Një iniciativë që duhet shfrytëzuar
Nga Rexhep Meidani, botuar në Panorama Online, 11 shtator 2014
Në 2-3 shtator, në Bled të Sllovenisë, u organizua Simpoziumi i Dytë… “Think Tanks” i Nivelit të Lartë: Kinë-Vende të Europës Qendrore e Lindore (Juglindore), në funksion të zhvillimit dhe përpunimit të mëtejshëm të iniciativës “16+1”, të shpallur gati dy vjet më parë.
Në botën e sotme globale, gjithnjë e më të ndërvarur, kooperimi BE-Kinë është mjaft i rëndësishëm për paqen, prosperitetin e zhvillimin e qëndrueshëm, mbështetur në barazi, respekt e besim të ndërsjellë. Ai është bërë akoma më i dukshëm në dy dekadat e fundit. Por, për ta fuqizuar këtë bashkëveprim në të gjithë hapësirën europiane, dy vitet e fundit, nga ana e Kinës është konceptuar një iniciativë e re për thellimin e lidhjeve ekonomike, politike e kulturore me 16 vende ish-socialiste të CEE-së (Central and Eastern Europe), nga të cilët 11 vende janë sot anëtare të BE-së, kurse 5 të tjerë e aspirojnë këtë integrim. Me një synim të veçantë është fuqizimi i bashkëveprimit në fusha të tilla si energjia dhe teknologjitë e prodhimit, transport-shpërndarjes së saj; projekte të ndryshme në fushën e industrisë, bujqësisë e transportit etj. Takimi i parë ad hoc për këtë kooperim u organizua në Poloni, në prill 2012. Aty u arrit mirëkuptimi midis pjesëmarrësve në krijimin e këtij formati. Takimi tjetër u organizua në Kinë, në korrik 2013, ku u vendos nga pala kineze hapja e një “linje kreditimi” prej 10 miliardë dollarësh në mbështetje të projekteve të ndryshme në zonën e CEE-së. Samiti i nëntorit në Rumani (Bukuresht) përcaktoi dhe piketat kryesore të bashkëveprimit shumëvjeçar Kinë (1) + vende të CEE-së (16), duke përcaktuar fondin e investimeve prej 500 milion dollarësh në fazën e parë të tij. Në kuadër të kësaj iniciative, nga një fond i tillë duket se po përfiton jo pak Rumania e Viktor Pontës me projekte në fushën e energjisë, krijimit të korridorit tregtar Europë Juglindore e Azi etj. Nuk duket se një gjë e tillë të jetë parë me kujdes, seriozitet dhe parapërgatitje nga qeveria shqiptare, e djeshme apo e sotme! Megjithatë, flitet tashmë për një vizitë të kryeministrit në Kinë, gjë që bën të besosh se diçka do të ndryshojë…
Në fakt, iniciativa 16+1 duhet shfrytëzuar e zhvilluar, aq më tepër që problemet kritike ekonomike në Europë, përfshirë dhe Eurozonën, janë shfaqur, edhe pse me vonesë, në vendet periferike të BE-së, përfshirë kështu dhe CEE. Me këtë shpjegohet dhe interesi i Kinës për këto vende me krijimin e këtij formati bashkëpunimi “16+1”, nisur dhe nga përvoja e mëparshme. Po ashtu, perceptimi i këtyre 16 vendeve si një entitet bën të mundur krijimin e një strategjie të përbashkët, që e lehtëson kooperimin Kinë -CEE (forumi “16+1” nuk është një format 17 shtetesh, por një “bllok” 16 vendesh nga një anë dhe Kinës, nga ana tjetër). Gabimisht, në ndonjë rast, ky format “16+1” nuk është parë me sy të mirë në burokracinë e Brukselit, edhe pse krahas politikës së përbashkët BE-Kinë (që shërben dhe si sistem referimi i 28 vendeve anëtare), çdo vend i veçantë i BE-së ka dhe marrëdhënie bilaterale me Kinën. Kjo vlen si për anëtarët e vjetër të BE-së ashtu dhe ata të rinj, madje këta të fundit shfaqin uri të madhe për investime të huaja të drejtpërdrejta, prandaj nuk ka pse t’u krijohen atyre barriera psikologjike, kur sistemimi i këtij bashkëveprimi është brenda kolonave bazë të politikës së kooperimit BE-Kinë. Po ashtu, bashkëveprimi është brenda një blloku të unifikuar, pavarësisht ndryshimeve në përmasë, orientim ekonomik, pozicionim gjeografik etj., midis këtyre vendeve. Për më tepër, një gjë e tillë, brenda një politike të përbashkët, ruan garën midis tyre. Prandaj, kjo iniciativë duhet zgjeruar, duke përfshirë dhe vende të tjera europiane, p.sh., shtetin e Kosovës, që u përfaqësua si e barabartë midis të barabartëve në takimin e Berlinit të 28 gushtit, ku u deklarua po shifra 10 miliard (tashmë euro) nga presidenti në ikje i Komisionit Europian Barroso. Një garë shifrash, një realitet fatlum për Ballkanin Perëndimor apo një zgjim evropian me shpërthimin e krizës në Ukrainë!…
Iniciativa 16+1 synon të shndërrohet në një makinë tjetër kooperimi BE-Kinë, me synim stimulimin e tregtisë e investimeve, diversifikimin, fuqizimin e ndërveprimit dhe lidhshmërisë në teknologji e shkencë, kontaktin kulturor dhe atë midis njerëzve. Prandaj, edhe pse në nivel “think tanks” me kontributin e ish- drejtuesve të disa vendeve të CEE-së dhe Kinës, simpoziumi i Bled-it shërbeu si platformë pune në shërbim të perspektivës së këtij bashkëveprimi “en bloc”. Në mënyrë të veçantë, aty, synimi ishte dhe shtysa për të avancuar marrëveshjet e ndërsjella në fushën e tregtisë dhe investimeve; për të përmirësuar funksionimin e tregut ose korrigjuar deformimet e tij, për të reduktuar kostot e rreziqet në transaksionet ndërkufitare (përfshirë pronësinë), veçanërisht në kushte bojkoti, sanksionesh e embargosh, siç është rasti i sanksioneve në kapërcimin e krizës ukrainase. Me vlerë është dhe politika tregtare ose veprimtari të ndryshme me orientim ekonomik-tregtar të OJQ-ve, apo shfrytëzimi i aseteve ekonomike për përfitim të ndërsjellë, sidomos në stabilizimin e raporteve politike; mbi të gjitha për të garantuar e rritur sigurinë ekonomike. Sidoqoftë, kryesore mbetet konsolidimi i mjedisit politik e ekonomik në nivel pjesor ose tërësor në shfrytëzimin dhe lehtësimin e këtyre objektivave; përfshirë marrëveshjet multilaterale apo ato me institucionet globale. Prandaj, në Shqipëri, duhet dimensionuar dhe institucionalizuar më tej bashkëveprimi me biznesin dhe OJQ-të e specializuara, për të rritur ndikimin politik e besimin e ndërsjellë në marrëdhëniet bilaterale e multilaterale. Dhe ato duhet të jenë të larmishme dhe të gjithanshme në funksion të zhvillimit të vendit, interesave qytetare dhe proceseve integruese. Mbi të gjitha, duhet mbështetur me durim çdo iniciativë që mbështet projekte të rëndësishme në fushën e infrastrukturës apo, në përgjithësi, në futjen e investimeve të huaja të drejtpërdrejta në Shqipëri. Ideologjitë i takojnë të kaluarës, përfitimi reciprok mbetet motoja e ditës. Një ilustrim të qartë ofrojnë marrëdhëniet ShBA-Kinë. Aty, konsideratat e biznesit peshojnë shumë në marrëdhëniet politike, pavarësisht diferencave ideologjike. Po ashtu, vetë Kina, sot, shfrytëzon instrumentet ekonomikë, duke ofruar terma apo kushte shumë më tërheqëse për tregti e investime në vende të ndryshme, përfshirë ato të CEE-së. Në këtë kuptim, politika apo ideologjia nuk është më ajo që udhëheq ekonominë, por ekonomia po drejton politikën apo ideologjinë. Vetë konsideratat ekonomike duhet të jenë, pra, pararoja e përpjekjeve në arritjen e qëllimeve të politikës së jashtme. Dhe, këtu nuk ka asgjë të re, por veçse ajo duhet kuptuar e realizuar!..
Kështu, duhet të trajtohet çdo iniciativë pozitive për ekonominë shqiptare, pra edhe iniciativa 16+1, apo tezat bazë të samitit të Berlinit. Ndërsa, çdo mbivlerësim apo nënvlerësim, çdo dehje apo hezitim, çdo pompim apo njëanshmëri, në një drejtim ose në një tjetër, nuk i shërben Shqipërisë dhe shqiptarëve, për më tepër vetë ritmeve të ecjes përpara, kapjes së kohës së humbur! A është kuptuar një gjë e tillë apo do të vazhdohet akoma me “teknologjinë e fasadës”, aq më keq të “marrjes së borxhit për shlyerje borxhi”?! Koha do ta tregojë, por dhe duhet të shpresuar…