Dokumentat e politikave publike në Librarinë dixhitale tek “ShtetiWeb”
Sipas ATSH, 19 shtator 2014
Një Librari dixhitale, me gjithë dokumentet e politikave publike që prej vitit 1991 deri sot, si një aset i munguar dhe platformë interaktive e politikave publike, u prezantua sot në një workshop, organizuar nga Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim, (CDI) në Tiranë.
Pjesëmarrës në workshop ishin Holger Tausch, shef i Bashkëpunimit në Ambasadën e Zvicrës, Yngve Engstrom, Shef i Operacioneve të Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Majlinda Dhuka, Drejtore e Departamentit per Politikat e Zhvillimit, Financimit dhe Ndihmes se Huaj prane Keshillit te Ministrave , Prof. Adrian Civici, President i UET etj.
Deri sot në Shqipëri mungon një database e vetme e dokumenteve të politikave publike dhe dokumenteve të ngjashme, ndërsa ndryshimet e shpeshta politike kanë sjellë ndryshimin e arkivave, bazave të të dhënave të institucioneve qeveritare dhe faqeve te internetit, ku këto ishin të ruajtura.
“Një situatë e tillë e bën shumë të vështirë për qytetarët, hulumtuesit, shoqërinë civile, biznesit privat, donatorët, nëpunësit civilë dhe madje edhe vetë politikanët, që të mund të konsultohen, krahasojnë dhe të mësojnë nga politikat e kaluara, ose edhe thjesht, që të dokumentojnë kronologjinë e veprimtarisë publike në Shqipëri”, shpjegoi rëndësinë e nismës për krijimin e librarisë dixhitale Ardian Hackaj, drejtor i portalit “ShtetiWeb” në CDI.
Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim, (CDI) u mbështet nga Zyra e Bashkëpunimit Zviceran në Tiranë nga idea, deri në krijimin e një Librarie dixhitale, ku dokumentet e politikave publike të vendit mund të ruhen, klasifikohen, ndërlidhen dhe mund të jenë të hapura për qytetarët, studiuesit, biznesin, shoqërinë civile, nëpunësit civilë dhe politikanët. “Ky është dhe qëllimi kryesor i nismës për të krijuar, ruajtur, pasuruar dhe promovuar Platformën Interaktive të Politikave Publike, me objektiv, ndertimin e një arkivi institucional publik te Politikave Publike”, tha Hackaj.
Sipas tij, “faqja online “Shtetiweb” është e bazuar dhe ndërtuar sipas udhëzimeve të Bashkimit Europian në strategjinë e zhvillimit 2014-2020″. Për zgjedhjen e metodologjisë së ndjekur, Hackaj vlerësoi bashkëpunimin me Kryeministrinë si dhe hapat që po hedh qeveria “Rama” në hartimin e udhëzimit për shoqërinë civile, pjesë e rëndësishme e monitorimit të politikbërjes sipas modelit europian.
Holger Tausch, shef i Bashkëpunimit në Ambasadën e Zvicrës, duke vlerësuar rëndësinë që ka libraria dixhitale në shërbim të publikut, medias, aktorëve të politikbërjës, si rruga që rrit trasnparencën qeverisëse, tha mes tjerave, se “politikat e mira janë objektiv për cdo qeveri për zhvillimin ekonomik dhe demokracinë e një shteti, ku shoqëria civile ka vendin e saj”.
Prof. Adrian Civici, që në vitet 2000-2005 drejtoi Departamentin e Ndihmës së Huaj në Ministrinë e Financave vlerësoi rëndësinë e Librarisë dixhitale tek “Shtetiweb”, duke e quajtur “memorja institucionale e politikave të zhvillimit” dhe “një portal, ku studjues, akademikë, studentë mund t’i referohen për tema të ndryshme”. Nisur nga përvoja e punës, Civici shtroi nevojën e hartimit të strategjive afatgjata, pasi ndërrimi i qeverisjeve cënon zbatimin e strategjive të shumta të prodhuara në vend nga 1991, një pjesë e madhe e të cilave, nuk janë zbatuar, duke ndikuar në impaktet e zhvillimit ekonomik të vendit. “Nga një studim para 4 vitesh, rezultoi se ishin hartuar 120 strategji të ndryshme, numër shumë i madh për vendin, prej të cilave nuk kishte vlerësime të efekteve të tyre”, tha ai, ndërsa kërkoi se ka ardhur koha që qeveria të rrisë kerkesat lidhur me hartimin e strategjive. “Sot ka një tendencë pozitive për hartimin e një strategjie zhvillimi dhe integrimi”, vleresoi Prof. Civici.
Yngve Engstrom, Shef i Operacioneve të Delegacionit të BE-së në Shqipëri prezantoi strategjinë 2014-2020 të Bashkimit Europian, ku rol të mëdh ka shoqëria civile si pjesë e një drejtimi të mirë demokratik. “Edhe në Shqipëri është shumë e rëndësishme mbështetja e shoqërisë civile për zhvillimin e vendit nga qeveria, pasi kurajon dhe monitoron politikbërjen”, tha Yngve Engstrom.
Oriana Arapi, drejtore e Njësisë së planifikimit strategjik të programeve të ndihmës së huaj në Kryeministri vlerësoi portalin e Librarisë dixhitale realizuar në “Shtetiweb” nga CDI duke pohuar rëndësinë, që ka bashkëpunimi dhe ndërlidhja e politikave me buxhetet përmes koordinimit. “Mbledhja e dokumentave 20-vjecare është e rëndësishme për t’u konsultuar me qëllim, për të mos përsëritur gabimet e mëparshme”, vlerësoi Arapi, duke konsideruar një ndihmë këtë librari, që i shtohet faqes së dokumentimit që ka shteti. Duke bërë të ditur se qeveria po punon për strategjinë kombëtare të zhvillimit 2014-2020, ajo vlerësoi se kjo librari mund të jetë një ndihmë e mirë për konsultime dhe sygjeroi pasurimin e saj me studime, monitorime, dokumente të institucioneve të huaja, etj.
Prej më se një vit, faqja online “Shtetiweb” e CDI-së ka mbledhur 1956 dokumente, të cilat janë vizituar nga mbi 460 mijë shikues, ndërsa me shtimin dhe të Librarisë dixhitale, pritet që të kthehet në një faqe të kërkuar nga cdo i interesuar, ku gjen dokumentet që nga krijimi i shtetit shqiptar në 1912. Në një periudhë afatshkurtër, në librarinë dixhitale do të mblidhen dhe ruhen në një vend: strategjitë kombëtare, dokumente të ngjashme të prodhuara pas vitit 1991, gjithë legjislacioni, strategjitë sektoriale, studimet, vlerësimet, reformat territoriale dhe administrative në Shqipëri që nga viti 1912. Gjetja, dixhitalizimi, klasifikimi dhe ndërlidhja tematike do të kontribuojë në ruajtjen e kujtesës institucionale të shtetit Shqiptar. Vlerë e shtuar e kësaj librarie për hartuesit e saj të CDI-së do të jetë kontributi, që studiuesit, akademikët dhe studentët do të japin duke i analizuar dokumentat dhe duke sjellë konkluzione, të cilat kontribuojnë për të përmirësuar dhe bërë më efektive hartimin, zbatimin dhe vlerësimin e politikave nga politikëbërësit e sotshëm.