Berlini, shans dhe shumë përgjegjësi
Nga Valbona Zeneli, botuar në Panorama Online, 28 gusht 2014
Zërat e përhapur fill pas krizës që preku eurozonën se vështirësitë ekonomike do të “vrisnin” procesin e zgjerimit, rezultuan jo të vërteta. Në fakt, Bashkimi Europian vazhdoi të zgjerohet, në 28 vende kur Kroacia iu bashkua grupit në korrik 2013. Ky mund të cilësohet qartë hap historik për të ardhmen europiane të rajonit.
Perspektiva europiane iu ofrua për herë të parë Ballkanit Perëndimor në vitin 1999 në Sarajevë, me Paktit e Stabilitetit për Europën Juglindore, por angazhimi i vërtetë erdhi në vitin 2003 në Samitin e Selanikut. Mbas 11 vitesh progresi jo të barabartë, ku disa vende kanë ecur përpara e të tjera kanë “ngecur” në proces, duket se një kapitull i ri do të hapet për politikën e zgjerimit europian sot në Berlin. Pikërisht gjatë Samitit të nivelit të lartë dedikuar Ballkanit Perëndimor, nën udhëheqjen e Kancelares Angela Merkel. Si qëllim ashtu edhe mjet, integrimi në strukturat euroatlantike mbetet rruga më e mirë për stabilitetin, sigurinë dhe zhvillimin e Ballkanit. Nga ana tjetër ky është një parakusht për realizimin e një vizioni e një Europe demokratike dhe të begatë.
Procesi i zgjerimit të BE-së
Zgjerimi, një prioritet kryesor i BE-së qysh prej rënies së Murit të Berlinit, është konsideruar gjerësisht si instrumenti më i fuqishëm i politikës së jashtme të BE-së, duke u veçuar si mekanizmi më efektiv i parandalimit të konflikteve, sidomos kur flitej për rajonin e turbulluar të Ballkanit.
Ai që filloi si një “klub” ekskluziv i 6 vendeve është tashmë shtëpi e një popullsie prej 500 milionë banorësh. Shtatë raundet e zgjerimit kanë pasur motivacione dhe pasoja të ndryshme për shkak të karakteristikave gjeografike, ekonomike dhe politike të anëtarëve të rinj. Tashme 8 vende presin t’i bashkohen klubit, 5 kandidatë dhe 3 aspirantë, duke përfaqësuar një popullsi prej 100 milionë banorësh.
Suksesi i përgjithshëm i zgjerimit mbetet i pamohueshëm për të gjitha vendet, të cilat kanë përfituar ekonomikisht nga tregje më të mëdha dhe rritja e konkurrueshmërisë, dhe gjeopolitikisht nga paqja dhe stabiliteti.
Integrimi i vendeve të reja ka qenë pjesë e planit qysh prej fillimit (artikulli 49 i Traktatit të BE-së), gjithsesi prej zgjerimit të vitit 2007 me Bullgarinë dhe Rumaninë, kriteret e hyrjes janë rritur në mënyrë të konsiderueshme. Gjithsesi, zgjerimi gjithmonë ka qenë një proces dinamik dhe vendet e institucionet e BE-së kanë aplikuar vazhdimisht mësime nga eksperiencat e mëparshme. Më i rëndësishmi prej tyre është që “levat” e BE-së funksionojnë më mirë para hyrjes, për këtë arsye negociatat janë bërë më komplekse dhe principi i “kondicionalitetit” aplikohet më gjerësisht.
Me Europën që është e angazhuar me problemet e brendshme, në përpjekje të kalojë problemet e krizës ekonomike, është e dallueshme se si vendet e Ballkanit Perëndimor janë vënë në radhe për t’u bërë anëtare të saj. Në fakt ky është dhe prospekti më realist dhe ndoshta një ndër të vetmit emërues të përbashkët që karakterizojnë rajonin, ku edhe mbështetja e gjerë publike, e cila në mesatare i kalon 60%, ka mbajtur të ndezur shkëlqimin e këtij institucioni sovra-kombëtar.
