“World Ultra Wealth Report”: Në Shqipëri 55 biznesmenë kanë 7 miliardë USD pasuri
“World Ultra Wealth Report”: 5 shtator 2014
Në Shqipëri 55 persona kanë një pasuri më shumë se gjysma e prodhimit të Brendshëm Bruto. Janë plot 7 miliardë USD që ndahen vetëm në duart e këtyre personave, duke e renditur Shqipërinë në vendin e 37-të në Europë për nga numri i multimilionerëve. Në bazë të llogaritjeve, mesatarisht secili prej tyre ka një pasuri prej 127 milionë USD. “World Ultra Wealth Report”, tregon me shifra se pasuria e multimilionerëve vendës, në mes të krizës financiare, jo vetëm që nuk është ndikuar, por është shtuar me të paktën 4.1 për qind.
Bëhet fjalë për vitet 2011- 2012, kur kriza ekonomike pllakosi të gjithë Europën dhe goditi ashpër edhe financat e vendit. Në këtë pikë, jemi pas Gjermanisë. Sipas raportit, vetëm në Gjermani kishte një rritje të pasurisë me 5.4 për qind. Ndërsa dy vende të tjera, Bosnjë-Hercegovina dhe Malta patën një rritje të frikshme me respektivisht 13.3 dhe 9.1 për qind. Në raport nuk flitet për emrat e personave që mbajnë këto pasuri, por vlera që ata administrojnë është vërtet e frikshme.
Më shumë se gjysma e ekonomisë shqiptare është në duart e 55 personave, gjë që e bën situatën shumë vulnerabil. “World Ultra Wealth Report” është një organizatë që përpiqet të masë pasuritë e individëve në mbarë botën. Ajo llogarit në kalkulimet e saj vetëm individë me pasuri mbi 30 milionë USD. Pjesë e pasurisë nuk janë vetëm shumat bankare, por edhe aksionet në kompani të ndryshme, qendra rezidenciale e pasuri të tjera të patundshme apo koleksione arti apo çdo aset tjetër. Për llogariten e pasurisë, organizata bashkëpunon dhe shkëmben informacione me banka private, institute arsimore, organizata joqeveritare dhe kompani luksoze.