Për një marrëdhënie të re mes Ballkanit dhe BE
Kryeministri Rama u nis sot për në Gjermani, ku do të marrë pjesë në Konferencën për Ballkanin Perëndimor, e cila do t’i zhvillojë punimet në Berlin. Përpara nisjes, Kryeministri Rama, së bashku me Ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati dhe Ministrin e Ekonomisë Arben Ahmetaj dhanë një konferencë për shtyp, në aeroportin e Rinasit ku prezantuan platformën bazë të diskutimeve në këtë konferencë.
Kryeministri Edi Rama:
Mirëdita të gjithëve!
Për rëndësinë krejt të veçantë që ka java në vijim dhe për peshën e jashtëzakonshme të përgjegjësisë që ka për ne si përfaqësues të Shqipërisë Konferenca e Berlinit për Ballkanin, dëshiroj të them disa fjalë me shumë së ç’janë thënë gjatë javës së shkuar. Të nënvizoj se, në radhë të parë, ne i kemi paraqitur të gjithë vendeve një dokument pune për të orientuar dhe koordinuar mes nesh, diskutimin e Konferencës në mënyrë që të kemi një produkt sa më të qëndrueshëm, jo vetëm politik, por edhe në formën e një procesi në vazhdim, për të nxjerrë nga rrugëtimi drejt stacionit tjetër që do të jetë konferenca e viti të ardhshëm, një sërë të mirash për vendin tonë, por sigurisht edhe për gjithë rajonin.
Praktikisht, synimi ynë është që një qasje e re ndaj rajonit, dhe ndaj gjithë vendeve në rajon që janë në rrugën e integrimit, të bëhet e mundur në funksion të një marrëdhënieje të re mes BE-së dhe Ballkanit. Kjo qasje e re, sigurisht, nuk mund të jetë njëplanëshe, por duhet të jetë disaplanëshe e për këtë arsye ne kemi konceptuar dokumentin tonë të bazuar pikërisht në ato shtylla të vendosura paraprakisht si shtylla bazë të diskutimit të Konferencës.
Mbetet me rëndësi të veçantë, pa asnjë dyshim themeli i kësaj Konference që lidhet me një politikë të re që ka nisur në rajon në shtysën e fortë të paqes dhe mbi faktin e thjeshtë se ky është viti i parë që rajoni në historinë vet jeton pa konflikte në kufijtë mes vendeve. Por, pa dyshim, mbi këtë themel duhet ndërtuar edhe një marrëdhënie e re në funksion të rritjes së financimeve për rajonin.
Është e qartë se kriza financiare e ka goditur rajonin dhe përgjithësisht burimet financiare janë vënë në funksion të ndaljes së krizës dhe të administrimit të një faze të ekonomisë që pa burime alternative të forta vështirë se mund të imagjinohet me një rritje të qëndrueshme dhe të lartë në dekadën që vjen. Kjo do të thotë që rajoni të mbetet jashtë gjithë rrugës së zhvillimit europian. Nga ana tjetër do të thotë që rruga e integrimit për secilin nga vendet të vështirësohet, pa llogaritur këtu dhe efektet e forta që mund të ketë kundërreagimi i brendshëm, në tërësi në rajon, si pasojë e mungesës së shpejtësisë në procesin e integrimit, diktuar sigurisht edhe nga gjendja aktuale e Europës së Bashkuar sot.
Janë katër zona ku do të kalojë diskutimi bazuar sipas nesh, në një strukturë që do të shkojë nga infrastruktura rajonale, ku ne kemi ndërtuar tanimë një bllok që përfshin Kosovën, Kroacinë, Malin e Zi dhe Bosnjën për të mbështetur projektin e madh të “Korridorit të Kaltër”, i cili siguron lidhjen e jugut të Kroacisë, Malit të Zi dhe Shqipërisë me atë që po e quajmë unazën e turizmit mesdhetar, por siguron edhe një aks strategjik për shkëmbimin intensiv, jo vetëm të njerëzve, por edhe të mallrave në funksion të një rritje të qëndrueshme ekonomike.
Besojmë shumë që ky projekt është mbështetur me argumente të fortë. Besojmë shumë që ky projekt është në një fazë të avancuar përsa i përket pëlqyeshmërisë, besueshmërisë dhe mundësisë për të qenë i mbështetur.
Së dyti, infrastrukturën hekurudhore rajonale, që kemi shpjeguar se ka një rëndësi të veçantë jo vetëm për rajonin, por edhe për Europën.
Së treti, qendra apo parqet logjistike dhe portet multimodale.
Së katërti, një shtysë shumë të fortë të mundshme për të mbyllur apo për ngushtuar hendekun shumë të madh mes rajonit dhe pjesës tjetër të Evropës në pikëpamje të teknologjisë dixhitale dhe të aksesit në teknologji të shoqërive të rajonit.
Shtylla e dytë është energjia, siguria energjetike dhe infrastruktura energjetike. Ne e fillojmë nga një pozicion i fortë si një rajon për shkak të përfshirjes në projektin TAP. Por, sigurisht, mbetet për të insistuar që të nxisim investime, që të garantojmë gjithë ndërlidhshmërinë brenda për brenda rajonit për të garantuar edhe përfshirjen jo vetëm të rajonit, por edhe të BE-së dhe rajonit, në një rrjet të integruar të energjisë, që padyshim do të kishte jo pak influencë edhe në stabilitetin energjetik të gjithë kontinentit tonë.
Së treti, do të argumentojmë domosdoshmërinë për të siguruar në afat të mesëm dhe të gjatë financime për të mbështetur sipërmarrjen, por për ne një rëndësi të veçantë ka mbështetja për rritjen e arsimit profesional, bazuar mbi modelin gjerman.
Së fundi, turizmi si një sektor vibrant shërbimesh dhe strategjik për ekonominë e pjesës më të madhe të rajonit, por me influencë në të gjithë rajonin, është një shtyllë e rëndësishme e diskutimeve, ku padyshim dhe ne do të themi fjalën tonë.
Dua ta mbyll këtë prezantim duke thënë se jemi në një moment shumë të rëndësishëm për nga potenciali që kjo kohë ka, dhe për faktin se ka një dakordësi të përgjithshme në rajon. Gjë që sigurisht përbën edhe një shtysë të fortë nga ana e palës tjetër për t’ju afruar rajonit në një tentativë të re që të gjithë së bashku ne ta çojmë në një fazë të re ekonominë dhe jetën sociale të të gjithë rajonit dhe të bëjmë të mundur që e gjithë problematika objektive e procesit të integrimit për secilin nga vendet të kundërbalancohet me një proces të fuqishëm ndërveprimi rajonal e dhe zhvillimi e bashkëpunimi ekonomik në të gjithë rajonin.
Në këtë funksion ne kemi propozuar që të shkojmë më tutje se sa kuadri i investimeve në Ballkanin Perëndimor, një strukturë mbi të cilën, pa as më të voglin dyshim mund të ngrihet një mekanizëm më i fortë qeverisës, në mbështetje të vendeve të rajonit dhe përmes të cilave vendet e rajonit të kenë një stacion ndërveprimi qoftë me palën gjermane si e tillë dhe qoftë me të gjithë strukturën e BE-së.
Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati:
Përshëndetje të gjithëve!
Në vijim të asaj që tha Kryeministri, unë do të doja të informoja opinionin publik që për herë të parë BE i prezantohet një dokument programativ nga vendet e rajonit dhe në rastin në fjalë nga Shqipëria, që është tregues i faktit të pronësisë lokale mbi këtë proces dhe mënyrën se si ne shohim strukturimin e mëtejshëm të këtij procesi, kryesisht në një rrethanë shumë të rëndësishme gjeopolitike që rajoni dhe Europa kalojnë sot për sot.
Europa sot për sot ka dy kërcënime, një që vjen nga lindja dhe një tjetër që vjen nga kufiri jugor. Në kufirin jugor por edhe në kufirin lindor, ne mendojmë që rajoni i Ballkanit Perëndimor mund të transformohet më tej në një histori suksesi. Në kuptimin politik të fjalës ku do të fokusohet edhe tryeza, edhe diskutimet e ministrave të punëve të jashtëm të rajonit, të vendit mikpritës dhe të vendeve të tjera pjesëmarrëse kryesore të BE-së, pikërisht se si paqja dhe procesi i normalizimit që ka filluar në rajon, të shoqërohet me tej me procesin e ripajtimit të rajonit dhe bashkëpunimit më të përforcuar rajonal që do ta afronin rajonin tonë me BE-në.
Po kaq e rëndësishëme është edhe rrethana në të cilën ndodhet vetë BE-ja, ndoshta një lloj programi që është paraqitur nga Presidenti i KE-së, ku është bërë e qartë se në 5 vitet e ardhshme nuk do të ketë një zgjerim të BE-së, por është shumë i rëndësishëm që procesi i afrimit të Ballkanit Perëndimor me BE-në të jetë edhe me i strukturuar si në aspektin politik, ashtu edhe për sa i përket projekteve të karakterit ekonomik, që të ritransformonin në radhë të parë vendet tona në një rajon të vërtetë dhe në radhë të dytë do të afronin fizikisht, përmes projekteve konkrete që pala shqiptare në bashkëpunim me vende të këtij rajoni propozon, siç iu referua Kryeministri, për ta afruar rajonin dhe për ta lidhur fizikisht me BE-në.
Se treti, është një realitet që Europa e përjetoi në rastin e krizës në Ukrainë dhe tashmë në rastin e krizës në Lindjen e Mesme, nevoja për diversifikimin e burimeve energjetike, ku Shqipëria dhe ky rajon ka një pozitë kyçe, sidomos Shqipëria për shkak është vendi ku do të ndërthuren dy projekte gjeostrategjike TAP-i dhe IAP-i dhe korridoret e reja ku ne synojmë që të propozojmë dhe të bashkëbisedojmë me palën gjermane dhe me vendet e tjera, në këtë konferencë.
Së fundi, dhe jo më pak i rëndësishëm, Ballkani është transformuar dhe ka ardhur në ditët e sotme falë perspektivës së anëtarësimit në BE-së, falë mbështetjes së SHBA-ve. Ne besojmë se duke u afruar Ballkani drejt BE-së, nuk është thjesht një interes strategjik i Ballkanit, por është një interes gjeostrategjik i vetë BE-së. Do të përpiqemi së bashku me vendet e tjera ta bëjmë këtë të qartë jo vetëm thjesht nëpërmjet këtij takimi, por edhe procesit që ne do të gjenerojmë nga ky takim.
Faleminderit!
Ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj:
“Përshëndetje!
Konferenca e Berlinit në aspektin ekonomik, ka një risi të veçantë, sepse e konsideron Ballkanin jo thjesht si një problematikë sigurie, por për herë të parë e konsideron si një zgjatim të domosdoshëm dhe tejet të rëndësishëm të tregut europian.
Tryeza e ministrave të Ekonomisë do të fokusohet në ato katër shtylla që Kryeministri përmendi, duke synuar përafrimin fizik të tregut të Ballkanit Perëndimor, Ballkanit në tërësi me tregun europian. Infrastruktura, qoftë ajo rrugore dhe kryesisht Autostrada e Kaltërt apo nyjet hekurudhore, që përafrojnë qoftë lëvizjet e lirë të njerëzve, por edhe të mallrave dhe të sipërmarrjes do të jenë në fokus të shtyllës së parë, të infrastrukturës. Të para, në mënyrë të integruar me të gjitha projektet e mundshme rajonale dhe europiane të energjisë të të gjitha llojeve, qoftë të energjisë elektrike, të interkonjeksionit ballkanik dhe interkonjeksionit europian, qoftë hidrokarbureve, ato dy projekte madhore TAP dhe IAP dhe sigurisht, të energjive të tjera, ku tregu europian ka shumë nevojë për burimet abondante të shumta të tregut ballkanik, por edhe të Shqipërisë në veçanti.
Më tej, mbështetja për sipërmarrjen, edhe në aspektin e transferimit të njohurive dhe metodologjive të tjera të mësimdhënies, në aspektin e arsimit profesional. Modeli gjerman është shembull. Gjithë rajoni do të tentojë të tërheqë atë njohuri, ta bëjë të vetën, në mënyrë që forcat e punës të përafrohen me gjithë ato nevoja që ka Bashkimi Europian dhe që ka edhe tregu ballkanik në integrim e sipër.
Turizmi, sigurisht është pjesë e integruar e sektorëve të Mesdheut. Fizikisht, turizmi ballkanik është i paintegruar ndër vete dhe në tregun europian të turizmit. Projektet e infrastrukturës dhe të gjitha, të katërta shtyllat do të bëjnë të mundur që turizmi si konsekuencë dhe si objektiv i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik të jetë pjesë shumë rëndësishme e zhvillimit të ekonomive të Ballkanit, por edhe pjesë e rëndësishme e integruar e ekonomisë të Bashkimit Europian.
Dua ta theksoj edhe një herë që risia e kësaj Konference është që së fundmi, Ballkani shihet si treg i rëndësishëm, i domosdoshëm. Dua të theksoj që Shqipëria brenda Ballkanit nuk shihet më thjesht si një vend dhe si një element sigurie, por shihet si promotor i zhvillimit rajonal dhe promotor i integrimit europian.
Faleminderit!”