Ballkani Perëndimor dhe Evropa, në fokusin e Fondacionit Friedrich Ebert
Dy ditë para Konferencës së Berlinit, Fondacioni Friedrich Ebert organizon në Berlin më 26 gusht workshopin “Evropa dhe Ballkani Perëndimor: Përafrim apo Izolim ?”. Në takim do të marrin pjesë deputetë të parlamentit gjerman, anëtarë të shoqërisë civile, të medias nga Gjermania dhe dy folës të zgjedhur nga vëndet e Ballkanit Perëndimor. Në fokus të këtij aktiviteti do të jenë paqja ne rajon dhe situata drejt Bashkimit Evropian.
Per temën “Pajtimi dhe bashkëpunimi rajonal në Ballkanin Perëndimor”, do të flasë Dejan Joviq, Këshilltari për Politikë të Jashtme i Presidentit të Kroacisë. Çështjet që do të trajtohen këtu lidhen me situatën e tanishme të procesit të paqes në Ballkanin perëndimor dhe sfidat që duhet të perballohen për ta kurorëzuar me sukses. Po ashtu do të analizohet roli i bashkëpunimit rajonal mbi paqen dhe kapërcimin e problemeve të rëndësishme sociale dhe ekonomike, si dhe kontributi i Bashkimit Evropian në suksesin e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit.
Per temën “Integrimi evropian: Zhvillimi i demokracisë dhe sundimi i ligjit”, do të flasin Ardian Hackaj, Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim, Shqipëria, dhe Duska Jurisiç, Kryeredaktor i TV Federal, Bosnja dhe Hercegovina. Çështjet që do të trajtohen në këtë pjesë mbulojne përparimet kryesore në forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit gjatë viteve të fundit, dështimet eventuale dhe arsyet respektive. Po ashtu do të trajtohen mësimet nga përvoja e Bullgarisë dhe Rumanisë, kryesisht në lidhje me rolin e kushtëzimeve të BEsë gjatë procesit të integrimit. Ne fund do të diskutohet mbi atraktivitetin e integrimit evropian per Ballkanin, krahasuar me alternativa të tjera ideologjike dhe / ose gjeopolitike.
Për këto çështje do të flasin dhe Josip Juratovic dhe Dietmar Nietan, deputetë në Parlamentin gjerman. Në fund është parashikuar të nënvizohen disa përfundime rreth mënyrës se si duhet të sigurohet përafrimi i mëtejshëm mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor