(Pa)siguritë e Strategjisë së Sigurisë
Nga Afrim Krasniqi, botuar në Shqiptarja.com
Shqipëria prej vitit 2007 nuk ka ende një dokument zyrtar ligjor të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare. I fundit dokument, ai i vitit 2004, kishte jetëgjatësi 3 vjecare dhe prej vitesh u tejkalua ne problematika, nocione, pritshmëri dhe synime. Së fundi mazhoranca aktuale mori nismën për hartimin e dokumentit të ri, i cili tashmë ka marrë votat në parlament dhe është në tryezën e Presidentit për dekretim ose jo. Në traditën shtetërore shqiptare dokumente të tilla nuk kanë një rol thelbësor dhe rallë kanë qenë pika referuese.
Në traditën e vendeve me demokraci të vjetra dhe të konsoliduara Strategjia e Sigurisë përbën dokumentin orientues kombëtar, një planveprimi për të ardhmen dhe një prespektivë profesionale mbi sfidat, rreziqet dhe prioritetet. Kjo është arsyeja që hartimi i SSK gjithnjë është produkt final i një pune të jashtëzakonshme, vizionare, pjesëmarrëse, profesionale dhe institucionale.
Në rastin shqiptar shumica e këtyre elementëve mungojnë. Dokumenti i ri sjell risi në disa aspekte, është më pozitiv, më analizues, më plotësues dhe më gjeopolitik sesa dokumenti i vitit 2004, gjithësesi, në raport me nevojat dhe stabndardet e një vendi anëtar në NATO dhe kandidat në BE lë shumë për të dëshiruar. Për ata që e lexojnë (me siguri deputetët në shumicën e tyre nuk e kanë lexuar) defektet gjenden në gjuhën e përdorur, në shprehjet formale, në plagjiaturën e marrë nga dokumente të tjera të dy-tre vendeve të tjera, në retorikat populiste, në strukturën problematike, etj. Duke hyrë në brendësinë e saj gjërat shfaqen edhe më serioze, për shkak të problematikës, listimit të prioriteteve dhe zgjidhjeve që ofrohen.
Përpjekja për të qenë “politikisht korrekt” dominon mbi realpolitikën dhe përcaktimin e interesave dhe objektivave reale kombëtare. Le të përmend dy detaje: e para mungon një referim direkt për Kosovën, shteti i dytë shqiptar në rajon, ndërkohë që dicka e tillë psh, nuk mungon në modelet e Rumanisë, Kroacisë, etj, megjithëse edhe ato janë vende në NATO.
Mungojnë referimet në çështjen kombëtare, mungojnë trajtimet në problematika të defektit në sistemin politik, në distancën sociale në rritje midis oligarkisë së pasur dhe shumicës së varfër, në rreziqet që burojnë nga problematika financiare, terrorizmi, fondamentalizmi, mungon referimi shumëplanësh në rolin e medias apo shoqërisë civile, në prioritet në identitetin shtetëror dhe vlerat tona në përballje me të tjerët, në referimet ndaj shtresave në nevojë dhe deri tek humbjet e mëdha njerëzore në aksidente, – detaje me rëndësi që gjenden në dokumentet e shumë prej vendeve të tjera në rajon.
Ndërkohë gjenden premtime që de facto po rrëzohen nga i njëjti parlament që i ka miratuar. Psh, ndërsa premtohet zgjerim i shërbimit diplomatik parlamenti dhe qeveria sapo mbyllën disa ambasada, ndërsa premtohet zgjidhja për 5 vjet e çështjes së pronësisë, strategjia ekzekutive për të parashikon një periudhë tjetër të paktën 10 vjeçare, etj, etj.
Elementi tjetër i dukshëm që përbën risi, personalisht jo pozitive, është vendimi i ligjvënësit për të injoruar dhe rivalizuar një organ kushtetues, sic është Këshilli i Sigurimit Kombëtar. Kushtetuta e ka të shprehur qartë, KSK është organ këshillor i kreut të shtetit, në të marrin pjesë të gjitha pushtetet dhe institucionet qëndrore dhe përbën një garanci të fortë institucionale për sigurinë dhe sistemin kushtetues qeverisës. Dokumenti i ri krijon një strukturë të ngjashme pranë Kryeministrit dhe ia kalon përgjegjësinë e zbatimit, ndjekjes dhe vlerësimit të çështjeve të SSK pikërisht shefit ekzekutiv, i cili, në hirearkinë shtetëore vjen pas Presidentit dhe kryetarit të Parlamentit. Në SSK pritej që KSK të forcohej, të bëhej një ligj i ri dhe të krijohej një profil aktiv i aktivitetit të tij, në zbatim të kushtetutës.
Ecja e kundërt, deri në injorim dhe krijimin e një strukture të re paralele që merr kompetencat e tij me ligj, përveçse një praktikë me probleme kushtetuese, përbën një zhvillim pas, i motivuar nga politika e ditës, dhe me siguri, me pasoja negative në çështjet e sigurisë.
Element tjetër thelbësor është vetë procesi i hartimit të SSK dhe raporti i politikës ndaj saj. Procesi ishte i shpejtë, i mbyllur, jo transparent dhe për pasojë, solli një produkt me disa mangësi lehtësisht të evitueshme dhe tërësisht të shmangshme. Presidenti inicoi një korrigjim të kësaj sjelljeje, diçka pozitive, por pa efekt në procesin integral të hartimit dhe miratimit të SSK. Kjo sjellje jo transparente e grupit përgjegjës politik dhe e faktorit politik pjesëmarrës e dobëson SSK, megjithëse nuk e cënon integritetin e saj. Konsultimi nuk është detyrim kushtetues, është detyrim demokratik.
Siç duhet, mazhoranca ka zgjedhur gërmen kushtetuese dhe jo frymën demokratike, është vendimi i saj dhe secili mund të ketë gjykimin e vet mbi këtë zgjedhje. Më shumë se procesi i mbyllur, SSK shfaq një problem tjetër të madh: asnjë nga gjashtë partitë politike parlamentare nuk ka një qëndrim politik ndaj saj, nuk ka kritikë dhe as vlerësim, nuk ka investuar ekspertizë dhe as nuk e ka prioritet. Ky është një lajm i keq, një sinjal sesi politika injoron gjërat madhore që kanë të bëjnë me vendin e prespektivën dhe i kushton rëndësi gjërave dytësore që lidhen vetëm me interesat e saj ditore dhe elektorale. Konsensusi i heshtjes dhe injorimit të SSK, mbetet unik në gjithë historikun e parlamenteve të vendeve të NATO-s, gjë që dobëson ndjeshëm edhe efektin praktik të SSK, besimin tek ajo dhe përgjegjësitë që burojnë prej saj.
Siguritë dhe pasiguritë e dokumentit të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare, në praktikën shqiptare, nuk lidhen shumë nga mënyra sesi shkruhen ligjet dhe vendimet, por sesi zbatohen ato. E kaluara nuk na bën optimist, e tashmja na bën skeptik. Nëse vlera e dokumentit të ri të SSK është nevoja ta kemi një dokument të tillë ose të kemi një dosje me bilanc formal pozitiv për tu prezantuar në Samitin e Ri të NATO-s, – ky dokument i plotëson këto kushte. Nëse vlera e dokumentit tenton të kryejë misionin që SSK ka një hirearkinë dhe sistemin qeverisës të një vendi serioz, anëtare në NATO, atëherë me siguri ky dokument nuk e përmbush misionin e tij.
Debati ditor nëse SSK dekretohet, kalon apo rikalon në parlament ka vlerë dytësore dhe nuk zgjidh asgjë. Debati real shkon më tej, – të kemi një debat më cilësor, institucional, gjithëpërfshirës dhe afatgjatë, – çfarë modeli shteti po krijojmë, mbi çfarë vlerash dhe parimesh po e krijojmë hirearkinë vendimmarrëse, cilat janë interesat afatgjata të Shqipërisë dhe a jemi të vetdijshëm dhe të gatshëm të punojmë për to! Përgjigje që fatkeqësisht, me dhe pa SSK, ende mungojnë.