Shqipërisë i nevojitet një edukim i orientuar drejt tregut të punës

Nga Frank Hantke, botuar në Mapo Online, 21 gusht 2014

Për ta thënë që në fillim, do të ishte fatale nëse edukimi dhe shkollimi do të orientoheshin vetëm drejt zbatimit të njohurive të përfituara në tregun e punës. Kjo gjë do ta pengonte ndjeshëm zhvillimin e fëmijëve dhe të rinjve dhe do t’i kthente ata në “makineri”. Nga ana tjetër, bota e punës përcakton një pjesë të mirë të jetës sonë dhe për këtë arsye u duhet bërë më e qartë të rinjve se deri tani, orientimi i edukimit dhe shkollimit drejt tregut të punës nuk nënkupton faktin që të rinjtë “t’i nënshtrohen” botës aktuale të punës, por që ata të bëhen aktorë sovranë në botën e ardhme të punës. Pra të rinjtë – dhe prindërit e tyre – duhet të dinë më shumë për botën e punës, sidomos kur ata duhet të vendosin për shkollimin e tyre në të ardhmen, sepse shkollimi dhe trajnimi profesional janë çelësi për zgjedhjen e profesionit për të rinjtë në të ardhmen.

Tregu – çfarë është ai?

Ne të gjithë shkojmë shpesh në treg, për të plotësuar nevojat tona. Qoftë për ushqime, qoftë për gjëra të përdorimit të përditshëm. Për këtë arsye duhet të merremi fillimisht me nocionin “treg” dhe të sjellim para syve përvojën tonë, në mënyrë që të verifikojmë se sa vlejnë rregullat kryesore të tregut edhe në “tregun e punës”. Të gjithë e dinë se çfarë ndodh në një treg. Ofrohen dhe shiten mallra. Çka nuk ofrohet, nuk mund të blihet. Çka është e shtrenjtë, nuk blihet. Edhe mallrat e padobishme apo me cilësi të keqe mbeten mbi tezgë dhe bëhen të padobishëm. Blerësi e verifikon mallin me shumë kujdes, ndërsa shitësi e lavdëron atë dhe përpiqet t’ia shesë klientit apo klientes. Shitësi e kupton shumë shpejt, nëse malli i tij i plotëson kërkesat e klientit apo jo. Ai ka vetëm dy mundësi. Nga njëra anë ai mund të ulë çmimin, nga ana tjetër ai mund të ndryshojë ofertën e mallrave në mënyrë të tillë, që të plotësohen kërkesat e klientit. Këto janë vetëm disa rregulla, por të rëndësishme, të cilat vlejnë në tregun e punës në këtë formë apo në formë të ngjashme.

 Kush janë aktorët në tregun e punës – dhe cili është malli?

Në rast se i hedhim një sy tregut të punës, i shtrojmë fillimisht vetes pyetjen, cilët janë aktorët dhe mallrat e tij? Kush është blerësi dhe kush është shitësi? Çfarë rekomandohet dhe cilat janë interesat e blerësit? Le të imagjinojmë një vajzë të re, e cila ka mbaruar studimet në një universitet, apo ka mbaruar një shkollë profesionale. Ajo është duke kërkuar një vend pune. Pra ajo ofron fuqinë e saj punëtore, kompetencat dhe aftësitë e saj – ajo është “shitësja”. Sipas kësaj logjike, blerës duhet të jetë punëdhënësi, i cili fuqinë e tij punëtore e kërkon në këtë treg pune. Ai e verifikon ofertën me shumë saktësi, sepse për të është e rëndësishme që të gjejë fuqinë e duhur punëtore. Vetëm atëherë ai mund të shpresojë që të vazhdojë me sukses biznesin e tij apo ta zgjerojë atë. Në mënyrë që të arrihet një marrëveshje midis “shitëses” së fuqisë punëtore dhe “blerësit” duhet që të përputhen disa gjëra. Një “blerës” nuk do të punësonte asnjë fuqi punëtore, e cila nuk i përmbush kërkesat – qoftë për faktin se “shitësja” ofron kompetencat e gabuara, ose sepse njohuritë që ka marrë ajo nuk vlejnë, ose janë të papërdorshme. Pra do të punësohet vetëm ai person, i cili ofron atë çka nevojitet. Për këtë arsye, kjo “shitëse” duhet t’i njohë me shumë saktësi nevojat dhe kërkesat e blerësit, përpara se ajo të përvetësojë ato njohuri që do t’i shesë më vonë – edukimin dhe formimin profesional, pra mallin e saj.

