Sa kushtojnë reformat për shqiptarët
Nga Arben Brace, botuar ne Balkanweb, 19 gusht 2014
Përtej një vëzhgimi empirik, besoj se nuk mund të ketë vend tjetër në planetin Tokë që mund të ketë bërë reforma më të kushtueshme se shqiptarët.
Nuk ka vend këtu për të analizuar periudhën e kohës totalitare, se tashmë ajo është evidentuar në rrugën e vështirë e të mundimshme të zhbërjes së komunizmit, por për këtë çerek shekulli të erës demokratike në të cilën mbi shqiptarët po aplikohen të gjitha llojet e modeleve të sistemeve të globit, pa marrë në konsideratë gjënë më të rëndësishme: koston e tyre. Për liderët e reformave, rëndësi ka imazhi, në disa raste edhe progresi, por për koston e tyre, n.q.se do t’i referohemi realitetit të deritanishëm, nuk humb njeri kohë për gjëra të tilla.
Prej rreth çerek shekulli zhvillohet reformë në fushën e pronësisë, me një varg spërdredhjesh ligjore që nuk interpretohen as nga juristët më të mirë të fushës, dhe prona mund të përfundojë kudo; në dyert e gjykatës dhe të sekserëve, por vetën në duart e pronarit të ligjshëm nuk shkon. Përfundimi ka të bëjë me kosto marramendëse, me shpenzime të tëra gjyqësore, shpenzime pa fund për stafe administrative shtetërore, fatura milionëshe nga Gjykata e Strasburgut etj.
Reformë zhvillohet edhe në fushën e legalizimeve dhe në atë të prishjes së ndërtimeve pa leje, dhe vetë shteti, përpos të tjerash, kthen 60 mijë dosje me njohje të legalizimeve për periudhën janar 2013-tetor 2013, duke cenuar në mënyrë të hapur, jo vetëm sigurinë juridike, por edhe duke faturuar një kosto galopante financiare, për shtetasit që tashmë kanë hipotekuar këto legalizime, kanë zhvilluar dhe tjetërsuar këto prona, pa llogaritur këtu edhe pasojat juridike që do të vijnë më pas nga Gjykata e Strasburgut në lidhje me këto legalizime. Përgatitet ligj strikt për ndërtimet pa leje dhe përsëri policia ndërtimore pret përfundimin e ndërtimit të objektit, për të realizuar spektakël hollivudian për hedhjen në erë të ndërtimit, sikur të jemi në pronën e armikut ose në Hamasin e Gazas së ditëve të sotme. Nuk ndodh qoftë edhe në një rast të vetëm që policia ndërtimore të jetë prezente në vendosjen e tullës së parë pa leje. Si përfundim, mijëra para të hedhura dëm nga shtetasit shqiptarë, të cilat, në një shtet minimal pak më të kujdesshëm mund të shkonin në destinacionin e duhur.
Reformë zhvillohet edhe në administratën civile, ku dalin jashtë saj mbi 7 mijë punonjës, për trajnimin e të cilëve janë shpenzuar me miliona euro nga vetë shteti dhe BE-ja, pavarësisht përgjithësimeve që bën politika se, ata që largohen janë të gjithë militantë?!
Reformë zhvillohet edhe në fushën e shëndetësisë, por për këtë ka më pak rëndësi se të tjerat, sepse shëndetësi të mirë ka jashtë dhe, megjithëse në kurriz të tyre dhe me shpenzimet e koston e tyre, shqiptarët e kanë gjetur vetë këtë zgjidhje. Ata që nuk kanë mundësi, përdorin si “bankë” farefisin dhe mundohen të bëjnë zgjidhje emergjente.
Reformë zhvillohet edhe në fushën e kulturës, ku shumë shpejt do të na duhet të ambientohemi me artistë të rinj, duke qenë se të vjetërve u ka mbaruar afati i kontratës!? Imagjino sikur kjo të ndodhte në Hollivud, Vjenë, Paris etj. Një gjeneratë e tërë artistësh do te mbeteshin vetëm në memorien historike dhe do t’u duhej t’u lëshonin vendin të rinjve, duke qenë vetë në kulmin e formës dhe të krijimtarisë artistike.
Reformë zhvillohet edhe në fushën e arsimit dhe, natyrisht, asnjë klasë politike dhe ndërgjegje shoqërore nuk do të pranonte formimin dhe konsolidimin e një supermarketi arsimor, sikundër po zhvillohej tek ne, por nga ana tjetër, përpara se t’i heqësh licencën një institucioni arsimor privat që ka hedhur miliona para dhe investime pikërisht për të mbushur pamundësinë e shtetit në një investim të tillë, do t’i lihet dhe koha e duhur e mundësia për të përmbushur në mënyrë strikte kërkesat e ligjit përkatës. P.sh., shteti francez, për të shmangur paligjshmërinë dhe evazionin në universitetet private, nuk e ka zgjidhur me heqjen e menjëhershme të licencës, por ka krijuar partneritet në masën 15-20% me këto universitete, për të pasur mundësinë për t’i kontrolluar dhe futjen e tyre në shtratin e duhur ligjor. Përfundimi edhe në këtë reformë, është një kosto e tërë në dëm të interesave të publikut, partnerëve privatë, por edhe vetë shtetit edhe në fushën e arsimit.
Natyrisht që, detyra parësore e një qeverie është zhvillimi imediat i reformave dhe për çdo qeveri në drejtim, çdo minutë e humbur në këtë drejtim përbën kosto, por n.q.se për qeverinë tonë kostoja financiare nuk ka rëndësi ose ka shumë pak rëndësi, sepse tek ne askush nuk proteston, nuk na kushton ndonjë gjë e madhe t’i referohemi përvojës së qeverisë së suksesshme “Merkel”, e cila, përpara zhvillimit të çdo reforme që bën, institucionet shkencore të pavarura i ofrojnë politikës kostot financiare për çdo rast, duke u kujdesur që ato të jenë sa më shumë efikase dhe sa më pak të dhimbshme për publikun.
Patosi moral i zhvillimit të reformave nga ana e qeverisë aktualisht është apolitik, përderisa kostot e zhvillimit të reformave në çdo rast i faturohen publikut. Shteti ynë, duke mos marrë në konsideratë kostot e reformave, sillet njësoj sikurse shteti totalitar, sipas të cilit, shteti është gjithçka ndërsa individi asgjë, ndërkohë që, nuk janë shtetasit në shërbim të shtetit, por shteti në shërbim të tyre. Bërja e reformave sot në realitetin perëndimor ka të bëjë me një kombinim të përkryer midis shkencës dhe politikës, në mënyrë që kostot financiare dhe pasojat të jenë sa më të lehta dhe të përballueshme. Në reminishencë me këtë, tek ne reformat paraqiten sikur me anë të tyre do të vendoset drejtësia absolute dhe në fund nuk arrihet as drejtësia absolute dhe as ajo relative, por përkundrazi, një sistem i ri sundues.
Ndryshimi i mentalitetit qeverisës dhe atij të reformave duhet të jetë Alma matter për politikanët e kohës postmoderniste. Pikërisht për këtë, sociologu dhe politologu i mirënjohur Niklas Luhmann, me të drejtë thoshte se “sistemi politik tërheq në politikë, njerëz që, nga nevoja e pastër për t’u marrë me diçka, lumturojnë popullin, me akte bamirësie të pafinancueshme”. Kështu e përfytyron politikën një prej profesorëve më të arsyeshëm gjermanë të shekullit të kaluar. Natyrisht që, Luhmann e thotë këtë duke marrë në konsideratë që në politikë veprojnë njerëz dhe jo robotë të programuar, njerëz që janë njëkohësisht bij, bashkëshortë, baballarë ose gjyshër, njerëz që kanë interesa dhe obligime të ndryshme që kostot e reformave i kanë prioritet të ndërgjegjes së tyre qytetare dhe politike.