Nga ana tjetër, me gjithë “lodhjen nga zgjerimi” në strukturën e vet, e reflektuar kryesisht në opinion publik, me 53% të qytetarëve kundër zgjerimit të mëtejshëm (Eurobarometër 2013), BE po vazhdon të mbajë gjalle politikën e zgjerimit në Ballkan. Forca shtytëse e kësaj vendosmërie është dëshira për të transformuar Ballkanin në një ambient stabël, të sigurt dhe demokratik.
Vendet e Ballkanit Perëndimor nuk e kanë të lehtë anëtarësimin, siç shpesh e paraqesin. Me gjithë përparimet e dukshme në promovimin e demokracisë dhe tregut të lirë, fatkeqësisht, këto vende kanë risqe më të larta sigurie dhe benefite më të ulëta ekonomike për BE-në sesa aplikantët e mëparshëm ish-komunistë.
Cilësia e demokracisë, ekonomisë së tregut dhe menaxhimit politik në demokracitë e reja të rajonit mbeten shqetësuese. Së pari, dyshime të shumta ngrihen në lidhje me demokracinë, që është kthyer më tepër në luftë pushteti, duke krijuar një hendek midis elitave dhe qytetarëve. Kjo duket në nivelet e ulëta të besueshmërisë të popullsisë së rajonit kundrejt institucioneve publike, me një mesatare rreth 20% (Economist Intelligence Unit 2012). Së dyti, institucionet e ekonomisë së tregut minohen nga ekonomia informale, korrupsioni dhe pabarazia sociale në rritje. Papunësia e lartë (sidomos te të rinjtë, ku në disa vende kap shifrën 70%), ekonomia informale (rreth 30-40%) dhe korrupsioni endemik, dërgojnë mesazhe të qarta të deficitit të rëndë të sundimit të ligjit.
Por duhet pranuar se kjo situatë problematike ka përforcuar edhe më tej angazhimin e liderëve kryesorë të BE-së në përkrahje të zgjerimit drejt rajonit. Efekti i “demokratizimit” të rajonit shihet në shumë vende si çështje interesi kombëtar, pasi kostot e së kundërtës do të ishin shumë të larta.
“Europianizimi” i një rajoni ende të ndjekur nga mosbesimi, ekonomitë e pazhvilluara, sundimi i dobët i ligjit, korrupsioni galopant dhe krimi i organizuar, është edhe një test kredibiliteti për kapacitetin e BE-së në arenën ndërkombëtare, sidomos pas fitores të çmimit “Nobel” për Paqen në vitin 2012.
Zhvillim i integruar rajonal
I prekur seriozisht nga kriza, sfida për të rikthyer zhvillimin ekonomik në rajon, sot është më e komplikuar; kur nevojiten ndryshime rrënjësore strukturore në kohë shtrëngesash financiare.
Për të dalë nga ky rreth vicioz (ashtu siç jam shprehur dhe më parë në këtë gazetë) pika e fillimit duhet të jetë pranimi nga çdo vend i rajonit, se vendet individualisht janë shumë të vogla në tregun e globalizuar, me mungesë të thellë kapacitetesh e burimesh konkurruese. Secili prej vendeve është shumë i dobët për të gjeneruar ekonomi shkalle dhe për të thithur investimet të huaja produktive.
Në këtë logjikë, bashkëpunimi dhe ndërveprimi rajonal marrin rëndësi jetike për të ardhmen ekonomike të Ballkanit Perëndimor, për të arritur njohje më të gjerë në tregun ndërkombëtar. Rritja e integruar e rajonale mund të arrihet vetëm përmes liberalizimit të plotë të tregtisë dhe investimeve, si edhe harmonizimit të rregulloreve, procedurave dhe institucioneve.
Interesi i ulët (megjithëse në vitin 2013 ndihet një rritje e lehtë) i investitorëve të huaj, nuk varet nga mungesa e financave globale, por nga mungesa e besimit në këto ekonomi të vogla e me probleme të shumta strukturore. Investitorët e huaj kërkojnë të veprojnë aty ku: sundimi i ligjit është i siguruar dhe korrupsioni luftohet seriozisht, Gjyqësori është funksional, të drejtat e pronës janë të qarta, ku institucionet janë transparente dhe llogaridhënëse. Në të kundërt, nuk ka oreks për të investuar aty ku standardet europiane nuk përmbushen dhe mjedisi i biznesit është i paparashikueshëm.
Ballkani Perëndimor duhet të zhvillojë e të promovojë në mënyrë kolektive një mjedis miqësor për tërheqjen e investimeve cilësore të kanalizuara në ata sektorë që rrisin investimet vendase. Individualisht, asnjë vend nuk ka potencialet të ketë sukses të qëndrueshëm.
Por asgjë nuk mund të arrihet pa zhvillimin e kapaciteteve njerëzore rajonale, zhvillimin e aftësive dhe përvetësimin e teknologjive të reja. Eksperienca e anëtarëve më të rinj të BE-së ka treguar se ata nuk ishin në gjende të absorbonin asistencën financiare të alokuar nga BE për reformat strukturore, për shkak të mungesës së kapaciteteve apo koordinimit të keq të tyre. Në 5-vjeçarin e parë, Rumania arriti të absorbonte më pak se 20% të asistencës së BE-së.
Zhvillimi i projekteve infrastrukturore, energjetike, por edhe njerëzore do t’i shtonte marrëdhënieve ndër-rajonale elementin që i ka munguar në historinë e bashkëpunimit: atë të dimensionit njerëzor. Kjo do të lehtësonte edhe punën e institucioneve të BE-së për të asistuar financiarisht dhe teknikisht vendet e Ballkanit. Në këtë linjë organizohet edhe Konferenca ekonomike rajonale këtë javë në Berlin, si pjesë e axhendës së Samitit të Ballkanit Perëndimor, e udhëhequr nga Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikes gjermane.
Shpresë në ballë të vështirësive
Vështirësitë ekonomike mund të përfaqësojnë një mundësi reale për bashkëpunim proaktiv rajonal. Në aspektin ekonomik, ky do të ishte thelbësor për rritjen e mirëqenies dhe të aftësive konkurruese, në aspektin politik një element i rëndësishëm për stabilitet dhe pajtim.
Suksesi i së ardhmes përcaktohet sa nga ekonomia, aq edhe nga politika. Kjo është arsyeja pse liderët rajonalë duhet të udhëheqin seriozisht dhe të divorcohen nga çështjet folklorike negative të së kaluarës, por të përqendrohen në shanset pozitive për progres.
Gjermania ka marrë rol udhëheqës për të demokratizuar dhe transformuar Ballkanin Perëndimor përmes anëtarësimit në familjen europiane, por nën një kushtëzim të fortë për implementim reformash dhe forcim të institucioneve. Nën premtimin e fortë për t’u bërë anëtare të BE-së, vendet e rajonit duhet të plotësojnë kushtet e panegociueshme të komunitetit ndërkombëtar dhe të luftojnë për zbatimin e reformave të nevojshme politike dhe ekonomike, dhe të përballen seriozisht me korrupsionin dhe krimin e organizuar, si dy gangrenat kryesore.
Kur vendet aspirante ballafaqohen me vështirësi të shumta dhe procese të gjata, zakonisht është më e lehtë të vihen në dukje “enlargment fatigue” dhe procedura komplekse. Përkundrazi, janë aktorët vendas që kanë në dorë zgjedhjet për reforma dhe progres. Shembulli i Kroacisë nuk është rastësi.
Duke e konsideruar Samitin e Berlinit një ogur të mirë për të ardhmen e Ballkanit, është për t’u përshëndetur iniciativa e liderëve të rajonit për të “folur me një gjuhë” në Berlin. Në fillimet e procesit të zgjerimit, objektivi madhor i aktorëve ndërkombëtarë ishte të ulnin bashkë liderët e Ballkanit “që të flisnin” ndërmjet tyre, në përpjekje për të kapërcyer ndarjet dhe nxitur komunikimin. Sot, të njëjtët aktorë ndërkombëtarë duan të matin progresin me “veprime” e jo vetëm “fjalime”. Berlini nuk do të jetë një donacion, do jetë shumë më tepër. Një vëmendje e shtuar për demokracinë në Ballkan, me siguri një faqe e re për rajonin. Është një shans që nuk duhet humbur, jo vetëm në Berlin, por edhe pas tij.
* Autorja eshtë Profesore në Qendren Europianë të Studimeve të Sigurise “George C. Marshall”. Ky artikull reflekton pikepamjet e autorit dhe jo domosdoshmerisht pozicionin apo politiken zyrtare të Qendres Marshall, dhe të Qeverive të SHBA dhe Gjermanise.