Rritet inflacioni, arrin 2%, ushqimet shtrenjtohen
INSTAT, 9 shtator 2014
Inflacioni me bazë vjetore, ka arritur në muajin gusht nivelin më të lartë që nga shkurti i këtij viti, duke rezultuar në kufirin e poshtëm të objektivit minimal të Bankës së Shqipërisë prej 2-4%. Që nga muaji mars, norma vjetore e ndryshimit të çmimeve kishte qëndruar nën 2%.
INSTAT raportoi se Indeksi i çmimeve të konsumit në muajin gusht 2014, arriti 116,0 % kundrejt muajit dhjetor 2007 (dhjetor 2007=100). Në muajin gusht 2014 ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit është 2,0%.
Një vit më parë ky ndryshim ishte 1,2 %.
Krahasuar me muajin gusht 2013, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 7,8 %, pasuar nga grupi “Pije alkoolike dhe duhan” me 7,1 %,“Ushqime dhe pije joalkoolike” me 3,2 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 1,9 %, etj. Ndërsa ulja me e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shëndeti” me 5,6 % pasuar nga grupi “Veshje dhe këpucë” me 2,3 %, “Komunikimi” me 0,8 %, etj.
Rritja vjetore në muajin gusht është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,25 pikë përqindje. Në këtë grup çmimet e nëngrupit “zarzavate” janë rritur me 25,6 % dhe nëngrupit “fruta” me 7,0 %. Çmimet e nëngrupit “vajra dhe yndyrna” u ulën me 6,2 %, pasuar nga nëngrupi “sheqer e ëmbëlsira” me 3,3 %, “kafe, çaj e kakao” me 2,9 %, etj. Çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me 0,38 pikë përqindje.
Rritja e çmimeve të grupit “Pije alkoolike dhe duhan” ka kontribuar me 0,26 pikë përqindje në ndryshimin vjetor. Krahasuar me një vit më parë çmimi i duhanit u rrit me 12,1 %. Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë kontribuar me 0,18 pikë përqindje.
Çmimet e grupit “Shëndeti” kanë kontribuar me -0,19 pikë përqindje në ndryshimin vjetor. Grupi “Veshje dhe këpucë” ka kontribuar me -0,12 pikë përqindje.
Në muajin Gusht 2014 ndryshimi mujor i indeksit është 0,1 %. Rritja e çmimeve është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 0,07 pikë përqindje. Çmimet e nëngrupit “peshk” u rritën me 1,9 % dhe nëngrupit “qumësht djathë e vezë” me 1,0 %.
Nga ana tjetër çmimet e zarzavateve u ulën me 0,6 % dhe frutave me 0,1 %. Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” dhe “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” ndikuan me -0,01 pikë përqindje në ndryshimin mujor.
Barnat, rriten importet, shtrenjtohet çmimi për njësi
Importet e produkteve farmaceutike kanë shënuar një rritje në gjashtë muajt e parë të këtij viti, për herë të parë që nga 2011-a, sipas statistikave të detajuara nga INSTAT.
Për periudhën janar-qershor 2014, produktet farmaceutike të importuara arritën në 10,1 miliardë lekë, duke shënuar një rritje të ndjeshme prej 18% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo rritje vjen pas një periudhe dy vjeçare, ku tregu i importeve të barnave kishte shënuar një periudhë stanjacioni.
Sipas muajve, importet e produkteve farmaceutike janë rritur me ritme të shpejta në periudhën prill-qershor, që përkon me kohën e heqjes së TVSH-së prej 10% të barnave.
Bie në sy, që rritja e importit të vlerën totale ka ardhur në pjesën më të madhe nga shtrenjtimi i çmimit për njësi të barnave të importuara (vlera totale/kg) sesa nga rritja e sasisë së barnave të importuara, duke mos reflektuar ndonjë shtim të ndjeshëm të konsumit. Në sasi, importet për gjashtë mujorin janë rritur me vetëm 6%.
Nga të dhënat e detajuara rezulton se pas muajit prill barnat e importuara kanë qenë më të shtrenjta për çdo njësi të importuar.