Kujt i shërben racizmi krahinor dhe fetar?
Nga Blendi Kajsiu, botuar në Panorama Online, 13 shtator 2014
Gjithnjë e më tepër një pjesë e elitës kulturore shqiptare po bëhet zëdhënëse e ndasive krahinore dhe fetare që ekzistojnë në gjirin e shoqërisë shqiptare. Shembulli më bombastik i këtij procesi ishte intervista e Maks Velos, i cili u deklarua antiverior dhe antimysliman. Shembuj të tjerë “më normalë” janë librat e Mustafa Nanos “Unë jam geg” (dhe së fundmi “Pax Albania”). Kemi të bëjmë me një ligjërim që po forcohet jo vetëm ndër qytetarë, por veçanërisht tek elitat ekzistuese. Fatkeqësisht, nëse në nivelin e shoqërisë shqiptare hasim paragjykim, në nivelin e elitës artikulohet një ligjërim me tipare raciste.
Tjetri reduktohet te një esencë bazike (raca, kultura apo feja) nga ku shpjegohet gjithçka. Kështu, dhunën e terroristëve islamikë e gjejmë tek esenca e Islamit, dhe jo te ndërveprimi i faktorëve ekonomikë, politikë dhe historikë të Lindjes së Mesme. Po kështu çdo problem i Veriut shpjegohet nga “Gegëria” (kultura/vlerat/kanuni) e tyre, duke injoruar faktorët historikë, ekonomikë apo politikë që kanë përcaktuar lëvizjen e tyre drejt qendrave urbane. Për pasojë, Tjetri denigrohet duke u reduktuar në një esencë problematike, që është primitive dhe barbare (“malokëria”) ose regresive dhe e dhunshme (Islami).
Në këtë pikë, ajo që është e rëndësishme nuk është debatimi me qasje të tilla siç po ndodh aktualisht, sepse ato nuk ofrojnë argumente, por thjesht paragjykime. Kështu, ideja se ka një esencë “gegë” dhe “toskë” që përcaktojnë zhvillimet në Veri dhe Jug të vendit injoron të gjitha dinamikat politiko-socialo-ekonomike të shtatëdhjetë viteve të fundit (industrializimi dhe modernizimi i dhunshëm komunist, deindustrializimi postkomunist që preku rëndë veçanërisht Veriun, persekutimi i Veriut gjatë komunizmit, struktura e tokës në Veri etj.).
Po kështu debati nëse shqiptarët bënë mirë apo keq që u konvertuan në islamë është sa i kotë, aq dhe hipokrit. I kotë sepse tashmë konvertimi ka ndodhur. Hipokrit sepse pyetja që shtrohet në fakt është: Ta pranojmë apo ta refuzojmë Islamin? Kjo është një pyetje pas sens në një shoqëri demokratike ku një pjesë e mirë e popullsisë identifikohet me këtë fe. Kush, mbi ç’bazë dhe me ç’të drejtë do t’u japë urdhër qindra mijëra qytetarëve shqiptarë që të heqin dorë nga Islami?
Prandaj absurditetit dhe mjerimit intelektual të racizmit krahinor dhe fetar nuk duhet t’i përgjigjemi duke u angazhuar në polemika shterpë të tipit “janë apo jo barbarë veriorët dhe terroristë myslimanët?”. Ajo që është e rëndësishme është të shtrojmë pyetjen: Përse prodhohet ky ligjërim? Kush përfiton prej artikulimit të tij? Çfarë fsheh ai?
Në këtë artikull do përpiqem t’u përgjigjem pikërisht këtyre pyetjeve duke argumentuar se nga racizmi krahinor dhe fetar biznesi përfiton krahë të lirë pune, media përfiton skupin mdiatik, elita politike prodhon përfaqësim dhe diferencim, ndërsa qytetari i thjeshtë kanalizon mllefin për situatën ku ndodhet drejt bashkëqytetarëve dhe jo drejt elitës apo sistemit ekonomik. E thënë më thjeshtë; racizmi krahinor dhe fetar prodhon debate dhe përçarje shterpë që zhvendosin vëmendjen nga moszgjidhja e problemeve sociale themelore, duke ia lehtësuar kështu pushtetmbajtjen elitës aktuale politiko-ekonomike.
Racizmi krahinor, duke u marrë me veriorët si barbarë që i kanë marrë frymën Tiranës apo Durrësit, fsheh faktin se monstruozitetet më të mëdha në këto qytete, betonizimi dhe katet pa leje mu në zemër të tyre, nuk janë produkt i veriorëve që jetojnë në periferi, por i bizneseve të “respektuara” dhe i kryebashkiakëve “tironsa”. Portretizimi i veriorëve si pushtues të qyteteve tona fsheh faktin se ata shpesh janë pjesa më e shfrytëzuar dhe e margjinalizuar në këto qytete si krahë i lirë pune në ndërtim apo në industrinë fasone.
Për sa kohë flasim për veriorë injorantë, të egër dhe barbarë, nuk flasim për të drejtat e tyre si punëtorë dhe qytetarë shqiptarë. Nuk flasim për të drejtën e tyre për të qenë të siguruar në punë ndaj aksidenteve, për t’u paguar mirë, rregullisht dhe me kontratë. Ndaj media buçet për borxhet që qeveria i ka biznesit, por nuk thotë asnjë fjalë për mijëra borxhet që biznesi u ka punëtorëve, të cilët në shumicë punojnë në të zezë.
Nuk është një fenomen thjesht shqiptar. E njëjta gjë ka ndodhur me refugjatët shqiptarë në Greqi apo Itali. Teksa media e këtyre vendeve mbushej me histori krimi dhe barbarie të refugjatëve tanë, shumë pak flisnin për shfrytëzimin e tyre. Ajo që humbiste në ligjërimin racist antishqiptar ishin historitë e shfrytëzimit dhe abuzimit me punëtorët dhe punëtoret shqiptare, pagat nën minimale që shpesh nuk paguheshin, apo denoncimi në polici dhe eliminimi fizik i emigrantëve për të mos i paguar. Të gjitha këto padrejtësi bëhen më të thjeshta dhe fitimprurëse nëse tjetrin e pikturojmë si malok apo katunar në Shqipëri apo si shqiptar në Greqi.
Fatkeqësisht media është e gatshme t’i japë zë racizmit krahinor dhe fetar pasi kështu krijon skupin mediatik. Për disa media “no press is bad press”, që e shqipëruar do të thotë “nuk ka rëndësi se çfarë thonë për ty, mjafton që të flasin”. Ndaj gazetari dhe gazeta shpesh janë gati të ulen në nivelin e çdo deklarate që e skandalizon shoqërinë, por pa e ndriçuar atë aspak, qofshin këto edhe të tipit “veriorët janë plehra”. Banalitete të tilla me lehtësi trajtohen si “mendime të guximshme intelektuale”, pavarësisht se janë konstatime ordinere.
Kuptohet, mediokritete të tilla media i bën më shumë nga halli si pasojë e pamundësisë për t’u marrë me probleme reale. Të kapura nga biznesi dhe politika mediat nuk trajtojnë dot një seri problemesh sociale, si ngacmimi seksual ndaj femrave, degradimi i zonave rurale apo shfrytëzimi i mijëra punëtorëve dhe punëtoreve që paguhen keq ose nuk marrin rrogat sepse janë pa kontratë. E si mund ta ngrejë media një problem të tillë kur vetë gazetarët dhe gazetaret janë pa kontrata dhe të pambrojtur përballë pronarëve dhe shefave? Ndërsa probleme të tjera si ekzistenca e strukturave thellësisht klienteliste dhe korruptive në qeverisje si LSI-ja, nuk trajtohen më në media, sepse Meta i duhet si PS-së, edhe PD-së.
Në këtë kontekst, ajo që korr një përfitim të trefishtë nga përçarja që prodhon racizmi krahinor dhe fetar është elita politike. Përçarje të tilla u mbivendosen çarjeve të tjera sociale, punëdhënës-punëmarrës, të pasur–të varfër, persekutues–të persekutuar, dhunues–të dhunuar, qendër–periferi etj., për të cilat elitat aktuale nuk ofrojnë zgjidhje. Për sa kohë njerëzit ndahen në jugorë dhe veriorë apo myslimanë dhe të krishterë, ata menaxhohen më kollaj. Të organizuar në grupime sociale si sindikata, studentë, apo grupe fermerësh, ata do të kërkojnë politika shtetërore më sociale, kontrata kolektive, paga më të mira apo mbrojtjen e prodhimit bujqësor vendas që modeli aktual zhvillimor nuk i ofron dot. Ky është një model që i ofron fitime një elite të ngushtë ndërkombëtare dhe kombëtare, ndërkohë që shumicën e popullsisë e trajton si krah të lirë pune.
Në mungesë të përfaqësimit ekonomik, social dhe politik, elitat prodhojnë përfaqësim krahinor duke krijuar kështu diferencime që në fakt nuk ekzistojnë. Kështu, Berisha, Meta dhe Rama, edhe pse përfaqësojnë interesa dhe ide krejt të ngjashme, diferencohen si “tropojani”, “tironsi” dhe “skraparlliu” (ose myslimani-ortodoksi-bektashiu). Në fakt, hanë, pinë, jetojnë dhe bashkëpunojnë në të njëjtën hapësirë, me të njëjtën elitë mediatike, ndërkombëtare dhe biznesi. Berisha, Rama apo Meta janë shumë më të ngjashëm me njëri-tjetrin se sa me veriorin, jugorin, skraparlliun, mirditorin apo tironsin e papunë. Ama atyre i duhet përçarja krahinore dhe fetare sepse në këtë mënyrë mund të ndërtojnë më kollaj rrjetet e tyre vertikale klienteliste, ku secili ka bazën e vet krahinore dhe fetare të votave.
Nëse tiranasit, kuksianët, dibranët, korçarët dhe skraparllinjtë që jetojnë në vështirësi ekonomike ndërgjegjësohen se ata kanë interesa shumë më të ngjashme mes tyre sesa me Berishën, Ramën apo Metën dhe fillojnë e organizohen sipas kësaj logjike, atëherë e gjithë struktura aktuale klienteliste që mban gjallë Berishën, Ramën dhe Metën thërrmohet. Prandaj mes tyre duhet të ketë ndarje nga maja deri në bazë; ndarje krahinore, nënkrahinore dhe fetaro-krahinore. Në majë të kësaj përçarjeje, Berisha, Meta apo Rama shfaqen si figura unifikuese.
Në këtë kontekst, nuk është rastësi që Berisha flet me dialekt të theksuar verior, edhe pse mund ta flasë gjuhën letrare shqipe shumë pastër. Në fakt, po të dëgjosh daljet e tij televizive në vitet 1991-1992 (p.sh. kur u lavdëron studentëve të dhjetorit Ramiz Alinë), ai flet me një gjuhë të pastër letrare. Dialekti i tij është forcuar këto njëzet vitet e fundit në politikë sepse kështu me qindra-mijëra veriorë të papunë dhe të pashpresë mund të identifikohen dhe krenohen me Berishën, edhe pse jetojnë në dy botë të ndryshme.
Nga ana tjetër, edhe socialistëve i duhet një Berishë “malok” në mënyrë që të diferencohen me të si “çuna Tirone”. Sepse nga pikëpamja sociale dhe klasore Partia Socialiste nuk ka lidhje fare me shtresat në nevojë, me fermerët, të persekutuarit, studentët, punëtoret e shfrytëzuara apo të papunët. Përkundrazi, ajo tashmë është partia më e madhe e biznesit dhe e të pasurve. Ndaj është më e lehtë për të përfaqësimi krahinor se sa ai shtresor.
Së fundi, nëpërmjet ligjërimit racist elita mund të kanalizojë pakënaqësinë e qytetarit të thjeshtë drejt “malokëve të pagdhendur”, “myslimanëve fundamentalistë” apo “ortodoksëve të pabesë”. Në këtë mënyrë kjo pakënaqësi nuk kanalizohet drejt elitës apo sistemit ekonomiko-politik ekzistues që prodhon papunësi dhe padrejtësi. Kështu që qytetari, në vend që të thotë “na mbyti papunësia/padrejtësia”, thotë “na mbytën katunarët/malokët/skraparllinjtë/ortodoksët” etj. Në këtë mënyrë, në vend që të kërkojnë punë dhe drejtësi, njerëzit e kanalizojnë energjinë e tyre qytetare nëpër blogje ku shahen veriorë me jugorë apo myslimanë me të krishterë.
Faktorët dhe interesat e mësipërme ndërveprojnë duke i dhënë jetë ligjërimit racist krahinor dhe fetar në Shqipëri. Çështja nuk duhet reduktuar te një “individ i çmendur” apo “antishqiptar”. Gjithnjë do të ketë intelektualë të frustruar që janë gati të thonë gjithçka thjesht për të tërhequr vëmendjen. Gjithnjë do të ketë gazetarë dhe gazeta që janë gati të bëjnë zhurmë me çdo mjet. Ama duhet kombinimi i disa faktorëve ekonomikë dhe politikë që këta zëra “të çmendur” të vendosen në qendër të debatit publik.
Kur diçka e tillë ndodh nuk duhet të biem në grackën e pseudopolemikave që prodhon një ligjërim i tillë. Ajo që duhet të kuptojmë është se ligjërimi i racizmit krahinor dhe fetar, edhe pse artikulohet nga intelektualë, është një ligjërim antiintelektual, ndaj me të është e kotë të debatosh. Në vend që ta ndriçojë, ai e fsheh realitetin. Në vend që të shërbejë si kritikë ndaj pushtetit, ai legjitimon dominimin e elitave ekzistuese dhe shfrytëzimin e shtresave më të pambrojtura të shoqërisë.
Pikërisht për këtë arsye, elitës ekzistuese i intereson që ta përfshijë shoqërinë në këtë ligjërim. Ndaj intelektualët që e artikulojnë racizmin krahinor dhe fetar nuk janë as të “çmendur”, as “antishqiptarë”, as “zëra të guximshëm dhe kontroversal”. Ata janë thjesht produkte dhe zëdhënës në shërbim të elitës ekzistuese.