Mbyllja e institucioneve të paligjshme të arsimit të lartë – një hap përpara
Nga Valbona Nathanaili, botuar në Shqip, 17 gusht 2014
Në periudhën pas viteve ’90, dëshira për një diplomë universitare çoi në ligjërimin dhe hapjen e një numri shumë të madh institucionesh të arsimit të lartë, të njohur ndryshe si “privatë”, krahas atyre “publikë”. Dallimet kryesore ndërmjet tyre ishin dhe mbetën dy (të paktën, deri më sot, pa i hyrë reformës që pritet të zbatohet). Së pari, privatët financoheshin dhe financohen nga paratë e studentëve; publikët financoheshin dhe financohen, kryesisht, nga buxheti i shtetit. Së dyti, privatët i hapën dyert për të gjithë ata të rinj që ishin në kërkim të një diplome; publiku vazhdonte e vazhdon të seleksionojë, kryesisht mbi bazën e notës mesatare të shkollës së mesme, veçanërisht në disa degë që vazhdojnë të quhen si të “preferuara”, kryesisht Juridik e Ekonomik.
Argumenti justifikues: shteti, me një buxhet tejet të varfër për arsimin në përgjithësi dhe për arsimin e lartë në veçanti, nuk është në gjendje t’u përgjigjet kërkesave në rritje për këtë nivel shkollimi. Hapja e universiteteve private ishte dhe është një zgjidhje e mirë, nisur edhe nga praktika botërore. Ky është hapi përpara. Reforma në arsimin e lartë që është diskutuar pak kohë më parë, mund të përfshihet në këtë hap.
Por, i gjithë sistemi i hapjes së institucioneve në shërbim të arsimit të lartë u konceptua si një biznes i pastër fitimprurës për pronarët e këtyre universiteteve dhe, për më tepër, në shumë raste u abuzua. U abuzua me ëndrrën e të rinjve për një diplomë cilësore, – dhe është e pafalshme. U abuzua me besimin e një shoqërie të tërë që pretendonte se po rriste numrin e njerëzve të shkolluar e të mençur, – dhe mund të cilësohet fare mirë si krim. Çdo vit i ri shkollor shtonte numrin e këtyre institucioneve, të cilët së fundmi u bënë aq folklorikë, sa kënga e tyre filloi të jehojë, të dëgjohej e këndohej edhe jashtë vendit. Më e lehtë sot në Shqipëri është të marrësh një diplomë të shkollës së lartë, se të së mesmes. Anekdota: “Mbarove shkollën e lartë, tani futju edhe shkollës së mesme”, ka kohë që nuk bën më njeri për të qeshur. Pothuajse të gjitha qytetet kryesore në Shqipëri kanë nga një e më shumë universitete.
Fatkeqësia është që në konkurrencën për të hapur sa më shumë universitete u bë pjesë edhe shteti, në kuptimin që kontribuoi në rritjen e numrit të tyre. Sipas faqes zyrtare të MAS-it, në Shqipëri operojnë 15 institucione të arsimit publik të lartë me statusin e universitetit, pa përfshirë këtu filialet e tyre, sikundër është, për shembull, filiali në Peshkopi i Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës. Po jap disa të dhëna se çfarë ofrohet në këtë “universitet”. Filiali u hap në tetor të vitit 2009 dhe ofronte: profil ekonomik me tri programe; profil drejtësi me një program (asistent ligjor); profil edukim me dy programe; profil matematikë me dy programe (Matematikë-Fizikë/ Matematikë-Informatikë); profil gjuhë, letërsi, anglisht, informatikë, specialist rrjetesh kompjuterike; profil biologji-kimi; profil infermieri e përgjithshme; cikël të ulët; part-time me tri programe: drejtësi / infermieri e përgjithshme / financë-bankë. Në total filiali ofronte 17 programe. Në vitin 2009, vitin e parë të hapjes, në këtë filial janë regjistruar 400 studentë, ndërsa në vitin 2010 numri i studentëve shkoi në 800.
Shembulli është për të ilustruar dhe përgjithësuar një fakt të thjeshtë: nuk kemi kaq kapacitete njerëzore për të punuar në këtë nivel arsimi dhe aq shumë parà, sa duhen, për të financuar këtë nivel arsimimi. Por nëse mungojnë profesorët dhe paratë për të pasur një universitet cilësor, nuk mungojnë biznesmenët, të gatshëm të investojnë për të ngritur godina të bukura dhe fasada shumëngjyrëshe, por deri këtu, pasi universiteti si përgjegjshmëri sociale dhe vetë shkolla si e tillë, del jashtë vizioneve dhe synimeve të tyre. Ata kërkojnë para, ne kërkojmë njerëz të ditur. Sa kohë që kanë shkelur ligjet dhe nuk kanë vepruar në përputhje me kushtet për të cilat janë licencuar, kjo do të thotë që përpjesëtimi nuk ka qenë i drejtë: pra, më shumë para për xhepat e tyre dhe më pak dije për studentët tanë. Në çdo dimension arsyetimi, konkluzioni është përsëri po ai: duhen mbyllur.
E përgjithshmja është se të gjithë jemi dakord me këtë masë, por kemi nevojë ta themi e ta rithemi: MAS po vepron drejt duke mbyllur e pezulluar të gjitha institucionet e arsimit të lartë që nuk plotësojnë standardet e kërkuara, privatë a publikë qofshin, si dhe duke monitoruar me rigorozitet punën e të tjerëve.
Nuk duhet lënë pa përmendur fakti që për disa prej tyre nuk është hera e parë që pezullohen ose që u hiqet licenca për një a dy vite. Universiteti “Kristal” ka marrë të njëjtën masë edhe disa vite më parë dhe përsëri, i njëjti emër, shfaqet edhe në këtë listë të dytë “të zezë”. Gojët e këqija thonë se disa prej këtyre universiteteve, kur u pezullohej licenca për një vit, pra e kishin të ndaluar të regjistronin studentë në vit të parë, i binin shkurt: i regjistronin studentët direkt në vitin e dytë. Për rrjedhojë, krahas mbështetjes, të mësuar dyshues ndaj çdo drejtimi që ka pasur ky vend, natyrshëm vjen edhe pyetja: mos kemi thjesht një riciklim masash dhe ata që ishin përsëri do të vazhdojnë të jenë? Mbetet për të parë, por arsimimit të keq i ka mbaruar koha.
Koha e arsimimit të keq mbaroi thjesht sepse nuk mund të kompensojmë më të shkolluarit keq me ata që u shkolluan mirë. Masa kritike e të shkolluarve mirë po bëhet gjithmonë e më vogël, e paaftë të gjenerojë reaksione që çojnë shoqërinë përpara. Për këtë duhet të ndërgjegjësohemi të gjithë.