Tregu i punës në Shqipëri nuk është i tillë

Aktualisht në Shqipëri, për arsye të ndryshme nuk mund të flitet për një treg pune funksional! Shpesh blerësi nuk shkon fare në treg, dmth vendet e lira të punës nuk u ofrohen të gjithë punëkërkuesve nëpërmjet administratës së tregut të punës. Në vend të kësaj preferohen shpesh lidhjet familjare apo rrjete të tjera, dhe në këtë mënyrë shumë “blerës”, pra punëdhënës, nuk merren me “ofertën e përgjithshme të punëkërkuesve”. Nëse në këtë mënyrë, ata gjejnë ofertën më të mirë, kjo duhet vënë seriozisht në dyshim, siç tregon edhe praktika. Nga ana tjetër, “shitësi” “mallin” e tij nuk e ofron aspak në treg, por rri në pritje të funksionimit të ndonjë rrjeti – konkretisht pritet oferta e ndonjë miku të mikut …ose edhe e ndonjë partie, në të cilën është angazhuar, sa kohë që bëhet fjalë për një vend pune në administratën publike. Kësaj i shtohet edhe problemi, që “shitësi” ofron shpesh mallra, që nuk i do askush: mijëra juristë janë në pritje p.sh. që po të kenë fat, pas pak apo shumë kohësh të konstatojnë se kompetencat e tyre juridike nuk mund të shiten si mall. Në vend të tyre ata dikur do të ofrojnë një mall, të cilin edhe ata vetë nuk e pëlqejnë aspak: ata kërkojnë – dhe gjejnë vetëm – punë si kamerierë, operatorë telefonikë etj. E thënë shkurt: tregu shqiptar i punës nuk mund të funksionojë, sepse aktorët nuk i respektojnë rregullat e tregut. Me vështirësi kërkohen “shitës”, të cilët orientohen drejt nevojave të blerësve dhe ofrojnë mallin që kërkojnë ata; po aq me vështirësi kërkohen blerës, të cilët i formulojnë konkretisht nevojat e tyre dhe shprehen në tregun publik të punës! Pra ka një treg, por askush nuk shkon atje.

Si mund të gjallërohet tregu i punës?

Duke qenë se një treg funksional pune është kushti bazë për një ekonomi funksionale, është e kuptueshme, se përse ekonomia shqiptare deri tani nuk ka lulëzuar në mënyrë të tillë, siç mund të kishte ndodhur. Sepse në fakt çdo gjë disponohet: vendi ka burime të mjaftueshme, në mënyrë që sipërmarrjet (“blerësi”) të mund të krijojnë mjaftueshëm vende të ndryshme pune. Dhe vendi ka shanse të shkëlqyera sa i përket të ashtuquajturit Human Capital, sepse pothuajse asnjë shtet tjetër në Europë nuk ka kaq shumë njerëz të rinj, të arsimuar dhe me dëshirë për të punuar (“shitës”) sa Shqipëria”! Nëse është e vërtetë, që cilësia e “mallrave të tregut të punës” – dhe bashkë me të edhe kompetenca dhe aftësitë – janë çelësi për shitjen e tyre në tregun e punës, dhe nëse është e vërtetë, se një treg funksional pune është çelësi për zhvillimin ekonomik, atëherë është e qartë, që duhet filluar nga fillimi. Dhe fillimi janë arsimimi i duhur dhe arsimi dhe formimi profesional!

Por kush është përgjegjës, që arsimi dhe formimi profesional i të rinjve të jetë i suksesshëm edhe për tregun e punës? Gjithsecilit fillimisht mendja i shkon tek mësueset dhe mësuesit. Po, edhe ata janë përgjegjës, por ka edhe shumë aktorë të tjerë të rëndësishëm – dhe të gjithëve u kërkohet që të marrin pjesë aktivisht në përmirësimin e “mallit-arsim”. Pikësëpari janë “shitësit e fuqisë punëtore”, pra të rinjtë, të cilët së bashku me prindërit e tyre duhet të vendosin shpesh mjaft herët, se çfarë arsimi do të ndjekin – por deri tani ata shpesh kanë marrë vendime objektivisht të gabuara. Këtu bëjnë pjesë edhe punëdhënësit, sepse ata e dinë më mirë se të gjithë, se për çfarë kanë nevojë ata ” si “blerës” – por deri tani ata vetëm kanë kërkuar, por nuk kanë dhënë ndihmë për zhvillimin e edukimit dhe të shkollimit përkatës. Dhe duke qenë se bëhet fjalë për detyrën e të gjithë shtetit, natyrisht që edhe politika është një faktor i domosdoshëm – por për shumë kohë arsimi u është lënë në dorë biznesmenëve privatë. Të gjithë këta faktorë duhet të bashkohen, në mënyrë që arsimi dhe formimi profesional të optimizohen dhe në këtë mënyrë t´i japin jetë tregut të punës, dmth kushteve kryesore për zhvillimin ekonomik.

Në fillim është informacioni – dhe ajo çka bën me të

Në një farë mënyre duket sikur shumë “dinë” diçka. Disa “dinë”, se çfarë mungon, të tjerët “dinë” se çfarë nuk bëhet, të tjerët “dinë” përsëri, se përse e gjithë kjo nuk mund të funksionojë. Në këtë këndvështrim “njohuritë” dhe përgjigjet përkatëse janë pa vlerë. Interesante bëhet situata vetëm atëherë, kur bëhen përpjekje për të mbledhur gjithë informacionin e nevojshëm dhe me të së bashku – pra të gjithë aktorët e përmendur – shtrojnë pyetjen e duhur: Si do të vazhdohet, dhe cili mund të jetë kontributi që mund të japë secili aktor për këtë? Nëse i dilet mbanë, që të gjithë aktorët të ulen së bashku dhe të përpiqen t´i përgjigjen bashkërisht kësaj pyetjeje, atëherë do të ndryshojë diçka. Megjithatë do të ketë vetëm një “model shqiptar”, i cili është një trup i vetëm. Nuk është e mundur të merret diçka nga një shtet, diçka tjetër nga një shtet tjetër etj. Transferimet e modeleve nuk funksionojnë, sepse secili vend ka veçoritë e veta! Pra nevojitet të vritet vetë mendja. Le t´i bashkojmë të gjitha informacionet e aktorëve të ndryshëm, t´i vendosim ato haptazi mbi tryezë dhe të shohim se çfarë kanë bërë të tjerët në situata të ngjashme. Vetëm atëherë personat përgjegjës do të jenë në gjendje, që në bazë të këtyre informacioneve të hartojnë një model të vetin, i cili mund ta çojë Shqipërinë përpara.

Prindërit duan më të mirën për fëmijët e tyre – por si ta zbulojnë ata këtë?

Nëse prindërit ulen bashkë me fëmijët e tyre për të folur mbi shkollimin që do të ndjekin ata në të ardhmen, ata duan – dhe në të gjithë botën është kështu – më të mirën për fëmijët e tyre. Prindërit orientohen nga përvojat e tyre, por edhe nga dëshirat dhe prirjet, që ata vetë nuk kanë mundur t´i realizojnë. Kjo është e kuptueshme, por aspak e mjaftueshme për t´u mundësuar pasardhësve shanset më të mira. Për këtë atyre u nevojiten më shumë informacione. Për shembull, si paraqitet situata në tregun aktual të punës. P.sh. fëmija dëshiron të studiojë mjekësi. Por a ka nevojë tregu i punës? Një përgjigje p.sh. mund të bëjë një pasqyrim të mirë dhe të besueshëm, i cili duhet të ofrohet nga punëdhënësit dhe nga politika e tregut të punës. Më pas ata duhet të mësojnë më shumë, se çfarë cilësie ka dega e ofruar – ndërkohë pothuajse të gjithë e dinë, se një certifikatë ka aq vlerë, sa përmbajtja arsimore e shkollës apo universitetit. Në rast se kjo është e keqe, atëherë “blerësi” i arsimit – pra prindërit dhe fëmijët e tyre – duhet t´i mbajnë duart larg nga ky mall, për më tepër që shpesh ai ofrohet me një çmim jashtëzakonisht të lartë. Në rast se përgjigja e pyetjes, nëse është mirë dhe e orientuar drejt së ardhmes që të rinjtë të fillojnë një degë të caktuar studimore, është negative, atëherë prindërve u nevojiten alternativa. Por këto alternativa mund të ofrohen vetëm, nëse ofruesit arsimorë janë të gatshëm dhe kompetentë për t´i bërë ato. Mënyrën se si duhet bërë shkollimi, në mënyrë që të shitemi mirë në tregun e punës, punëdhënësit e dinë shpesh shumë mirë – dhe jo vetëm ata, por ata janë blerësit ekskluzivë. Pra blerësi duhet të japë kontributin e tij, që përmbajtjet më të rëndësishme arsimore të bëhen pjesë e arsimit dhe formimit profesional. Së bashku me mësuesit, profesorët dhe politikanët e tregut të punës ata duhet të formësojnë së bashku arsimin dhe formimin profesional. Për këtë ata jo vetëm që duhet të shprehin hapur përvojat e tyre nga praktika, por duhet t´i venë ato në dispozicion edhe për të rinjtë – p.sh. në praktika profesionale për nxënësit etj. Në rast se prindërit dhe fëmijët e tyre dinë më shumë, atëherë ata mund të marrin vendime më të mira.

A ka sot një alternativë të mirë për Universitetin?

Deri tani është shumë pak e njohur që në ditët e sotme ka alternativa të mira për një formim profesional universitar, i cili më vonë mund të sigurojë një punë dhe të ardhura të mira. Në fakt ekziston një sistem i arsimit dhe formimit profesional, i cili mbulon gjithë territorin e vendit, por që ofrohet vetëm në sistemin parauniversitar – qeveritë e mëparshme ishin përqendruar shumë tek Shkollat e Larta-, por tashmë një numër i shkollave profesionale ofrojnë trajnim sipas të ashtuquajturit sistem dual, kjo do të thotë që teoria dhe praktika mësimore të ndërthuren me njëra-tjetrën. Të rinjtë e shkolluar në mënyrë të tillë do të jenë specialistë të kërkuar në tregun e punës – pra shitës të preferuar, sepse njerëz të tillë kanë kërkuar blerësit/punëdhënësit deri tani pa sukses në tregun e punës. Veçanërisht investitorët ankohen dhe janë të detyruar të punësojnë fuqi punëtore nga jashtë shtetit. Pra, kush mendon i orientuar drejt së ardhmes, nuk duhet të harrojë, nëse një arsim profesional dual i harmonizon më mirë aftësitë dhe talentet e fëmijëve të tij dhe nëse nuk është e sigurt, që të merren kompetenca të kërkuara në vend të certifikatave pa vlerë. Nuk duhet harruar, se p.sh. Gjermania ka arritur një zhvillim kaq të mirë dhe të qëndrueshëm ekonomik, sepse ka specialistë të mirë në të gjitha fushat –  jo vetëm në sektorin akademik. Prandaj hapat e qeverisë aktuale për t´i dhënë më shumë peshë arsimit dhe formimit profesional, duhet të përshëndeten dhe të mbështeten. Por për këtë duhet bërë ende shumë punë. Mësuesit duhet të bëjnë kualifikimet përkatëse, punëdhënësit – siç u theksua – duhet të marrin pjesë aktivisht në formësimin e arsimit dhe formimit profesional praktik dhe shkollat e reja profesionale duhet të pajisen me aparatura moderne dhe të mjaftueshme. Për këtë ofrohet shumë ndihmë në ditët e sotme. Me një koordinim të mirë dhe me përdorim në përputhje me nevojat do të kemi së shpejti një alternativë të vërtetë dhe të domosdoshme për studimin, i cili në ditët e sotme i ka futur shumë njerëz në një rrugë pa dalje dhe shumë rrallë ka prodhuar për një “mall” të mirë për tregun e punës.

Si mund të jetë një edukim dhe shkollim i orientuar drejt tregut të punës?

Edhe fëmijët e vegjël konfrontohen shpesh direkt ose indirekt me botën e punës. Nëse prindërit janë p.sh, të papunë, ata këtë gjë e ndjejnë shumë shpejt dhe me dhimbje. Kjo vlen edhe për të rinjtë, kur ata fillojnë të mendojnë për të ardhmen e tyre. Çfarë duhet të bëj ndryshe dhe më mirë? Ku mund të marr këshilla dhe ndihmë për vendimmarrjen? A mund ta shikoj unë një herë këtë botën e punës përpara se të marr vendimin? Ku mund të fitoj shumë para? Cila punë është e sigurt? Këto por mbase edhe pyetje të tjera lindin me kalimin e kohës. Ato janë pjesë e procesit të rritjes. Nëse është kështu, atëherë shkolla duhet të merret aktivisht me këtë pjesë të rëndësishme. Pra – në përputhje me moshën – duhet të hartohen përmbajtjet mësimore, të cilat i ndihmojnë fëmijët dhe të rinjtë që të gjejnë përgjigje për pyetjet e tyre. Një pjesë tjetër e rëndësishme janë edhe praktikat profesionale për të rinjtë. Ata mund të marrin informacione për profesione të ndryshme dhe në këtë mënyrë, nëse arrihet, të marrin më mirë vendimin pro ose kundër një karriere të caktuar profesionale. E rëndësishme është gjithashtu, që të rinjve dhe prindërve të tyre t´u jepen informacione të mira dhe të plota për tregun e punës: çfarë nevojitet sot? Ku janë shanset në të ardhmen? Kjo mund të realizohet si gjatë orës së mësimit – në lëndë të ndryshme mësimore – ashtu edhe në oferta informative të ndryshme speciale për të rinjtë dhe prindërit. Për t´i hartuar këto me saktësi, është detyrë e aktorëve të përmendur. Një arsimim profesional i orientuar drejt së ardhmes dhe tregut të punës sjell shumë përparësi për të gjithë pjesëmarrësit, krahasuar me qëndrimin pasiv edhe në të ardhmen.

Një mendim i fundit për këtë temë është, se prindërit dhe fëmijët e tyre gjithnjë e më shumë do të konstatojnë në fund rëndësinë e informacioneve të mira dhe të përvojave gjithëpërfshirëse: Më mirë një zejtar i mirë dhe që fiton shumë, sesa një profesor i papunë.

*Frank Hantke drejton aktualisht zyrën e Fondacionit Friedrich-Ebert në Tiranë. Në punimin e tij përmbyllës në Universitet, ai trajtoi sistemin e shkollave profesionale në GjermaniNë vitet ´80, autori ishte anëtar nderi i Kryesisë Kombëtare të Sindikatës së Arsimit dhe Shkencës (GEW) në Gjermani.

 

 

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi