Sfida e Gjermanisë: Demokracia në Ballkanin Perëndimor

Nga Agim Nesho,  botuar në Mapo Online, 30 gusht 2014

Konferenca e nivelit të lartë të Ballkanit Perëndimor, e organizuar në Berlin, do të përdoret gjerësisht nga Gjermania për rikthimin e vëmendjes në Ballkan, një rajon që lëkundet midis pritshmërisë për t’u bërë pjesë në Europën e Bashkuar dhe pasionant për “demokracitë e kontrolluara”, një term që sot përdoret gjerësisht për të përshkruar sistemet politike e demokracive joliberale që kontrollojnë shoqëritë e tyre, por në dukje japin imazhin e demokracisë.

Lëvizja e Gjermanisë për t’u angazhuar me Ballkanin vjen pas një dekade të shkëputjes së interesave amerikane nga rajoni dhe në një kohë kur deklarohet “ndërprerje e zgjerimit” të Bashkimit Europian të paktën për pesë vitet e ardhshme.

Megjithatë, Bashkimi Europian nuk mund të lejojë ekzistencën e “vrimave të zeza” në territoret e saj gjeografike, për më tepër në një rajon ku influencat e huaja historikisht kanë lënë gjurmë. Kriza në Ukrainë me të drejtë ka zgjuar vëmendjen e Gjermanisë për të trajtuar me kujdes Ballkanin Perëndimor, edhe kur Bashkimi Europian nuk mund të ofrojë hapa konkretë drejt anëtarësimit.

Angazhimi me Ballkanin Perëndimor është më tepër sesa një çështje e sigurisë europiane. Influenca në rritje e Turqisë me strategjinë e saj neo-otomane gjen terren në Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë dhe Shqipëri. Ndryshe nga sa propagandohet, kjo nuk është një përqasje që reflekton lidhjet kulturore dhe traditat fetare të përbashkëta, por mbështetet në interesa ekonomike dhe si mënyrë e lidershipeve të këtyre vendeve për të përdorur modelin autoritar të pushtetit. Nga ana tjetër, përpjekjet e Serbisë për të përdorur interesat ruse, janë më tepër tendenca për të përfituar nga BE për çështjen e Kosovës dhe përkujdesin e tyre për investime dhe rol prioritar në rajon.

Problemi kryesor në Ballkan sot janë demokracitë jo-funksionale. Bosnja dhe Hercegovina po lëkundet nga protestat sociale kundër një regjimi jo-funksional. Maqedonia e ruan Marrëveshjen e Ohrit si fasadë ndërsa marrëdhëniet ndër-etnike janë bërë më të dukshme dhe problematike. Shqipëria po drejtohet nga një regjim klientelist i ngjashëm me modelin “hungarez” që po prish balancat e pushtetit dhe mund të krijojë në të ardhmen trazira sociale. Në Malin e Zi e njëjta elitë politike drejton vendin për më se dy dekada. Në disa vende të Ballkanit Perëndimor, opozita bojkoton Parlamentin me shpresën e rritjes së vëmendjes për cenimin e parimeve dhe institucioneve demokratike.

Demokracia e kontrolluar është e pranishme dhe duket sikur iu vjen për shtat elitave udhëheqëse. Demokracia liberale që ishte frymëzimi i popujve të Europës Lindore pas rënies së Murit të Berlinit po fillon të zbehet në favor të demokracisë jo-liberale.

Hyrja në Ballkanin Perëndimor e një demokracie udhëheqëse dhe aktori global si Gjermania mund të ndihmojë në transformimin e status-quo dhe do të rrisë shpresën. Ky është një moment që duhet të shfrytëzohet nga të dy palët: Gjermania për të rritur rolin e saj të lidershipit dhe përgjegjësisë në Europë dhe Ballkani Perëndimor për të përshpejtuar procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Nëse kjo iniciativë nuk do të prodhojë efektet pozitive politike dhe ekonomike të pritshme, drejtimi i ardhshëm i Ballkanit Perëndimor nuk do të jetë më një surprizë.

*Shkrimi është botuar fillimisht në The National Interest, SHBA. Autori është President i Këshillit Shqiptar për Marrëdhënie me Jashtë dhe ish-Ambasador në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi