, tha Komisioneri Evropian për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë Stefan Fule. 

tabela
Financimet, pjesa më e madhe për forcimin e demokracisë dhe shtetit ligjor
Pjesa më e madhe që do të vijë nga ky financim i BE-së do të shkojë për reformat në përgatitjen e e vendit për integrimin evropian, në një vlerë 320.5 milionë euro. Nga këto është parashikuar deri në vitin 2020, një financim prej 223.5 milionë euro për forcimin e demokracisë në vend si dhe të pavarësisë së institucioneve. Ndërsa 97 milionë të tjera do të shkojnë për forcimin e ligjit si dhe të drejtave të njeriut në vendin tonë.
 
Sipas parashikimeve të vetë BE-së ky financim në këtë sektor, do të mundësojë forcimin e demokracisë së institucioneve konform ligjeve të Bashkimit Evropian, si dhe depolitizimin e shërbimeve publike.
 
Sa i përket forcimit të shtetit ligjor, synohet që të forcohet edhe më tej procesi i hetimeve, dhe i dënimeve lidhur me luftën ndaj krimit të organizuar, si dhe pastrimit të parave.
 
Ndërkohë nga ana tjetër është parashikuar që 168 milionë euro financime të shkojnë për çështje social-ekonomike si dhe zhvillimin rajonal.  Nga këto 68 milionë euro do të shkojnë për rehabilitimin e mëtejshëm të mjedisit. Rreth 56 milionë euro financime do të shkojnë për infrastrukturën, ku siç theksohet nga vetë BE, është i nevojshëm një përmirësim i mëtejshëm i këtij sektori. Ndërsa 44 milionë euro do të financohen çështjet lidhur me konkurencën dhe inovacionin.
 
Ajo që bie në sy është se nuk është parashikuar asnjë financim sa i përket fushës së energjisë.
 
Një pjesë të mirë të financimeve do të shkojnë për punësimin, edukimin dhe çështjet sociale, ku do të vihen në dispozicion rreth 69 milionë euro, ndërsa 92 milionë të tjera do të shkojnë për fushën e agrikulturës dhe zhvillimit rural. PDF – Ja sektorët ku do të përqëndrohen financimet

tabela

Këto fonde do të jenë në dispozicion përmes instrumentit të ri për Asistencën e Para-Anëtarësimit (IPA II).
 
Njoftimi i i bërë publik ditën e sotme ofron një ndarje treguese të financimit mes vendeve dhe përcakton prioritetet e politikave që do të financohen. Autoritetet e vendeve në fjalë ishin të përfshirë në identifikimin e fushave kryesore që do të përfitojnë nga ndihma.
 
Ndihma financiare do të synojë prioritetet strategjike për vendet që dëshirojnë të bashkohen me BE, si dhe forcimin e bashkëpunimit dhe investimeve rajonale dhe territoriale. Fushat kyçe përfshijnë qeverisjen dhe reformën e administratës publike, sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore, si dhe mbështetje për rritjen ekonomike dhe konkurrencën.
 
Ndihma financiare në këto zona do të jenë të orientuara për të mbështetur reformat e sektorit kombëtar që synojnë rezultate specifike. Duke siguruar vazhdimësinë me ish-IPA, Instrumenti i ri IPA II do të veprojë me procedurë të thjeshtuar për të lehtësuar qasjen në financim për përfituesit dhe duke e lejuar atë që të jetë me rezultatet të orientuara, fleksibël dhe të përshtatura për nevojat e veçanta. 

 Shih Dokumentin e plote te Instrument for Pre – Accession Assistance (IPA)II

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi