Mesazhet e Samitit të Berlinit
Nga Afrim Krasniqi, 28 gusht 2014, botuar në Shqiptarja.com
36 vjet pas Kongresit të Berlinit, ku Fuqitë e Mëdha të kohës përcaktuan hartën e re politike ballkanike, përsëri në Berlin, përsëri me nismën gjermane dhe përsëri me praninë e FM përmes Kryetarit të Komisionit të BE Barroso, shtetet ballkanike mblidhen për të krijuar një agjendë të re zhvillimit dhe integrimi evropian. Në dallim thelbësor nga kuvendi i Bismark sot nuk flitet më për “shprehje gjeografike”, në dallim nga 100 vjetori i shpërthimit të Luftës së Parë Botërore pikërisht në Ballkan sot do flitet më për konflikte dhe kufij, dhe se në dallim thelbësor nga çdo e kaluar, në Berlinin e sotëm ka dy shqiptarë, kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës.
Ky krahasim historik merr vlerë jo si qëllim në vetvete, por për të ritheksuar të vërtetat historike: fati i popujve të Ballkanit shpesh është paracaktuar jashtë tij. Berlini, Londra, Versajë, Jalta apo Dejton janë disa emra që na kujtojnë këtë fakt. Berlini i sotëm nuk bën përjashtim. Mesazhi gjerman dhe përmes tij edhe mesazhi evropian drejtuar shteteve të Ballkanit është i qartë: perspektivë integrimi, standarde më të larta demokracie dhe projekte të përbashkëta të zhvillimit ekonomik.
Tej grindjeve ballkanike pa sens rreth protagonizmit personal apo sukseseve individuale të liderëve të rajonit, Berlini ka vetëm një skenar: kancelarja gjermane Merkel ka ideuar takimin, ka bërë ftesat, ka marrë përgjegjësinë për rikthimin gjerman në rajon dhe pavarësisht liderëve të radhës në qeveritë rajonale, çdo vend është pjesë e projektit, asnjë vend nuk është as i privilegjuar dhe as i mënjanuar. Prania e Kosovës është domethënëse për këtë tezë. Kushtëzimi gjerman i njohjes së realitetit në Kosovë për sukses integrues për Serbinë është argument pro këtij realiteti të ri. Projekti historik hekurudhor që lidh Munihun me Stambollin, apo projektet energjetike e infrastrukturore gjithëpërfshirëse në rajon janë gjithashtu një shans historik ndryshimi dhe shndërrimi të rajonit nga zonë e Ballkanit në zonën e Evropës së Bashkuar Juglindore.
Përgjatë dekadave të fundit rrallë herë kemi parë prezencë dhe rol aktiv të tillë gjerman në rajon, përfshirë botën shqiptare. Në memorie kanë mbetur udhëtimet e Shtraus dhe më pas roli aktiv i Gensher, përfshi në rolin përcaktues të tij në pranimin e Shqipërisë në OSBE pikërisht në mbledhjen e Berlinit 1991. Gjatë Luftës në Bosnje dhe më pas në Kosovë prezenca gjermane ishte aktive, sidomos në rastin e dytë. Klaus Kinkel vizitoi disa herë Tiranën madje udhëtoi deri në kufirin me Kosovën, më pas Fischer dhe Sharping ishin po aq aktiv dhe mbështetës, një sërë figurash diplomatike dhe ushtarake gjermane drejtuan misionet ndërkombëtare në Kosovë, etj. Gjithsesi prej disa vitesh prezenca gjermane në Shqipëri, p.sh, ishte jashtë pritshmërive, për shkaqe të dyfishta, – mbetjen e Shqipërisë jashtë interesit strategjik dhe për shkak të preferencave politike të Tiranës në favor të vendeve konkurruese, sidomos Greqisë e Italisë.
Më 2014 Shqipëria është anëtare e NATO, sapo mori ftesën për statutin kandidat për në BE, ka kryer një rotacion të suksesshëm politik dhe prezenca gjermane është në rritje. Procesi zgjerues i BE është ndalur, fazë që mund të shkaktojë lodhje dhe zhgënjim në rajonin tonë. Samiti i Selanikut dha shpresë një dekadë më parë, shpresa që nuk u përmbushën nga asnjëra palë, ndaj samite si ky i Berlinit duan të japin mesazhin e garancisë për të ardhmen, e mos lënies në harresë dhe e trajtimit të zonës së Ballkanit Perëndimor si një pjesë e pandarë nga projekti i Evropës së Bashkuar. Midis ofertës evropiane dhe atyre të tjera, sidomos ruse apo neo-otomane, projekti i parë është dhe mbetet interes jetik, strategjik, konsensual dhe i pakonkurrueshëm.
Merkel fton vendet të konkurrojnë midis tyre dhe garanton vlerësim mbi bazën e arritjeve, diçka që teorikisht vlen, por që praktikisht ka vetëm një zgjidhje: integrim kolektiv në BE. Çdo ndarje, diferencim apo vendim i privilegjuar vetëm sa krijon mbivendosje në Ballkan, dhe përbën burim kontestimesh absurde shtetërore apo etnike, ndaj opsioni i vetëm mbetet ai që të gjithë e dinë, pakkush e thotë publikisht, BP i integruar në BE, i tërë dhe i plotë.
Takimi i Berlinit i jep një dimension të ri gjeopolitikës dhe ngre në nivel më të lartë bashkëpunimin rajonal nën kujdestarinë aktive gjermane dhe të BE. Produkti i parë është politik, më pas ka produkte të matshme ekonomike dhe së fundi, e pamatshme por me shumë rëndësi, produkti është afatgjatë dhe gjendet tek fryma e re e raporteve midis vendeve të BP dhe Evropës së Bashkuar, dhe sidomos tek nevoja e madhe për një dimension të ri të marrëdhënieve rajonale dhe të standardeve më të larta të shtetit të së drejtës dhe të demokracisë funksionale. Me siguri, të zënë me traditat tona populiste, kjo ngjarje madhore do ta anashkalojë faktin se vendeve të ftuara në Berlin u është kërkuar një sjellje e re politike, më shumë rezultate kundër korrupsionit dhe për forcimin e institucioneve, më pak grindje dhe prirje nacionaliste dhe më shumë projekte konkrete ekonomike, bashkëpunimi dhe akte përgjegjësie ndaj qytetarëve dhe detyrimeve ndërkombëtare.
Le të marrim Shqipërinë e Kosovën: a do ta “shpërdorojmë” edhe këtë shans historik siç shpesh kemi bërë, apo do reflektojmë për të mësuar nga gabimet e të kaluarës dhe për të ndarë përgjegjësitë e shtetit nga interesat ditore politike? A kemi ne aftësinë të ofrojmë projekte rajonale zhvillimi, të krijojmë stabilitet demokratik dhe siguri afatgjatë, ta shohim Berlinin dhe Brukselin si një shans historik për standarde më të lartë për veten, në familjen tonë qytetare e shtetërore dhe më pas, si projekt gjeopolitik?
A mund të dëshmojmë ne aftësi për institucione të besueshme dhe funksionale, për rritje të kulturës politike dhe sensit të përgjegjësisë ndaj sfidave që na presin? A kemi ne potencial e vullnet për të luftuar korrupsion në nivele të larta dhe për të krijuar një terren vendimmarrës transparent e përfshirës, ku vendin e oligarkisë dominuese e zë sovraniteti qytetar dhe demokracia cilësore? A kemi ende forcë e integritet të zgjidhim vetë mosmarrëveshjet e brendshme politike dhe të eksportojmë jashtë nesh mesazhe pozitive në vend të konfliktualitetit permanent politik? Në fund të fundit, a jemi ne po aq konsensualë sa premtimi për integrimin edhe në përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga ky proces? Këto janë përgjigjet që priten nga dërgatat tona në Berlin dhe ata që po i presin në Tiranë e Prishtinë, këto janë përgjigjet që do të dijë çdo qytetar shqiptar dhe njëherësh, Berlini dhe Brukseli, këto janë përgjigjet që bëjnë diferencën midis një ngjarje me rëndësi jetike në të ardhmen tonë dhe një ngjarje rutinore në listën e gjatë të shanseve të humbura historike.
Nuk ka dileme se në aspektin rajonal dhe pavarësisht reflektimit shqiptar apo ballkanas ndaj tij Berlini 2014 është dhe mbetet një shans i madh, përbën rikthim të BP në fokusin kryesor të politikës gjermane dhe evropiane, ngre në një nivel të lartë problematikat tona rajonale, ndikon dukshëm në klimën politike në rajon dhe përbën një katalizator afatgjatë drejt projektit jetik të ribashkimit tonë me Evropën.