KLSH dhe ruajtja e parasë publike
Nga Fatos Coçoli, botuar në Panorama Online, 5 shtator 2014
Që në ditët e para të shpërthimit të skandalit të vjedhjes në Bankën e Shqipërisë, Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ishte ndër institucionet e pakta të pavarura që veproi me përgjegjësi publike, duke dërguar menjëherë audituesit e tij për kontroll në Departamentin e Thesarit të Bankës Qendrore të vendit. Kjo përgjegjësi publike është një aset madhor, që për fat të keq u mungon disa titullarëve të institucioneve të tjera të pavarura, e madje edhe disa drejtuesve të qeverisë së sotme. Është në detyrën dhe përgjegjësinë e institucionit më të lartë (me Kushtetutë) të kontrollit shtetëror, pra KLSH-së, që të jetë aty ku cenohet rëndë paraja publike, për të vërejtur anomalitë, zbuluar shkaqet e tyre dhe rekomanduar përmirësimin e kushteve të ruajtjes së kësaj paraje. KLSH po e kryen këtë, sikurse ka shumëfishuar vitet e fundit numrin e kallëzimeve penale për abuzuesit me pronën dhe paranë shtetërore. Sikurse ka rekomanduar kthimin e 80 milionë eurove të garancisë për privatizimin e AlbPetrol, si shpërblim të dëmit të shkaktuar në Buxhetin e Shtetit. Sikurse i ka kërkuar Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, në kontrollin e tij mbi BSH-në në korrik 2013, që të rishikonte pagat e anëtarëve të Këshillit dhe të Guvernatorit, në emër të ndjeshmërisë publike. Dhe ndjeshmëria publike përkthehet shumë qartë te ne në përgjegjësi publike. Shqiptarët nuk do të ishin kaq të indinjuar dhe të revoltuar me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë sikur ky të kishte zbatuar rekomandimin e KLSH dhe t’i kishte caktuar vetes një pagë më të vogël sesa të Presidentit të Republikës, e jo të vazhdonte me pagën që po vetë e kishte caktuar, tri herë më të lartë nga ajo e Presidentit! Ndoshta punët me financat publike dhe telashet me borxhet e qeverisë ndaj biznesit do të kishin shkuar më pak keq nga sa shkuan, nëse qeveria, me presion edhe të Kuvendit, gjatë viteve 2012-2013, do të kishte zbatuar deri në fund rekomandimet e KLSH për vendosjen e një tavani të borxhit publik dhe për përmirësimin e gjendjes së detyrimeve që Shteti ka ndaj biznesit. Por konstatimet e KLSH dhe rekomandimet e saj u ngjanin thirrjeve të beduinit në shkretëtirë, pa mbështetjen e Komisionit për Ekonominë dhe Financat të Kuvendit. Në të gjitha vendet e zhvilluara në Europë dhe në botë, KLSH-të dhe struktura përkatëse e parlamenteve ku ato raportojnë, janë si vëllezër siamezë. KLSH-të konstatojnë, zbulojnë dhe rekomandojnë. Deputetët e komisionit përkatës, kur i gjejnë të drejta këto konstatime dhe rekomandime, ushtrojnë presion pozitiv te qeveria, që kjo t’i zbatojë. Për këtë ka seanca dëgjimore pa fund në Bundestagun gjerman, apo në Dhomën e Komuneve në Britani, e me radhë. Kjo rrit përgjegjësinë publike të institucioneve që kontrollohen nga KLSH-të, rrjedhimisht përmirëson performancën e tyre, por rrit edhe imazhin dhe staturën publike të deputetëve mbështetës të rekomandimeve të KLSH-ve. Nëse një situatë e tillë do të vërehej edhe te ne, do të kishim rritje të llogaridhënies publike dhe me siguri kufizim të korrupsionit galopant. Por një gjë e tillë do të ndodhte nëse shumica qeverisëse dhe vetë qeveria të kishte besim te KLSH-ja shqiptare dhe te standardet që ky institucion rreket të zbatojë. Është shqetësuese që KLSH detyrohet të dërgojë për kallëzim penal në korrik të këtij viti administratorin e AlbPetrol sh.a. për veprën penale të pengimit të punonjësit, që kryen një detyrë shtetërore ose shërbim publik. AlbPetrol sh.a. është një nga dy kompanitë më të mëdha shtetërore të vendit- kompania tjetër është KESH-, dhe këqyrja e plotë publike e tij është e domosdoshme, pse bëhet fjalë për një pasuri publike me vlerë miliarda euro. Me pretendimin se ruan konfidencialitetin e marrëveshjeve të hidrokarbureve me kompanitë private, administratori i AlbPetrol nuk i ka dorëzuar, sipas kërkesës, dosjet e këtyre marrëveshjeve audituesve të KLSH-së, në auditimin e radhës. Kjo është shumë e rëndë. Akoma më e rëndë do të ishte nëse ky administrator do të kishte gjetur edhe mbështetje politike për veprimin që kreu. Është njëlloj sikur t’i mohosh opinionit publik të vendit tënd të kontrollojë në mënyrë profesionale-nëpërmjet audituesve të KLSH- përgatitjen dhe realizimin e këtyre marrëveshjeve me vlerë miliona euro secila. Kjo bie erë papërgjegjësi e plotë publike, dëshirë për të mos pasur një këqyrës profesionist mbi punët e tua shtetërore. E kush do t’i kontrollojë kontratat e lidhura nga AlbPetrol? Vetëm auditimi i brendshëm i Ministrisë së Energjetikës? Ky kontroll është i pamjaftueshëm. Në çdo rast, gjetjet e auditimit të brendshëm kalojnë deri te ministri i linjës, por jo tek opinioni publik. Përgjegjësia publike ngec në një ingranazh shtetëror dhe bëhet pre e interesit afatshkurtër politik. Nëse duam përgjegjshmëri publike dhe llogaridhënie të qeverisë e institucioneve të tjera shtetërore, duhet t’i japim kontrollorit më të lartë shtetëror (KLSH-së) si Kuvend, qeveri, shoqëri civile dhe opinion publik, mbështetjen që i takon, për të ruajtur paranë publike me gjetjet dhe rekomandimet e zbatuara të tij.